E shtune, 20.04.2024, 06:38 AM (GMT+1)

Shtesë » Historia

I rrëmbyen e burgosën si anëtarë të “Grupit të Pajo Milecit”, familjet prej muajsh s’dinin gjë për 17 “përmbysësit e pushtetit”

E enjte, 04.09.2008, 05:26 PM


Tregojnë Estref Mydini dhe Ali Hasanasi nga Kolonja, dy dëshmitarët e tmerrit të qelive

“Ishte tetori i vitit 1952. Ne ishim 17 veta, por që të gjithë na quajtën ‘Grupi i Pajo Milecit’. Fati ynë nisi me arrestime të papritura dhe në mister të plotë”.

Kështu nisin e tregojnë dy dëshmitarët e tmerrit të qelive, Estref Mydini dhe Ali Hasanasi nga fshati Butkë i rrethit Kolonjë.

“Brenda disa ditësh u zhdukën të gjithë, njëri pas tjetrit, ashtu siç u zhdukëm edhe ne. Askush nuk dinte gjë për fatin tonë, as familjet. Nënat tona, por edhe të tjerat shkonin në polici dhe denonconin humbjen e djemve të tyre, por policia ngrinte supet. Përgjigjja e tyre ishte: ‘Nuk kemi asnjë informacion mbi ta’. ‘Shikoni se mos janë arratisur jashtë shtetit’. Njerëzit e policisë ishin të ftohtë dhe të egër. Familjarëve tanë u jepnin urdhra: ‘Mundohuni të mësoni për fatin e tyre dhe na ktheni përgjigje. Ndoshta diku këtu do të jenë, se nuk i përpiu dheu. Djemtë tuaj nuk janë nga ata që humbasin kollaj’. Ishte një lojë e frikshme e tmerrshme dhe ironike. Bënin të paditurin me familjet tona, ndërsa ne rriheshim mizorisht brenda mureve të burgjeve”, tregon Estrefi dhe Aliu.

Tmerri

“Më vonë do të merrnim vesh se ato ditë paniku po përhapej në të gjithë Kolonjën, djem të rinj po humbisnin në të gjitha fshatrat e Kolonjës, jo vetëm në Butkë, por edhe në Milec, Skorvot, Agalli, Dokollarë, Selenicë, Floq, Helmës, Leskovik, madje po humbisnin edhe gjimnazistë që studionin në qytetin e Korçës. Vetëm kur dolëm nga burgu, pas shumë vitesh, sepse unë u dënova 15 vjet, ndërsa Ali Hasanasi 10 vjet, mësuam se të 17 familjet e djemve të humbur përshkoheshin nga tmerri ditë dhe natë. Sipas tregimeve të të afërmve tanë, mësuam se gjatë gjithë netëve rreth shtëpive tona dëgjoheshin hapat e njerëzve të sigurimit dhe lehjet e qenve, që nuk pushonin deri në agim. Për asnjë çast nuk u ndaheshin spiunët. Mësuam se familjet tona ishin vënë në kërkim të djemve të tyre, por ishte e pamundur që të na gjenin. Asnjë shenjë e jona nuk kishte mbetur në Kolonjë. Na kishin kërkuar buzë lumenjve dhe rezervuarve se mos na gjenin të mbytur, por nuk pikasën asnjë shenjë. Kishin menduar se mos ishim vrarë nga rrufeja, por kjo gjë kishte qenë e pamundur, sepse 17 burra nuk mund të vriteshin në një ditë dhe në të njëjtin vend, sepse të paktën ne nuk kishim qenë nga i njëjti fshat”, kujtojnë e tregojnë duke folur herë njëri e herë tjetri, Estrefi dhe Aliu. Ironia e strukturave të shtetit, e filluar që me fshehjen e arrestimit të 17 personave, vazhdoi më pas me “arsyet” që ata shpërndanin në formë thashethemesh për “të zhdukurit”.

“Në pamundësi për të na gjetur ishte përhapur ideja se mund të ishin ngjallur fantazmat dhe na kishin ngrënë. Pleqtë tanë ishin supersticiozë, besonin akoma te magjitë dhe kuçedrat. Ndoshta juve u duket e pabesueshme dhe anakronike, por humbja e 17 njerëzve pa lënë asnjë gjurmë, kërkonte me çdo kusht një arsye edhe përtej logjikës njerëzore. Kishte nisur të flitej për vampirë dhe kuçedra, për shejtanë, madje, edhe për vetë djallin. Skëterra e tmerrit kishte marrë fund, vetëm kur familjeve tona u kishin komunikuar të vërtetën. Lajmi për familjet tona kishte qenë edhe më i rëndë se vetë vdekja. ‘Janë në burg, u kishin komunikuar familjeve tona, sepse donin të rrëzonin pushtetin popullor, pushtetin e fuqishëm të Enver Hoxhës, që po i jep dritë gjithë botës anembanë’. Lajmi kishte marrë dhenë. Veç nesh, nga Butka ishte arrestuar dhe Erfan Hasanasi, kurse nga Mileci ishin arrestuar Abdulla Zoto, Tahir Mehmeti, Xhafer Mehmeti, Muhamet Zoto dhe Xhafer Bejko, nga gjimnazi i Korçës, Adriatik Kadilli dhe Selfo Asllani, i cili ishte nga fshati Selenicë i Kolonjës. Bashkë me ta ishte arrestuar edhe një gjimnazist nga Leskoviku, i cili quhej Hajdar, por tashmë nuk na kujtohet mbiemri”, thonë Aliu dhe Estrefi, duke ndjerë keqardhje për bashkëvuajtësin e tyre në këtë harresë.

“Që të gjithë u dergjëm nëpër burgje, ndërsa disa prej tyre u pushkatuan. Ishim të gjithë. Vetëm Pajo Mileci, prej nga ngjitën edhe emrin e grupit, nuk ishte aty”, shtojnë Estrefi dhe Aliu.

Arsyeja

“Dikush kishte pikasur tre njerëz të fshehur në një ferrë, buzë një lumi që shkon poshtë fshatit Milec”, vazhdojnë të tregojnë dy dëshmitarët e ngjarjes, Estref Mydini dhe Ali Hasanasi.

“Thanë se aty ishte fshehur Pajo Mileci. Të gjithë e dinë se si pllakosi ushtria me armë dhe mitralozë, komunistët me nga një pushkë në krah dhe njësitet e fshatrave për të rrethuar vendin. Plasi lufta. Tri personat që rrinin fshehur buzë lumit të Milecit, u gjetën mes breshërive. Që në momentin e parë, njëri prej tyre mbeti i vrarë, ndërsa dy të tjerët u kapën të gjallë. Të vrarin e shëtitën të ngarkuar në mushkë në gjithë zonën. Askush nuk ia mësoi dot emrin, por njerëzit e sigurimit kishin thënë se ai ishte nga Tepelena. Dy të tjerët i lidhën me litar, sepse fatmirësisht nuk i kishte zënë plumbi. Njëri ishte nga Kosova, ndërsa tjetri nga Himara. Vetëm Pajo Mileci nuk ishte aty. U përhap lajmi se Pajo Mileci ishte arratisur sërish si fantazmë. E kishin qëlluar me plumba dhe granata, por hajmalia, apo diçka tjetër, nuk e lejonte që të vritej. Thoshin se ishte i regjur dhe i stërvitur mirë nga spiunazhi grek, madje, Pajo Mileci cilësohej si një njeri mjaft i rrezikshëm. Kur përmendej emri i tij, duhej të thoshe patjetër ‘krimineli’, sepse në të kundërt mund të të ndiqte një fat i zi, që nuk kishte të mbaruar. Në të vërtetë, të tre personat e fshehur buzë lumit të Milecit, kishin qenë të arratisur në Greqi, por atë ditë ishin kthyer për në vendin e tyre. Vetëm Pajo Mileci as që kishte menduar të kthehej në Shqipëri.

Arrestimet

“Pas kësaj ngjarje që u përhap me shpejtësi në të gjithë Kolonjën, nisën dhe arrestimet e papritura dhe të fshehta”, tregojnë mbi ngjarjen Estref Mydini dhe Ali Hasnasi.

“Njerëzit e sigurimit kishin hapur fjalë se kishin rënë në gjurmët e grupit të Pajo Milecit, i cili paguante me flori në dorë për të rrëzuar regjimin e Hoxhës. Fillimisht u arrestuan burrat e Milecit, Avdulla Zoto, Myslim Zoto, Tahir Zoto dhe Xhafer Bejko, që në atë kohë ishin fare të rinj. Më pas u arrestuan dy ushtarakë, Xhafer Mehmeti dhe Muhamet Zoto. I rrëmbenin njerëzit kudo që të ndodheshin, pa asnjë lajmërim në familje. E njëjta gjë ndodhi edhe me ne. Humbisnin burrat si kripa në ujë. U arrestua Erfan Hasanasi nga Butka, Mehmet Nazarko nga Helmësi, Irfan Doko nga Dokollara, Xhelal Cenco nga Agallia, Halit Lika nga Floqi, Selfo Asllani nga Selenica, Dervish Aliu nga Mësari i Zi, Adriatik Kadilli nga Korça dhe Hajdari nga Leskoviku, por që tani nuk na kujtohet mbiemri i tij. Për të gjithë të humburit ishin përhapur fjalë, qëllimisht, nga njerëzit e sigurimit, se gjoja ne ishim arratisur në Greqi për të takuar Pajo Milecin. Do të ktheheshin të armatosur deri në dhëmbë për të rrëzuar pushtetin popullor. Sigurimi i shtetit ishte i kënaqur. Bënte ironi me gjithçka mundte. Në të vërtetë, 17 burra dhe gjimnazistë rriheshin dhe torturoheshin nëpër qelitë e burgjeve, ku na mbanin me këmbë të lidhura nga një zinxhir me kyç dhe me duar të lidhura. Ishte arrestuar ‘Grupi i Pajo Milecit’, por vetëm Pajo Mileci nuk ishte aty, as në burg, as i lidhur me zinxhirë. Ai ishte një erë që qarkullonte nëpër Kolonjë, ku shumë njerëz mbanin vesh se çfarë kishte ndërmend të bënte ai”, rrëfejnë Estrefi dhe Aliu.

Torturat

Estref Mydini dhe Ali Hasanasi i shkojnë më tej tregimit të tyre. “U arrestuam në tetor të vitit 1952. Deri në tetor të vitit 1953 na mbajtën të izoluar nëpër qelitë e burgjeve. Ishte një tmerr që nuk mund të harrohet kurrë. Këmbët na i lidhën me zinxhir, të siguruar me kyç, ndërsa duart na i mbanin të lidhura me pranga pas kurrizit. Në qeli nuk kishte asgjë tjetër, veçse çimento, errësirë dhe lagështi. Një roje na qëndronte aty natë-ditë për të na detyruar të qëndronim në këmbë. Nuk na linin të flinim asnjë çast. Pas një durimi të tejzgjatur dhe të pamundur, këputeshim mbi çimento, si degë të thyera. Kemi vdekur dhe jemi ngjallur me dhjetëra herë. Mjekët thoshin se ne kalonim herë pas herë në vdekje klinike. Kishim vetëm 400 gramë bukë misri për 24 orë. Asgjë tjetër. Asnjë haber nuk merrnim dot nga familja. Ata na dinin të humbur. Për muaj e muaj me radhë na pyesin të njëjtat gjëra, ‘Si u lidhët me Pajo Milecin?’. ‘Çfarë detyrash keni marrë nga ai?’. ‘Kur do të sulmonit regjimin popullor?’. ‘Cilët janë shokët tuaj?’. ‘Çfarë informatash keni dhënë?’. Edhe kur dremitnim në këmbë, na dilte përpara fytyra e hetuesit që na pyeste: ‘Tregoni detyrat që keni marrë, në të kundërt të gjithëve u pret vdekja?’. ‘Tregoooni!’, thua se ulërin njëmijë kuçedra njëherësh. Po çfarë të tregonim. Në të vërtetë, ata nuk na kërkonin të tregonim ndonjë gjë, por të pranonim ato që thoshin ata. ‘A keni armë?’, ishte pyetja e tyre. ‘Ku i keni fshehur?’. ‘Tregoooni!’. Por ata më shumë se e vërteta donin të pranonim ato që thoshin ata”, përsëritin të njëjtat fjalë Mydini dhe Hasanasi, si për të treguar se në qelitë e burgjeve gjithçka përsëritej në të njëjtën mënyrë, pafundësisht.

“Pas kësaj fillonin torturat, rrahjet e pamëshirshme me kamxhik. Na linin vetëm atëherë kur ishim komplet të gjakosur dhe pa ndjenja. Pas kësaj vinin doktorët për të na sjellë sërish në jetë, me qëllim që torturat të fillonin përsëri nga e para. Na ngrinin në këmbë dhe ne rrëzoheshim. Asnjë eshtër e jona nuk ishte më e pathyer dhe e sfilitur. Nuk e di se si kemi qëndruar në këmbë. Nëse doni të shihni gjurmët e torturave, ja shikoni plagët e tona që duken edhe sot e kësaj dite. Vinte oficeri i sigurimit dhe të godiste me këmbë në kokë, pa asnjë shqetësim, njësoj sikur godiste mbi një qen. Godiste ku të mundte dhe si të mundte, atje ku ishte pika më e dobët e njeriut. Nuk e dimë në është e mundur t’i rezistojë njeriu torturave të tilla. Por më shumë se të vërtetën ata donin të pranonim atë çka thoshin ata. ‘Ne i dimë të gjitha’, ishte konkluzioni i tyre”, tregon Estrefi dhe Aliu.

Dënimet

“Dy ushtarakët nga Mileci, Avdulla Zoton dhe Tahir Mehmetin i pushkatuan. Me pushkatim na kërcënonin edhe ne, por në të vërtetë pushkatimi përpara torturave ishte një ëndërr mjaft qetësuese. Unë e dija mirë, shton Mydini, se ç’do të thoshin torturat e regjimit komunist. Në vitin 1947 kisha qëndruar 10 muaj në qelitë e burgut, pasi akuzohesha si anëtar i grupit të deputetëve fraksionistë. Dhe e gjitha kjo vetëm se nuk kisha pranuar të shkoja për të kontribuar në tharjen e kënetës së Maliqit. Atëherë pas dhjetë muajve, më nxorën të pafajshëm, por emri im kishte përfunduar përgjithmonë në listat e zeza të sigurimit të shtetit. Ja ku isha përsëri, por tashmë i akuzuar si anëtar i ‘Grupit të Pajo Milecit’. U dënuam të gjithë, që nga 10 vjet deri me pushkatim. Unë u dënova me 15 vjet burg, thotë Mydini, ndërsa Ali Hasanasi me 10 vjet burg”.

“Por edhe kur dola nga burgu e dija se fati im nuk do të ishte më i mirë. Në vitin 1976 më dënuan përsëri për agjitacion dhe propagandë me 10 vjet burg. Nuk kisha se çfarë të tregoja dhe të mohoja. Fjala e tyre gjithnjë ishte e njëjta: ‘Ne i dimë të gjitha’. Kështu shkoi jeta jonë në burgje e shoqëruar nga përbuzja e pushtetit popullor, të cilin kishim dashur ta rrëzonim. Tashmë, thotë Estref Mydini, takohem shpesh me Ali Hasanasin, sepse me Erfan Hasanasin nuk takohemi dot më, ai ka vdekur. Gjithë jeta jonë ka qenë shumë pranë vdekjes, madje nuk kishte ndryshim të madh nga vetë vdekja. Jetuam një jetë të tërë brenda ferrit komunist. Nga gjithë jeta jonë si kujtim na kanë mbetur eshtrat e thyera nëpër burgje. Megjithatë shpesh pyesim veten, ‘ku ishte në atë kohë Pajo Mileci...?’”.

Vepror Hasanasi

Kush ishte Pajo Mileci

“Ende sot nuk dimë asgjë më shumë,

se sa dimë për një jashtëtokësor”

“Pajo Mileci ishte nga fshati Milec i rrethit Kolonjë”, vijojnë me kujtimet e tyre Estref Mydini dhe Ali Hasanasi.

“Ai u arratis pas çlirimit së bashku me disa të tjerë, por në vitin 1952 nisi të përmendej gjithnjë e më shumë. Sigurimi i shtetit shqiptar kishte arritur në përfundimin se, Pajo Mileci drejtonte që nga Greqia një grup të mirorganizuar në Kolonjë, të cilët kërkonin të rrëzonin me çdo kusht regjimin popullor të Enver Hoxhës. Thoshin se ai hynte në Shqipëri si hije, kur nata ishte e errët dhe me shkreptima dhe kthehej sërish në Greqi, duke kaluar si fantazmë mes thepisjeve të shkëmbinjve. Sigurimi e ndiqte natë dhe ditë, por ai u zhdukej si hije, njëlloj si një qenie që nuk mund të kishte ekzistuar kurrë. Thoshin se ai vinte për t’i dhënë detyra të reja grupit të tij, ashtu siç kishte zëra se ai paguante me flori në dorë për çdo anëtar të ri që hynte në grup. Thuhej se Pajo Mileci vinte në Shqipëri për të marrë informacionin e siguruar nga grupi i tij, për vendndodhjen e reparteve ushtarake, për numrin e ushtarëve dhe për armatimin që kishin në dispozicion, madje thuhet se ai merrte dhe gazetat që botonte regjimi i asaj kohe për të mësuar se çfarë thoshte Enver Hoxha, ashtu siç thuhej se ai sa herë kalonte kufirin sillte me vete arsenal armësh perfekt, me të cilat do të vritej Enver Hoxha. Pajo Mileci ishte kthyer në një legjendë tmerri dhe frike. Nëse përmendje emrin e tij, brenda 24 orëve mund të rezultoje i humbur, pa nam dhe nishan”, kujtojnë Estref Mydini dhe Ali Hasnasi.

“Thashethemet bënin të ditur se, Pajo Mileci kishte diçka të magjishme me vete, e cila e ndihmonte të mos e zinte plumbi. Thonë se mbante të varur në qafë një hajmali. Pavarësisht nga ato që thuheshin e nuk thuheshin për Pajo Milecin, e vërteta ishte se sigurimi i shtetit as nuk po e kapte dot, as nuk po e vriste. Duhej kapur grupi i tij me çdo kusht. Pajo Mileci jetonte mes zërave të vërtetë dhe të gënjeshtër, ashtu siç flitet sot për ekzistencën e jashtëtokësorëve”, tregojnë Estrefi dhe Aliu.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora