E enjte, 25.04.2024, 01:55 PM (GMT+1)

Shtesë » Historia

Noli refuzon kërkesën e Enverit për ndihmë politike

E diele, 07.09.2008, 04:40 PM


NINA SMIRNOVA 
 
Si e ndaloi Enveri kthimin e Zogut në Shqipëri

Enveri fton Nolin për qeverisje dhe përzë Zogun

Si veproi qeveria komuniste për ndarjen e tokave? Çfarë u bë me tokat e tregtarëve dhe komuniteteve fetare? Pse Enveri ndaloi me ligj kthimin e Zogut në Shqipëri?

Hyrja e Nexhmijes Xhunglinit (Hoxhës) në rangjet drejtuese, politike? Çfarë i shkroi Sejfulla Malëshova, Fan Nolit për politikën e Enverit? Reagimi i peshkopit nga Amerika.

Historiana ruse Nina Smirnova në librin “Historia e Shqipërisë përgjatë shekullit XX”, botuar nga ‘Ideart”, sjell dëshmi dhe fakte të reja përmes shfrytëzimit të arkivave të panjohura të Moskës, Beogradit, Parisit, Berlinit, Londrës, Romës, Athinës e Tiranës.

Në këtë botim voluminoz prej gati 800 faqesh, përfshihen mbi 250 bibliografi të reja, të panjohura më parë. Smirnova ishte njohëse e shkëlqyer e gjuhës shqipe dhe njihte fare mirë frëngjishten, italishten dhe anglishten, lexonte gjermanisht dhe greqisht.

“Shqipëria, vendi më i vogël e më i dobët i Evropës, që e fitoi pavarësinë kombëtare në fillim të shekullit XX, në vitin 1912, në jubileun e vet të njëqind vjetorit si shtet, duhet të ndahet më në fund nga emri i vendit më të varfër të Evropës, i cili e ka ndjekur pas gjatë gjithë kësaj kohe”, kështu shprehet Nina D. Smirnova, (1928-2001) doktore e shkencave historike, albanologe dhe përkthyese, që është një nga autoret më serioze që është marrë me studimin dhe interpretimin e historisë shqiptare. Ajo është e njohur jo vetëm në botën akademike ruse, por edhe në arenën ndërkombëtare për qëndrimet që ka mbajtur ndaj Shqipërisë dhe kontributin në pasurimin e historiografisë shqiptare me argumente, interpretime dhe dëshmi arkivash të panjohura dhe të paqëmtuara gjer sot.

Këndvështrimet nga e cila ajo e sheh historinë e Shqipërisë hedhin dritë mbi mjaft anë të errëta, të shtrembëruara e pak të njohura mbi figurat, personazhet, personalitetet dhe momentet historike më kulmore gjatë shekullit XX-të.

Qeveria iu drejtua për ndihmë organizatave shoqërorë dhe vetë fshatarëve. Krijimi, pranë qeverisë, i Komisionit qëndror për kryerjen e reformës agrareve u mbështet mbi rezultatet e punës së komiteteve të ngritura në çdo prefekturë. Ata përbëheshin nga dy përfaqësues të Komitetit Ekzekutiv të Këshillit Vendor, dy punonjës të byrosë së statistikave, një përfaqesues i ushtisë popullore, një i rinisë, një i organizatës së gruas dhe nga 8-10 fshatarë, kryesisht nga ata me pak dhe fare tokë. Veç kësaj, për të ndihmuar komitetin e nënprefekturës, në çdo fshat u krijuan komitetet fshatare, të cilat përbëheshin nga 5-6 persona, përfaqësuesi i nënprefekturës dhe mësuesi i fshatit.

Komitetet e bazës i jepnin qendrës një ndihmë të madhe, por edhe ato jo përherë mund të merrnin të dhënë të besueshme mbi shpërndarjen e tokës. Të pasurit bënin lloj-lloj veprimesh për të fshehur madhësinë e vertetë të pronës, që zotëronin, duke e regjistruar një pjesë në emër të të afërmve. Të dhëna jo të sakta jepnin edhe fshatarët më pak të pasur, nga frika për pronën e vet dhe mosbesimin tradicional si ndaj organeve të pushtetit, ashtu dhe ndaj qytetit në përgjithës, si mbartës i kërcënimeve të të përhershëm të mbledhjes së taksave. Megjithatë të dhënat e komiteteve qenë më të besueshme nga të dhënat zyrtare. P.sh në prefekturën e Elbasanit, regjistrimi i ri nxorri në pah një sipërfaqe tre herë me të madhe nga të dhënat, që kishin mbledhur nëpunësit e ministrisë.

Veç kësaj, në komisionin qëndror të reformës agrare, madje dhe në KQ të PKSH-së, i cili duhet të merrte vendimin përfundimtar, zienin diskutimet për konceptin e reformës. Në vija të përgjithshme, ky diskutim kishte të bënte me mënyrën e ndarjes së tokës: të ndahej në mënyrë të barabartë, për të shmangur krijim e kulakëve, apo t’u jepej të varfërve një minumum i nevojshëm për të mbajtur familjet, duke u lënë pronarëve, që prodhonin për tregun, një sasi toke të mjaftueshme, jo vetëm për të plotësuar nevojat e veta, por dhe për të furnizuar qytetin. Diskutimet vazhduan gjatë gjithë verës dhe më në fund, fitoi varianti i dytë.

Me ligjin e 29 gushtit të vitit 1945, u ndanë tokat shtetërore dhe e gjithë pasuria, që u ishte konfiskuar pronarëve të veçantë dhe komuniteteve fetare (tokat arë, ullinjtë, frutoret, vreshtat, punishtet, invetari buqësor, kafshët e punës etj). Pronarëvë, që përdornin metoda dhe mjete të përparuara, u lihej deri në 40 ha tokë. Ekonomitë, në të cilat zbatoheshin metoda të përparuar, por pronarët përdornin ende “një iventar bujqësor të zakonshëm për vendin tonë” si dhe entet fetare, nuk mund të kishin mbi 20 ha. Ndërsa në rajonet, ku fondi i tokës ishte tepër i kufizuar, Komiteti për zbatimin e reformës agrare mund t’u linte pronarëve një sipërfaqe toke më të vogël nga sa u përcaktohej në ligj, nëse ata kishin edhe burime të tjera të ardhurash.

Toka u dha falas dhe më të parapëlqyerat gjatë ndarjes në familjet pjesëmarrëse të Luftës Nacionalçlirimtare. Çdo familje fshatare mori 5ha tokë dhe 3ha për çdo kurorë tjetër brenda saj. Nëse familja kishte mbi 6´pjesëtarë, po nuk kishte kurorë tjetër, për çdo anëtar jepej plus 0.5 ha. Ligji parashikonte dhe shmangiet nga sasia e përcaktuar për ndarjen në varësi, nga kategoria e tokës. Kështu tokat më të mira, sasia mund të ulej deri në 30%, në ato më të dobtat mund të rritej deri në 50%. U ul sasia e tokës, që u lihej ish-pronarëve, të cilët nuk e kuptonin vetë. Kësaj kategorie iu la vetëm 7ha, me kusht që ta punonin vetë, ndryshe, sipas dy viteve edhe ajo do të ndahej. Toka e marrë nga reforma agrare nuk mund të rindahej dhe nuk mund të jepej me qira. Këmbimi i parcelave mund të bëhej vetëm me dijeninë e Komitetit, për zbatimin e reformës agrare. Fshatarët, të cilët kishin marrë tokë, qenë të çliruar nga çdo lloj tatimi që paguanin më parë ish pronarët e saj.

Në fillim të vitit 1946, qeveria bëri disa plotësime dhe ndryshime në ligjin mbi reformën agrare në tokat në arë dhe në vreshta, përndryshe ato konfiskoheshin. Dhe së fundi, u hoq e drejta për t’u dhënë fondin e tyre bujqësor personave të tjerë, çka krijoi kushtet për shpronësimin dhe shtetëzimin e tokës. Reforma agrare përfundoi në nëntor të vitit 1946.

Qeveria e përkohshme demokratike iu vu punës për rimëkëmbjen e ekonomisë dhe kryerjen e shndërrimeve shoqërore-ekonomike. Fill pas çlirimit të vendit, doli në plan të parë ndryshimi i statusit të saj. Formalisht, deri në fillim të vitit 1946, Shqipëria vazhdonte të ishte monarki. Por faktikisht, njohja e këshillave nacional çlirimtare si forma e vetme e pushtetit dhe ndalimi i kthimit të mbretit Zog, i mbyllën rrugën restaurimit të monarkisë. Prandaj, hapi më i natyrshëm ishte ligjerimi i pushtetit të ri.

Në fillim të gushtit të vitit 1945, u mblodh në Tiranë Kongresi i Frontit Antifashist Nacionalçlirimtar, i cili bëri bilancin e veprimtarisë së vet, miratoi programin dhe ndryshoi emrin duke u quajtur Fronti Demokratik. Ai përfshinte Partinë Komuniste, Bashkimin e rinisë antifashiste, Bashkimin e grave dhe Bashkimet profesionale, që ishin krijuar pak kohë më parë, në shkurt të vitit 1945. Të gjitha organizatat shoqërore drejtoheshin nga anëtarë të udhëheqjes së partisë. Vetëm në krye të bashkimit të grave mbeti për njëfarë kohe pjesëmarrja aktive e luftës, anëtarja e Këshillit të Përgjithshëm të FNÇI-së Ollga Plumbi, e cila ishte pa parti. Por shumë shpejt edhe ajo ia la vendin Nexhmije Xhuglinit, gruas së E. Hoxhës, anëtare e KQ të PKSH-së.

Në programin e miratuar në kongres, thuhej: “Fronti Demokratik mbronte të gjitha forcat pushtetin popullor, që lindi në zjarrin e luftës për çlirimin e Shqipërisë dhe që është fitorja më e madhe e popullit shqiptar”. Regjimi monarkist “u shpall në kundërshtim me vullnetin dhe interesat më të larta të popullit”. Programi shpaloste të drejta të gjera demokratike për të gjithë qytetarët e vendit. S. Malëshova, i cili referoi në emër të Këshillit të Përgjithshëm të Frontit, theksoi se, mbas mbarimit të luftës, baza e tij ishte zgjeruar në mënyrë masive me ata, që deri në këtë kohë, kishin mbajtur qëndrim asnjanës si dhe me persona, që kishin bashkëpunuar me pushtuesin, por që nuk i kishin lyer duart me gjak, me ushtarë dhe oficerë të ushtrisë së qeverisë kukull, që kishin kaluar në anën e FNÇI-së. Kjo nuk donte të thoshte se kishte ardhur koha e pajtimit me elementët reaksionarë. Intrigat e tyre qenë luftuar e do të luftoheshin pamëshirë, theksoi referuesi, por duhej t’u jepej mundësia të gjithë qytetarëve të Shqipërisë të merrnin pjesë në rindërtimin e vendit. “Tani nuk mjafton vetëm entuziasmi dhe heroizmi,-tha S.Malëshova,-ata duhet të shumëfishohen me përgatitje profesionale, me dije dhe kulturë. Është e domosdoshme një punë krijuese e përditshme”. Politika ekonomike e Frontit Demokratik përmblidhej në: a-rindërtimin e objekteve të shkatërruara nga lufta dhe gjallërimin e ekonomisë të paralizuar prej saj; b-aktivizimin dhe mbështetjen e inisiativës brenda sistemit të planit të përgjithshëm ekonomik; g-ndërtimin e ekonomisë së vendit të ndërtohej mbi bazën e planifikimit.

Programi parashikonte bashkimin e të gjitha forcave të popullit në luftë për ndërtimin e Shqipërisë së pavarur, demokratike e popullore. Pranimin e së drejtës së sektorit privat për të qenë i pranishëm e, për më tepër, nxitjen e tij, që diktohej nga domosdoshmëria për të dalë nga gjendja e vështirë ekonomike, në të cilën ndodhej vendi. Veç kësaj, kjo ishte dhe një pikë kyçe, që përligjte bashkimin e qarqeve patriotike jo komuniste me frontin demokratik, në prag të zgjedhjeve për Asamblenë Kushtetuese.

Është e qartë se, në këtë periudhë, udhëheqja e PKSH-së, synonte realisht të krijonte një platformë të gjerë parazgjedhore, për të tërhequr në anën e vet simpatinë e shtresave të gjera të popullsisë. Me këtë shpjegohet dhe thirrja vetjake në mirëbesim e Sejfulla Malëshovës drejtuar Fan Nolit, më 27 gusht të vitit 1945, me ftesën për të vizituar Shqipërinë në prag të zgjedhjeve, qoftë dhe për pak kohë. “E. Hoxha, unë dhe gjithë qeveria, jemi të bindur se ardhja juaj në Shqipëri do të jetë një e mirë e madhe,-shkruante ai.-Në këtë mënyrë, jo vetëm veprimtaria juaj e shkruar patriotike do të gjejë kurorëzimin e merituar, por dhe vendi ynë do të ketë, në situatën e tanishme, një ndihmë të madhe morale e politike... Të gjithë ne presim me padurim fjalën tuaj”. Peshkopi, ia dërgoi bekimet dhe mbështetjen e vet për Republikën Popullore të saposhpallur të Shqipërisë dhe qeverinë e E. Hoxhës.

Në shtator të vitit 1945, në mbledhjen e radhës së këshillit nacionalçlirimtar, u shqyrtuan dhe u miratuan një sërë dokumentash, që përcaktonin mënyrën e zgjedhjeve në Asamblenë Kushtetuese. Zgjedhjet do të ishin të përgjithshme, të barabarta, të fshehta dhe në to do të merrnin pjesë të gjithë qytetarët e Shqipërisë që kishin mbushur moshën 18 vjeç. Nuk kishin të drejtë të votonin e të votoheshin ministrat dhe nëpunës të tjerë, që kishin qenë në shërbim të pushtuesit, kriminelët e luftës, armiqtë e popullit dhe persona të tjerë, të cilëve u qenë hequr të drejtat qytetare me gjyq. Ligji mbi Asamblenë Kushtetuese, i miratuar po në këtë mbledhje, i jepte asaj të drejtën të zgjidhte përfundimisht formën e organizimit shtetëror dhe parashikonte miratimin prej saj të kushtetutës. 



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora