E marte, 19.03.2024, 08:20 AM (GMT)

Mendime » Fetahu

Adil Fetahu: Kështu mejtonte Azemi

E enjte, 14.12.2017, 07:33 PM


“KËSHTU MEJTONTE AZEMI”

Ky është titulli i librit publicistik, që përmbanë disa  intervista, biseda, letra të hapura, fjalime, mejtime të poetit, shkrimtarit e veprimtarit të njohur shqiptar,  kosovar e rugovas, Azem Shkreli, të cilat i ka grumbulluar e redaktuar Sali Beqiraj dhe vëllai i Azemit (Adem Shkreli); botoi ShB “Faik Konica” Prishtinë, 2017

Nga Adil FETAHU

Brënda kopertinave jane 33 intervista, biseda, letr të hapura, skica, fletë ditari, një pjesë  e vogël nga opusi i madh i publicistikës së Azemi Shkrelit, të periudhës 1970-1997, në të cilat rrahu,  trajtoi  e artikuloi tema të ndryshme, jo vetëm nga fusha e letërsisë, artit e kulturës, të cilave u takonte “me mish e me shpirtë”, po edhe për ngjarje politike, shoqërore, kombëtare e ndërkombëtare. Në pyetjet e shpeshta që i bënin Azemit, përse merresh me politikë derisa je krijues i dalluar, ai përgjigjej: “Me disa lëmë të jetës duhet të merremi, së pakut aq sa merren ato me ne”. Dhe vërtetë, Azemi nuk ishte vetëm një poet e shkrimtar i afirmuar, as një vrojtues pasiv i ngjarjeve të bujshme të kohës, por ishte  një protagonist aktiv dhe promoter i shumë veprave e ngjarjeve të jetës shoqërore, politike e kulturore në Kosovë e gjithandej ku ka shqiptarë. Gjithmonë gjente kohë edhe për krijimtari, edhe për punë në udhëheqjen e suksesshme të institucioneve: ka qenë drejtor i Teatrit Krahinor, kryetar shumëvjeçar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, themelues dhe drejtor i “Kosova-filmit”; i angazhuar në forume e organizma të ndryshme, pjesëmarrës e protagonist në shumë  ngjarje me rëndësi, kudo e kurdo që e kërkonte puna dhe e konsideronte se duhet ta jep kontributin e vet prej intelektuali e dijetari. Në të gjitha funksionet dhe detyrat që mori, falë përkushtimit, angazhimit, kreativitetit profesional e largpamësisë vizionare, arriti rezultate të çmueshme. Në forume e tubime politike, dhe jo vetëm në ato, me oratorinë e tij elikuente e të mbështetur në argumente dhe në tabanin kombëtar, u jepte tonin dhe kahjen ngjarjeve e ndodhive, dhe parashikimet i kishte gadi profetike, po mjerisht, vet nuk e priti realizimin e parashikimeve të tij për fundin e okupimit dhe çlirimin e Kosovës nga pushtuesi serb.

Azemi – shkrimtar i angazhuar

Azem Shkreli (10.02.1938 – 27.05.1997), qysh i ri u mor me shkrime në poezi e prozë. Shkroi e botoi dhe la pas vete shumë vepra të arrira në poezi e në prozë,  dhe dy drama. Veprat në poezi: “Bulzat” (1960), “Engjujt e Rrugëve” (1963); “E di  një fjalë prej guri” (1969); “Nga Bibla e heshtjes” (1975); “Pagëzimi i fjalës” (1981); “Nata e papagajve” (1990); “Lirikë në shi” (1994); “Zogj dhe gurë” (1997, e la në dorëshkrim, që u botua pas vdekjes së autorit). Në prozë la këto vepra: “Karvani i bardhë” (1961); “Sytë e Evës: (1975); “Muri përfundi shqipeve” (…) dhe “Shtatë nga ata” (…), si dhe dramat: “Fosilet” (1968) dhe “Vorri i qyqes” (1983). Disa prej tyre janë përkthyer në gjuhë tjera. Përveç këtyre veprave, është një mori shkrimesh, publicistike të publikuara në periudhën prej vitit 1970 deri në vitin 1997, shumica e të cilave të shpërndara në gazeta ditore e javore, në gjuhën shqipe e serbokroate,  në kohë e në hapësirë, të cilat (akoma)  nuk janë përmbledhur e ruajtur. Ato që janë përmbledhur në librin “Kështu mejtonte Azemi”, janë vetëm një pjesë e vogël e aktivitetit publicistik të Azemit. Po të mblidhen intervistat e dhëna mediave, fjalimet e mbajtura në forume e tubime të ndryshme politike, profesionale e kulturore; apelet, memorandumet, projektet, analizat e ndryshme, duhet të botohen në disa tome librash.

Në librin “Kështu mejtonte Azemi”, janë botuar 33 njësi publicistike. Pas një hyrje të shkurtër të Salih Kelmendit për këtë libër, në vazhdim është një material (memorandum i titulluar: Mbrojmë të drejtën tonë për ekzistencë dhe dinjitet) i përpiluar nga vet Azemi, në të cilin paraqet të dhëna e argumente për të drejtën e Kosovës për pavarësi e bashkim kombëtar, duke e përfunduar me fjalinë: “Qoftë vullneti i Zotit për ato që ne bëjmë. Qoftë edhe vullneti i Njeriut”. Memorandumi me nënshkrimin e Azemit, nën firmën e KMLDNj, i është dërguar Lordit Kerington, sekretarit të OKB-së, Këshillit të Sigurimit dhe OSBE-së. Aty theskohet se problemi i Kosovës dhe i shqiptarëve në Jugosllavi nuk mund të reduktohet e vështrohet si problem i të drejtave të njeriut, por duhet të trajtohet si problem i një kombi të ndarë në mënyrë arbitrare, pa fajin as vullnetin e tij. Të gjithë popujt sllavë të cilët e përbënin Jugosllavinë u pavarësuan, sepse nuk gjetën gjuhë të përbashkët as interes për bashkëjetesë. Ndërkaq, shqiptarët që nuk janë sllavë as nuk kanë asgjë përbashkët me ta, nuk kanë asnjë asrye as interes të bashkëjetojnë nën një shtet sllav, siç po na rekomandohet. Prandaj, pavarësisht nga sakrificat, ne nuk do të heqim dorë nga zgjidhja e drejtë e çështjes sonë kombëtare. Meqë gjendja e okupimit na është bërë e padurueshme, edhe na me mjetet dhe mundësitë tona të luftës kundër saj, do t’i bëhemi asaj të padurueshëm. Letra të hapura proteste kundër presionit e represionit serb në Kosovë, Azemi shpeshherë u ka dërguar edhe personaliteteve dhe institucioneve tjera relevante vendore e nderkombëtare.

Azemi në krye të institucioneve të kulturës

Në disa intervista për punën e Teatrit Krahinor dhe të Kosovafilmit, Azemi nga pozita e drejtorit të këtyre institucioneve dhe veprimtarit kulturor, shpalosë sukseset, problemet, mungesën e kushteve materiale e të kuadrove, veçmas të regjisorëve,  zgjërimin e veprimtarisë, bashkëpunimin me teatrot dhe shtëpitë filmike të kryeqendrave, filmin artistik dhe atë dokumentar, rolin e televizionit, mediave etj.

Në cilësinë e krijuesit, po edhe të kryetarit shumëvjeçar të Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, intervistat dhe bisedat më të shumta i ka  pasur për letërsinë, rëndësinë e saj, cilësitë, krijuesit, kushtet, mundësitë e botimit e ribotimit të veprave, shpërblimet, përkthimet nga shqipja në gjuhë tjera, këmbimet. Në pyetjen për angazhimet e tij në forumet politike, Azemi thoshte se si krijues dhe intelektual, kjo është një sakrificë, por dikush duhej të ndodhej edhe atje ku bëhej politikë, të jetë më superior dhe më i mençur se politika. Me politikë merrëm, sepse ajo merret me mua e me fatin e popullit tim.  Është edhe kjo një përvojë, ta njohësh anatominë e politikës nga brenda, si një laborator perverz ku eksperimentohet me njerëzit si me insektet. Për politikën asjëherë nuk mund të ndjesh neveri të mjaftueshme pa e njohur nga brenda. Në pyetjen, përse nuk e pranoi kandidimin për anëtar të Akademisë së Shkencave, Azemi thoshte: unë nuk bëhem shkrimtar më i madh duke qenë anëtar i Akademisë, as shkrimtar më i vogël duke qenë jashtë Akademisë.

Poetët janë flakadanë, gjithnjë të ndezur

Azemi ka pasur talent të fuqishëm, prirje e stil pothuajse të njëjtë për prozë dhe poezi, veçse për poezinë ka pasur një dashuri të posaçme. Ai e krijonte dhe  e donte poezinë me shpirtë, dhe këtë e ilustrojnë vargjet:

Mos u bëj poet nëse s’mund të lindësh

me secilin varg, të lindësh me secilën fjalë

(…)

Mos u bëj poet nëse s’mund të vdesësh

për secilin varg, të vdesësh për secilën fjalë.

Ai thoshte: prozën e çmoj, poezinë e dua; duket se edhe ajo më do mua. Poezia është një zonjë me teka e me naze, që nuk ka dhe shumë miq, po i ka të fortë e të përkushtuar, të cilët i krijon më ngadalë, po pastaj i mbanë e nuk i humb. Ndonjëherë me një poezi mund të thuhet sa me një libër të tërë. Poezisë më mirë i rri diç mangu se diç e tepërt, Poetët janë flakadanë gjithnjë të ndezur, janë ndërgjegja e kombit. Ata duhet ta dëshmojnë kreativisht praninë prej mendimtari e veprimtari aktiv në fushën e vokacionit të tyre. Poetët që s’i gjasojnë poezisë së vet s’janë as poetë, ata janë vargëtarë, janë zejtarë dhe jo artistë të poezisë.   Proza, pos prirjes, do punë, përvojë, pjekuri krijuese e jetësore, guxim për farkimin artistik të ngjarjeve e ndodhive, në shtrirje vertikale e horizontale, dhe zbulim imagjinar me fakturë  faktesh dokumentuese të cilave mund t’iu besohet. Duke iu përgjigjur një pyetje, se a i është kthyer prozës, Azemi thotë  shkruaj në prozë, se më duket se i kam mbetur borxh, dhe kam çka të shkruaj, ndërsa punën në prozë e pushoj me poezinë. Duke folur për letërsinë në Kosovë e në Shqipëri, Azemi pranon   se  ka dy realitete, por këmbëngulë se kombi ynë ka një letërsi, se ka vetëm një shpirtë. Është një letërsi, se shkruhet nga e njëjta gjuhë, përshkohet nga e njëjta mendësi, mendësia shqiptare, mentaliteti ynë ushqehet nga e njëjta traditë kulturore e formuar që heret.

Kur flet për punën e tij, Azemi thotë se i përmbahet parimit të përgjegjësisë, që sipas mundësisë, secilin shkrim, veçmas secilin shkrim letrar, ta sjell në atë shkallë formësimi e përfundimi strukturor dhe artistik, sa të mos lakmoj pastaj të merrem më me te, ta shkruaj ndryshe, as të pendohem pse e kam shkruar siç ësht shkruar.

Kur flet për krijimtarinë e femrave, jep një vlerësim korrekt, duke thënë se femrat nuk vijnë në krijitmari për ta përfaqësuar gjininë e tyre, por vijnë si dhe meshkujt, ta realizojnë veten si artiste. Duke u përgjigjur shumë pyetjeve të Televizionit jugosllav (“Jutel”),  për klimën kulturore dhe kushtet e krijimtarisë në rrethanat e okupimit të Kosovës, Azemi shfaqë shpresën se të gjitha do të kalojnë patjetër, dhe kjo kohë do të mbahet mend si kohë antikulture të paparë, e cila nuk i bënë nderë asnjë kulture dhe asnjë civilizimi. Dhe kjo ishte intervista e fundit e Azemit (prill 1997), ngase në maj të atij viti – shkoi në amshim!

Libri “Kështu mejtonte Azemi”, përmbanë edhe shumë mejtime të tij, dhënë për çështje të ndryshme, për të cilat flet me kompetencë prej shkrimtari e intelektuali të angazhuar, i cili na la jo vetëm shumë fjalë, por edhe shumë vepra antologjike.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora