Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Mikel Gojani: Pal Canaj, intelektual dhe krijues

| E hene, 04.12.2017, 08:19 PM |


PAL CANAJ, INTELEKTUAL DHE KRIJUES ME VLERA DIMENSIONALE

Shkruan Mikel Gojani

Të portretizosh profilin e intelektualit shqiptar kërkohet që të përfshihet njëmendësia në kohë dhe rrethana të caktuar, dhe si i tille është qëllimi ynë që të pasqyrojmë profilin e profesorit Pal Canaj.

Pal Ndue Canaj vjen prej familjes Canaj nga fshati Ranoci Lugut të Drinit. Paraardhësit e familjes Canaj për shkak të represionit të sundimit otoman kishin lëvizur nga veriu i Shqipërisë, përkatësisht rajoni i Mirditës, dhe për disa vite ishin vendosur në fshatrat Ramajë dhe Lukinjë të Hasit,ndërsa aty nga gjysma e shk. XIX ishin ngulitur në fshatin Ranoc. Në fshatin Ranoc të Lugut të Drinit, breznitë e trungu të familjes Canaj në saje të zellit për punë dhe mbijetesë arritën që të bëhen një bashkësi familjare e kamur,duke blerë hektarë të shumtë tokash, ku për rrjedhojë siguronin “tapi” si dokumente valide të pronësisë dhe në këtë mënyrë zhbënin ndikimin e bejlerëve dhe agallarëve. Me instalimin e regjimit socialist jugosllav gjyshi dhe i ati i Pal Canaj cilësohen si “element borgjez”dhe “ kulak”, ku për pasojë ndaj tyre ushtrohen forma të ndryshme të represionit dhe shpronësohen dhunshëm nga parcela të mëdha tokash.

Pal Ndue Canaj u lind në vitin 1956 në fshatin Ranoc, komuna e Klinës. Shkollën fillore e kreu në Zllakuqan, ndërsa të mesme në gjimnazin “ Luigj Gurakuqi” në Klinë, studimet universitare i përfundoi në Fakultetin Filozofik, ku diplomoi në degën e filozofi – sociologji. Pas përfundimit të studimeve filloi punën në shkollën e mesme “ Hajdar Dushi”, në Gjakovë, dhe më pastaj vijoi punën si profesor në gjimnazin “Luigj Gurakuqi “ në Klinë, ku edhe aktualisht kryen detyrën e mësimdhënësit për lëndët e filozofisë dhe sociologjisë, pranë kësaj vatre të njohur arsimore.

Veprimtar i përkushtuar i Lëvizjes për liri, demokraci dhe shtetësi të Kosovës, të udhëhequr nga Dr. Ibrahim Rugova

Gjatë viteve 90-ta, kur regjimi serb shembi institucionet dhe po rrënonte çdo gjë qe frymonte shqip në Kosove,Pal Canaj dallohet si një prej veprimtareve të angazhuar në mbrojte të drejtave nacionale të shqiptarëve të Kosovës. Gjatë këtyre viteve, në kushte të dhunës dhe të represionit serb, kreu një veprimtari të shumanshme në shërbim të kombit dhe të shoqërisë kosovare në përgjithësi. Ishte veprimtar i përkushtuar i Lëvizjes për liri, demokraci dhe shtetësi të Kosovës të udhëhequr nga Dr. Ibrahim Rugova . Zhvillonte aktivitet në kuadrin e Forumit të Intelektualëve Shqiptarë, ishte themelues dhe veprimtar i angazhuar i Sindikatave të Pavarura te Kosovës, si dhe anëtar i kryesisë së Kongresit të parë të Sindikatave të Pavarura të Kosovës. Ka ndihmuar i Lëvizjes për pajtimin e gjaqeve të udhëhequr nga profesor Anton Çetta, dhe në këtë mision human vazhdon edhe sot e kësaj dite me kontributin e tij në paqësimin midis njerëzve . Po ashtu gjatë viteve ‘90- ta ishte i angazhuar edhe në Shoqatën kundër shpërnguljes së shqiptarëve dhe kthimin e tyre në trojet e tyre etnike. Angazhimi i tij prej intelektuali, krijuesi dhe veprimtarit të gjithanshëm, në atë kohë vrojtohej dhe përcillej nga sigurimi dhe policia serbe, ndaj te cilit këto forca ndërmorën veprimet e tyre te arrestimit, “bisedave informative”, e formave tjera të presionit, por asnjëherë nuk munden ta zmbrapsin në synimet e tij.

Krijues me vlera dimensionale

Emrin e Pal Canajt e hasim të angazhuar në lëmin e shkrimeve dhe të krijimtarisë që në fillimin e viteve të 80-ta, përmes publikimeve në gazetat dhe revistat e kohës. Punimet dhe krijimtaria e tij letrare janë prezantuar në poezi, prozë, satirë, eseistike, shqyrtime sociologjiko- filozofike, publicistike analitike dhe vështrime kritike, të  cilat janë botuar në gazetat dhe revistat të ndryshme në Kosovë dhe Shqipëri, si në gazetat, “Rilindja”,”Zëri i rinisë”, “Koha ditore”, ” Bota sot”,” Iliria post “, si dhe në revistat “Shkëndija “, ”Thumbi”, Bota e re “, “Drita”, “ Forumi” ,”Koha”,“Tribuna”, “Zëri i Lirisë”, “Gazeta shqiptare”,” Fokus “etj. Po ashtu, ka një bashkëpunim të vazhdueshëm më revistën “Mirdita”, që botohet ne Tiranë. Ka të botuar dhe dy libra, monografi, në bashkautorësi më Mikel Gojanin . Këto libra monografi përmbajnë vlera të karakterit historik dhe edukativo-arsimor, njëra i kushtohet figurës e shquar, patriotit nga Lugu i Drinit, Llesh Gjon Lleshaj, si dhe monografia tjetër me vlera të rralla, “Mësonjëtorja e Zllakuqanit”, e cila i kushtohet historikut të shkollës së parë në gjuhën shqipe në Komunën e Klinës, e hapur në vitin 1897, që konsiderohet si njëra ndër shkollat më të hershme shqipe në trevat shqiptare. Kjo vepër nga studiuesit e historisë së arsimit kombëtar çmohet për nga rëndësia dhe vlerat e saj , si dhe ka gjetur një përdorim të gjere tek lexuesit duke shërbyer si burim dhe referencë në qarqet studiues lidhur me punime dhe tema të ndryshme hulumtuese dhe shkencore.

Përkushtimi i vazhdueshëm ne hullinë intelektuale, studimore dhe krijuese i profesor Canajt rezulton edhe me dorëshkrime të shumta të cilat e presin dritën e botimit.

Angazhimi në fushën intelektuale shumë i frytshëm dhe me interes të gjithëmbarshëm

Pal Canaj, dekada me radhë, para dhe pas lufte në Kosove është dalluar me kontributin e tij prej intelektuali, si në fushën e letrave e po ashtu edhe në veprimtari konkrete në jetën shoqërore, politike dhe kulturore, si dhe në konsolidimin e institucioneve dhe të rendit demokratik në vend. Përgjatë viteve të 90-ta, në kohën e okupimit serb të Kosovës, përkushtim i aktivitetit të tij ishte formimi dhe funksionalizimi i institucioneve autonome, në shërbim të lirisë dhe shtetësisë së Republikës së Kosovës. Është iniciues, organizator dhe pjesëmarrës i shënimeve të ngjarjeve, përvjetorëve të figurave , datave dhe ndodhive historike, po ashtu organizator dhe pjesëmarrës i simpoziumeve, sesioneve, tribunave të shumta me karakterit shkencor. Gjithherë në organizime të tilla, të karakterit shkencor, kulturor dhe historik, kontributi i tij ka qenë i vlerë si përmes kumtesave dhe formave tjera të angazhimit intelektual. Kontributin e tij shumëdimensional prej një intelektuali të angazhuar është pasqyruar edhe përmes emisioneve në media të ndryshme, si në Radio Televizionin e Kosovës, TV Rrokum,TV Dukagjini, Radio Maria, Radio Alba etj., ku janë trajtuar tema të karakterit social- filozofik , të historisë kombëtare, të jetës kulturor dhe të vlerave tjera shpirtërore, të qenësisë sonë. Si rezultat i punës së tij të frytshme intelektuale, profesor Canaj është angazhuar si bashkëpunëtor i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës lidhur me hartimin e Fjalorit Enciklopedik të Kosovës.

Profesor i veçuar dhe i shumë brezave

Në procesin edukativo arsimor prej me se tri dekadash profesor Pal Canaj shquhet për punën dhe kreativitetin e tij prej mësimdhënësit të përkushtuar. Në fillim e viteve të 90-ta kur regjimi serb në Kosove shembi institucionet dhe më tërë brutalitetin goditi arsimin në gjuhen shqipe, roli i këtij mësimdhënësi në bashkëveprim me tëtjerët në rajonin e Klinës, ishte i orientuar drejt qëllimit që arsimi si segment i jetës shoqërore dhe kombëtare të jetësohet në kauze dhe mision të dijes, rezistencës dhe synimet për liri. Përpos angazhimit të drejtpërdrejt në procesin e arsimit gatë viteve 90-ta kontributi i Pal Canajt ishte i drejtpërdrejtë dhe meritor në organizimin dhe mbarëvajtjen e mësimit në shtëpitë-shkolla. Vlerësimi për punën dhe rezultatet e profesorit Pal Canaj në procesin edukativo arsimor lartësohen si shprehje mirënjohëse si nga aspekti institucional e po ashtu edhe nga opinioni i komunitetit, e veçanërisht figura dhe përkushtimi i tij çmohet lartë nga gjeneratat e shumta të gjimnazit “Luigj Gurakuqi”, në Klinë ,që roli i këtij mësimdhënësi, pos tjerash cilësohet si shembull i një pedagogu frymëzues.

Pal Canaj, edhe në vitet e pas çlirimit dhe mëvetësisë së Kosovës shquhet per veprimtarin e tij në jetën shoqërore, në ndërtimin e rendit dhe të institucioneve demokratike, duke qenë i zgjedhur në dy legjislacione asamblist në Kuvendin Komunal të Klinës, si dhe kandidat në zgjedhjet nacionale. Kontributi i tij në mandatet e Kuvendit Komunal ishte orientimi i në shërbim të rritjes së vlerave demokratike, mbrojtjen e interesave te qytetarëve duke i respektuar specifikat që e karakterizojnë popullatën e kësaj ane.

Në përfundim vlen të theksohet se profili intelektual, krijues dhe atdhetar i profesorit Pal Canaj është një shëmbëlltyrë që pasqyron në mënyrën më të mirë përkushtimin e një intelektuali ndaj vlerave diturore, të qenësisë nacionale dhe të humanizmit në përgjithësi.