E merkure, 24.04.2024, 12:10 AM (GMT+1)

Kulturë

Suzana Kuqi: Triora - Procesi i shtrigave

E hene, 08.09.2008, 07:37 PM


Suzana Kuqi
Triora  - Procesi i shtrigave

Nga Suzana Kuqi
 
Kanë thënë për Triorën :
 
"Triora është Loudun italiane, Salemi i Europës. Por është më e drejtë të thuhet se Loudun është Triora e Francës dhe Salem është Triora e New England. Sepse procesi i famshëm i shtrigave  u zhvillua në Triora në vitin 1588 , pra është e padiskutueshme përparësia e saj kronologjike  , ndërsa , për asgjë nuk është inferiore ndaj dy proceseve të tjera përsa i përket tensionit të frikshëm. Nga ana tjetër , fshati i fortifikuar mbi malet ligure është një nga pikat e planetit në të cilën griset fanella e thurrur nga kultura iluministike dhe në të cilin errësirat elementare dalin mbi sipërfaqe. Mbi terrenin tokësor ekziston një hartë e vendeve "të shenuara" e në se do të mund të vizatohet një hartë e tille , kryqëzimet e koordinatave sulfurore, aleph-et, pikat e mistereshme të hapësires ,në të cilat përfshihen të gjitha pikat e tjera të saj ,janë të atilla ,sa për to është më mirë të mos flitet..
 
Procesi i shtrigave

 
Në fund të verës së vitit 1587 , zona e Triorës, në brendësi të tokës ligure(Imperia) e njohur si "hambari i Republikës" për bollëkun e prodhimit , ishte katandisur në mjerim. Shkak për këtë ishte një thatësirë që  vazhdonte prej tre vjetësh. Gjatë një mbledhjeje të Parlamentit popullor , mes shpirtrave të mbinxehur nga diskutimi , dikush hodhi një frazë :
- Faji është i shtrigave !
Dihesh se gratë keqbërëse kishin ekzistuar që prej kohësh që nuk mbaheshin mend, mblidheshin per Saba tek Kabotina ose tek burimet.
Kush më shumë se sa shtrigat mund të kish interes për të shkatërruar Triorën ?
Parlamentit ju deshën pak minuta për të marrë vendimin , u vunë në dispozicion 500 skude, shumë kjo jo e vogël po të kihet parasysh se si ishte katandisur Triora, për të kërkuar e gjetur të gjithë përfaqësuesit e setës djallëzore. Rrjetat u hodhën, gjuetia filloi...
 
Kohët ishin të vështira , shpirti i kundërreformës sulej kundër heretikëve e shtriganëve të cilët donin të minonin themelet e kishës.Jo më larg se njëzet vjet përpara kalvinisti Bartolomeo Batoccio kish predikuar në këtë zonë doktrinën e tij e ish dëgjuar e bëre edhe pasues nga popullsia, derisa e arrestuan dhe dogjën tëgjallë .
 Shpejt në Triora mbërriti zëvëndësi i guvernatorit të Genovës dhe zëvëndësi i peshkopit të Albengës , Girolamo Del Pozzo, njeri me aftësi të mëdha oratorike . Del pozzo mbajti një fjalim publik të thurrur me mjeshtëri në të cilin rreshtoi bëmat e këqia të grave shtriga : ngrënëse fëmijësh, gjakpirëse, shkaktare të shpërthimit të stuhive e furtunave shkatërruese, shkaktare të varfërisë, të ngordhjes së bagëtive , infertilitet të grave, kafshëve e tokës. Ai sekuestroi disa shtëpi në pjesën e sipërme të Triorës të cilat kishin dritare të pajisura me hekura e i përshtati në qeli burgu e salla torturash për gratë e akuzuara si shtriga.    
 
Të gjitha ato gra të cilat ishin pak të çuditëshme, ato të vetmuarat, ato që u pëlqente të jetonin veçmas, të tjera që ishin eksperte të barërave e bimëve kuruese , u gjykuan të gjitha si shtriga të fuqishme. U arrestuan njëzet gra dhe podestà ( magjistrati suprem i komunës që ushtronte fuqinë juridike e ushtarake , duhej të ishte i huaj, pra banor i një komune tjetër )Stefano Carrega , i kërkoi guvernatorit të Genovës dhe peshkopit të Albengës, nën autoritetin e të cilit ishte Triora , të dërgonin inkuizitorë për të gjykuar gratë e burgosura.

Përdorimi i torturave nga më të tmerrshmet , bënë të dilnin nga goja e shtrigave të supozuara pohimi i kryerjes së akteve të shëmtuara e të frikshme si dhe emra. Tridhjetë gra të tjera , të të gjitha shtresave shoqërore, duke përfshirë edhe bashkëshortet e pasura të parisë së vendit , u burgosën. Disa nga të akuzuarat e reja, të vëna nën torturë , dhanë emra të tjerë. Një grua e burgosur , e moshuar dhe e sëmurë , vdiq gjatë kohës së torturave. Një tjetër e kërcënuar të vihej ndën torturë,e frikësuar, përpara se të vinin t'a merrnin u përpoq të arratisej nga dritarja e burgut me një litar të improvizua nga një kuvertë e rrobat e saja të trupit. Litari u keput e gruaja ra në humnerë e vdiq.

Duke konstatuar se tashmë lista e grave të akuzuara përmbante emrat e mbi dyqint grave , mes së cilave edhe ato të aristokracisë lokale , Këshilli i Pleqve u gjend përpara një dyshimi e pështjellimi të madh duke menduar se së shpejti në këto lista rrezikohej të përfshihej e tëre popullsia e zonës. Për të riparuar dëmin , Këshilli i Pleqve, shpreh në një letër zyrtare drejtuar Doges (Këshillit) së Genovës , një qortim të rëndë për zëvëndësin e peshkopit . Doga (Këshilli) ngarkoi guvernatorin që të hetonte këtë çështje ,e guvernatori nga ana e tij , duke menduar se ky ishte një problem i kishës , ja hodhi "pataten" përvëluese peshkopit të Albengës. Ky i fundit i kërkoi spjegime zëvëndësit të tij. Zëvëndësi i peshkopit Del Pozzo , nga ana e tij u shfajësua në një letër , e cila e parë me sy modern do të quhej groteske. Del Pozzo , duke përforcuar se kishte vepruar në emër të dashurisë për drejtësinë e ligjin , pohoi se gruaja që kish vdekur si pasojë e vënjes nën torturë, kish vdekur sepse për të nuk ishte treguar kujdesi i duhur pas torturave pasi dukej e fortë dhe e shëndetëshme fizikisht, edhe pse ajo kish pohuar se adhuronte djallin. Gruaja që kish rënë në humnerë , kish tentuar të arratisej nën shtytjen e Satanait dhe litari nuk ishte punuar si duhej . Se nuk ishte e vërtetë se zjarri i përdorur në tortura kish djegur plotësisht këmbët e grave të torturuara sepse ato kishin arritur të shkonin në qelitë e tyre me këmbët e veta. E së fundi, se nga hetimi kishin rezultuar shtriga vetëm trembëdhjetë gra, katër vajza të vogla dhe një djalë njëmbëdhjetë vjeç. Pra pak gjë që mund të jepte të kuptonte se zëvëndësi i peshkopit kish ekzagjeruar. Letra përfundonte se nuk do të kish procese të tjera për shtriga për arësye të mungesës së provave. Këshilli i pleqve , pasi mori vesh se në burg do të mbeteshin vetëm gratë e varfra të popullit , ndërsa damat fisnike do të liroheshin, mbeti i kënaqur. Por nuk mbeti i kënaqur populli i cili priste një ekzekutim ashtu siç e meritonin shtrigat e dënuara. Inkuizitorët në mëdyshje nëse ja vlente a jo të përgatisnin drutë për djegjen e tyre , nuk bënë asgjë, ndenjën në pritje. Pas një ankimi tjetër , vetë kryeinkuizitori i Genovës vjen vetë në Triora për të zhbllokuar gjendjen. Duke marrë normalisht në pyetje të akuzuarat , arrin të nxjerrë prej tyre trembëdhjetë deklarata të dëshpëruara pafajësie . I vetmi pohim i fajit u bë nga një nga vajzat e vogla , të cilat së bashku me djalin, i kishin vendosur në një shtëpi ku mbikqyreshin nga roje që nuk i linin të flisnin njeri me tjetrin. Dymbëdhjetëvjeçarja dinake , pohoi dhe hoqi dorë publikisht , në mënyrë solemne nga adhurimi i saj për djallin, dhe u lirua. Të tjerët mbetën brenda. Kryeinkuizitori u kthye ne Genova pa zgjidhur gjë. Kaluan disa javë të tjera pa asnjë të re. Guvernatori i dëshpëruar , dërgoi në Triora një komisar civil , Giulio Scribani , i cili kreu hetime të forcuara , dërgoi në Genova trembëdhjetë gra e një burrë të akuzuar për shtrigësi që të ekzekutoheshin. I vendosur që të shfaroste të tërë rracën e shtrigave, ai përshkoi , hetoi e burgosi gra si pasuese të djallit në të gjithë territorin përreth Triorës . Duke organizuar procese shumë të shpejta , brenda 18 Gushtit të vitit 1588 , të gjitha gratë e akuzuara , u njohën si të fajëshme dhe u dënuan me vdekje. Për gratë që vdisnin ndën torturë ai thoshte se vetë djalli i kishte mbytur. 
        
Ndonjëri nga auditorët (funksionarët e Republikës së Gevovës , sipas ligjit duhet të ishin të pranishëm në proces) , tentoi të kundërshtonte, se përpara se të merreshin vendimet duhej të gjendeshin kufomat e njerëzve, për vdekjen e të cilëve shtrigat ishin autoakuzuar. Por qeveria ishte e lodhur nga gjithë kjo çështje dhe nxitonte t'a mbyllte. Të gjitha dënimet e aprovuan dhe dyshimet heshtën...

Meqenëse popullsia e Triorës kish mbetur e zhgënjyer , ishte privuar nga spektakli i djegjes së trembëdhjetë shtrigave të tij, Scribani vendosi t'i ofronte katër shtrigat e Andagnes (vend afër Triorës). Por në këtë pikë ndërhyn Padre inkuizitori i Genovës të cilit i kish dhënë bezdi fakti që nuk ishte përfillur nga njeë funksionar civil si Scribani, e pretendoi dorëzimin e katër shtrigave të Andagnes dhe të vetmes shtrigë të Castelfrancos . Të pesta gratë u transferuan në Genova, në burgjet e inkuizicionit , e ju shtuan trembëdhjetë grave të Triorës të cilat kishin muaj që ishin në pritje të turrës së druve.Praktikat e shkruara përfunduan në Zyrën e Shenjtë të Romës ku asnjë nuk mori mundimin për t'i shqyrtuar. Ndërkohë pesë gra të tjera nga të burgosurat vdiqën në burg nga uria, duke ju shtuar nëntë të tjerave që nuk u kishin mbijetuar torturave. 
         
Vetëm në Gusht të vitit 1589 , Kardinali i Severinës , njoftoi se çështja po zgjidhej e proceset do të rishikoheshin. Formula e përdorur "kujdesi për të ruajtur jetën e nënshtetasve " na thotë se asnjë nga vendimet nuk u ekzekutua.
 
Po atëhere ku kanë përfunduar "Bagiue"(në dialektin triorez- shtrigë) e Triorës ? Asnjë nuk e din. Djegjet e premtuara mbi turrat e druve nuk u bënë, nuk ka dukument të shkruar për këtë e nga ana tjetër ,asnjë nuk i pa më të dënuarat e burgosura.   
 
Por... mund të guxojmë të ngremë një hipotezë sugjestive...
 
Në një fshat të vogël , në brendësi të tokës genovese , San Martino di Struppa , në vitet e para të gjashtëqintës , u shfaqën në librat e kishës disa mbiemra : Bazora, Bazoro, Baggiura, Bazurro , e të gjithë këta emra të kujtojnë formën e dialektit triorez për fjalën shtrigë: bagiua ose basora . Flitet se fshati ka patur një origjinë të mbështjellë me mister , se gratë më të vjetra kujtojnë akoma edhe sot formula të lashta të magjisë për shërimin e të sëmurëve.
 
Ndoshta ... mbase nuk është e vërtetë , por... përse të mos mendojme se shtrigat e Triorës patën filluar një jetë të re në San Martino ...?



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora