E premte, 19.04.2024, 10:33 AM (GMT+1)

Editorial » Shkreli

Frank Shkreli: Në mbështetje të lirisë së shtypit

E merkure, 10.01.2018, 08:36 PM


HOLLIVUDI NË MBËSHTETJE TË LIRISË SË SHTYPIT

Nga Frank Shkreli

Të djelën mbrëma u transmetua në televizionin amerikan ceremonia vjetore e ndarjes së Çmimeve Globi i Artë,  organizuar nga Shoqata e Gazetarëve të Huaj të Hollivudit, që      nderojnë arritjet më të mira të vitit të kaluar në film dhe në televizion.  Çdo vit, ceremoni të tilla, natyrisht, vlerësojnë punën artistike të yjeve të Hollivudit, por njëkohsisht raste të tilla përdoren për të prekur edhe tema shoqërore me rëndësi për vitin që lamë pas -- për Amerikën dhe për botën -- duke marrë parsyshë audiencën e madhe që tërheqë një ceremoni e tillë, jo vetëm në Shtetet e Bashkuara por edhe anë e mbanë botës.  Tema shoqërore e vitit 2017 që u theksua nga disa disa folës, përfaqësues të Hollivudit, gjatë ceremonisë, u spikat ç’prej fillimit nga veshjet me ngjyrë të zeza të grave që morën pjesë në ceremoninë e ndarjes së Çmimeve Globi i Artë.  Ishte kjo një përzgjedhje e qëllimtë nga gratë pjesëmarrëse dhe nga disa burra, për të shprehur solidaritet me organizatën e formuar nga fundi i vitit të kaloi, “Times’s Up”, “Mbaroi Koha”.  Kjo organizatë ka marrë mbi vete përgjegjësinë individuale dhe shoqërore për të luftuar një fenomen shoqëror që kishte marrë përmasa të mëdha – ngacmimet seksuale, jo vetëm në Hollivud por edhe në hapësira të tjera dhe në vende të punës dhe të të veprimtarisë shoqërore, madje përfshirë edhe median.

Natyrisht, se kjo është një nismë shumë me vend dhe me rëndësi që duhej të spikatej në një ceremoni të tillë nga vet përfaqsuesit e Hollivudit.  Time’s Up –Mbaroi Koha” është një nismë tipike amerikane kur zbulohet një problem i përmasava, siç është ngacmimi seksual në vendin e punës.   Por është gjithashtu tipike amerikane mënyra me të cilën shoqëria përballet me probleme të tilla, të çfardo natyre qofshin ato, duke e pranuar së pari se problemi ekziston, duke mos hesituar për t’a venë në dukje publikisht, duke debatuar dhe duke dënuar fenomene të tilla, dhe më në fund, për t’i bërë thirrje shoqërisë në përgjithësi për një angazhim serioz për zgjidhjen e problemit, cilido qoftë ai.

Një temë tjetër e natës së ceremonisë së ndarjes së Çmimeve Globi i Artë, organizuar nga Shoqata e Gazetarëve të Huaj të Hollivudit, ishte edhe liria e shtypit në Amerikë dhe në botë.   “Shtypi po sulmohet në ditët e sotëme”, u tha të pranishëmve dhe shikuesve anë e mbanë botës, Oprah Winfri, e cilësuar si “Mbretëresha e të gjitha mediave”.   Ajo vuri në dukje respektin e saj për punën e gazetarëve duke thënë se, “Ne e dimë gjithashtu se është dedikimi i pangopur i gazetarëve ndaj zbulimit të së vërtetës absolute, që na bën të mos mbyllim sytë ndaj korrupcionit dhe padrejtësive, ndaj tiranëve dhe viktimave të tyre, ndaj sekreteve dhe gënjeshtrave.”   Një ndër fituesit e kësaj mbrëmjeje ishte edhe Komiteti Për Mbrojtjen e Gazetarëve, një organizatë amerikane jo-fitimprurëse dhe jo-qeveritare, me qëndër në Nju Jork e cila mbështet, promovon dhe mbron lirinë e shtypit dhe të drejtat e gazetarëve.  Shoqata e Gazetarëve të Huaj të Hollivudit, njoftoi se i dhuroi Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve 1-milion dollarë për të vazhduar misionin e tij në mbrojtje të fjalës së lirë anë e mbanë botës, përfshirë edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Janë dhuratat monetare si kjo e Shoqatës së Gazetarëve të Huaj natën e ndarjes së Çmimeve Globi i Artë që bëjnë të mundur për Komitetin për Mbrojtjen e Gazetarëve që të luftojë sfidat me të cilat përballen gazetarët anë e mbanë botës, duke i siguruar ata se cilat do qofshin problemet me të cilat përballen – gazetarët kudo qofshin, nuk janë vetëm, por kanë mbështetjen dhe ndihmën e individëve të njohur të shoqërisë amerikane si Oprah Winfri dhe yje të Hollivudit  si Meryl Streep e cila gjithashtu foli në mbështetje të lirisë së medias    të organizatave dhe enteve të ndryshme jo qeveritare, siç është  Hollivudi.

Duke shprehur falaënderimet ndaj dhuratës prej 1-milion dollarësh, Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve u shpreh se si ent mbrojtës i fjalës së lirë, “Beson se gazetarëve kudo qofshin dhe kudo veprojnë, duhet t’u jepet mundësia që të jenë të lirë të raportojnë lajmet pa frikë, pa ndërhyrje dhe pa ndëshkim.  Në shoqëritë me një shtyp të lirë dhe të pavarur, popujt kudo, mund të kenë informacionin për të cilin kanë nevojë për të mbajtur qeveritë përgjegjëse për veprimet e tyre dhe si indidvidë, të kenë informacionin e duhur për të marrë gjithashtu vendime të përshtatëshme për jetën e tyre dhe në të mirën e familjeve të veta.”

Sulmet dhe kritikat ndaj lirisë së shtypit kanë marrë përmasa botërore vitet e fundit duke shkaktuar shqetësime të mëdha në radhët e gazetarëve dhe të organizatave kombëtare dhe ndërkombëtare që mbrojnë lirinë e shtypit kudo në botë – qoftë në vend të vogëla, qoftë në vende të mëdha, qoftë në vende që udhëhiqen nga diktatorë e autoritarë, qoftë në vende pjesërisht demokratike e madje edhe në vende që konsideorhen si demokratike.  Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve botoi ditët e fundit një listë të udhëheqësve botërorë të cilët kanë,  “Bërë ç’mos duke sulmuar shtypin e lirë dhe të minojnë normat që mbështesin lirinë e shtypit.”  Sipas këtij enti amerikan për mbrojtjen e gazetarëve, 5 udhëheqsit botërorë në listën e botuar ditët e fundit, e që sipas tij, kanë një frikë të paparë nga e vërteta dhe nga kritikët e vet, ndërkohë që disa prej tyre kanë një angazhim të plotë personal dhe zyrtar ndaj censurës së shtypit, “Kanë bërë ç’mos që të heshtin njëherë e mirë zërat kritikë ndaj tyre, duke dobësuar kështu dukshëm demokracinë.”  Lista përmban emërat e udhëheqsit të Turqisë, Rexhep Erdogan, Presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, Presidentit Abdel Fattah el-Sisi të Egjiptit, si dhe Presidentit Xi Jinping të Kinës.  Në listën e Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve radhitet edhe Presidenti i Shteteteve të Bashkuara, Donald Trump si një kritik i shtypit amerikan, si rrjedhim i mbulimit kritik të punës së tij dhe të administratës që ai kryeson, nga media amerikane në përgjithësi, duke thënë se Z. Trump, sipas këtij Komiteti, ka postuar rreth 1000 mesazhe kritike ndaj medias.

Është e vërtetë se Z. Trump vazhdon të jetë kritik ndaj medias amerikane, por përfshirja e tij në listën e “të pestëve” nuk besoj se i përshtatet realitetit të lirisë së medias në Amerikë.  Nuk ka asnjë krahasim me gjëndjen e lirisë së shtypit në Shtetet e Bashkuara me vendet siç janë Turqia, Rusia, Kina, Egjipti a po ndonjë vend tjetër që, historikisht, janë të njohura si abuzues të pangopur të gazetarëve dhe të lirisë së medias në vendet tyre, në përgjithësi.  Media amerikane është e njohur për ekspozimin e skandaleve politike dhe lloj-lloj skandalesh të tjera në nivel vendor, kombëtar dhe ndërkombëtar, pa pësuar ndonjë ndëshkim serioz nga autoritetet amerikane.   Mjafton të sjellin në kujtesë skandalin “Watergate” që detyroi largimin e Presidentit Riçard Nikson nga Shtëpia e Bardhë, që pothuaj çoi edhe largimin e tij nga detyra, i turpëruar.   Mjafton të kujtojmë skandalin seksual “Monika Lewinsky” të Presidentit Bill Klinton në Shtëpinë e Bardhë.  Ishte pikërisht liria dhe pavarësia e medias amerikane ajo që zbuloi dhe çoi deri në fund mbulimin e informacionit në lidhje me këto skandale dhe qindra të tjera gjatë dekadave të fundit, pa asnjë ndëshkim.   Prandaj megjithë qellimin e mirë të Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve nç mbrojtje të lirisë së shtypit, nuk mund të thuhet se media, në asnjë nga vendet e përmendura më lartë nga Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve, të ketë patur të njëjtin efekt në zhvillimet politike të atyre vendeve, pa u ndëshkuar gazetari ose enti mediatik që përfaqësonte ai.  Ndryshe nga këto vende dhe nga udhëheqsit e tyre në listën e mësipërme, nuk është pra as Riçard Niksoni, as Bill Klintoni dhe as Donald Trump-i ai që mund të kërcënojë lirinë e shtypit dhe të ndëshkojë gazetarët në Amerikë, pasi janë strukturat demokratike të këtij vendi që i mbrojnë ata dhe lirinë e tyre të fjalës,  mbi të gjitha është kushtetuta e Shteteve të Bashkuara, pikërisht Neni 1 i kësaj kushtetute, ai që garanton lirinë e medias dhe punën e pavarur të çdo gazetari ose enti gazetaresk, pa dallim.  Ky nen i kushtetutës amerikane – ashtu si edhe vet kushtetuta e Shteteve të Bashkuara -- i ka qëndruar kohës, i pa prekur dhe i pa abuzuar, si garantues i lirisë së shtypit.  Liria e fjalës është e shënjtë dhe e paprekëshme, qoftë edhe nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara, cilido qoftë ai, ose në cilën do kohë. Ai është vetëm një zë.  Është provuar tanimë se, rreziku ndaj lirisë së medias në botë vjen nga ata udhëheqës që vet flasin e vet vulosin, nga ata që sulmojnë, arrestojnë dhe ndëshkojnë gazetarët për një fjalë goje kritike ndaj tyre, nga ata që frikësojnë dhe censurojnë, nga ata udhëheqës botërorë që gazetarinë e krahasojnë me terrorizëmin, nga ata liderë që gazetarët, si rrjedhim i punës së tyre, i akuzojnë për krime anti-shtetërore dhe nga ata që ushtrojnë censurë dhe kontroll të plotë me mënyra të ndryshme, mbi median dhe gazetarinë.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora