E enjte, 28.03.2024, 07:40 PM (GMT)

Editorial » Shkreli

Frank Shkreli: 'Shqiptarët e Trump-it Godasin Serbinë'

E enjte, 07.12.2017, 09:11 PM


“SHQIPTARËT E TRUMP-IT GODASIN SERBINË”

Nga Frank Shkreli

Kështu shkruante ditët e fundit një gazetë serbe mbi dy vëllezër shqiptarë nga Kosova të cilët kanë punuar në Pentagon dhe tani punojnë në Shëpinë e Bardhë. Fjala është për vëllezërit Ylber dhe Ilir Bajraktari për të cilët, në fakt, një vit e gjysëm më parë unë kisha shkruar një artikull mbi karierën dhe punën e tyre në nivelet më të larta të politikës mbrojtëse dhe asaj të sigurimit të Shteteve të Bashkuara.   Siç duket inteligjenca serbe nuk qenka aq e përsosur siç mendonim, pasi vetëm tani dhe pas një takimi të Ministrit serb Daçiq në Shtëpinë e Bardhë me Këshilltarin e Presidentit Trump për Sigurimin Kombëtare, Gjeneralin H.R. Macmaster, zbulojnë se dy vëllëzërit shqiptraë nga Kosova punojnë në detyra kyçe në fushën e mbrojtjes dhe të sigumit kombëtar të Shteteve të Bashkuara. Gazeta serbe “Srpski Telegraf” në faqen e parë njofton titullin e artikullit “Shqiptarët e Trump-it Godasin Serbinë”, por duke përdorur fjalën denigruese “shiptari”, kur serbët duan të ofendojnë shqiptarët.   Gazeta serbe shkruan për “Vëllëzërit Ylber dhe Ilir Bajraktari nga Kosova, të vendosur në detyra kyçe të Ministrisë së Mbrojtjes të Shteteve të Bashkuara, në të cilat ata ushtrojnë influencë mbi ngjarjet në Ballkan”.  Gazeta në fjalë citon Ministrin serb Daçiq të ketë thënë se, “Kur pashë në Uashington se afër Këshilltarit të Sigurimit Kombëtar, Gjeneralit Macmaster qëndronte shefi i kabinetit të tij, Bajraktari, çdo gjë më është bërë e qartë”, është shprehur Ministri i jashtëm serb.  Bëhet fjalë, u shpjegon gazeta serbe lexuesve të saj, për dy shqiptarë, (gjithnjë duke përdorur fjalën denigruese “shiptari”), të cilët në administratën e Presidentit Barak Obama u bënë si yje dhe tani falë urdhërit të gjeneralit Macmaster përcaktojnë edhe çështjet kryesore të politikës së Donald Trump-it, përfshirë edhe çështjet që kanë të bëjnë me Ballkanin dhe me Serbinë, shkruan gazeta serbe, për rolin që vëllëzërit Bajraktari luajnë në politikën amerikane të mbrojtjes dhe të sigurimit kombëtar. 

Gazeta serbe është e shqetësuar për përparimin e shpejtë dhe për punën që bëjnë vëllezërit Bajraktari në nivele të larta të administratës amerikane në Washington, duke filluar nga ardhja e tyre në Amerikë nga Kosova para 20-viteve, gjë për të cilën shkruhet shumë pak, dhe për të cilin fakt, sipas gazetës serbe, janë habitur edhe mediet amerikane.

“Për ndryshe”, shkruan gazeta serbe, “Ilir Bajraktari, tani për tani, është dora e djathtë e Z. MacMaster dhe njeriu më i besueshëm dhe më i afërt i tij, i cili kontrollon çdo gjë, kërkesat dhe të dhënat e informacionit që duhet të arrijnë në zyrën e gjeneralit Macmaster ndërkohë që Ylber Bajraktarin, gazeta serbe e cilëson si “Drejtor të lartë të Këshillit për politikën dhe mbrojtjen kombëtare”. 

Siç duket për të alarmuar edhe më tepër lexuesit serbë mbi praninë e dy shqiptarëve në administratën amerikane, gazeta në fjalë, i referohet gjithashtu edhe vizitës së fundit të Zëvëndës Presidentit amerikan, Mike Pence në disa vende të Ballkanit,  gjatë së cilës thotë gazeta, udhëheqsi amerikan kishte sjellur me vete edhe dy vëllëzërit shqiptarë, Ylberin dhe Ilir Bajraktarin, të cilët shkruan ajo, me këtë rast ia paraqiti edhe presidentit të Kosovës, Z. Thaçi, duke thënë se ishte i kënaqur që kishte mundësinë t’a informonte udhëheqsin e Kosovës se tani në Shtëpinë e Bardhë punojnë dy persona nga ai vend. 

Gazeta serbe citon Zëvendës Presidentin amerikan t’i ketë thënë Presidentit Thaçi se, “Kam nderin të njoftoj se dy të rinjë nga Kosova, Ylber dhe Ilir Bajraktari punojnë me ne në Shtëpinë e Bardhë. Këtë, ata e kanë arritur me punën e tyre.  Kjo flet gjithashtu edhe për zemërgjërësinë e popullit amerikan, i cili më së shumti vlerëson punën, guximin dhe besnikërinë.”

Është e qartë se Ministri i Jashtëm serb nuk ishte i kënqaqur me faktin se   në Shtëpinë e Bardhë punonin dy shqiptarë nga Kosova. Kjo shihet nga deklaratat e tija dhënë medies serbe pas takimit të tij në Uashington me Këshilltarin e Presidentit Trump për Sigurinë Kombëtare dhe për faktin se këta dy shqiptarë janë në detyra të rëndësishme të politikës së mbrojtjes dhe të sigurisë kombëtare, e për më tepër se ata, në këtë fushë të veprimtarisë së tyre, ata merren edhe me çeshtjet që prekin Serbinë dhe Ballkanin.  Për ne që kemi jetuar dikur nën regjimin komunist ish-jugosllav është e lehtë ta marrim me mend se sa i ofenduar duhet ta ketë ndie veten Daçiqi në takimin me gjeneralin MacMaster, Këshilltarin e Presidentit Trump për çeshtje të Sigurimit Kombëtar, kur ka mësuar se bashkpuntori i tij i ngushtë ishte një shqiptar i ri nga Kosova.  Por në të vërtetë, reagimet serbe, përfshirë Ministrin e jashtëm serb Daçiq, ndaj këtij rasti dhe në raste të tjera, tani dhe më përpara gjatë viteve, nuk kanë asnjë rëndësi.  Ajo që ka rëndësi është fakti se shqiptarëve, kur tu jepet mundësia të jetojnë dhe të veprojnë në liri, ata arrijnë nivele të larta në administratë, madje edhe duke konkuruar me më të mirët, bile edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.   Ky është edhe rasti i vëllëzërve Bajraktari nga Kosova, të cilët, siç është shprehur edhe Zëvëndës Presidenti amerikan, Mike Pence, me punën e tyre, me guximin dhe me besnikërinë ndaj këtij vendi që u siguroi atyre lirinë dhe të drejtat e tyre të njeriut si refugjatë nga Kosova, ata kanë mundur të arrinë nivelet më të larta të administratës në Pentagon dhe në Shtëpinë e Bardhë. Nga ky lajm suksesi nuk duhet të ketë frikë as Serbia, por duhet të shërbejë si shembull për të trajtuar të gjithë qytetarët pa dallim, ashtuqë të gjithë të kenë mundësi të arrijnë nivele të larta suksesi me punën e rëndë dhe me përkushtimin e tyre edhe ndaj vendit që i ka strehuar. 

Për ata që duan të mësojnë më shumë mbi vëllëzërit Bajraktari mund të lexoni linkun më poshtë me artikullin e shkruar para një vit e gjysëm:

http://www.zemrashqiptare.net/news/id_43645/ 



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora