E enjte, 28.03.2024, 11:21 PM (GMT)

Shtesë » Historia

Shqipëria: Në kërkim të kohës së humbur

E diele, 07.09.2008, 03:57 PM


MARASH HAJATI  
 
15 vjet më parë

Artikulli që tronditi politikën shqiptare

15 vjet më parë, në datat 28 e 29 prill të vitit 1990, është botuar në “Zëri i popullit” artikulli i prof. Ylli Popës, sot kryetar i Akademisë së Shkencave, me titull “Në kërkim të kohës së humbur”, i cili tronditi politikën shqiptare. Ata që mbajnë mend shkrimin, me siguri përjetojnë edhe sot ndjesinë e asaj kohe si jehonë e zhurmshme, që rrallë mund të jetë ndeshur ndonjëherë për polemikat që morën zjarr për atë artikull, mes aprovimit e stepjes, mes simpatisë e kundërshtimit, shpresës e frikës. Opinioni shqiptar, mbase në mënyrën më masive, të paorganizuar, në kundërshtim e duke lënë në heshtje tezën e partisë në atë kohë, politika në komandë, kërkoi që artikulli “Në kërkim të kohës së humbur” të mos anashkalohet, por për gjithë çfarë ngriheshin aty të jepeshin përgjigje. Dhe kjo jo më nëpërmjet të organizatave hermetike të partisë, por përmes mbledhjeve të hapura me moton “Të gjitha, për të gjithë”. Kjo erdhi për faktin se në atë artikull lexuesit gjenin një mendim të lirë, larg skemave tabu të filozofisë marksiste-leniniste të asaj kohe, ku çdo artikull apo për çdo gjë që shkruaje, më së pari do të vihej kapelja “nën udhëheqjen e partisë, të shokut Enver apo të organizatës bazë” e të tjera shabllone fabrikatesh të politikës së asaj kohe. Jo, në atë artikull të mjekut Ylli Popa, për të cilin po bëjmë fjalë, thuhej thjesht me fakte e vërtetësi, shkoqur e me dashamirësi, se në vendin tonë po bëhej diçka në fushën e shkencës, mjekësisë, por ishim larg asaj që duhej e asaj që mundeshim. Pra, nuk ishim mirë në shëndetësi, por nuk ishim mirë as në ekonomi, as në prodhim, as në arsim e kulturë. Kjo kish ardhur se ishim zvarritur në vite pa rendiment, me barazi masive, por pa nivel jetese, me pikësynime për arritjen e majave të shkencës, por me mundësi mediokre. Pra, theksonte autori, kishim humbur shumë kohë për t’u ngopur me lugën bosh. Boll po jetojmë këtë pseudojetë, ishte thirrja. Tani të fitojmë kohën e humbur, t’i hyjmë epokës së ndryshimeve.

Unë duke lexuar këtë shkrim para botimit me qetësi në shtëpi e duke bluar në mendjen time këtë sintezë të artikullit, u entuziazmova për mënyrën shumë njerëzore, shqetësuese, por jo pesimiste të thëna me shumë çiltërsi nga autori dhe si kryeredaktor i gazetës “Zëri i popullit” në atë kohë, përfytyrova jehonën, përkrahjen, hapësirën e re të mendimeve. Ajo që nënvlerësova e minimizova ishte rreziku, kundërshtimi. Për të sqaruar mjaft hipoteza, sajesa e hamendje, insinuata, disa herë të qëllimshme me idenë e përfitimit politik, e quaj të arsyeshme të parashtroj disa mendime reale e pa asnjë ekuivok për gjithçka bën pjesë në historinë e atij artikulli, botimit e jehonës pas tij. Si ndodhi.

Aty nga fundi i muajit prill 1990, fakt të cilin e kam përmendur edhe në një libër apo intervista të ndryshme, erdhi në zyrën time të kryeredaktorit, profesor Ylli Popa. Miqësia me të na ka lidhur për shumë kohë, jo vetëm si intelektualë, por edhe për dhuntinë e çmuar të profesionit si mjek kardiolog nga më të dëgjuarit në Shqipëri. Në atë kohë, Ylli ishte zgjedhur deputet i Kuvendit Popullor e ishte dhe shumë aktiv në politikë, jo në konceptin e mësimeve të partisë në fushën ideologjike, por në fushën e domosdoshme për të konceptuar e për të bërë politikë në Shqipëri në një këndvërshtrim ndryshe, duke zbritur me këmbë në tokë te nevojat e zhvillimit e të transformimeve reale të gjërave, të mendimeve e ideve që shqetësonin njerëzit, ata që krijonin, prodhonin, shëronin, jepnin mësim e dije për brezat. Nisur nga kjo, në takimin tjetër mbas dy ditësh me prof. Popën, gjë të cilën e kishim lënë si marrëveshje për përgjigjen, nëse do ta botonim apo jo artikullin, kemi bërë një debat goxha të gjatë. Fjala nuk ishte për vlerat e shkrimit, sepse ato ishin të padiskutueshme, po për ndonjë gjetje, qoftë edhe me një frazë që të justifikohej mospërmendja në tërë artikullin e Enver Hoxhës. Për hir të së vërtetës, autori nuk pranoi t’i bëhej asnjë lloj shtese apo redaktimi. Në këto kushte të vendosmërisë së autorit, edhe unë pa u konsultuar me asnjë njeri jashtë apo brenda redaksisë, vendosa që artikulli të botohej i ndarë në dy ditë me vazhdim, pra 28 e 29 prill, nën okelion “Koha dhe intelektuali”. Që nga ato ditë, këtu e 15 vjet më parë, artikulli “Në kërkim të kohës së humbur” e them me bindje të plotë e pa frikë, se ka qenë shkrimi më gjurmëlënës, më i komentuar, që është perifrazuar, duke bërë jehonë të madhe në historinë e shtypit shqiptar. I duhet dhënë hak, se fill mbas këtij artikulli pasuan shumë shkrime të tjera, artikuj e analiza të botuar jo vetëm në “Zëri i popullit”, por edhe në gazetën “Drita” që vazhdoi me artikullin e prof. dok. Sali Berisha e më pas gazetat e tjera si “Bashkimi”. “Zëri i rinisë” etj.

“Në kërkim të kohës së humbur” ishte një pamflet publicistik, shtrirë në 10 faqe të daktilografuara me kujdes, por të shkruara me ndjenjë, pathos, me një sinqeritet e përkushtim të lartë, që të rrëmbente e frymëzonte.

Në konkluzionet e mia atëherë, por edhe sot, e kam pasur të motivuar plotësisht idenë se artikulli, ishte shumë aktual. Ishte i bazuar në të gjithë atmosferën politike që mbulonte në atë kohë Shqipërinë. Së pari, vendet e Lindjes Socialiste e Komuniste, me të cilat edhe ishim në armiqësi, si Polonia, Hungaria, Gjermania Demokratike me shembjen e Murit të Berlinit, Bashkimi Sovjetik me sloganet pjerestrojka (ndryshimet) e glastnosti (aprovimet) pa folur për Rumaninë, që kishte ekzekutuar udhëheqësit kryesorë Çausheskun dhe Helenën bashkëshorte, nuk linte asnjë hapësirë që edhe në Shqipëri të mos ndodhnin ndryshime politike. Për këtë dhe vetë Partia e Punës, me Ramiz Alinë në udhëheqje, përmes plenumeve e mbledhjeve të njëpasnjëshme, bënte thirrje hapur për ndryshime në fushën e skemave ekonomike, në qeverisje, në arsim e shkencë, në shëndetësi e kulturë. Mirëpo të gjitha tezat për transformim në atë kohë, të paraqitura nga udhëheqja e partisë, e cila ishte e detyruar të pranonte çdo gjë pa dëshirë, kishin mjegullsi e dy kuptime. Në to thuhej se do të shikonin rendimentin, metodat e prodhimit, por duke perfeksionuar teorinë marksiste. Do të përmirësojmë stilin e punës në bujqësi, por nuk do të prishim kooperativat, edhe pse do të eksperimentojmë tufëzat e arëzat. Në ato teza thuhej se do të hapim Partinë, në mbledhjet e organizatës do të marrin pjesë edhe nga kolektivi sa herë të duan, por për vendimet mbledhja do bëhet e mbyllur. Pra, herë hap e herë mbyll, herë me vijën e masave e pastaj mbi masat, herë do të dëgjoni kolektivin e më pas urdhrat nga lart. Të gjitha këto, në atë kohë kishin krijuar një çoroditje e mërzi te njerëzit. Në artikullin “Në kërkim të kohës së humbur”, po ta lexosh me vëmendje edhe sot, kupton, bile janë aktuale shumë teza, që, përmes idesh e mendimeve të paraqitura, u hapnin rrugë veprimeve me shumë zgjuarsi.

Autori, profesor Ylli Popa, të gjithë kompozimin e ndërtimin e artikullit e kishte realizuar me shumë zgjuarsi. Problemet e ngritura ishin zgjedhur me kujdes, qoftë edhe duke lexuar mes rreshtash nga mbledhjet më të fundit të plenumeve të atij viti 1990, e që bënin fjalë për domosdoshmërinë e ndryshimeve në ato kohë. E besueshmja e gjithë kësaj situate bëhej se ato po i drejtonte vetë Ramiz Alia. E kjo jo thjesht si udhëheqës, por si arkitekt i temave të raporteve të plenumeve dhe mbledhjeve të Byrosë Politike, të Sekretariatit e deri te diskutimet masive me popullin. Artikulli në tërësinë e vet ka në sfond e thekson se vetë Ramiz Alia po shfaqet disi për ndryshime, prandaj të mos vonohemi. Duke marrë si mbështetës Ramiz Alinë, nuk përmendej fare Enver Hoxha, çka do të thoshte se një epokë tjetër po niste për gjetjen e rrugës së përparimit e zhvillimit, e cila deri atëherë ose kish ecur me hapin e breshkës, ose kish qenë e qëllimshme që të mbahej vendi i izoluar e përmes izolimit të ruhej sundimi, të ruhej pushteti, i kujt nuk bëhej fjalë me emër, nuk thuhej, por nënkuptohej.

Edhe nga ana e redaksisë pati një mendim të veçantë për botimin e tij. Së pari, artikulli u nda në dy pjesë për t’u botuar në dy numra në vazhdim, 28 e 29 prill. Kjo u bë për arsye që të dukej si një gjë e zakonshme, por me vazhdim. Botimi i artikujve në madhësinë e një faqeje gazete në atë kohë, praktikohej vetëm për materiale të veçanta të partisë. Ashtu siç e kishim parashikuar, shkrimi pati shumë jehonë. Për të reaguan në mënyrë të ndryshme të gjitha shtresat e popullsisë. Aprovimi ishte mbi 80 për qind. Mjaft prej tyre shprehnin admirim, por nuk besonin se do të merrej gjë në konsideratë. Drejtuesit e partisë dhe aparatçikët u alarmuan. Në shumë mbledhje të provokuara nga artikulli në rrethet kryesore si Tiranë, Durrës, Korçë, Gjirokastër etj., në të cilat morën pjesë edhe të deleguar, duke filluar nga Sekretari për Propagandën Foto Çami, u bënë pyetje direkte: Zëri është akoma organ i Partisë së Punës. Dy vija do të kemi tani e tutje, një të partisë e tjetrën të Zërit!! Këta natyrisht përfaqësonin ekstremistët. Të moderuarit e vërtetë dhe hileqarët pritën reagimet nga lart. Për hir të së vërtetës, Ramiz Alia nuk shfaqi ndonjë “shpërthim” të asaj natyre, që zakonisht i bënte më shumë për të qenë të kujdesshëm. Bile, në mbledhjen e parë të zgjeruar të Komitetit Qendror, ku do flitej edhe për artikullin e ku ishin të pranishëm kuadrot kryesore të kryeqytetit, drejtues të institucioneve, sekretarët e parë të të gjitha rretheve, u tërhoq vëmendja lidhur me tezat e paraqitura në atë artikull dhe u tha shprehimisht që për shqetësimet e tyre për atë që aprovonin apo hidhnin poshtë të shkruanin në gazetë. Paraqitni mendimet tuaja konkretisht, theksoi R.Alia. Këtu keni kryeredaktorin e gazetës dhe ai po merr porosi t’ua botojë.

Në përgjithësi, shija mbeti e hidhur nga ky dialog dhe në realitet asnjeri prej tyre nuk e mori mundimin t’i përgjigjej artikullit.

Për atë shkrim e pasojat e tij, “furra e gatimit” u ndez më vonë. Kryesorët që kërkuan shpjegime deri në një ishin N.Hoxha, L.Çuko, S.Lazri etj. Si të mos mjaftonte kjo, vetëm mbas dy muajsh, e konkretisht më 22 qershor 1990, gazeta botoi një artikull tjetër, me titull “Kur koha të shkurton vendin”, në të cilin kërkohej hapur dhënia e dorëheqjes e të paaftëve, e atyre që nuk kryenin detyrat e ngarkuara, qofshin këta edhe funksionarë të lartë, ministra apo anëtarë të Byrosë Politike. Në vazhdim të këtij diversioni për fatin e gazetës, ditët e para të korrikut, “Zëri” botoi edhe një lajm të dërguar nga Agjencia Telegrafike Shqiptare, por që autorësia i mbeti gazetës, ku bëhej fjalë për një kërkesë prej më shumë se 40 mijë vende pune të lira në Zvicër, që mund të plotësoheshin nga emigrantë. Grumbullimi i gjithë këtyre problemeve së bashku me hyrjet masive të mijëra qytetarëve në ambasadat e huaja në Tiranë, vunë udhëheqjen e partisë para një domosdoshmërie për të përplasur me forcë grushtin sundues. Plenumi i 11-të i 5-6 korrikut bëri gjoja kthesën e madhe, por të pasuksesshme drejt politikës shtrënguese. Aty demokracia, për të cilën kishte filluar të flitej, u paraqit vetëm si një dritë e zbehtë artificiale. Edhe gjoja lirimi i 4-5 anëtarëve të Byrosë Politike nga funksionet, ishte skema më artificiale e atyre ditëve. Të shkarkuarit nuk do të humbisnin asgjë nga privilegjet, siç u tha aty, vetëm do të mënjanoheshin nga protokolli në ndonjë rast.

Është për t’u theksuar se në tërë atë furtunë të ngritur në mesin e vitit 1990 e më pas në vazhdim në të gjitha mbledhjet e forumet e Partisë së Punës, ngeli në rendin e ditës, si gozhda e Nastradinit, çështja e botimit dhe pasojat negative që la pas artikulli “Në kërkim të kohës së humbur”. Në fakt udhëheqja e kish gjetur dhe e kish kuptuar se ku ishte koha e humbur, por u vinte inat ç’dreqin e kërkuan atë temë.

Më poshtë po rendisim disa fakte, marrë nga procesverbali i mbledhjes së Byrosë Politike mbajtur më 14 korrik të vitit 1990, ku merreshin në analizë ngjarjet e 2 korrikut dhe ngujimi në ambasada, por ku dënohej edhe artikulli, “Në kërkim të kohës së humbur”. Objekt i këtyre radhëve që po rendisim më poshtë është vetëm diskutimi dhe mendimet e R. Alisë për këtë artikull nën okelion: Për një organizim më të mirë dhe për një dinamizëm më të madh në punë.

- Unë mendoj që (kryeredaktori) Marash Hajati të shkarkohet nga detyra dhe në vend të tij të caktohet Spiro Dede… Në planin organizativ të brendshëm kam ngarkuar Sofokli Lazrin të merret me shtypin se Fotoja nuk merret me shtypin, nuk e njeh, nuk ka praktikën dhe është pak akademik në këto punë.

Natyrisht, në ato raste R.Alia shikonte sipas koniunkturave të kohës e situatave të krijuara, se cili i shërbente më mirë, sesa për aftësi të njohjes së shtypit, të rolit të tij, por edhe si autor artikujsh të rëndësishëm të asaj kohe e të asaj shkence, Foto Çami ishte ndër më të aftit. Më pas vazhduan reagimet për artikullin “Në kërkim të kohës së humbur” me një sugjerim të Pirro Kondit për një vëmendje më të madhe në gjithë shtypin e kryesisht në “Zëri i popullit”. Konkluzionet për shkrimin i bëri R. Alia, duke thënë: Për artikullin e Ylli Popës që u kritikua në plenumin e 11-të të Komitetit Qendror, Marashi mund t’i thoshte ndonjë mendim lidhur me ç’ka ngriti në artikullin e vet, sidomos lidhur me kohën e humbur. Pra, ç’kuptonte ai me kohë të humbur, ta përcaktonte kush e kishte humbur atë kohë, që të ishte e qartë. Në artikull, Ylli përmend një seri filozofësh, po Enver Hoxhën nuk e përmendi asnjëherë. Pra, Marashi, si kryeredaktor, këto gjëra duhet t’ia vinte në dukje, që artikulli të mos linte keqkuptime.

Me rastin e 15-vjetorit të botimit të shkrimit “Në kërkim të kohës së humbur”, në rrethana të ndryshme, shpesh gjatë kësaj kohe ka pasur debate e hamendësi lidhur me situatën e botimit të tij. Një herë është thënë se artikulli ka ardhur deri në faqet e gazetës me porosinë e R.Alisë. Prononcimi që lexuam më lart nga mbledhja e Byrosë Politike, më 14 korrik 1990, flet hapur se artikulli ka ardhur drejt e në gazetë nga autori. Edhe ideja tjetër se kryeredaktori është këshilluar me R.Alinë për botimin e artikullit po me tezën që përmenda më lart bie poshtë. Nuk dua të lë pa përmendur edhe përpjekjen e ndonjë drejtuesi shtypi, apo propagande në instancat e larta të asaj kohe, që më vonë ka perifrazuar këtë ngjarje si rezultat i punës së tij.

“Në kërkim të kohës së humbur” si artikull, është edhe me autorësi edhe me botues real me emër e mbiemër. Mua si publicist i vjetër e njohës i mediave, më vjen keq që edhe sot kjo temë është akoma jetime, shqetësuese, pa adresë, e mjegullt dhe e harruar. Pra, si temë “koha” është shumë aktuale dhe duhet të vihet në krye të artikujve e të editorialeve të shtypit shqiptar, të gazetave e mediave elektronike, për atë që edhe sot jemi larg në gjetjen dhe në shfrytëzimin e kohës në të mirën e këtij vendi, në monitorimin e saj. Sa keq që e humbasim kohën me shumicë çdo ditë në mjaft dukuri e çoroditje të jetës në Shqipëri!



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora