E marte, 23.04.2024, 02:08 PM (GMT+1)

Mendime

Hata: Fantazma që trazon 'gjumin' e 'shenjtorëve'

E merkure, 29.11.2017, 09:00 PM


Fantazma që trazon “gjumin” e “shenjtorëve”

Nga Dukagjin Hata

Sot, njëzet e shtatë vjet pas hapjes së Shqipërisë së izoluar në ferrin komunist, klanet e letrave që përcaktuan fatin e trishtë të letërsisë dhe kulturës proletare janë të mbyllura dhe të pacenuara në “shenjtërinë” e tyre të përdhosur nga damka e krimit. Të njejtët që përcaktuan rregullat e sjelljes së shkrimtarit në hierarkinë e Oborrit të Kuq, po tentojnë të krijojnë mitin e antikomunizimit dhe disidencës. Shkrimtarët që u kalvarizuan në analet e persekutimit të përbidshëm, duke u burgosur, internuar, vrarë e varrosur në gropa anomime, të tjerë që iu ndaluan librat dhe u dërguan “në bazë” për t’u “edukuar”, vazhdojnë të jenë të paragjykuar e të harruar.

Disidenca po bëhet një fantazëm që vërtitet tutje-tëhu sa në faqet e gazetave, në studio televizive, aq në podumet politike, por nuk po kuptohet kush është shenjti e kush dreqi, kush ka qenë dissident e kush persekutor. Më së shumti ulërijnë në kor ata që kanë qenë censorë, që për shkak të militantizmit të tyre politik të sëmurë, përgjonin deri dhe jetën intime të shkrimtarëve dhe artistëve,  iu bllokonin botimet dhe iu censuronin veprat.

E vërteta është se Shqipërisë nuk i kanë munguar rastet ekstreme të persekutimit për shkak të krijimtarisë artistike, (letërsi, pikturë, muzikë…) aq sa shumë shkrimtarë, artistë, kulturologë ose janë detyruar të heshtin dhe të punojnë jashtë fushës ku ndiheshin në tokën e tyre, në sistemin e dhuntive dhe përgatitjes akademike e estetike, ose kanë guxuar të shkruajnë, pikturojnë, kompozojnë ndryshe dhe kanë paguar një çmim të rëndë në jetën e tyre artistike e njerëzore.

Në saj të aplikimit të metodës së realizmit socialist, arti, kultura dhe letërsia shqipe kishin pësuar një atak të rëndë dhe të pariparueshëm, ku qenë rrafshuar individualitetet, nxituir mediokriteti e skematizmi dhe  kufizuar e ndëshkuar ata që krijonin, shkruanin, kompozonin, pikturonin ndryshe nga parimet bazë të sanksionuara me ligj të manifestit të metodës famëkeqe. Në këtë mënyrë, shkrimtarët e shquar të traditës sonë letrare, që kishin bërë epokë me kualitetet e larta estetike, para dhe gjatë Luftës së Dytë Botërore, figura të tilla emblematike si Lasgush Poradeci, Mitrush Kuteli, Petro Marko e të tjerë u lanë në hije, u rrethuan me heshtje e keqkuptime të qëllimshme, për të ngritur në piedestal shkrimtarë të panjohur, pa biografi letrare, mediokër që shquheshin vetëm për zbatimin me rigorozitet të direktivave të PPSH-së.

Ish partizanët dhe komandantët e luftës që kishin bërë epokë me aktet e tyre idealiste dhe që tentonin të shkruanin të vërtetën, si shkrimtari Kasem Trebeshina, poeti Pano Taçi etj u ndaluan, burgosën e persekutuan. Të tjerë patën një fat akoma më të keq, u pushkatuan për një shkrim, për një poezi, për një akt letrar të spërkatur me pluhur mospajtimi me regjimin, siç ishte rasti i Genc Lekës e Vilson Blloshmit etj.

Në Shqipërinë e pasluftës, me plagë e dhimbje, me dyzim e vetmi, një nga fushat më të goditura nga mekanizmat diabolikë të regjimit komunist ishte letërsia dhe shkrimtarët qenë ata që e pësuan më shumë në kurriz kamxhikun ndëshkues të klikës komuniste, për shkak të cilësisë së veprës së tyre, që dilte jashtë rrethit të shtampave deklarative të agjipropit të kuq.

Nisi kështu një kalvar biblik, i pashmebullt në gjithë perandorinë komunsite, “gjuetia e shtrigave”, djegia dhe bërja karton e librave të padëshirueshëm, përgjimi, dëbimi, internimi, burgosja e vrasja e shkrimtarëve dhe poetëve; revolucioni kulturor lejfenist shqiptar goditi në çdo qelizë letërsinë dhe artin e shëndetshëm, shkrimtarët dhe artistët që krijuan vepra dinjitoze, jashtë formulave të thata dhe marrsheve demagogjike të kohës.

Kam rreth dhjetë vjet që njoh njërin prej tyre, Sali Leka quhet, me origjinë nga fshati Selbë i Tiranës, një burrë rreth të shtatëdhjetë e pesave, një autor i ndaluar nga entet botuese të komunizmit, nga shtypi dhe mediat e kohës së Diktaturës. Ai vazhdon të njejtën luftë me ata që dikur ia dolën t’ia ndalonin botimet dhe sot tundin flamujt e zhuburosur nga keqpërdorimi të pseudo“disidencës”. Sali Leka u ndëshkua me burg politik për shkak të veprave të tij, që nuk çonin ujë në mullirin e soc-realizmit, nuk i përgjigjeshin frymës së kohës, që presupozonte t’i bëje jehonë një revolucioni kulturor lejfenist e denigrues deri në absurditet. Pse ishte i pa pranueshëm Sali Leka për censurën e Diktaturës komuniste? Sepse tentonte që me anë të historive të vjetra, të ngritura në rrëfime poetike, të prekte plagët e kohës, të vetëdijësonte bashkëkombasit e tij për përmasat e absurdit të kuq.

Ai paraqiti për botim në entet shtetërore të botimit të kohës 85 vepra letrare, tregime, poezi, romane, asnjërën prej tyre nuk ia botuan, duke ia refuzuar botimin për shkak se ato, sipas redaktorëve dhe çensorëve, kishin frymë erotike dhe moderniste, nuk përçonin frymën e kohës dhe parimet e realizmit socialist.

Sot, nën vellon e antikomunizmit dhe të disidencës, gëlojnë në studio televizive dhe faqet e gazetave ata që vetëm pak dekada më parë ia ndaluan librat shkrimtarit Sali Leka, ndaj ky i fundit refuzon të ulet me ta në të njetën studio televizive e të ndajë me ta të njejtat faqe gazetash.

Sali Leka vazhdon të bëjë të njejtën luftë të radhës, të demaskoj personazhet e dikurshme të çensurës dhe persekutimit diabolik, pjesë e strukturave të sigurimit të shtetit, që janë mpleksur sot qëndrimin public mediatik, duke i “ngatërruar” fijet e kohëve dhe duke e bërë të pathyeshme “nyjen gordiane” të keqkuptimit të madh.

Këta “analistë”, “studiues” dhe “kritikë” shkruajnë se në regjimet e mbyllura diktatoraile, si ai që përjetuam gjysëm shekulli ne shqiptarët, mund të shkruhen dhe botohen vepra të mëdha letrare dhe artistike. Iluzioni i tyre se në diktaturë, me mungesë totale lirie, janë shkruar e botuar “vepra të mëdha” është një absurditet dhe një reminishencë e ekskatedrës. Kjo psikozë vazhdon të mbajë në kuotën e majës më të lartë vepra dhe autorë të socrealizmit, duke nxitur dhe sponsorizmin e botimit të veprës së tyre të partishme, ndërkohë që vepra e shkrimtarëve të mirëfilltë disidentë, jo vetëm që nuk botohet, por vazhdon të sulmohet e të anatemohet.

Nuk mund të krahasohet asnjë vepër e krijuar në Diktaturë, qofshin dhe ato që kanë bërë emër, falë propogandës më të ethshme komuniste të kohës, me veprat monumentale të krijuara në demokraci të At Zef Pllumit e Fatos Lubonjës, Kasem trebeshinës e Lekë Pervizit, Pjetër Arbnorit e Agim Mustës, Spartak Ngjelës e Sali Lekës, Kurt Kolës e Pano Taçit, Ahmet Kolgjinit e Ylber Merdanit, Frederik Rreshpjes e Eugjen Merlikës etj etj.

Pohimet e personazheve të censurës mizore nga ekrani magjik i kohës së sotme se kanë qenë të sulmuar dhe kanë jetuar si “gjarpëri nën gur” në kohën e regjimit monstër, se në një formë apo një tjetër kanë kërkuar apo edhe kanë ndihmuar në rënien e tij, janë një përbaltje që dishepujt e Diktaurës i bëjnë demokracisë dhe mendimit të lirë. Axhaminj, që nuk kanë asnjë lidhje me letërsinë, kanë krijuar “modele” persekutimi duke sajuar dosje disidence për ata që kanë pasur në dorë çelsat e censurës dhe i kanë përdorur ata për mbylljen e veprave më të mira që janë shkruar në Diktaturë dhe ndëshkimin e autorëve të tyre.

Fiksimi për të shpallur disidentë figurat e censurës dhe katrahurës së kalvarit të kuq vjen nga kompleksi i fajit, nga pesha e rëndë e mëkatit që ata mbartin nga analet e së kaluarës së trishtë.

E vërteta nuk mund të mbulohet me gjethe fiku: me apo pa dëshirë, shkrimtarët dhe, në përgjithësi inteklektulët e soc-realizmit, i kanë shërbyer regjimit, duke e ndihmuar atë në një prej krimeve më të rënda, atë të përpjekjes për të shkatërruar shpirtin edhe natyrën njerëzore, duke tentuar të imponojnë idetë marksiste-leniniste. Askush tjetër përpos artistëve dhe shkrimtarëve nuk mund ta bënte këtë.  Prandaj duket e çuditshme kur sheh “shkrimtarë të mëdhenj” të periudhës komuniste të shfaqen befas si disidentë, ndërkohë, që kanë qenë pikërisht këta që i kanë thurur himne partisë dhe udhëheqësit e saj.

Sali Leka ka të drejtë që nuk denjon të ulet në studio televizive me këto soj “disidentësh”, pasi janë po ata që vetëm tre dekada më parë kanë qenë në avanguardë të mbylljes së librave të tij dhe sot, ngaqë nuk duan që të prishet shëmbëllimi ikonak i soc-realizmit, sajojnë “disidentë të komanduar”, që të mund të vazhdojnë të tundin banderolat e agjitpropit të vjetër në kohën e re të lirisë dhe demokracisë së premtuar.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora