E enjte, 18.04.2024, 10:42 PM (GMT+1)

Shtesë » Historia

Bajraktarët e veriut bashkë me britanikët kundër Enverit

E merkure, 03.09.2008, 04:47 PM


NINA SMIRNOVA 

“Shqipëria, vendi më i vogël e më i dobët i Evropës, që e fitoi pavarësinë kombëtare në fillim të shekullit XX, në vitin 1912, në jubileun e vet të njëqind vjetorit si shtet, duhet të ndahet më në fund nga emri i vendit më të varfër të Evropës, i cili e ka ndjekur pas gjatë gjithë kësaj kohe”, kështu shprehet Nina D. Smirnova, (1928-2001) doktore e shkencave historike, albanologe dhe përkthyese, që është një nga autoret më serioze që është marrë me studimin dhe interpretimin e historisë shqiptare. Ajo është e njohur jo vetëm në botën akademike ruse, por edhe në arenën ndërkombëtare për qëndrimet që ka mbajtur ndaj Shqipërisë dhe kontributin në pasurimin e historiografisë shqiptare me argumente, interpretime dhe dëshimi arkivash të panjohura dhe të paqëmtuara gjer sot.

Nina D.Smirnova është autore e gjashtë monografive historike kushtuar marrëdhënieve ndërkombëtare, rajonit ballkanik në periudhat më të ndezura e të trazuara të këtij shekulli. Katër nga këto studime i kushtohen Shqipërisë dhe problemit shqiptar në Ballkan. “Politika ballkanike e Italisë fashiste. Vështrim i historisë diplomatike (1936-1941)” dhe “Politika e Italisë në Ballkan. Vështrim i historisë diplomatike të viteve (1922-1935)” janë dy nga veprat e tjera madhore të kësaj autoreje.

Nina Smirnova në librin “Historia e Shqipërisë përgjatë shekullit XX”, botuar nga ‘Ideart”, sjell dëshmi dhe fakte të reja përmes shfrytëzimit të arkivave të panjohura të Moskës, Beogradit, Parisit, Berlinit, Londrës, Romës, Athinës e Tiranës. Në këtë botim voluminoz prej gati 800 faqesh, përfshihen mbi 250 bibliografi të reja, të panjohura më parë. Smirnova ishte njohëse e shkëlqyer e gjuhës shqipe dhe njihte fare mirë frëngjishten, italishten dhe anglishten, lexonte gjermanisht dhe greqisht. Këndvështrimet nga e cila ajo e sheh historinë e Shqipërisë hedhin dritë mbi mjaft anë të errëta, të shtrembëruara e pak të njohura mbi figurat, personazhet, personalitetet dhe momentet historike më kulmore gjatë shekullit XX-të.

Dita e 29 nëntorit të vitit 1944, dita e çlirimit të Shkodrës nga pushtuesit gjermano-fashist, u bë data zyrtare e përfundimit të Luftës Nacionalçlirimtare të populllit shqiptar në vitet e Luftës së Dytë Botërore. Në vitin 1996, kjo datë u kundërshtua nga disa veteranë të luftës. Sipas tyre, Shkodra ishte çliruar më 28 nëntor 1944, por një vit më pas, për hatër të miqve të tyre jugosllavë, Enver Hoxha dhe pasueist e tij të afërt e shtynë një ditë festimin e çlirimit, që të mos përputhej me ditën e shpalljes së Republikës Popullore Federative të Jugosllavisë, më 28 nëntorin e vitit 1945. Veç kësaj, kritikët më të ashpër të regjimit të Hoxhës thoshin se çështja e çlirimit kombëtar nuk mund të quhet e zgjidhur, sepse krahinat e populluara me shqiptarë në Jugosllavi, vazhdojnë të mbeten jashtë kufijve të Shqipërisë, ndërsa vendosja e regjimit totalitar brenda Shqipërisë solli diktaturën komuniste d.m.th mungesën e lirisë për shumicën e popullit. Si përfundim, festa kryesore mbeti “Dita e Flamurit” përvjetori i ngritjes së flamurit kombëtar në Vlorë, më 29 nëntor 1912, kur u shpall pavarsia e Shqipërisë.

Pavarsisht nga ç’motive nisen politikanët në Shqipërinë postkomuniste për të ndryshuar datat e festave, e verteta është se për Shqipërinë lufta nuk mbaroi në nëntor të vitit 1944.

Përreth gjashtë muaj,në Ballkan dhe në Evropë, u zhvilluan beteja të përgjakshme. Disa brigada të UNÇL-së kaluan kufirin shtetëror dhe bashkë me partizanët jugosllavë morën pjesë ne çlirimin e krahinave të banuara nga shqiptarët. Dhe brenda Shqipërisë,në zonat malore të veriut, tradicionalisht mosbesues ndaj çdo pushteti qëndror, endeshin çetat e monarkistëve e bajraktarëve, që deri në njëfarë kohe kishin bashkëpunuar me lëvizjen antifashiste prokomuniste, por që ishin larguar prej saj ngaqë nuk pajtoheshin me politikën e udhëheqjes në marrdhëniet me rrymat alternative. Nga Shkodra në Tropojë e më tej, deri në Kukës, gjithë zona ishte nënregjimin e gjendjes së jashtëzakonshme. Popullsia, e tëra e armatosur, me të cilën nuk ia kishin dalë dot as turqit, as mbreti Zog, (bajraktarët mund t’i “zbusje” vetëm me ndihma morale e materiale), u bë mjedisi ushqyes, në të cilën lindën planet e shërbimeve sekrete britanike për përmbysjen e regjimit komunist në Shqipëri.

Më i njohuri prej tyre është operacioni 1946, që u shmang nga zbuluesi sovjetik Kim Filbi.

Megjithatë, dëbimi i pushtuesve jashtë kufijve të vendit dhe vendosja ligjore e juridiksionit të Qeverisë së Përkohshme Demokratike mbi të gjithë territorin e Shqipërisë, hapi një faqe të re në historinë e saj. Populli, që me luftë të përgjakshme mundi forcat e reaksionit të jashtëm e të brendshëm, tani kishte mundësinë të zhvillohej i lirë e i pavarur. Partia Komuniste e Shqipërisë, parti e një tipi të ri jo parlamentar, që kishte ardhur në pushtet, fitoi, gjatë viteve të luftës, të drejtën për të qenë shprehëse e interesave kombëtare. Por mishërimi konkret i ideve, për ndërtimin e një shoqërie të drejtë, përfytyrohej në mënyrë mjaft të mjegullt.

Shembullin se si duhej të ndërtohej pushteti i ri shtetëror e dha përvoja jugosllave. Ndërsa veprimtaria e Qeverisë së Përkohshme Demokratike dëshmoi për përpjekjet e saj për vendosjen e bazës ligjore të sistemit. Por si do të bëhej i mundur mishërimi i saj politik dhe shoqëror ekonomik?

Në fundin e vitit 1944 dhe në fillim të vitit 1945, gazeta “Bashkimi”, organi i Frontit Demokratik të Shqipërisë, botoi një seri artikujsh për problemet e ditës. Autori i shkrimeve me një përmbajtje interesante ishte Sejfulla Maleshova. Ai shprehte pikëpamjen e vet për përparimet e demokracisë popullore, të përshtatura për kushtet e Shqipërisë, duke i grupuar ato në një kod prej 13 pikash. Përfundimi themelor ishte: “demokracia është, në radhë të parë, pushteti politik i punonjësve. Ajo është aleanca e punëtorëve, fshatarëve, zanatçinjëve, sipërmarrësve të vegjël e të mesëm, intelektualëve. Aleanca është kundër fashizmit dhe klikave reaksionare”. NË këta artikuj, sipas tij, Lëvizja Nacionalclirimtare në Shiqpëri nuk vuri asnjëherë si qëllim të vetin ndryshimin rrënjësor të pronës private. Më pas, kryesisht me përpjekjet e ideologëve sovjetikë të marksizëm-leninizmit, u përpunuar teoria e ndërtimit të shtetit të demokracisë popullore, d.m.th një formë e tillë e organizimit politik të shoqërisë, e cila do të sillte shndërrimin e revolucionit demokratik në revolucionin socialist, në kushtet e një sistemi shumëpartiak. Si kusht i domosdoshëm, do të ishte arritja e udhëheqjes së klasës punëtore, d.m.th e partisë komuniste si pararoja e saj. Kjo është në vija të trasha teoria e demokracisë popullore. Por ajo nuk i përshtatej kushteve të Shqipërisë. Mungonin dy tipare dalluese kryesore të demokracisë popullore: pluralizmi partiak dhe roli i udhëheqës i klasës punëtore. Në Shqipëri, veç partisë komuniste, nuk kishte parti tjetër, ndërsa klasa punëtore, për shkak të numrit të saj të vogël, copëzimit dhe mungesës së përvojës organizuese, nuk mund të mëtonte për vendin e parë në shoqëri. Megjithatë, ndërtimi i shtetit të ri demokratik mbi gërmadhat e një mbretërie butaforike, ishte jo vetëm një detyrë urgjente, por dhe e mundshme. Garanci për këtë qe bashkëpunimi me vendet e Evropës lindore të çliruara nga fashizmi e gjithashtu, shfrytëzimi i përvojës e i ndihmës së Bashkimit Sovjetik. 



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora