Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Çeliku: Hebet e 'Kalit Shemës' shiten në Bit-Pazar

| E enjte, 28.12.2017, 12:42 PM |


HEBET E “KALIT SHEMËS” SHITEN NË BIT - PAZAR

NGA KALOSH ÇELIKU

Edhe, “analistët” tanë politik me këmbët dhe trutë në legen, nateditë merren me hebet e “Kalit Shemës” me samarë. Kalemxhinjtë e arratisur nëpër mjetet e varura e të “pavarura” të informacionit dhe “vëllazërim-bashkimit”, që nuk dinë ku e kanë kokën e ku bythën, moti kohë që nga Lufta e 2001 -shit në mjetet e informacionit dalin me shkrimet e tyre publicistike: “Pse heshtin intelektualët. Nuk i përmendin emrat e politikanëve me emër e mbiemër”. “Analistë politik”, që nuk shohim më larg se strofulla e tyre partiake, në Lëmë. Ose, janë rrufjanë të partive politike në pushtet e opozitë. Aspak, nuk e pyesin veten si “analistë politik” me këmbët dhe trutë në legen, se: intelektualët nuk merren me individë, por me fenomene shoqërie të një Shteti. Edhe, dudumët shkrimet dhe debatet e tyre para kamerave televizive i përfundojnë plot guxim, me: “askushi”, nuk u merrka me heshtjen?! Fenomen i çuditshëm shqiptar?! Shkaku, se: Grazhdin, moti ua kanë mbushur “vëllezërit” e Njerkës me kashtë në vend të barit njomë të Livadhit, rrëzë Sharrit Plak. “Kalit të Shemës”, përpiqen si t’i vënë mbi shpinë shalë! E, ai i shkreti plasi me një torbë taxhi përqafe duke pëllitur me të katra livadheve për samarë! Hebet e tij me dardha të qullta t’i nxjerri në treg, Bit - Pazar.

Hoxhallarët e rrejshëm, merren edhe me delet e nënkryeme të Bariut maleve?! Punemadhe, a janë ato “dele” të Bariut, apo të vëllait të tij si bari i deleve në stane, mbi Drenovë. Problemi kryesor, “politik”: mirë,  është të merren me “dhentë” e nënkryeme shterpa të Bariut Malit, që i ka lëshuar “sallmadi” të kullosin mes parqeve nëpër Çarshi të Shkupit, apo rrëzë Sharrit Plak. Ose,. livadheve. Edhe, nga kush: rrugaçët politik “kuqezi” me lecka turko-arabe në kokë, në vend të Kryengritjes të Dervish Carës (1844), kësulës bardhë të Bajram Currit?! Dudumët, që deri dje i bënin “temena” dhe i luteshin përpara këmbëve si imam, “Kryehoxhë” Zajazi. Emërojë me poste politike në Qeveri, imamë në ndonjë xhami me flamurin turko-arab në minare. Ndonjëri, edhe nateditë trumbetonte para kamerave televizive, se, e kishte “mik”, kur i dha post politik për “flijime artistike” në Instutucionin shtetëror gjysmagjel të “përbashkët” me  vite neokomunit. “Politikë madhore” të bëjë me “bardaket” e çajit rusit nëpër çajtore deri në mëgjes, krah për krahu me “vëllezërit” e Njerkës. E, kur “vëllezërit” zgjoheshin herët nga gjumi, “muslimani” ynë gjithë ditën e gjatë ia fuste gjumë për shtatë palë qejfe deri në darkë. Përderisa, “vëllezërit” e Njerkës:  i madh e i vogël e pushtonin Çarshinë e Shkupit, Dudumi ynë me “Din e Iman” gërhiste në gjumë për “liri fetare”. “Pranverë arabe”.

“Probatimat” e Shtetit të “përbashkët”, përveç përmendoreve antike e “nacionale kombëtare historike” me luaj e mëzetër grazhdi të tredhur, sot u ndërtojnë shqiptarëve edhe xhami në mesin e parqeve. Vetëmse, jo edhe shkolla shqipe. Gjelbërimin, përditë na e mbysin me beton e hedhurina. Arsye e vetme, se: nuk paskan xhami “muslimanët” ku t’i luten Zotit?! Rrugët e Bit - Pazarit i kanë shndërruar në Shtëpi të Zotit. Fatkeqësisht, ende jo në Xhami Shqiptare.

Kutadimë ne, ndoshta edhe bëjnë “propagandë turistike”?! Turistë, urdhëroni dhe i  shihni vetë me sy “terroristët shqiptar”: sesi, lind edhe një shtet i ri “musliman” në zemër të Ballkanit! Ose, t’i tregojnë botës përparimtare para syve: nuk na besoni si popull “demokratik musliman”, por ecni e i shihni sokaqeve të Shkupit, se: me çfarë “indiancësh” ne jetojmë në një Shtet të “përbashkët”!

Turr, turistët nga të katër anët e botës grupe - grupe për “eskurzione turistike”. Para derdhin me thasë për lindjen e një Shteti të Ri “musliman” në Ballkan. Kauboji i Shkupit me shokë i fërkon duart, kur delë me familje për “çebapë” (qofte) te “Destani”, në Çarshi. “Shpëtimtari” historik i puth shqiptarët para kamerave televizive në të dyja faqet, në Kumanovë. Politkanët tanë shqiptarë, përderisa mbesin pas herdheve të dashit, i turren përmbrapa Ogiçit brirëpërdredhur rreth veshëve, që ende nuk i kanë rënë herdhet rrugës. Edhe pse, dhelpëra dinake e ndjek hap pas hapi me shpresë, se: do t’i bien një ditë pas ndonjë gardhi, papritmas në mes të Livadhit.

Barkun ta rrokësh me dorë nga gazi, mos të pëlcasë mes kësaj vape të madhe para këmbëve të Olimbisë te Ura e Gurit, që të rri mbi kokë si saç me shpuzë. Partizanët teknefesë shqiptar, që deri dje u shpërblyen për merita partiake me poste Qeveritare. Emërime si ministra, zv/ ministra, zv/drejtorë, ambasadorë nëpër botë, redaktorë nëpër redakasi e imamë të xhamive, sot, gurë e dru hudhin mbi Bariun e deleve. E, asnjë guralec mbi veten si “politikanë e analistë politik” me poste partiake. Shkaku, dihet si gjithmonë, këmbëkryq është ulur në sofër: rroken fytas për taxhinë Qeveritare, që ua ka hedhur për “flijime artistike” Nëna Parti në grazhd, mu si ato Dy dhitë kryeneqe mbi vig të lumit te Abetarja e Librit të Këndimit.

Kryneqet e lagura qull në lumë, kur dalin në breg të teren nga uji, dhe me të katra ikin të rreziten në ndonjë mullar me barë të thatë pas Shtëpie. Balluket e ballit, patjetër sot Bariu duhet t’i përzë nga Kopeja e deleve si Kalë Troje. Edhe, nuk duhet t’u ndërtojë nga një vathë në çdo mëhallë. Tashti, kohën e fundit si “muslimane” me ferexhenë hedhur krahëve, përmes Bit-Pazarit të kërkojnë haptas grazhde të ketë edhe secila Lëmë?!

Dudumët, dikur i dalldisë taxhia e Nënës Parti, tërbohen dhe turr me të katra përmbrapa t’i shkojnë bombahedhësit partizan Boshko Buha si “Shpëtimtar” i shqiptarëve, në Kumanovë: në “Lagjen e trimave”, e rrokin pëqafe si vëlla lufte për Liri. E pritën me duartrokitje frenetike. Partizani, Boshko Buha i sotshëm me disa partizanë të arratisur shqiptar, u premtoi se përpara kamerave televizive, nesër do t’i hudhë edhe bombat e rastit “Monstra” te Liqeni, në Shkup. Rastin e “terroristëve” të Kumanovës, do ta zbardhë me një gjykim ndërkombëtar?! Kutadish, ndoshta edhe do t’u ndërtojë xhami për çdo shtëpi në mes të lëmës, në vend të shkollave shqipe?!

Populli shqiptar, e ka një thënje antoligjike historike: Prit me muaj, e prit me vjet: pushka e Lilës s’po kërset. Edhe bombat e Boshko Buhës partizan, ende dri më sot nuk u hodhën para kamerave televizive në dobi të shqiptarëve. Bashkëluftarët e tij besnik, t’i presin si fishekzjarre komuniste të “vëllazërim - bashkimit”, në prag të festave Vitit Ri (2018). Ose, u hodhën nga instikami i dikurshëm komunist, u flukën me qëllim vetëm për të ardhë jo natyrshëm, por me dhunë në pushtet. Ndonjëra, “madhështorja” edhe me prapavijë politike komuniste për t’i përçarë shqiptarët. Mëkot, dudumët i prisnin të hudhen “bombat” e premtuara politike të “Shpëtimtarit”, në Bit-Pazar. Shkupi, të dridhet fortë si dikur nga Kryengritja e Dervish Carës. Ose, nga tërmeti katrosofal (1963), nga eksplodimi historik i shekullit natyral, se ja: më në fund erdhi “Shpëtimtari” profet i shqiparëve. Sheshi “Makedonija” të mbushet plotë shqiptarë me yje të kuq në ballë e flamuj të “vëllazërim-bashkimit”. Simbolin e prijësit “legjendar” të shqiptarëve në jakë të setres, përpara këmbëve të Aleksandrit Madh të rroken si “vëllezër” qafë për qafe për “fitore” duke ëndërruar se janë përpara këmbëve të Kalit Skënderbeut, a ata janë para Kalit bardh “legjendar” të shokut Tito, që i kënduan nateditë me çifteli.

Sançopançot shqiptar, para kohe turren me të katra pas posteve në Qeverinë e nesërme të “Shpëtimtarit” të vonuar Boshko Buha. Këmbekokë të përfundojnë në grazhd të “Kalit Shemës”. Ndryshimi strategjik i luftës heroike: Fitorja “artistike” luftarake mes faqeve të Historisë Shqiptare. Tragjedia e kësaj radhe: përfunduan heroikisht si “dëshmorë” lufte, jo në grazhdin e Kalit të Rexhës, po në grazhdin e “Kalit Shemës”.

Kulminacioni i luftës “strategjike” të shokëve të Boshko Buhës: Bythekrye i varrosëm si dëshmorë në instikamin historik shqiptar. “Bombat” politike të “Shpëtimtarit”, ende pa i hudhë para kamerave televizive,  i pëlcitën në dorë. Moti kohë e kam thënë këtë parashikim për Ditën e Nesërme në një shkrim timin publicistik: “Bombat” politike, “Shpëtimtarit” i pëlcitën në dorë. Punë tjetër është ajo, se: “Shpëtimtari” nuk e di gjuhën shqipe. Zakonet dhe traditën e këtij populli me të cilin jeton nëpër shekuj. Përmëkeq, nuk do edhe t’i mësojë një ditë?! Nuk e ka ndërmend si “vëlla” Njerke, as edhe t’i zyrtarizojë nesër si kushte elementare bashkëjetese në Shtetin e “përbashkët”. Frika se, po të donte “vëllazërim-bashkim”, moti këto “marrëveshje politike” mes të dyja palëve si popull shumicë në këtë Shtet të “përbashkët demokratik”, do t’i kishte realizuar si “vëlla” me të cilët jeton së bashku në një Shtëpi. Nuk do t’i ndante me “vëllain” e Babait lugët dhe enët, por livadhet, arat pyjet dhe Shtëpinë.

Problemi, ende nuk është në mesin e shqiptarëve, por te “vëllezërit” e Njerkës. “Armikun” shekullor, “vëllezërit” gjithë jetën e kërkojnë te shqiptarët. Merreni me mend, populli që i mbanë gjallë ende në histori, si kopila të Njerkës. Partizanët e tij të arratisur, ende nuk dinë shqip, por me vështirësi e përtypin gjuhën shqipe, edhe atë: vetëm për vende pune. Tregu me shumicë dhe pakicë, i ka çmimet e veta të zarzavateve në Bit - Pazar. Vështirë është sot, shqiptarëve t’u shitet malli i kalbur me afate të skaduara përdorimi, si mall i freskët që posa ka dalë në treg nga fushat pjellore politike.

Mallin e kalbur, moti e kemi nxjerrë ta shesim në Bit-Pazar, por jo për t’ia shitur popullit shqiptar. Tekefundit, as edhe armikut shekullor. Urdhëroni, “vëllezër” të Njerkës: kunguj Stambolli, dardha turke, kastraveca partizanë me yje të kuq në ballë e pa yje... me shumicë e pakicë, i keni edhe përpak kohë, sot shumë lirë shiten në treg!..

Ditën e sotshme historike, posa i nxorrëm në Bit-Pazar edhe hebet e “Kalit të Shemës”. Përplot janë të mbushura me dardha të qullta gorrice. Njëra hebe është e mbushur edhe me kultura të tjera bujqësore: Kunguj Stambolli, dardha turke, kastraveca, speca djegës... Tjetra, me “patriotë” Kësaj radhe, na mungojnë spiunët shqiptar. Nuk i kemi nxjerrë në treg ende për shitje. Shaku, se: nuk i shesim në Bit- Pazar. Hë për hë, kanë çmim shumë të lartë politik. Në propogandën ekonomike televizive, i thonë, “publicitet”: Veprimtari e fushave pjellore të këtyre anëve shkëmbore, rrëzë Sharrit Plak.

Fjalën e merr i pari i “profesionit”, eksperti i Koperativës të kulturave bujqësore: Malli ynë ekonomik, të cilin sot e nxjerrim në treg, është “hallall”. Kualitetin e këtij malli e kanë vërtetuar edhe profesionistë më eminentë nga vendi e mbarë bota. Jo, rastësisht, sot ky mall reklamohet me të madhe në Tregun e Bit-Pazarit, i ka fituar si vlerë “artistike” edhe disa çmime ekonomike  ndërkombëtare.

Reklamë të hatashme propagantistike për herdhet e “Kalit të Shemës” bënë edhe Mushka e Kumanovës. Emrin nuk ia përrmend për shkeqe aristokrocaie (bejlere). E di, do të më hidhërohet “analisti politik” me këmbët dhe trutë në legen.  Nuk i kam faj, samarin e “Kalit Shemës” e ka vetë mbi shpinë. Lexuesi shqiptar e di se, kush është ky “patriot” i shëtitur me vite si “analist” politik gati nëpër të gjitha redaksitë e “vëllazërim-bashkimit” dhe partitë politike shqiptare. Radha i erdhi edhe Turkofilit në Ministrinë e kulturave bujqësore, t’i dalë në krah kalorësit të arratisur: lëvdojë herdhet e “Kalit të Shemës” si risi të prodhimeve “standarde” ekonimike me licencë evropiane.

Në fund, fjalën e merr edhe vetë “Kali i Shemës”: Ekspert i Kulturës bujqësore në fushat pjellore të “vëllazërim-bashkimit”. Jo, me dorëheqje morale nga posti politik: Mallin të cilin unë e përurova sot para kamerave televizive, nesër do ta pushtojë gjithë tregun e Bit-Pazarit të Shkupit. Duartroktije!

Ngutuni vëllezër shqiptar, se dardhat e qullta gorrice  u shitën brenda një ore! Përçudi, ende na kanë mbetur pa shitur vetëm edhe herdhet e “Kalit të Shemës”!...