E enjte, 04.06.2020, 09:43 AM (GMT+1)

Sporti » Futbolli Shqiptar

Shqipëria me "këmbë të mbarë", ndal Suedinë në "Qemal "Stafa"

E diele, 07.09.2008, 12:54 PM


Vetëm barazim 0-0, duke zbehur Ibra&Co në një ndeshje ku kuqezinjtë kanë entuziazmuar

Shqipëria ndal Suedinë në një stadium të mbushur gati në kapacitetin e plotë, me një atmosferë të zjarrtë, dhe e nis mbarë eliminatoret e Botërorit 2010. Një barazim 0-0 në "Qemal Stafa" ndaj një prej pretendentëve për kualifikim duhet vlerësuar me nota pozitive. Por kjo kënaq kur mendojmë se loja e tanëve entuziazmoi, duke neutralizuar pothuajse tërësisht të mëdhenjtë si Ibrahimoviç e Larson. Han i beson skemës së paralajmëruar 4-2-3-1, me sulmues të vetëm Salihin. Para portierit Beqaj kishte vendosur dy mbrojtësit qendrorë, Beqirin e Currin, në krah të të cilëve ishin Dallku e Vangjeli. Lala e Cana kishin detyra mbrojtëse në mesfushë. Regjinas i ishte besuar Skelës, ndërsa presionin nga krahët e mbështeti te Hyka në të majtë dhe Duro në të djathtë. Suedia kundërpërgjigjet me modulin 3-5-2, ku në sulm kombinohej çifti: veterani Larson dhe i frikshmi Ibrahimoviç. Minutat e para kanë të bukur vetëm atmosferën e krijuar nga tifozeria në shkallët e stadiumit, e cila ndizet edhe më shumë në minutën e 8, kur Hyka depërton majtas, pason për Canën në hyrje të zonës, por gjuajtja e tij përfundon në goditje këndi. Talenti shqiptar i Maincit është sërish protagonist 2 minuta më vonë, kur pas shpërthimit në krah kroson për Salihin, i cili godet dobët me kokë dhe Isakson s‘e ka probleme ta ndalë. Shqipëria duket më agresive. Qarkullon mirë topin dhe zhvendoset drejt zonës kundërshtare falë shpejtësisë së Hykës e Salihit. "Makina" suedeze e Lagerbak ka vështirësi në funksionimin e saj. Nuk dalin dot në lojën e tyre, mungon presingu, por edhe luan larg portës. Por sinjali i parë i rrezikshmërisë së lartë të tyre vjen pikërisht nga këmbët e yllit të vetëm të mbrëmjes së "Qemal Stafës", Ibrahimoviçit, kur në minutën e 15 lëshon një gjuajtje të harkuar në diagonal, e cila ka tronditur shtyllën e Beqajt. Suedezët zgjohen dhe falë ekzekutimin për manual të një goditje dënimi, numri 4 i miqve gjendet i lirë 5 metra larg portës, gjuan me kokë, por reflekset e Beqajt shpëtojnë një gol të sigurt. Shqipëria provon me Salihin, që nuk devijon një gjuajtje të Skelës. Goli mungon, ndërsa pjesa e dytë ofron lojë më agresive. Suedezët provojnë me të gjitha mënyra, por pa krijuar raste të mira, ndërsa shqiptarët shijojnë teknikën e Hykës, por që jep kros jo të saktë. Ibrahimoviç lëshon një tjetër predhë, por Beqaj duket se është betuar që nuk do ta lënë të shënojë. Ndërsa Melberg bën gafën, kur fal Shqipërinë në një rast ideal për shënim: gjuajtja e tij kalon pranë shtyllës. Për përgjigjen mendon Hyka, i jashtëzakonshëm në krah, shmang të parin dhe nis një predhë nga jashtë zonës, që Isakson e grushton me vështirësi. Tensioni rritet me kalimin e minutave. Salihi ka vrapuar shumë dhe Han kërkon të freskojë sulmin me shpejtësinë e Berishës, duke lënë ekipin pa sulmues të mirëfilltë. Dhjetë minutat e fundit Han mendon për barazimin dhe ndryshon vendosjen e skuadrës: del fantazisti Skela, hyn Teli në të djathtë për një mbrojtje me katër. Dallku del para në krah, Duro merr qendrën e mesfushës. Ibra me shokë, provojnë të ndryshojnë fatin e ndeshjes, por ju mungon qartësia, ndërsa Shqipëria tenton të përfitojë nga ndonjë shans i fundit, por barazimi është rezultati përfundimtar, pasi të dyja ekipet nuk dhanë për të merituar më shumë.

Berisha: Vlen sa një fitore

Përballë Suedisë, barazimi ka vërtet vlera të mëdha, madje ka edhe nga ata që e konsiderojnë si një arritje të madhe përballë një kundërshtari të madh. "Një barazim në ndeshjen e parë, kundër një kundërshtari që pretendon kualifikimin, është njëlloj si një fitore për ne", nënvizon Besart Berisha, i cili është gjithashtu i lumtur për rikthimin e tij në Kombëtare, pas një mungesë 1-vjeçare për shkak të një dëmtimi të rëndë. "Jam i lumtur për rikthimin në Kombëtare. Kam kaluar shumë kohë të vështirë dhe i falënderoj të gjithë tifozët që më kanë mbështetur". Ndërsa uron fitoren e parë ndaj Maltës të mërkurën. Urimit të Berishës i bashkohet edhe mbrojtësi Kristi Vangjeli, i cili vlerëson si një nga pikat e forta në ndeshjet ndaj Suedisë, pikërisht tifozerinë e zjarrtë, që sipas tij ishte "lojtari i 12-të për kuqezinjtë dhe inspiruesi kryesor në çdo manovër".

Trajneri kuqezi përgëzon skuadrën për lojën e mirë

Ari Han: Me nordikët, pikë me shumë vlera

Sapo gjyqtari spanjoll Alberto Malenko fërshëlleu për fundin e takimit, Ari Han ngrihet me vrull nga stoli dhe shkon në tunelin nga ku futesh në dhomat e zhveshjes. Ashtu si asnjë tjetër më parë, holandezi ka pritur që të kalonin të gjithë lojtarët kuqezi, duke i përshëndetur ata për barazimin 0-0 me Suedinë. Trajneri është mjaft i kënaqur nga starti i këtyre eliminatoreve, mbi të gjitha me një kundërshtar mjaft të vështirë. "Luajtëm mirë, luftuam në çdo moment dhe morëm një barazim me Suedinë, që është mes skuadrave më të mirave në botë. Mendoj se kjo është një pikë me shumë vlera për skuadrën tonë", deklaroi Han për "Super Sport". "Është padyshim një rezultat i mirë dhe e rëndësishme është që skuadra luajti mirë dhe që mori rezultat pozitiv. Nota dhe lojtari më i mirë? Nuk dua të veçoj asnjë nga futbollistët, por për lojën në fushë skuadrës do t‘i jepja një shtatë ose një tetë". Në fund edhe dy fjalë për sfidën me Maltën pas katër ditëve në Tiranë: "Me Suedinë kemi marrë padyshim një rezultat të mirë, por me Maltën duhet të jemi të kujdesshëm, që të qëndrojmë me këmbë në tokë dhe të marrim maksimumin, pra tri pikët nga kjo sfidë".

Henrik Larson: E vështirë të luash me rivalë të tillë

Në "Qemal Stafa", Henrik Larson ka festuar 100 ndeshje me fanellën e Suedisë. Megjithatë, festa e sulmuesit të mirënjohur është prishur nga Kombëtarja e Ari Han. "Gjithmonë është shumë e vështirë që të luash me kundërshtarë si Shqipëria, që luajnë shumë të ngjeshur mbrapa dhe mbrohen me nëntë futbollistë", ishin fjalët e sulmuesit të mirënjohur. Ky mendim është vazhduar edhe nga mesfushori Sebastian Larson, i cili hyri në lojë si zëvendësues vetëm pas 6 minutave. "Shqipëria është një skuadër e vështirë dhe mbrohet mirë", tha 23-vjeçari që luan në Angli me Birmingam Sitin. "Kanë luajtur të tërhequr dhe kjo ka sjellë shumë probleme për ne. Edhe Shqipëria kishte lojtarë të fortë, me tre mesfushorë në qendër dhe është gati e pamundur të çahet. Dëshironim ta fitonim ndeshjen, por duhet të pranojmë rezultatin. Shpresojmë të paraqitemi më mirë në takimet e tjera të grupit".



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora