E enjte, 25.04.2024, 04:26 PM (GMT+1)

Shtesë » Historia

“Ia hodhëm lakun tri herë, ishim të vendosur ta shkulnim monumentin e Enver Hoxhës”

E enjte, 04.09.2008, 05:19 PM


Tregon 51-vjeçari Mirash Zefi, për 20 shkurtin e vitit 1991...

“Atë çast ndodhesha krej i vetëm në shtëpinë time, tregon 51-vjeçari Mirash Zefi, banor i qytetit të Korçës. Kisha dëgjuar se njerëzit e sigurimit do të vinin shtëpi më shtëpi që të na arrestonin të gjithëve me radhë. Një ditë më parë, në 20 shkurt të vitit 1991, kishim rrëzuar monumentin e Enver Hoxhës. Nuk isha vetëm unë atje. Ishin të gjithë. E gjithë Korça. Megjithatë, njerëzit e sigurimit kishin filluar të lëviznin me një listë në dorë. Ishin të egërsuar si bisha të plagosura. Më shumë se me njeriun u ngjanin fantazmave të frikshme. Ishte fjala për ata që kishin qenë në krye të turmës. E dija mirë që në atë listë do të isha edhe unë”, kujton Zefi ngjarjet e 20 e 21 shkurtit të vitit 1991, ku ai vetë ishte protagonist i rrëzimit të monumentit të diktatorit Hoxha, por edhe i telasheve që do të pasonin ditët më pas...

Tentativa...

“...Me siguri emrin tim e kishin shënuar atë çast kur i hodha lakun e kavos në qafë Enver Hoxhës. Turma thërriste pa reshtur ‘lidhe mirë’, ‘lidhe mirë’. Dhe unë e lidha ashtu siç merrja urdhërat nga turma. Përreth njerëzve të grumbulluar ishin vendosur uniforma dhe civilë të armatosur të regjimit të asaj kohe. Dëgjova që dikush prej tyre tha, ‘Të gjithë në shenjë’”, fillon rrëfimin e tij për ditën e 20 shkurtit të vitit 1991, 51-vjeçari Mirash Zefi.

“Isha duke hedhur lakun e kavos në qafën e Enverit, ndërsa prisja të dëgjoja ‘zjarr’ dhe një breshëri plumbash që do të përshkonin trupin tim. E përfytyrova veten për një çast duke u rrëzuar i pajetë mbi turmën që nuk reshtte së thirruri. Të them të drejtën, nuk po më vinte aspak keq për jetën time, edhe sikur të vdisja. Vdekja e atij çasti kishte qenë mjaft e lehtë, pa brenga e dhimbje. Kisha përshtypjen se do të fluturoja drejt parajsës qiellore. Po bëja diçka që e dëshironte gjithë qyteti, jo vetëm unë”, tregon më tej Zefi.

“Pasi kisha bërë gjithçka që duhej, u hodha poshtë dhe thirra, ‘Tërhiqeni’! Kavon e kishte sjellë nga shtëpia e tij, Naum Belurja, një djalë i gjatë dhe i shëndetshëm. Shtëpia e tij me kangjella kishte qenë gjithë përballë monumentin të Enver Hoxhës. E kishte sjellë kavon që ai monument të mos qëndronte më aty. ‘Tërhiqeni’, dëgjova edhe zërin e Belures. Duart e mijëra njerëzve zunë kavon, filli i të cilës shtrihej përgjatë sheshit. Njerëzit e armatosur qëlluan me breshëri në ajër. Disa gra vunë ulërimën, ’Po na vrasin djemtë’! Në të vërtetë askush nuk lëvizi nga vendi. Frika e njerëzve kishte marrë arratinë njëherë e përgjithmonë. Monumenti i diktatorit u lëkund, por nuk arriti të rrëzohej. Ishte këputur kavoja. ‘Ta lidhim përsëri, ta lidhim përsëri’, dëgjova zërin e Mikel Nikës, i cili kishte sjellë një makinë riboltabël të ngarkuar me gurë, për t’u mbrojtur nga njerëzit e armatosur. Afër meje qëndronte dhe Vizhdan Kola, i cili iu drejtua turmës duke thënë: ‘Nuk e lemë pa rrëzuar’”, tregon më tej Zefi.

... dhe rrëzimi

Në rrëfimin e tij, Zefi nuk e fsheh dëshirën e të gjithëve, që ai monument të binte me çdo kusht, megjithë kërcënimin e njerëzve të armatosur të shtetit, të cilët gjendeshin vetëm pak metra më larg.

“Nuk e di se si ndodhi, por unë u gjeta sërish mbi Enver Hoxhën. Turma me krahët e saj më kishte çuar përsëri mbi monumentin që qëndronte si i ngrirë në sheshin qendror të Korçës, përballë katedrales. Njerëzit e armatosur morën sërish të njëjtët urdhëra. Përsëri u dëgjuan të shtëna me breshëri, përsëri tmerri i nënave dhe klithmat e tyre: ‘Po na vrasin djemtë’. Isha krejt si i dehur, diçka që nuk e kisha pikasur më parë vlonte brenda qenies time. Kavoja që ishte bërë për herë të dytë gati mbërriti në duart e mia. Me të njëjtat lëvizje si një makinë automatike, hodha lakun e ri mbi të njëjtin monument. ‘Tërhiqeni’, ishtë zëri i turmës që sillej njësoj si më parë. Por... përsëri kavoja nuk e shkuli dot nga vendi”, tregon Mirash Zefi”.

“Duhej provuar për herë të tretë. Mbaj mend se pas kësaj lidhje, monumenti pasi bëri një lëkundje para-mbrapa, u shkëput nga bazamenti, njësoj sikur të kishte qenë prej balte. Me bustin e Enverit i erdhëm rreth e qark gjithë Korçës. Pas atij monumenti vinte gjithë qyteti i Korçës dhe pas gjithë Korçës ishin rreshtuar njerëzit e armatosur. Udhëtonim bashkë me vdekjen dhe bashkë me jetën njëkohësisht. Pra, më në fund e kishim shkulur Enver Hoxhën nga Korça. Duhet të ketë qenë ora 20.00 e mbrëmjes. Bënte shumë ftohtë, por ne qëndruam bashkë deri në orët e vona. E braktisëm diktatorin tek ura e Fajancës dhe u nisëm për në shtëpitë tona. Ishte nata e parë pa diktator. Diktatori nuk do të qëndronte më as përballë shtëpisë me kangjella të Naum Belures...”, tregon 51-vjeçari atë ditë të 20 shkurtit të 15 viteve më parë.

Shkodër/ 13 dhjetor 1990

Për herë të parë u shkul busti i Enver Hoxhës

Në 13 dhjetor të vitit 1990 u rrëzua për herë të parë busti i Enver Hoxhës në qytetin e Shkodrës. Me parulla të shumta nëpër duar, njerëz të moshave të ndryshme ndaluan para godinës ku sot ndodhet Prefektura dhe rrëzuan bustin e diktatorit. Prej 15 vjetësh, demonstrata e 13 dhjetorit të vitit 1990 është rikthyer nëpërmjet protagonistëve në Shkodër me ceremonitë e përvitshme.

Tiranë/ 20 shkurt 1991

Shkulet monumeti i Enver Hoxhës

Ende është e pafshirë nga kujtesa data 20 shkurt e vitit 1991, kur në Tiranë, qytetarë të shumtë, në mbështetje të grevës së studentëve, u mblodhën në sheshin “Skënderbej” dhe shkulën monumentin e Enver Hoxhës. Pas kësaj, monumenti u tërhoq zvarrë dhe u çua para studentëve, grevistë të urisë në Qytetin Studenti.

Pas 20 shkurtit, vuajtjet dhe dhimbjet e fundit të 51-vjeçarit Mirash Zefi

“Më rrahën e më thyen dhëmbët,

nuk ua dhashë kënaqësinë të vdisja”

“Të nesërmen ndodhesha i vetëm në shtëpi, vazhdon tregimin e tij Mirash Zefi, por këtë herë, për ato që ndodhën të nesërmen, sigurisht jo të këndshme për protagonistin.

“Kisha dëgjuar se njerëzit e sigurimit do të vinin shtëpi më shtëpi që të na arrestonin të gjithëve me radhë. Me sa dukej një gjë e tillë do të ndodhte me siguri. Në rrugët e qytetit tim lëviznin makina policie dhe njerëz të armatosur të regjimit. Kërkonin shpagim për atë që kishte ndodhur në 20 shkurt”, tregon Zefi.

Kundërmësymja

Ajo çka ndodhi më pas, ishte vërtet e dhimbshme, sipas rrëfimit të Mirashit.

“Ndërsa isha duke menduar se si kisha mundur të shpëtoja nga njerëzit e armatosur që rrethonin turmën, dëgjova trokitje të forta në derën e shtëpisë sime. Ishte ora 14.00 e 21 shkurtit 1991. ‘Mirash Zefi, hapeni derën’, ulërinin zërat që vinin nga jashtë. Për të qenë i sigurtë e kisha kyçur derën nga brenda, madje e kisha siguruar edhe me sende të tjera që më ndodheshin në shtëpi. Desha të bëja lojën sikur nuk isha aty, por me sa duket ata dinin gjithçka. Madje, ishin të mirinformuar se unë ndodhesha aty. ‘Kriminel, hape derën’ u dëgjua një zë i egër, si një zë bishe. Me sa duket, Enver Hoxha do të kishte qenë babai i tij. Nuk lëviza nga vendi. Shpresoja te loja se në shtëpi nuk kishte njeri. Shumë shpejt do ta humbisja edhe këtë shpresë të vetme. E dija mirë se po të bije në duart e tyre se çfarë mund të ndodhte”, kujton 51-vjeçari.

Masakrimi

Përpjekjet e policisë ishin vërtet për “t’u admiruar”. Duket se ata ishin të vendosur të bënin atë për të cilën edhe kishin shkuar te porta e Mirash Zefit. Këtë e tregon edhe vetë 51-vjeçari.

“Pikërisht në këtë çast, kuptova se derën e shtëpisë time po e shpërthenin me një sëpatë. Pashë tehun e saj që çau një dërrasë dhe mbeti e bllokuar mes meje dhe atyre. E nxorën sëpatën dhe qëlluan përsëri. Pashë se si ajo derë e vjetër u shkërmoq, sikur të ishte prej kartoni. Ishin 7 vetë të armatosur, të cilët u gjendën përballë meje. ‘Mos u afroni, u thashë, kam një bombë me vete’. Fjalët e mia nuk pinë ujë. Ata ishin të egërsuar deri në ekstrem. Shpërfytyrimi i tyre qëndronte mes bishave dhe fantazmave. Ashtu si atë çast, kur i vura lakun Enverit dhe nuk doja t’ia dija për vdekjen time, ashtu e dëshironin dhe ata vdekjen time. Po më afroheshin ngadalë si një bishë kur e sheh se e ka gjahu të garantuar, të mbetur në strofull pa rrugëdalje. Që në çastin e parë më goditën në kokë e në fytyrë dhe më pas ku të mundnin dhe si të mundnin, madje, pa i hapur radhë njëri-tjetrit. Më kujtohet që thirra fort, ‘Po më vrisni’, por përgjigjja e tyre ishte shumë e thjeshtë. ‘Kemi vendosur të vrasim, qen!’. Se çfarë ndodhi më tej, nuk jam në gjendje as sot e kësaj dite që ta tregoj. Më kishte rënë të fikët dhe nuk u përmenda më. Di që kur u ktheva në shtëpi, gjeta në mes të dhomës të gjithë dhëmbët e gojës që m'i kishin rrëzuar nga goditjet me grushte dhe qytat e pistoletave”, tregon Zefi.

Jeta si në celuloid e Mirash Zefit

“Asgjë për të mbajtur mend,

vetëm dhimbje e vuajtje”

“Kur u përmenda e pashë veten në burgun e Korçës. Edhe aty vazhduan me të njëjtat metoda. Pas disa ditësh e pashë veten mjaft të lodhur, nuk po rezistoja dot më. Gjithë trupi më dhimbte. Dhëmbët i kisha të thyer. Vendosa të vras veten duke përplasur kokën në murin e qelisë. Pikërisht në atë çast, teksa e kisha tentuar të vritesha, dëgjova zërin e një polici. ‘Atë dëshirojmë edhe ne, që ti të vdesësh, se edhe po nuk vdiqe, kemi për të të varur me kavo çeliku’. E mblodha mendjen. Vërtet mendova, ata duan vdekjen time dhe e duan tani që po vjen dita e lirisë. Pas një çasti, nisa të qetësohesha, nisa të kujtoj se si u ndodha unë atje në ballë të turmës, bashkë me qindra të tjerë. Nuk po e përcaktoja dot se kur kisha nisur për herë të parë të urreja regjimin e Enver Hoxhës. Vetëm brenda një çasti, gjithë jeta ime bëri një paradë para syve të mi”, kujton ato çaste Mirash Zefi, ndërsa i rikthehej kujtimeve të jetës së tij, jo fort për ta pasur zili.

“E pashë veten time të vogël, kisha lindur në Theth të Shkodrës, shumë shpejt do të mbetesha jetim. Askush nuk më ndihmoi në gjithë jetën time. Nga Shkodra më sollën në Korçë, ku nisa klasën e parë. Përsëri isha i vetëm, i harruar. Ashtu si mua, ishin dhe shumë të tjerë që kishin qenë të sistemuar në shtëpinë e fëmijës. Të mesmen e mbarova në Elbasan për t’u kthyer përsëri në Korçë”.

“Aty në qelitë e burgut pashë veten time se sa e trishtuar kishte qenë fëmijëria ime, sa i veshur keq dhe sa uri kisha ndjerë. Sa e përçmaur kishte qenë rinia ime dhe kushtet e mia të jetës. Kuptova se jeta ime nuk kishte patur asnjë ndryshim nga jeta në qeli, ku më kishin futur ato ditë. M'u kujtua se flinim 7 vetë në një dhomë. Na mungonin dysheqet dhe në vend të tyre vinim thasë çimento prej letre, që i grumbullonim gjatë ditës, kur punonim në Ndërmarrjen e Ndërtimit. Gjithë dimri na kalonte pa zjarr, pa asnjë lloj ngrohje, ndërsa jashtë dimri i Korçës frynte fuqishëm”, kujton jetën e tij të para viteve ’90, Zefi.

“Të gjitha këto kishin qenë brenda meje. Unë nuk e kisha kuptuar kurrë, por kishte qenë mjerimi im ai që më kishte çuar drejt monumentit për t’i hedhur lakun në qafë. Jo thashë me vete, nuk duhet të vdes. Tashmë një jetë tjetër po vjen. Isha i sigurtë se jashtë mureve të burgut, Sali Berisha me mijëra të tjerë rrëzonin monumente dhe burgje. Njeriu qenka i çuditshëm”.

“Atë çast, kur më lindi sërish dëshira për të jetuar, po ndjeja dhimbjet e tmerrshme të rrahjeve dhe të torturave. Ndoshta njerëzit që më mbanin mbyllur e kuptuan se po shembeshin muret e burgjeve dhe më çuan në spital”.

“Për një muaj e gjysmë qëndrova atje nën kujdesin e mjekëve. Mbaj mend që mjaft i përkushtuar ishte mjeku Gaqo Kane. Pas kësaj periudhe dola nga spitali dhe më vonë edhe nga burgu. Tashmë sa herë kaloj aty te sheshi qendror, përballë katedrales, më kujtohen ato ditë të vështira, kur njeriu e merr vdekjen në sy, por pa e kuptuar se një gjë të tillë e bën për të dalë nga vdekja”, përfundon Mirash Zefi rrëfimin e tij. 



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora