E enjte, 18.04.2024, 06:34 AM (GMT+1)

Editorial » Sidheri

Elvi Sidheri: Kishte gjë fe Skënderbeu?

E shtune, 20.01.2018, 10:21 PM


Kishte gjë fe Skënderbeu?

Nga Elvi Sidheri

Në një intervistë të shkurtër mbrëmjen e 17 Janarit, pra pikërisht në 550 vjetorin e vdekjes së Gjergj Kastriotit, historiani Aurel Plasari, në njëfarë momenti do t’i përgjigjej një pyetje të moderatorit lidhur me faktin nëse Skënderbeu ishte besimtar, në mënyrën më të mprehtë të imagjinueshme, duke thënë: “Pse, mos ishte ateist gjë?”

E kështu, me këtë spondë kaq erudite, arrijmë të futemi drejt e në temë.

Pikëpyetja që po valvitet e vërvitet këto ditë anë e kënd, çoç po synon të na ngrejë mendjen lidhur me të qenët apo jo të Gjergj Kastriotit orthodhoks (për ta thënë sipas vijës së vetë Kishës Autoqefale, e mbi të gjitha sipas dialektit korçar e gjuhës së Nolit të madh), katolik, mysliman, ndoshta edhe hinduist, budist, scientolog (feja e Tom Cruise!!) e ku di unë çfarë tjetër.

A thua ti, se feja e Gjergj Kastriotit na paskësh qenë thelbi i jetës së kryetrimit tonë nga A-ja gjer në ZH të veprës së tij luftarake e kombëtare!

Për këdo që nuk zbulon ujin e lagur, fakti që Gjergji ynë me shumë gjasa lindi ortodoks - pasi edhe dominimet, pronat e trojet e kontrolluara nga Kastriotët shtriheshin në zona ku deri vonë, e diku pjesërisht edhe sot ka akoma shqiptarë ortodoksë (një pjesë fshatrash të Gollobordës, si dhe zona e Rekës së Epërme në Maqedoni, kryesisht e banuar nga shqiptarë ortodoksë të asimiluar) – që u rrit në ambient mysliman në Stamboll pranë Sulltanit ku kish vajtur peng, e që paskëtaj u kthye në dheun mëmë e luftoi krah popullit të tij duke shikuar për mbështetje e aleatë në gadishullin Apenin katolik, pranë Papatit, Napolit e Venedikut, të gjitha këto gjëra pra, seç na shërbyekan veç si elemente ndarës e stisje kundërshtish të kota.

Këtu lind dhe do të duhej edhe të vdiste problemi njëherësh faktikisht.

Sepse kjo është një zbrazëti konceptuale që nuk të shpie askund përveçse në një humbëtirë historike që pastaj pasqyrohet pashmangshëm në mungesën e thellë e të gjithanshme të vlerave e të pikave të qendrueshme të referimit në përditshmërinë tonë të sotme si shqiptarë, një popull që sa vjen e humbet më tepër nga e shkuara, e tashmja, e padyshim edhe ardhmja e tij ndërkohë që shikon t’i (vet)zhbëhen pandalur rrënjët e veta historike në mënyrë kaq tinëzare.

Gjon Kastrioti, ashtu si edhe i biri Gjergji, i provuan të treja fetë gjatë jetëve të tyre plot andralla, luftë e përpjekje, duke qenë kështu thjesht ngërthyes e paraardhës kryekëput të shqiptarit modern, atij të ditëve të sotme që jeton në një shoqëri shumëfetare, shembull më tepër unik se i rrallë vëllazërie fetare (Papa Françesku docet), që historikisht do të paraprihej pikërisht nga jeta dhe vepra e kryetrimit tonë dhe të atit, që ditën të notojnë, të zhdërvillen mes tallazeve e furtunave të epokës së tyre të turbullt, njëkohësisht duke mbajtur ekuilibrin mes feve të ndryshme.

Sikundër e dimë, nuk ka asgjë të habitshme që një shqiptar sot të ketë lindur me një fe (ose të ketë lindur pa fe në kohë të Partisë), të jetë rritur me një fe tjetër e në fund ta ketë ndërruar fenë sërish, njëtrajtshëm me prirjen tipike të shqiptarit për të lundruar lirshëm mes feve të ndryshme, pa eksese a teprime.

Ç’paskërka të habitshme kjo dukuri te Skënderbeu?

Apo, çështja qenkësh se përse së paku pjesën e tij të parë të jetës kryetrimi ynë mund ta ketë kaluar si ortodoks?

Mos do ta bënte ky fakt më pak arbëror Gjergjin tonë gjë?

Po një shqiptar të sotëm, e bën më pak shqiptar kjo gjë vallë?

Mos të qenët fillimisht ortodoks do të zhvishte Skënderbeun nga shqiptarësia e tij? Nga heroizmi, nga trimëria e pashoqe, nga kombëtarizmi i paarritshëm?

Ku është puna pra? Përse kjo gurgule për asgjë?

Thelbësisht e përmbledhtas, Gjergj Kastrioti ishte arbër për nga gjaku, jeta, bindja, vepra e lufta!

Ai jetoi si arbër, u ndesh me Perandorinë më të madhe, të fuqishme, të pamëshirshme, gjakatare  e në zgjerim të pandalshëm të epokës veç si arbër, duke dashur të mirën dhe lirinë e Arbërisë dhe banorëve të saj, mbi gjithçka, qoftë edhe tokat apo pronat dhe titujt e tij fisnikërorë familjarë.

Gjatë jetës i njohu të treja fetë, ashtu si edhe lëvizjen Uniate që ishte një prirje e kohës së tij, në përballje me armikun e përbashkët turk.

Për këtë arsye vepra dhe lufta e tij pikësëpari do identifikuar si mëmëdhetare, ndërsa sfera e tij private, domethënë edhe feja, nevojitet të shihen në kontekstin e epokës ku ai jetoi, një kohë përparimi turk dhe mysliman, rivaliteti me Venedikun katolik, aleance me Napolin dhe Papatin katolik e një Arbërie katoliko-ortodokse sipas ndarjeve të mëparshme mes Perëndimit Katolik e Bizantit ortodoks.

Në këtë ambient lindi e u rrit (përfshirë periudhën osmane të kryetrimit tonë) Gjergj Kastrioti, e këtë ambient reflektoi edhe qëndrimi i tij ndaj këtyre feve gjatë jetës së tij.

Është krejtësisht pavend që pasi kemi në dyshim kombësinë arbërore të Skënderbeut për shkak të nënës së tij Vojsavës, pasi e shpallëm atë armik duke trumbetuar madhështinë turkomane të Ballabanërve e Hamzave, pasi e qortuam Gjergjin tonë pse nuk iu përul vërtikut të kuajve dhe tehut të jataganëve turq të nisur nga rrëza e Mongolisë e të pafrenuar gjer në Vienë dy shekuj mbasi u qenë thyer hundët aq herë poshtë mureve të Krujës, tashmë t’i gjejmë cenet në qenësinë e Skënderbeut, edhe te feja në të lindur të tij.

Mëkat që 550 vite pas amshimit të kryetrimit të Arbërisë, akoma pasardhësit e tij janë kaq dritëshkurtër në mendësi.



(Vota: 15 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora