Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Mikel Gojani: Profili i shkrimtarit Ndue Dedaj

| E diele, 31.12.2017, 03:05 PM |


PROFILI KRIJUES I SHKRIMTARIT TË MIRËNJOHUR MIRDITOR, NDUE DEDAJ

SHKRIMTARI,  I  CILI BOTËN LETRARE E NDJEN ME NDJENJËN E DINJITETIT NJERËZOR DHE TË IDENTITETIT KOMBËTAR

Shkruan: Mikel GOJANI

1.

Shkrimtari i shquar shqiptar, Ndue Dedaj, me origjinë nga Mirdita (Shqipëri), emri i të cilit tejkalon përmasat mbarëkombëtare. Për vlerat  letrare të këtij shkrimtari, lirisht mund të konstatojmë se  Dedaj mund të konsiderohet  njëri ndër të paktët shkrimtarë shqiptarë  të suksesshëm dhe të vlerësuar  të fundshekullit të kaluar edhe në këto vite të këtij shekull. Të hulumtosh në  botën e tij krijuese, në perceptimin e tij intelektual, për misterin  letrar dhe botën jashtë tij, në kohë që jetojmë, është një kërkim që vlen edhe të prezantohet, madje edhe shumë më shumë se sa është prezantuar deri me tash.

2.

Ndue Dedaj nuk është një krijues këlthitës. Parim i botës së tij krijuese qëndron ndjenja e një modestie dhe thjeshtësie  të veçantë. Megjithatë, angazhimet shumë të frytshme dhe tepër kualitative të këtij shkrimtari, kanë bërë që ky shkrimtar dhe studiues  të krijojë profilin e tij jetësor dhe krijues.

Kontributet krijuese si autor ngërthejnë disa fusha, si publicistikë, ese, krijimtari letrare (poezi, prozë) dhe studime të profilit historik.

Opusi i librave studimorë, monografikë, shquhet përmes veprave: “Toka e katedraleve” (studim) 1999 - 2006 ribotim,  “Kaçinari” (monografi) 2000, “Kanuni dhe koha e sotme” (vështrim historiko-publicistik)  2001, “Fabian Barkata dhe ditari i tij shqiptar” (biografi & ditar); 2005, “Kanuni mes kuptimit dhe keqkuptimit” (studim-ese) 2010.

Ndërka,  në fushën e letërsisë artistike, shkrimtari Dedaj ka botuar këto vepra: “Aizbergu i Hanës” (poezi) 1998; “Këndej kaloi koha” (poezi) 2001, Planetare (poezi) 2007;  Dashuri në kullën e ngujimit” (tregime e novelë) 2004;  Hyjnesha e Pyllit” (tregime për fëmijë) 2004; “Shembja” (roman) 2005, “Unaza e virgjëreshës” (roman) 2014.

Ndue Dedaj ka rrugëtuar në poezi , gjatë, suksesshëm, duke dëshmuar kualitet të lartë të një vargu me plot natyrshmëri poetike.  Përzgjedhja e vargut  të tij është një proces i brendshëm, një ritendosje, një pohim i vetëm, përtej dilemave. Ky varg i Dedajt  shpaloset  si një mozaik që ka zë dhe  plot shpirt.

Poezia e këtij krijuesi të talentuar nuk reshti në vite dhe nuk u fashit kurrë, veçse u rrit dhe u pasurua. Stili i Dedajt  është një estetikë e prekshme, larg abstraksionit  shterp. Ky lirizëm bën pjesë në botën meditive. Konkretja modelon  simbolikën. Fuqia e brendshme frymëzuese që identifikohet me botën e brendshme shpirtërore, sikur i jep shpirt këtij vargu. Në vargun e Dedajt endet thjeshtësia e imazheve dhe  metafora vezullonjëse.

Dedaj, në vargun e tij, botën e vrojton me sytë e dashurisë...të një dashurie universale dhe dinjiteti njerëzor, si vlerë dimensionale.

3.

Të forma e krijimit të prozës së gjatë dhe të shkurtër, përfshihen drama të suksesshme dhe tepër interesante.

Në prozën e tij vërehet tipologjia krijuese e Krahinës së Mirditës. Kjo frymë vërehet sidomos në romanin e tij të fundit, “Unaza e virgjëreshës” 2014.

“Unaza e virgjëreshës”, një libër prej 372 faqesh, kushtuar një teme sa interesante e tërheqëse, aq edhe të lidhur me palcën e dokeve e traditave të Shqipërisë Veriore e sidomos te Mirditës, ku ka qenë deri vonë edhe zakoni i vajzave virgjëresha, të pamartuara e të përkushtuara mbajtjes gjallë të familjeve në mungesë të meshkujve.

Romani është shkruar bukur, me njohje të thellë jo vetëm të tematikës së trajtuar në të, por edhe me prurje të një pasurie të madhe fjalësh e frazeologjizmash  aq mbresëlënëse e funksionale nga e folmja e Krahinës së Mirditës.

Duke folur për vlerat e këtij romani, studiuesja Lori Kola, pohon se autori në këtë vepër na paraqet mendësinë e lashtë të shoqërisë shqiptare që nga kohët primitive deri në kohën me të re, ndoshta ngaqë “…në sferën sentimentale gjerat njëlloj janë si atëherë, si sot. Ajo që ka ndryshuar është reflektimi i njeriut për atë vetveten e fshehtë. Tani njerëzit gjykojnë ndryshe për tabutë, apo jo?” Më tej, studiuesja Kola pohon se romani përmes rrëfimit, përshkrimeve, subjektit e tejkalon botën personale, intime të shkrimtarit dhe fiton një timbër përgjithësues, ku qëndrimi emocional i tij nuk është parësor, por dytësor. “Bdek Diveli ishte lodhur me atë rrugëtim të gjatë, të pafundme në kërkim të njeriut” (fq. 371.) Vetë Ndue Dedaj si shkrimtar ka “ikur” nëpër rajone të epërme, përmes imagjinatës dhe fantazisë, sepse: “Shkrimtarët kishin lindur për të qënë ikës. A nuk kishte ikur ai, Bdek Diveli, në gjurmë të Dina – Gjon? Shkrimtarët vazhdonin të arratiseshin nga bota ku rronin, qysh nga Eskili”, ka pohuar studiuesja Kola e cila në fund thekson së fundi, do të kërkoja vëmendjen e lexuesit ndaj kësaj vepre integrale, jo se tema e virgjëreshave të përbetuara nuk është rrahur, por kësaj here ajo vjen nga një krijues i zonës së burrneshave, që i ka njohur ato jo si gojëdhëna e virtualisht, por si arketipe jetësore nëpër shkrepat e Veriut shqiptar, që kanë mbërritur deri në vitet ’70, e hijet e tyre mund t’i hasesh dhe sot” është shprehur Kola.

Pra, “Unaza e vejushës” është një vepër cilësore si për nga tematika, po ashtu edhe për nga vlerat artistike. Prandaj, proza e Dedaj ngërthen vlera të njëmendta dhe me interes shumëdimensional.

4.

Ndue Dedaj është emër i njohur edhe në fushën e publicistikës, ku spikat natyra e tij prej një publicisti të preokupuar për problemet e kohës, ndryshe nga shumë krijues të tjerë të brezit të tij. Ambiciet  për t’i njohur  të fshehtat  njerëzore, si dhe rrënjët e së kaluarës, përkatësisht  rrënjët e identitetit  shqiptar, e kanë plotësuar dimensionin e studiuesit të mirëfilltë.

Një gjë mund ta konstatojmë: Për figurën dhe veprën e  shkrimtarit të mirënjohur, Ndue Dedaj, asnjëherë, në asnjë shkrim, nuk mund të thuhen të gjitha, gjegjësisht asnjëherë kur shkruhet për të, asnjë shkrimi për të nuk mund t’i vihet pikë, sepse veprimtaria e tij është e gjerë dhe me vlera të jashtëzakonshme. Veprat e tij e kanë begatuar bibliografinë e letërsisë shqipe.

Shkrimtari Dedaj përmes veprave të tij mjaft i afirmuar edhe në Kosovë. Për të qenë edhe më afër lexuesve të tij që ka “këndej” kufirit, urojmë që shpejt ta kemi mes nesh dhe të na prezantohet me profilin e tij krijues.

Klinë, më 29.12.2017