E shtune, 20.04.2024, 05:30 AM (GMT+1)

Kulturë

Fatmire Duraku: Udha për në ag

E enjte, 18.01.2018, 10:14 PM


Fatmire Duraku

 

Udha për në ag

 

Ku ka dhembje  ka dhe flakë

Ndryshe s` mund të jesh ti

 

Patjetër duhet të shikohesh në pasqyrë

Të jesh një me veten patjetër

Përplasur me valë deti të tërbuar

Kurrë vatër e shuar

 

Ja e sheh nga agon mbi kullat

Nga agon mbi shpirtrat dhe pemët në shkëmb

Ta ecësh udhën e vjetër të gjakut

E të arrish te drita e vetvetes

 

Ndryshe s` mund të jesh ti

 

II

 

Të arrish te drita e agimit

 

Të shikohesh në pasqyrë

Të jesh një me veten

Të të pikojë gjaku në çdo cep të atdheut

Të jesh një me çdo mollë me çdo urë

Të kalosh andej e këndej vetvetes

Të njihesh me secilin gur me secilën rrënjë

Me secilin trung e degë që prek qiellin

 

Ta ecësh udhën nga agu

 

S` ka njohje tjetër përves përmes vetes

Me çdo gjë në të cilën rrjedh

Me çdo gjë që rrjedh në ty

 

III

 

Urtia është dhembja e dritës

Është udha që zbret hirit

Është ura që të kthen në vete

E ku ka dhembje aty ka edhe udhë

 

Pra shikohu me veten

Që të mund ta prekësh dritën fund qiellit

Është flaka e agimit të hershëm

 

Të arrish atje te vetvetja

 

Tatuazh i shpirtit

 

Retushoj frymën e shpirtit

 

E pabesueshme si ngel tatuazhi

Në lëkurën e paprekur të vetes

Një hartë shtatë udhë e kroi bri pyllit

Një portret atdheu dhe një zog në qiell

Ia përcaktoj gjakut rrjedhat

Mbi gur i përcaktoj kufijtë

 

Bëj tatuazh në lëkurën e shpirtit

Ja gjeografia e dhembjes me flamur

Ja ngjyrat e ndezura gjaku

Shtatë ngjyra e ylber s` është

Mbi plagët dëgjohet himni

Mbi fjalët rrëshqet gjarpri i rrënjës

E tingëllima e rrjedhës së ujit në gur

 

Ja dhe pika e gjakut tim në drunjtë

Në lulet në fluturat në barin e kallinjtë

E dridhjet e natyrës së vjetër

Në ndërlidhje me udhët që ikin

E gjithnjë kthehen aty nga  nisen

 

Nuk mund të ikësh askund shpirti im

Pa e marrë me vete gjithë atdheun

 

Agu në liri

 

Dal në çardak ende e përgjumur

Të mësohem më në fund me lirinë

 

Ajo ja shëtit ndër flokë të mia

Në duart buzëqeshjet dhe sytë

Që kapin atje krahët e zogut në flatrim

Qiellit të ngrohtë të agut të purpurt

Mbi shelgjishten dhe ujin e lumit

 

Valët lehtas puthin bregun

 

Ja një herë e përgjithmonë

Kanë rënë zinxhirët e me ta  robëria

Aty ku është flutura dhe gjaku yt

Nuk mund të hyjë dot më

 

Ai zë mbi çati nuk është i qyqes

 

Druri i jetës

 

Në bisht të qiellit mbi shelgjishtet

Çel gjuhë e verdhë e vetëtimës

 

Ata që mbyllin sytë të ikur nga hiri

S`e kanë përjetuar flakën e lirisë

Ende e bartin ndjenjën e robit

Frikën që nuk shërohet pa vdekur

 

E të vdesësh është e vetmja bukuri

Syri i bukur i zogut në fluturim

 

Ja pse kaq e gjallë është pika e dritës

Në këtë  natë  të akullt mbi atdhe

 

Pse perit të shpirtit mbi horizont

Ende vjen ti bashkë me mëngjesin

Shkel rëndë udhën ëndrrës së vjetër

I afrohesh drurit të jetës

Me degën e zgjatur mbi varre

 

Vetëm ti

 

Ja çdo gjë që vjen është e këputur

Nga gjaku yt i cili ende pikon

Është tingëllimë e ujit nga rrjedh larg

Përtej vetmisë e dhembjes

 

Me ag do të çel tjetër qiell

Me ylberin nga kroi në krua

 

Do të kërcejnë kecat

Do të zbresin në krua vashat

T`i lajnë faqet, sytë, të dashuruara në yje

 

Është e këputur nga ti çdo gjë

Të bëhet prapë  vetëm  ti

 

Natë me shi

 

Natë me erë e shi në mua

 

Grimcoj thonjtë e humbur

Zigzag diku në botë tek je ti

Eci e eci e nuk arrij

 

 

Ç`të bëj më shumë për ty

Krejt çfarë mund është të të kujtoj

Të qaj e të qaj për mua e ty

Kurrë të mos ta kthej shpinën

 

Ja vetëm kaq kam mundësi

Të bëj për ty

 

II

 

Natë me erë e shi në mua

 

Çdo çast je ti

I tëri ti

 

Asgjë tjetër s` është gjallë

Asgjë tjetër nuk është me mua

Asgjë tjetër s` dua

Vetëm mbi ty të bjerë ylli

Të digjem e tëra nga syri yt

Nga flaka e gjakut

 

Natë është dhe heshtje

Muret e ftohta më ndrydhin

Fjalë s` nxjerr nga goja

Kotem mbi një shkrim të thjeshtë

E bërë një me frymën e fundit të shpirtit

Po të vdes sonte në këtë natë të gjatë

Të ma lëshoni kokën mbi gur

Aty të më kujtojë vargu për ty

 

Asgjë tjetër s` dua

 

Agu i barit

 

Qe apo nuk qe njëjtë është

Dashurisë i jep kuptim

I jep zjarr të gjallë gjirit

 

E harkuar mbi lumë

Unë pres dhe duroj kaq vjet

Të më shkelin ata që duan ata që urrejnë

Gomarë mushka e njerëz me gunga

Pa ndjenjë për etje e dashuri

Në bregun e majtë lidhin kallinjtë

Në bregun e djathtë qet gjethe një pemë

Dhe një zog me flatra të kaltra

E shkruan qiellin

Me ngjyra të jetës

 

Është dhembje imja

Ëndrra e kthimit

 

Me lot për faqe

Në agun e barit të zgjuar

 

Etja e pashuar

 

Me çfarë  t`i lidh ëndrrat,

Në ritmin e ujit që ik

Ndërsa shpirti digjet

 

Pse ike pse ike pse ike

Me etjen e pashuar

More me vete buzëqeshjen time

Të gjitha ngjyrat e jetës

 

Ngado të shkosh ti  je këtu

Me zjarrin dhe etjen e syrit

Krejt të gurtë

Nga rënia e kohës

 

Gjethe në erë

 

Të vetmuar

Dhe të ndarë

Ndërsa e njëjtë ulërima e ujkut

Ndërsa e njëjtë qyqja në gem

 

Ja në këtë natë dimri

Dhembjes së re të zgjuar

Në këtë natë shtrige

 

Ç` na ka plakë

Kjo jetë sy-vetmie

 

Nuk e them veç unë,

Është gdhendur në shpirt dhe gur:

“Vdekja është kthimi!”

“Vdekja është zgjimi!”

“Dhe udha deri te liria!”

 

Ndërsa fryn erë e egër

Mbi fushat e pafund nën borë

 

Ja çdo gjë bie e thinjur

Mbesin vetëm kujtimet  gjethe në erë,

Krejt të thara, të verdha, pa vlerë

 

Dhe e njëjtë qyqja në gem

 

Qindra vjet

 

qindra vjet e peizazhi i njëjtë

Varreza varrea  e njerëz

Fytyrë-tokë me të vdekurit në krah

Të arrijnë të vetvetja

 

Te e vetmja dritë

Që pikoi qinda vjet gjak

Aty

Këtu

Atje

 

Të heshtur

 

Ngaqë gjuhën na e prenë

Besimin e lashtë të kthimit nga varri

Nga hiri i zjarrit të gjakut

 

Ja ende në degë aty litari

Të varen të pabindurit e urtë

 

II

 

Qindra vjet e peizazhi i njëjtë

 

E njëjta heshtje e njëjta dhembje

Përbiron nëpër të njëjtën unazë

Të ëndrrës dhe të pritjes së pafund

 

Nëpër të njëjtën unazë të nuses

Në të cilën plakeshin sytë

Plakeshin vitet në pritje

Digjeshin ëndrrat e zemrat

Nga zjarri i përjetshëm i besnikërisë

 

Qindra vjet e dhembja e njëjtë

E etja e njëjtë e gjakut

 

III

 

Qindra vjet në vete pa vete

 

Qindra vjet nën dry

Të harrohet çdo gjë e lisit

Çdo gjë e gurit

E të birit ilirit

E arbërit të vjetër

Me nipin për dore

 

Të harrohet farë e bimë e fryt

Të përgjakur nga Gjuha dhe fyelli

Nga fjala e pamposhtur



(Vota: 33 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora