E enjte, 28.03.2024, 12:49 PM (GMT)

Shtesë » Historia

Më dënuan pse njihja psikanalizën

E merkure, 03.09.2008, 04:24 PM


Flet ish i burgosuri i Spaçit, Lonard Prifti, Doktor i Shkencave Psikologjike. Bëri 2 vjet hetuesi dhe 10 burg për një recension libri. Por në fakt i kishte dërguar një letër shokut Enver ku i tregonte se nxënësit e tij hanin vetëm bukë me mollë dhe trahana

Jeta e ish të dënuarit politik është ajo e një ‘ humbësi të përhershëm’. Vetë në pension, gruaja ekonomiste pa punë dhe një fëmijë 13 vjeçar për të rritur. Çfarë mendon ai për vete dhe shokët e tij të vuajtjes.

Ishte 29 vjeç, mësues gjimnazi, sapo kishte shkruar romanin e tij të parë ‘Lamtumirë shpresa’. Por ashtu si edhe titulli këtij romani, jeta e mëpasme e Leonard Priftit do të ishte si një lamtumirë shprese. E futën në burg për agjitacion e propagandë dhe shkaku ishte psikanaliza. Por ndërkohë ai i kishte shkruar një letër Enver Hoxhës ku i tregonte se gjërat nuk shkonin mirë. Dhe merrte si shembull çfarë hanin e çfarë vishnin nxënësit e tij në Korçë, në gjimnazin ku jepte mësim....Më pas jeta i ngjau një kaluari dhe më pas akoma një zhgënjimi... Ja se çfarë tregon vetë Leonardi.

Ju jeni dënuar gjatë periudhës së fundit të regjimit totalitar me 10 vjet burg për agjitacion e propagandë. Për çfarë u akuzuat?

Asnjëherë nuk e mora vesh qartë shkakun. Por arrestimi im iu bë më 4 qershor 1973, pikërisht në kohën e Pleniumit të katërt të Letërsisë. Unë isha anëtar i thjeshtë dhe më i riu në degën e Lidhjes së Shkrimtarëve në Korçë. Isha 29 vjeç kur më arrestuan.

Por keni një ide pse ishit pikërisht ju dhe jo ndonjë tjetër që u arrestua në mënyrë kaq domethënëse, përnjëherësh me mbajtjen e këtij pleniumi të njohur tashmë si “burimi” i fatkeqësive për mjaft krijues shqiptarë?

Kjo ndodhi pikërisht në kohën kur kisha shkruar një studim për veprën e shkrimtarit Sotir Andoni dhe kur pritej që unë nga mësues të kaloja kritik në degën e lidhjes. Por studimin për Sotir Andonin e bëra në prizmin e psikanalizës. Ishte një studim në të cilëin kisha përdorur këtë metodë dhe ku tregohej ndikimi i Sotir Andonit nga folklori. Ndoshta psikanaliza ka qenë shkaku. Por po në atë kohë i kisha dërguar një letër Enver Hoxhës ku shprehja shqetësimet e mia për mungesat e atëhershmë në treg...S’gjeje qumësht, mish, vezë, ...Nxënësit më tregonin se vazhdimisht hanin bukë me mollë dhe trahanë....Kur më duhej të jepja ndonjëherë fizkulturë, kishte nxënës që nuk donin të zhvishnin pantallonat, sepse nuk kishin rroba të tjera në trup....Por pas asaj letre pasoi vetëm heshtje...Dhe them se këto ishin esenca e gjyqit ndaj meje.

Përmbajtja e kësaj letre ishte e tillë që ju implikonte ju si disident të regjimit, apo keni shkruar çfarë mendonit në mënyrë të natyrshme, mbase naive, dhe pa e pasur idenë se kjo do t’ju ndryshonte jetën më pas?

Ne ishim brez tjetër, brezi im, domthënë jo partizanët, militantët, por brezi pas tyre. Unë nuk isha disident, por e quaj veten opozitar të asaj kohe. Ne nuk mund ta shikonim pushtetin si brezi para nesh. Nuk e shikonim si të pagabueshëm.

Ju thoni se nuk ishit as i qartë për akuzën, ose akuzat. Por si shkoi puna me mbrojtjen dhe çfarë lloj gjyqi qe ai?

S’jam mbrojtur dhe s’më është dhënë e drejta të mbrohem. Gjyqi ishte me dyer të mbyllura. U mbajt më 4 shkurt 1974. Ishte trupi gjykues, unë dhe pesë operativë sigurimi. “Fol para popullit”, më tha Kiço Treska, gjykatësi. Ndërsa unë ia ktheva ; “ Ku e ke popullin?”. Prokurori në atë gjyq ishte Themi Molla, ndërsa Reshat Leskaj nga Bolena e Vlorës dhe Rakip Hoxha, ish konsull në Turqi, qenë njerëzit që më torturuan gjatë periudhës së hetuesisë. ( Ndërkohë Leonardi bën një pauzë dhe thotë: Në daç shkruaji këta emra, në daç mos i shkruaj. Për mua nuk ka më asnjë rëndësi. Nuk jam hakmarrës dhe nuk e pranoj hakmarrjen jo vetëm për vete, por për askënd që ka qenë i dënuar në atë kohë si unë dhe që ka parë ferrin me sy.)

Ju keni kaluar një periudhë në hetuesi. Çfarë kujtoni nga ajo kohë? E provuat torturën?

Unë bëra 2 vjet hetuesi, një gjë që s’kish bërë vaki më parë. Bëra hetuesi sikur të isha Hamit Matjani. Sa për torturën, ajo qe sistematike dhe jam i bindur se e gjithë kjo bëhej që të përfundoja në psikiatri, si jo pak të tjerë. Në fakt por tre muaj, pesë her ënë ditë më pyesnin për Petraq Zoton e Teodor Laçon. Donin që me patjetër të thoja diçka. Me sa duket ishin ata në radhë pas meje.

Kujtoni disa nga torturat e ushtruara mbi ju?

Po. Me saktësi. Një prej tyre ishte thyerja e karriges pas kokës e pas kurrizit. Lidhja e duarve dhe e këmbëve dhe përplasja e kokës pas dyshemesë. Ose qëndrimi në këmbë lidhur, i mbështetur pas murit dhe goditja e hetuesit me gju në organet gjenitale. Në shumë raste ai më fuste dy gishtërinjtë e mëdhënj në të dy sytë dhe i shtrëngonte derisa unë ulërija nga dhembja.

Por ju e dinit që me kushtetutë nuk lejohej tortura. Si reagonit dhe çfarë bënit?

Unë jua kujtoja atyre se kodi i procedurës penale thoshte që hetuesia të zhvillohet në mënyrën më demokratike. Por ma fusnin me shpullë. U thosha se besoja në zot. Ata ma kthenin: “ S’ke turp, shkrimtar që beson te Jezu Krishti”.

Ku e keni kryer pjesën tjetër të dënimit që mbeti nga 10 vjetët?

Në Spaç. Në kampin e punës. Në galeritë e piritit. Atje ishte një temperaturë që shkonte deri në 40-50 gradë celsius. Duhet të punoje vetëm me të mbathura. Në atë vend torturoheshin të gjithë të rinjtë shqiptarë. Një lopatë kalkopiriti ishte 20kg, një vagon peshonte 2 tonë, aq sa një gaz Molotov. Dhe të mendosh që këtë duhej ta shtynim me krahë në largësinë 1 km, të gjithë vetë i shtynim vagonat. Atëherë e kuptova se po t vije një kalë të punonte atje, do të kishte ngordhur në më pak se dy vjet. Kurse në, mbijetuam.

Si ishin kushtet. Çfarë mund të rrëfeni për atë kohë të jetës?

Ushqimi ishte i tmerrshëm. Vetëm presh, i paprerë mirë dhe ujë i zier me të. Ndërsa dyshekët ishin me kashtë të kalbur, të grirë, të kthyer në tallash. Mbante një erë të rëndë dhe nuk mund të quheshin dyshekë. Në një dhomë 6 me 7 metra flinim deri në 54 veta. Gjithmonë ishte tmerr, por sidomos në verë, nuk mund të rrihej atje. Valonin pleshtat e tartabiqet, por morra nuk kishim. Jetonim në kushte më të vështira se çdo kafshë. I thashë Shahin skurës, komisarit të kampit : “ Të paktën na trajtoni si kafshë, sepse kafshët i lenë në një kashtë më të mirë se kjo”.

A mundët të fitonit para gjatë kohës së burgut, punuat?

Jo, nuk isha nga ata. Të tjerë qenë ata që merrnin pare në burg. Unë munda të punoja vetëm 6 muaj , hyra në gurore dhe mora 6 mijë lekë. Kjo ishte gjithë çfarë fitova. Pjesa tjetër ishte dënim, jo punë e paguar. Normën e kam bërë se ishte detyrë, por tejkalimi ishte nder. Rrogë nuk mora, rrogë merrnin vetëm spiunët e komandës.

Por në fakt ju dhe shokët tuaj të vuajtjes, kontribuar në nxjerrjen e floririt. Çfarë keni menduar për këtë?

Kam punuar vetë në shoshat e floririt, i kam shpuar. Dhe në 30 vjet janë nxjerrë 30 kv flori në atë minierë. Tjetër punë se ç’bënë komunistët dhe pasardhësit e tyre pastaj me atë pasuri...

A lexonit në burg dhe çfarë?

Nuk kishte çfarë të lexoje. Atje qe një bibliotekë e mbshur me vepra të enverit dhe të marksistë-leninistëve. Unë rrija tërë ditën në bibliotekë dhe kam lexuar 26 vepra të Enverit. Po kurrgjë s’kishte në to, ishin pamflete luftarake.

Si i kujtoni bashkëvujatësit tuaj të asaj kohe?

Ishin nga njerëzit më të përgatitur të kohës në Shqipëri. Në kohën kur dola unë nga burgu, Spaçi kishte 1350 të dënuar dhe nga këta 70 veta ishin me universitet dhe mjaft prej tyre me tituj e grada shkencore dhe me studime të kryera në vende perëndimore.

Kur u liruat nga burgu?

Në fund të vitit 1982.

Dhe me çfarë u morët më pas?

Mua në fakt më zuri amnistia dhe duhet të shkoja të jepja mësim. Po asnjë i burgosur politik nuk e gjentë dot të drejtën atëherë. Me mik mezi hyra mekanik. Mbase duhej të shkoja të punoja në Minierën e bitinckës, meqë kisha qenë 8 vje tminator në burg. Por kjo nuk bëhej, sepsë unë isha me syze, më ishte dobësuar shikimi në Spaç. Si mekanik punoja në makineri metalprerëse. Arrita të bëja edhe shpikje e racionalizime.

Por pas viteve ’90 çfarë ndodhi me ju vetë dhe më të tjerë nga këta 700 të burgosurit më universitet?

Nuk shikoj asnjë nga kët a intelektualë të shquar të asaj kohe të jetë në qeverisje ose në qeveri. Në 16 vjet asnjë. Unë vetë gjithashtu nuk jam në një gjendje të mirë. Jam angazhuar pas vitit ’90. në fillim shkova në Athinë më 1991 dhe bëra një vit kurs të plotë për psikanalizë dhe sociologji, ëndrra ime e vjetër... pastaj bëra specilzime disamujore në SHBA, në Nju Jork dhe Çikago, për psikanalizë. Pastaj punova si psikolog burgjesh dhe spitalesh burgu për 15 vjet. Tani jam në pension. Punoj këtu, në qendrën e rehabilitimit të traumës dhe torturës.

Ç’ndodhi me jetën tuaj private që nga koha e burgimit e deri tani?

Kur më futën brenda, kisha caktuar datën dasmës, martohesha pas tre ditësh. Isha e i fejuar me një farmaciste. Pastaj gjithçka u prish dhe unë s’i vë faj asaj, sepse nuk mund të përballohej ajo që ndodhi. Në fund të vitit 1991, në dhjetor, ishte nënë ime që këmbënguli të kthehesha në Shqipëri e të krijoja familje. Gruaja është ekonomiste dhe kemi një djalë 13 vjeçar. Por unë jam pensionist dhe ajo është e papunë.

Bisedoi O. Velaj

Përndjekja komuniste në Shqipëri 1944-1991

Të ekzekutuar 5577 burra 450 gra

Të burgosur 26768 burra 7367 gra

Të vdekur në burgje 977 burra 7 gra

Humbur aftësinë mendore në burgje 308 persona

Internim, dëbim 48217 burra 10792 gra

Të vdekur në internim 7022 persona

Çfarë mendojnë të përndjekurit për statusin e tyre moral

Afërsisht 90% e të pyeturve nga një studim i bërë së fundi prej Qendrës Shqiptare të Rehabilitimit të Torturës dhe Traumës, janë të mendimit se është i nevojshëm një vlerësim i periudhës së regjimit komunist; dhe 70% e tyre mendojnë se ky vlerësim duhet të bëhet menjëherë.

95% e të pyeturve konsiderojnë kompensimin me letra me vlerë të siguruar gjatë viteve 1994-1995 për ish të përndjekurit, politikë joefikase.

Rreth 70% e të pyeturve konsiderojnë statusin e ‘invalidit’ për ish të përndjekurit politikë (që përfshin persona të paaftë fizikisht ose mendërisht si pasojë e përndjekjes) si jo të përshtatshëm.

97% e tyre mendojnë se nuk është e drejtë që statusi i Veteranëve të Luftës të jetë më i privilegjuar se i tyri.

Në botimin ‘Rehabilitimi dhe riintegrimi i ish të përndjekurve poltikë në Shqipëri’ specifikohet edhe një arsye tjetër që i bën të ndjehen të fyer moralisht të intervistuarit nga radhët e ish të përndjekurve politikë. Është përkujtimi i shpeshtë zyrtar dhe jehona që u është bërë në media ngjarjeve të veçanta të së kaluarës dhe figurave të regjimit komunist. Kjo u ngjall atyre përshtypjen e një nostalgjie të përgjithshme të shoqërisë ndaj së kaluarës komuniste.

Modeli ‘kinez’ i totalitarizmit në Shqipëri: 1960-1990

Autorët e raportit ‘Rehabilitimit dhe riintegrimi i ish të përndjekurve politikë në Shqipëri’, botuar në Tiranë, 2002, e ndajnë në katër faza kohën e modelit ‘kinez’ që përfshin periudhën 30-vjeçare 1960-1990 në Shqipëri.

Burgosja e të intervistuarit, Leonard Prifti, ish i përndjekur politik, ka ndodhur pikërisht në atë që për efekte studimi specifikohet si një nënfazë e dytë e modelit ‘kinez’, nga katër faza që jepen për këtë model.

(Korrik) 1973-(Dhjetor) 1981

Kjo mund të përkufizohet si faza ‘kundër liberalizmit’. Lufta e klasave u bë më e ashpër në të ashtuquajturin ‘Front ideologjik’. Kjo periudhë dallohet gjithashtu për sulme të rënda ndaj drejtuesve të lartë të partisë në ekonomi dhe ushtri, shumë prej të cilëve u dënuan me vdekje ose me burgime të gjata. Po ashtu në këtë periudhë u goditën edhe artistë, shkrimtarë e kompozitorë. Një shembull tipik i përndjekjes në sferat e artit ishte denoncimi i Festivalit të 11-të në Radio e Televizion. Më 1973 numri i të dënuarve u rrit në masën 28%.

Gjatë kësaj faze u shënua një rritje e dhënies së dënimeve administrative, që në thelbin e vet ishte një ndikim i modelit kinez. Numri i ekzekutimeve gjatë kësaj periudhe është 74. Më 1978, 129 të burgosur dhe 48 të internuar vdiqën në vendet e vuajtjes së dënimit. Si rezultat i politikës së jashtme të Enver Hoxhës, pas afrimit të Kinës me politikën amerikane, Shqipëria mbeti e vetme në një izolim të plotë. Ajo u vetëdeklarua ‘i vetmi vend socialist në botë’. Për të ruajtur pushtetin Hoxha vazhdoi të ushtronte një terror të skajshëm. 



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora