E marte, 19.03.2024, 09:59 AM (GMT)

Speciale » Andrea

Fotaq Andrea: Skënderbeu, Antologji (1413-2017)

E diele, 31.12.2017, 05:36 PM


Një libër i ri për “Vitin Skënderbeu 2018”

Fotaq Andrea :  Skënderbeu,  Album – Antologji (1413-2017)

Këto ditë, Shtëpia Botuese “Zenith Editions” ka botuar librin e studiuesit Fotaq Andrea “Skënderbeu, Heroi Kombëtar shqiptar, Atlet i Krishtit, Mbrojtës i Europës”. Është një vepër voluminoze me format të madh mbi 500 faqe, që përfshin mbi 200 autorë, kryesisht të huaj, shoqëruar nga 930 ilustrime nga më të hershmet për Heroin tonë kombëtar dhe me një aparat shkencor mjaft të gjerë e të hollësishëm. Vepra, me karakter gati enciklopedik, fokusohet në mjaft prurje të reja për figurën e Skënderbeut nën penën dhe penelin e autorëve të huaj që ndjekin përgjithësisht rendin kronologjik, duke filluar që nga shekulli XV e deri në ditët tona. E botuar në kuadrin e Vitit Skënderbeu dhe të 110 vjetorit të çeljes nga Fan S. Noli të Kishës Autoqefale “Shën Gjergji”, Boston, Vepra  është përshëndetur me një letër të posaçme për lexuesin shqiptar nga At Artur Liolin. Është botuar në tirazh mjaft të kufizuar.

Parathënie

Legjenda thotë - në gegërishten e bukur - se “Selim Pasha bâ atëherë me e nalë do kohë në pushim ushtërin në Lezhë, shkoi drejt e te vorri i Skanderbegut e bâni me e çilë. Trupi i tij ishte kênë zhgatrrue, por zemra ishte ené e pa prishëne e gufonte gjak të xetë. Me gëzim e mori Selim Pasha at zemër, e shtij në nji kuti të prarueme e me ‘i herë i-a nisi dhânti Sulltanit, i cili e vendosi në mâ të bukurën qelerë të pallatit të vet. Aty, thonë, se ruehet edhe tashti me kujdes të madh prej njaj roje...”.

E tillë është legjenda e “zemrës së gjallë” të Skënderbeut ndër Malësorët tanë, ardhur e shkruar dhe e freskët nën penën e At Marin Sirdanit, tek e mblodhi nga goja e popullit në vitet ’40 të shekullit të kaluar. Në jehonë të Historisë, shekuj mbas shekujsh, këtë zemër të KryeHeroit tonë, kombi shqiptar e ka dashur dhe e ka pasur përherë të gjallë, si një domosdoshmëri jetike, e ka parë me sytë e mendjes të gulfojë e të përhapë pandërprerë “gjak të nxehtë” në krejt trupin dhe truallin kombëtar. Sepse Kujtesa historike e Kastriotit të Madh ishte për të ushqimi i përjetshëm shpirtëror, ishte simboli i qëndresës historike, vetë sumumi i vetëdijes sonë kombëtare.

Album-Antologjia “Skënderbeu, Heroi ynë Kombëtar, Atlet i Krishtit, Mbrojtës i Europës”, që po botojmë me rastin e “Vitit Skënderbeu – 2018”,  është fryt i një pune shumëvjeçare, qëkurse nisëm të qëmtojmë me syrin e antologjistit, aty nga fundi i viteve ’90 i shekullit të kaluar, gjithçka historike me vlerë për Shqipërinë dhe Shqiptarët nën penën e autorëve të huaj. Kjo vepër, e pesta e llojit antologjik që kemi hartuar, synon ta rrokë figurën e Skënderbeut në tre dimensionet e tij madhore shfaqur që në vetë titullin e saj. Është një fluturim panoramik historiko-artistik në rrjedhë të shekujve me dëshmi dhe shkrime për KryeTrimin tonë që na sjellin mbi 200 autorë, kryesisht të huaj, përmes 930 ilustrimeve, në një diapazon të gjerë kohor që përfshin vitet 1414-2017.

Dhe prapë, vërejmë se pak kemi dhënë, sepse me dhembje e pohojmë që na është dashur të operojmë me bisturi të madhe, duke përzgjedhur nga mbushullia e lëndës tematike skënderbejane atë më tipiken, më origjinalen e më domethënësen që karakterizon figurën e tij, sidomos falë fjalës së autorëve të huaj, të cilët kanë pasqyruar historikisht figurën e Skënderbeut duke nxjerrë në pah cilësitë e tij të mahnitshme, në radhë të parë si “Mbrojtës i Njerëzimit dhe i Vendit të tij”, si “Mbrojtës i Krishtërimit”.

Të shumta dhe të shumëllojshme janë vlerësimet e tyre për “Shqiptarin e Madh”, cilësuar “Kampion i pathyeshëm i Kryqit”, “Aleksandri i Krishterë”, “Kapiten i parë i shekullit të tij”, “Hero atletik e homerik”, “Një nga shpëtimtarët e Europës”, “Meteor ndriçues dhe dramatik”, “Rrufeja e luftës”, “Bulevard i Krishtërimit”, “Pirrua dhe Aleksandri modern”, “Hero modern i Shqipërisë dhe Epirit”, “Fatos i lirisë”, etj., për të ardhur gjer te “pagëzimi” i Skënderbeut nga Papati “Ushtar dhe Atlet  i Krishtit”, “krye-engjëll betejash” që i vuri shpatullat vendit të tij dhe Krishtërimit duke “vonuar përparimin  e Perandorisë turke dhe duke përgatitur shembjen e saj” (sic!)

Pohime dhe vlerësime të tilla, si tituj të përjetshëm lavdiplotë për madhështinë e Gjergj Skënderbeut tonë, bëhen në këtë Album-Antologji - sipas rrjedhës së kohës - nga figura të shquara të fisnikërisë europiane dhe botërore, princër, kontë, dukë e markezë, nga emra të mirënjohur dhe personalitete të nderuara të Letrave, Filozofisë, Sociologjisë e Fesë, nga dijetarë e eruditë, që entuziazmohen pas figurës së Heroit shqiptar. Sepse Bëma Kastriotine ishte një Realitet i Madh, burim frymëzimi për qëndresë të paepur, për luftë heroike të Goliatit të vogël kundër gjigandëve, një shembull vetmohimi dhe sakrifice në emër të Mbrojtjes së truallit amtar dhe të Fesë së krishterë. Nuk ka si të mos entuziazmohemi në këtë rast për vlerësimet e arta dekoratë që i bëhen Kastriotit tonë nga një Montaigne apo Voltaire, nga një Martin Luther, apo Ludvig Holberg në rangun e tyre si filozofë në shkallë botërore, nga historianë me peshë si Sismondi, Jules Michelet a Paolo Jovi, nga André Thevet, Jorga a Marinesku, për të shkuar më tej, te një strateg si James Wolfe a Charles King, te dijetari Elisée Reclus, Princi Manfredi, Konti Urfé, Konti Mirabeau, etj. Dhe pas plejadës së autorëve të mirënjohur botërorë që kanë folur për KryeTrimin tonë me objektivitet të shëndoshë dhe vlerësim maksimal, s’na mbetet tjetër veç të shijojmë ëmbëlsinë dhe forcën e vargut poetik të Ronsard-it, poetit kombëtar francez, pasuar nga emra po aq të njohur poetësh dhe shkrimtarësh, si Chrétien Florient, Jamin Amadis, Gabielle Faerno, Luigi Groto, Marguerite Sarrochia, Edmund Spenser, D’Aubigné, William Temple, Thomas Whincop, Lamartine, Byron, Longfellow (poeti kombëtar amerikan), Clement Moore, Apollinaire, etj. etj. Dhe i shohim të tëra këto pena të ndritura të frymëzohen në radhë të parë nga vepra “Histori e Skënderbeut“ të francezit Jacques de Lavardin - vepër kjo e bazuar te Barleti ynë -, që nuk do vononte të përkthehej e botohej në gati krejt gjuhët e Europës.

Dhe jo vetëm kaq, por shpejt do shkëlqenin edhe portretet klasike për Heroin shqiptar, që do zinin vend të nderuar në muzeumet, galeritë dhe kështjellat e Europës, përkrah portreteve të Njerëzve të Mëdhenj të Historisë Botërore. Të intriguar dhe frymëzuar nga madhështia e Veprës së Skënderbeut, që ndali, në krye të një populli të vogël, për një çerek shekulli me radhë furinë e sulmit të Perandorisë osmane, konsideruar si superfuqi e kohës, - piktorë të njohur të Rilindjes Europiane shpërthyen krejt fantazinë e tyre për të dhënë me forcë artistike Epopenë Skënderbejane dhe sidomos për të na shfaqur portrete të Gjergj Kastriotit nga më të bukurat e më të papriturat. Këto portrete në shumicën e tyre janë bërë me porosi të drejtpërdrejtë koleksionistësh me emër, që rendnin të kishin kush e kush “Skënderbeun” e vet. Andaj nuk ka pse çuditemi kur shohim shumë portrete të Skënderbeut të jenë vepër “Anonime” (në fakt, shumica e piktorëve të mëdhenj të Rilindjes Europiane e gjer te Rembrandi me shokë, nuk i firmosnin veprat e tyre, si një “rregull” i kohës!) Por njihet tashmë peneli maestro i “plejadës klasike skënderbejane” - të Christofano dell Altissimo, Dominic Custos, Jorg Breu Plaku e i Riu, Jost Amman, Joanot Martorell, Klüpffel, W.Jongmann, Ladon, Barthold Pontanus, Balthasar, Stimmer, etj. etj. Me stilin e tyre të hijeshisë klasike, me frymën e kohës dhe sidomos në përputhje me vetë përmbajtjen e “Historisë së Skënderbeut”, ata kanë realizuar portrete nga më të bukurat për Skënderbeun, duke u bërë kësisoj burim frymëzimi për breza të tërë piktorësh që kanë rrahur tematikën skënderbejane, sidomos për brezat e djeshëm dhe të sotëm të piktorëve shqiptarë.  

Nga ana tjetër, admirojmë pikturat “e fantazuara” apo të hamendësuara për Gjergjin Tonë, realizuar nga mjeshtër të mëdhenj si Giorgione, Guercino, Rembrand, të cilët e duan “Skënderbeun” e tyre krejt ndryshe nga të tjerët, pa kurrfarë paralelizmi me portretet që i njiheshin gjer atëherë. Dhe shi këtu qëndron “teku” i penelit të tyre, forca e fantazisë, për të qenë origjinalë në mënyrë gjeniale, që dëshmon nga ana tjetër edhe nderimin më të madh për Kastriotin, si një figurë extra, i pazakontë, i paarritshëm, përtej realitetit të vet epokal. Luftëtar e luftarak i rreptë, simbol i lirisë, veshur në hekur dhe me helmetë aleksandrine në kokë, të stilit Da Vinçi, “Skënderbeu” i Giorgione-s, Ticiani-t, Pollaroli-t, etj. qëndron po aq bukur e krenar përballë “Skënderbeut” intelektual e humanist të Rembrandit, Jorg Breut e Galanti-t, siç e shfaq në këtë vepër gjithë poeticitet e romantizëm edhe Lamartini, sa prijës i suksesshëm, sa intelektual i klasit të parë, aq edhe Njeri i penës e i librit, me bibliotekë e kancelari, dhe siç e dëshmojnë, krahas shpatave e përkrenares, edhe katër kodikët e tij si objekte fizike reale që po ia bëjmë këtu të njohura lexuesit tonë, vlera këto të paçmuara për bibliotekat botërore që i zotërojnë. 

Album-Antologjia “Skënderbeu, Heroi ynë kombëtar, Atlet i Krishtit, Mbrojtës i Europës” - edhe pse në masë të kufizuar -, mbështetet në themelin e Historiografinë shqiptare për epokën kastriotine, nisur me Barletin dhe pasuar nga autorë shqiptarë si Gjon Muzaka, Frang Bardhi, Dhimitër Frangu, për të arritur më pas te Faik Konica, Fan Noli, Mithat Frashëri, Athanas Gegaj, Gjergj Fishta, dhe në ditët tona te Pëllumb Xhufi e Moikom Zeqo. Domosdo, gjatë hartimit të veprës kemi konsultuar një pjesë të mirë të autorëve shqiptarë, problematikën qendrore skënderbejane të ditëve tona, dhe si udhërrëfyes kemi pasur konkluzionet domethënëse të Nolit, At Valentinit dhe prof. Kristo Frashërit, për ta parë figurën e Skënderbeut me përmasë europiane, në radhë të parë si Burrë Shteti, me diplomaci të zhvilluar, me aleanca e kontakte të shumta figurash historike, në rrafsh të brendshëm e të jashtëm, e mbi të gjitha si themelues gjenial i shtetit të parë të Arbërit, ardhur deri në ditët e sotme me dy shtetet shqiptare në Ballkan, Shqipëria dhe Kosova.

Është e njohur që historiani francez André Thevet, që në vitet ‘70 të shekullit XVI, kritikonte me të drejtë panegjerizmin e Barletit për Skënderbeun, fjalimet e tij të gjata e të improvizuara, duke shtruar nga ana tjetër edhe “çështjen e vendndodhjes së varrit të Skënderbeut”, për ta vënë në pikëpyetje hapjen e tij nga osmanët dhe marrjen e eshtrave të Heroit për hajmali. Mitizimi i figurës së tij erdhi duke u rritur në rrjedhë të Historisë, aq sa në fillim të shekullit XX, Faik Konica me kritikë shkencore shtroi ndër të parët nevojën e çmitizimit të Heroit, kur vërente bukur në veprën e Dom Ndoc Nikaj, “T’nodhunat e Shqypnis” një “Skënderbe” plot jetë e vërtetësi, “ndryshe nga Heroi i Barletit, Biemmi-së dhe Lavardin-it”, të cilët e kishin “vendosur atë tepër lart dhe tepër larg nesh”, një figurë që “mbetej e mjegulluar”, siç shprehej Konica.  Kësaj çështjeje iu rikthye edhe Fan Noli, duke vënë përfundimisht pikat mbi -i-, sepse, tekefundit, panegjerizmi i nisur nga Barleti ishte çështje krejt e dorës së dytë, apo siç shprehet Noli, “ishin çështje që u takojnë vogëlsirave, pa cenuar aspak vlerat madhore të Heroit”. Megjithatë, në ditët e sotme nuk mungon dukuria kur nisur gjoja nga “nevoja e çmitizimit”, goditet qëllimisht figura e Heroit për arsye tejet sektare, denigruese dhe mohuese, motivuar nga një ekstremizëm i rrezikshëm regresiv, fetar e antikombëtar.

Sot, përpara Historiografisë shqiptare shtrohen, si një domosdoshmëri shkencore, mjaft çështje që kërkojnë studime të thelluara. Është koha, për mendimin tonë, e mbajtjes së një Konference të re të Studimeve albanologjike në rrafsh kombëtar e ndërkombëtar, për të shmangur falsitetet dhe antivlerën frenuese, sidomos të viteve të fundit, dhe për të çelur perspektiva të reja shkencore edhe për vetë studimet skënderbejane, që lypset të fokusohen e thellohen më tej në çështje të tilla madhore si origjina dhe ndërtimi i plotë i pemës gjenealogjike të Familjes Kastrioti dhe e familjeve të mëdha fisnike shqiptare; çështja e ndërtimit të hartës së Shqipërisë, me topografinë e plotë të fushatave të Skënderbeut, ashtu siç u orvat ta bëjë deri në njëfarë mase Faik Konica; çështja e “çmitizimit”  të figurës së Skënderbeut me objektivitet shkencor, larg kuzhinave dhe gatesave politike, fetare, etnike etj; çështja e spekulimit historik e politik me format që shfaqin emrat e përveçëm në gjuhë të ndryshme, sidomos lidhur me familjen Kastrioti; çështja e identifikimit të varrit të Skënderbeut dhe e portreteve më të hershme e origjinale të Heroit, mbi bazën e skicimeve në natyrë që i janë bërë, që nga medaljoni “Skënderbeu” i Pisanellos (rreth viteve 1450) deri te portreti i Fiocco-s (1465), ndërkohë që synohet të dalin në dritë portrete të Heroit tonë kombëtar edhe më të hershme.

Mbështetje të fuqishme për këtë vepër kam gjetur tek studiuesit dhe krijuesit shqiptarë që kanë rrokur tematikën skënderbejane, të cilët i falënderoj për ndihmesën e pakursyer që më kanë dhënë. Vërej po ashtu se disa autorë nuk kam arritur t’i kontaktoj, me gjithë përpjekjen e bërë dhe, duke iu kërkuar ndjesë, i falënderoj paraprakisht për mirëkuptimin e tyre.   

Në mënyrë të veçantë vlerësoj bashkëpunimin me At Artur Liolin dhe historianin Pëllumb Xhufi, me Moikom Zeqon dhe Ylli Polovinën, që më nxitën e më mbështetën me mendimet e tyre për ta çuar gjer në fund me sukses këtë vepër, duke treguar interes e kujdes që ajo të përmbushë sa më mirë qëllimin e saj modest tek i  drejtohet publikut të gjerë.

Album-Antologjia “Skënderbeu” është nga ana tjetër, fryt i një bashkëpunimi të ngushtë intelektual e profesional me antikuarin dhe koleksionistin Dritan Muka, me të cilin, prej më shumë se një dekade, kam këmbyer letërkëmbim të dendur në hulumtimin e Vlerës Madhore Historike Skënderbejane nëpër arkiva, biblioteka e antikuarë, duke gëzuar me shoshoq për çdo gjetje e zbulim të ri, dhe shpesh të zhgënjyer që nuk arrinim dot, për arsyen e thjeshtë financiare, “të qëllonim në shenjë”. E falënderoj publikisht nga zemra mikun tim.

Një vend të veçantë, mendor e shpirtëror, ia rezervoj si përherë familjes sime, që pranon “harbimet” dhe “tekat” e mija, madje më mbështet në “izolimin” tim hulumtues e dërrmues, por përherë ndjellës e miklues.  

Në përfundim, nuk mund të rri pa përmendur takimin tim me artistin e madh Mirush Kabashi në një lokal të Tiranës, për privilegjin që më bëri duke më recituar kokë më kokë, me atë zërin e tij melodioz vargjet e Çajupit “Dëshir’ e Skënderbeut ditën që vdiq”, dhe duke më mbajtur të ngrirë për minuta të tëra, me qimet e parakrahëve ngritur përpjetë nga emocioni, me zemrën që më rrihte fort, dhe që më cyti t’i hidhesha në qafë e ta rrokja në gjoks. Edhe tani kam në veshë jehonën e fjalëve të tij çajupiane ; “O vëllezër Shqipëtarë! / U lutem të bëni mbarë, / Gjith’ bashk’ e të pandarë”. Fotaq Andrea

12 nëntor 2017.



(Vota: 12 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora