E enjte, 28.03.2024, 06:28 PM (GMT)

Kulturë

Resmi Osmani: Mbreti i Çoles

E diele, 21.01.2018, 11:29 AM


MBRETI I ÇOLES

Monodramë nga Resmi Osmani

Unë jam mbreti!

E them për ju që s’më njihni. Jo një mbret dosido, por Mbreti i Çoles!Kurora ime mbretërore, është kjo kapele e vjetër, e zgjyrosur, strehëthyer që se heq nga koka as ditë as natë. Shiheni pallatin mbretëror dhe po deshët mos u mrekulloni me bukurinë dhe madhështinë e tij: teneqe, llamarina të ndryshkura, patavra drrase nga arkat e flakura, mbulesë plastmasi, ku shiu i bie trumpetës dhe dielli ndez saçin. E kam ndërtuar vetë, me këto duar. Ka nje kthinë për nevojtore, me një gjysmë fuçie për ujë, pastaj një çatma kompensato, që ndan nevojtoren nga dhoma e vetme: e gjumit, e pritjes dhe e ndënjjes, gjithë e gjithë 2x2 metro dhe e lartë sa hyj i përkulur. Shtrati mbretëror që mezi më nxe, i sajuar mbi arka, dysheku, një mrekulli me shtresë kartoni, mbulesa dy batanije të leckosura,ku flihet mrekullisht . Si derë shërben një fletë e vjetër cadre, që e kam lidhur me tela. Orenditë: në një cep, froni mbretëror, nje karrike plastmasi blu me tri këmbë, një stol i vogël që shërben sy tryezë për të shtruar mëlmesat e shijshme, mbi të shishet e ujit,një kusi e vogël alumini për gatim, e nxirë nga zjarri. Dritë më bën shandani i filxhanit pa bisht me vaj dhe fitil pambuku. I vetmi zbukurim, e vendosur mbi shtrat, është korniza me ikonën e Shën Marisë me Jezusin fëmijë në gjunjë . Oborri i pallatit mbretëror është i stolisur me pellgje, llonxha e pellgaçe, që në dimër mbushen me ujë të amullt dhe në verë me pluhur e ndyrësira. Në perëmdim, ca më larg,më rrinë përballë pallatet shumëkatëshe, më tej, valët e detit lëpijnë rërën e plazhit.

Si e kam emërin? E ç’ju duhet! Para se të shpallesha mbret, më thërrisnin Zhelan, dhe rrugaçët kur më shihnin, më gjuanin me gurë:hya zhelan! Nuk kam as letër-njoftimi, as pasaportë, nuk gjendem në defterët e gjendjes civile.Nuk egzistoj si të isha njeri-hije. Jam askushi. Një askush mbret!

Unë, mbreti, mos pandehni se kam lindur si princ trashëgimtar në fron. Jo. E kam fituar me shpatë.E kam paguar me një sy të handakosur, që thuajse ka humbur shikimin dhe dy dhëmbë të thyer. Mbreti i mëparshëm i Çoles, e kishte ndënjien në tunelin e një pallati përballë meje.I dukej vetja jo dosido, po një mbret-luan! Kur pa që një shtetas i tij, i mbretërisë së leckamanëve, unë, guxova e ngrita, pallatin  tim të teneqejte, e mori për karshillëk. Me madhështinë dhe hirin e tij mbretëror, ja behu ditën më drekë,më tha që ishte ndërtuar pa lejen dhe izën e tij, prandaj urdhëri qe i prerë: të shporresha dhe pallati sekuestrohej dhe bëhej i tij. Ishte me i ri nga mua. Mjekër e flokëgjatë, qelbej era gjiriz. I thashë të shihte hallin e tij. Ai ishte mësuar që kurkush të mos ia bënte fjalën dy. Mu turr sipër që të më merrte shpirtin. Por dy duar për një kokë. Nga grushti që më dha në fytyrë,pështyva gjak dhe dy dhëmbë të thyer. Ahere hyra Brenda dhe mora shpatën: një binar dërrase katërqosheli, ndoca dy metro i gjatë. Me sa më hanin krahët, i sëllova një goditje në sup që e zuri edhe në qafë.Pingërroi si derri kur e therin dhe u plandos në shesh. Ahere i hyra me shkelma, bjerë e bot, ku të dhemb e ku të ther, brinjëve në lukth, në kërcinj,sa u zgërlaq.I ra të fikët. Thashë se mos e kisha vrarë. Mos! Hapu dhe të hy! I hodha një kovë me ujë në kokë. Desh e mira u përmend dhe u hoq zvarrë – zvarrë, mori për nga kishte ardhur pa kthyer kokën pas. Ngjarja bëri bujë në principatën e Çoles, që mbreti i tyre kishte rënë në usta dhe nuk mënuan të vinë, të më shohin, njohin e përshëndesnin shtetasit: lipsarë, endacakë, leckamanë,pijanikë, të droguar, ca zuska e ca zuzarë të bardhë e të zez. Më thanë se më njihnin për mbret të tyre dhe t’i pranoja dhe t’i merrja në mbrojtje si  shtetas të mi! Nuk e kisha menduar se mund të ishin aq të shumtë.

Nga ajo ditë unë jam mbreti i Çoles.

Nuk jam kushedi i pasur,si kushërira ime Elisabeta mbretëresha e Anglisë, apo kusheriri Karl Gustavi i Suedisë(se ne mbretërit të gjithë biem kushërinj me njerjatërin),por gjene s’duhet të ankohem. Bashkia e qytetit, më ka lidhur një ndihmë dy mijë e pesëqind lekë në muaj, kësaj i kanë vënë një emër të madh: asistencë sociale. Nuk është pak. Sos e tepron! I takon të shpenzoj  tetedhjete lek në ditë, nga këto gjysma për të blerë bukë. Harxhet e muajit i psonis në një shitore te pallatet, ngarkohem sa s’i mbaj dot: një shishe vaj, një pako sheqer, një qeskë  kripë dhe një pako me kafe elbi. Janë boll për gjithë muajin,e ç’i duhyen robit më shumë? Mjaftueshëm sa për të mbajtur frymën, më shumë të dhjamosin e bëjnë dëm për shëndetin.Vaktet e mi, janë një gosti e vërtetë mbretërore që kushdo mund të ma ketë zili. Mëngjesi një kafe elbi, që e ziej në një kanoçe. E pi me pak sheqer, më shijon për kiamet! Pa afron dreka dhe nis e më ther lukthi. Ngroh ujin në tenxhere dhe përshesh bukën, e përvëloj, ca pika vaj,për kripë s’ka nevojë, e ka vetë buka dhe ushqimi gati.Unë i them kaçamak, apo përshesh me ujë, po ti shtosh vaj ulliri dhe djathë ajo quhet papare, por ky është luks i tepërt, u takon buzëhollëve.Ha gjysmën, le dhe për darkë. S’ka ushqim më të mirë se ky për mua që dhëmballët më janë rrafshuar, e përtyp ngadalë me nullëza. Qëllon që tryeza pasurohet me ushqime të zgjedhura që kushdo mund ti lakmojë. Dal në breg të detit, kur uji tërhiqet nga zbatica, në rërë mbeten ca gaforre të vogla, që u thonë gërthëla, dhe guacka që brenda kanë tul. I mbledh. Me gaforre bëhet një supë që ta mbash në gojë. Ashtu të ziera, veshtullore e të buta, i gëlltis pa përtypur.

Guackat, i hap me majë të thikës dhe u ha atë pak tul që kanë. Më kanë thënë që janë të shëndetshme e plot me vitamina. Ka edhe më. E le mënjanë qibrën mbretërore dhe mbrëmanet, u bëj një krehje shitoreve të pemëve. Në koshat e të hedhurave, gjej ndonjë mollë, portokallë apo pemë të tjera që kanë nisur të kalben. Mbush qeskën me to, i laj, i pastroj nga kalbësira dhe paçka që bien era myk,ëmbëlsoj vaktin pas kaçamakut. Më e madhja që mund të më gjejë, është një heqje barku, por kjo nuk ndodh se lukthi im është mësuar. Lere kur gjej ndonjë limon, feja vetë, për supën e gaforreve. Në një qytet të madh, e kotë të ankohesh, njeriu nuk shuhet nga uria. Limerët e mi janë edhe kazanët e hedhurinave(s’ma nxë goja ti quaj të plehrave,siç kam dëgjuar që u thonë deputetët), që gjenden në principatën time. Provova dikur të gjeja në ato miniera, ca plaçka që edhe mund ti shisja për të nxjerrë ndonjë lek, por isha i vonuar.Atyre u kishin dalë zotërit. Qenë më të rinj se mua. Më thanë të largohesha me hir, në mos do të pendohesha që kisha lindur. S’ke ç’bën, të fortit hapi udhë, kështu ka qenë gjithnjë. Pasi kanë mbaruar punë romët dhe qentë, bëj një kalim. Aty kam gjetur një furnelë të vogël gazi nga ato që u thonë gaziqe,blej ndonjë bombolë dhe me të bëj kafen dhe gjellët. Shpesh gjej edhe tesha, pantallona,e veshje të tjera, aty kam gjetur këpucët që kam të veshura, e plot gjëra që pasunarëve s’u hyjnë më në punë.

Sot bie shi dhe është ftohtë. Kubeja e reve të plumbta është ulur poshtë dhe asnjë rreze dielli si çan dot.Përjashta nuk dilet. Në shtresa është shpejt për tu shtrirë, nuk dua të më zerë gjumi se pastaj nuk fle dot natën, e bëj gjumin me copa dhe shoh ëndërra koti. Ndeza kandilin. Ai cërrin,bën tym dhe nga flaka shkëputen ca toptha të ndritur që pëlcasin si fishekzare, ngaqë vaji po mbarohet dhe fitili thith ujin ndën të, që e kam hedhur të ngjitet më lart vaji. S’po gjej të ngrohtë.Trupi mërdhin,më kapin të dridhurat, eshtrat therin,zemra shtrëngohet e gjoksi dhemb. Rri syqyt dhe nis mendoj.Eh, në vetmi,kur më kaplon trishtimi e mërzia, buisin  mendimet,  kujtimet, ato që kanë shkuar e s’kthehen më. Sa shumë dhimbje, sa shumë vuajtje, sa shumë mundime, në këtë det të tallazitur, ka edhe ndonjë ishull gëzimi, por ai është i vockël, e mbyt batica e dallgëve të së keqes! Gjashtëdhjet e pesë vite jetë, po qe se kësaj i thonë jetë.Tjetër gjë të jetosh e tjetër të gjallosh. Mbyll sytë. Mëndja sjell si në një film  bardhezi copa të shkëputura e të rrëmujshme pamjesh, që shtyhen kush e kush të dalë e para. Ja ku duket ai djali në vitin e fundit të gjimnazit:flokë çelur, sykaltër, shtatlastar, gazmor, zemërqëruar pamjebukur. Jam unë, djali i vetëm i prindërve që më kanë si dritën e syrit.Më kanë lindur ca vonë dhe unë i mbaj mend thuajse të plakur. Kam rënë në dashuri me Dritën. Siç ka emrin ashtu edhe është:diell e hënë. Asaj i vardiset edhe Ermiri. Ajo na buzëqesh dhe përnazet të dyve,si një premtim, por nuk na e shkëput as po as jo. Të dy e duam si të  marrosur. Tjetri u bë xheloz, kur na pa qe dolëm bashkë. Se gëlltiste dot: unë bir puntori, ai bir drejtori.Më tha të hiqja dorë, e kur se bëra, krisi sherri. Ishim vetëm. Ai më i fuqishëm më mbertheu fytin, po më merrte shpirtin. Nxora thikën dhe ia ngula me tërë fuqinë në brinjë. U këput e ra i mbytur në gjak. Arrestimi, gjyqi, me akuzën tentative vrasje me dashje, dënimi njëzet vjet. Ermiri nuk vdiq, u shërua dhe më vonë mora vesh që u martua me Dritën. Miniera e Spaçit, galeritë e skëterrës. Kur dola,në vitin e pare të demokracisë, isha i shkatrruar, i plakur parakohe, i thinjur e i kërrusur. Prindërit më kishin vdekur. Shtëpiza jonë nuk ishte më .Aty kishte nisur ndertimi i një pallati. Fillikat, pa strehë, pa punë, një i harruar e i braktisur. Punova disa vite në firmat e ndërtimit, gjumin dhe ndenjjen e bëja në apartamentet e kateve të përfunduar. Gjeta një fatkeqe si veten dhe u martuam. Na lindi një djalë. Kisha lindur nën yllin e fatkeqësive: u rrëzova nga skela e katit të tretë.Theva këmbë e dorë.Nga goditja e kokës, humba kujtesën. S’e dija as kush isha as ç’më kishte ndodhur. Muaj të tërë në spital.Mos e pyesni, kur robit i është shkruar të heqë të zitë e ullirit. Gruaja, kur e pa që s’bëhesha më njeri, çau ferrën dhe iku në Greqi me gjithë djalin foshnjë. Ai tashti është bërë burrë.Unë e di që kam një djalë, por ai se di që ka një baba! Për punë nuk mundesha më. Ngrënë e pangrënë, rrugëve e strehëve, shamatohesha me qentë e kazanëve për ndonjë krodhe buke të mykur. Si duhesha askujt, as zotit, as vdekjes dhe ja ku jam katandisur…..

Po erret.Shiu s’ka të pushuar. Nën leckat e mbulesës s’po gjej të ngrohtë.I hodha pak vaj kandilit. Hëngra kaçamakun e mbetur nga dreka.Në qiellzë më la një shije  ndryshku.Shplava gojën me një gllënjkë ujë. Nga ikona,Shën Maria me të birin foshnje në pëqi, me vështimin tretur larg, si t‘i  vegohej i biri në kryq,duket sikur më sheh me sy të pikëlluar e mëshirë qiellore.Të dy jemi të vuajtur. Ajo pa të birin në kryq, po ai në të tretën ditë u ngjall. Golgota ime është më e rëndë. Kam tridhjet vite që mbaj mbi shpinë kryqin e halleve të mija! Para se të fle, çdo natë, bëj kryqin dhe them lutjen “Aty ynë”. Është i vetmi ngushëllim, por jo shpresë. I bëj përherë një lutje: të vijë ëngjëlli i vdekjes e të ma marrë jetën. Nuk e bën. Më mëshiron, mos vallë vuajtjet mi jep si provë besimi gjer në martirizim? E di , ka kohë që vdekja më sillet rrotull, e ndjej.Një natë mu shfaq si nëna ime. Qëndroi para meje,pastaj u ul në stol. E tëra e veshur në të zeza, i zbardhnin vetën flokët, sytë të ftohtë, pa dritë, prej saj pikonte pikëllim i hidhur. Më shihte e heshtur, pa fjalë, asnjë fjalë. I thirra por s’mu përgjegj. Desha të ulja kokën në pëqi të saj si dikur në fëmijëri, por nxori para dorën dhe nuk më la. Binte era dhe, era varr.U mbështoll me mjegull dhe u hoq e pezullt, papritur ashtu siç u faneps. Mbeta i tronditur. Atë natë s’mbylla sy.

Vdekje ku je, pse nuk më merr?

Jetë e padurueshme, jetë qeni! Pa dale,ç’farë the madhëri? Duket që kam lajthitur fare. Ah sikur të isha qen.Por jo pastor, as qen-ujk apo bulldog, por një qenush,sa një grusht, veshllapush, i bardhë, kaçurrel me atë turiçkën e bukur, nga ata që u pëlqejnë zonjave.Të vdisja e të ringjallesha si një qenush! Eh sa do të më donin.Do më lanin me ujë të ngrohtë e shampo, do të më parfumonin,do të më mbanin hopa, nën sqetull, do të më nxirrnin shëtitje, në dimër do të më vishnin jelek që të mos mërdhija, mbrëmanet do të më mernin në shtrat. Nga dashuria e madhe do të më puthnin, do të më quanin shpirt e xhan.Pa le ushqimi, nga më të mirat e dheut, për tu ëmbëlsuar edhe çokollatë! Po të sëmuresha,të kisha temperature, apo të më ikte oreksi do të lebetiteshin, do të thërrisnin veterinerin….Jetë po jetë!

Dhe kjo për një qenush.

Medet, unë jam njeri, nga ata që fati dhe jeta i ka dënuar për së gjalli, që s’gjej një vend në këtë botë të madhe, që s’i dal zot vetes, e që si duhem askujt. As vdekjes.

I ftohti po bëhet therës. Kështu siç jam i veshur, po heq vetëm këpucët e po shakullepsem nën shtresat-lecka që të gjej pak të ngrohtë e më ze gjumi. Po e shuaj edhe kandilin që të kursej vajin, se mbase gdhihem i gjallë edhe nesër.Dita që vjen,është më e keqe se kjo që po ikën.

Natën e mirë e qofshi të lumtur.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora