E enjte, 28.03.2024, 10:47 PM (GMT)

Shtesë » Historia

Zgjedhjet e para, kush ishin kundërshtarët e Enver Hoxhës

E diele, 07.09.2008, 03:39 PM


NINA SMIRNOVA 

Cilat ishin debatet e para për mbledhjen e Asamblesë Kushtetuese?Kur doli për herë të parë grupi opozitar i Enver Hoxhës? Udhëheqësit të Partisë, Enverit, iu kërkua dorëheqja nga posti po qe se vendoset kryeministër. Si shkoi procesi i votimeve të para në Shqipëri? Cilat ishin dy variantet që u paraqitën për qeverisjen e vendit? Cili ishte propozimi që bëri S. Malëshova? “Problemi i veriut” pengesë për qeverinë komuniste. Pse u shëndrrua Asambleja në Kuvend Popullor?

Historiana ruse Nina Smirnova në librin “Historia e Shqipërisë përgjatë shekullit XX”, botuar nga ‘Ideart”, sjell dëshmi dhe fakte të reja përmes shfrytëzimit të arkivave të panjohura të Moskës, Beogradit, Parisit, Berlinit, Londrës, Romës, Athinës e Tiranës.

Në këtë botim voluminoz prej gati 800 faqesh, përfshihen mbi 250 bibliografi të reja, të panjohura më parë. Smirnova ishte njohëse e shkëlqyer e gjuhës shqipe dhe njihte fare mirë frëngjishten, italishten dhe anglishten, lexonte gjermanisht dhe greqisht.

“Shqipëria, vendi më i vogël e më i dobët i Evropës, që e fitoi pavarësinë kombëtare në fillim të shekullit XX, në vitin 1912, në jubileun e vet të njëqind vjetorit si shtet, duhet të ndahet më në fund nga emri i vendit më të varfër të Evropës, i cili e ka ndjekur pas gjatë gjithë kësaj kohe”, kështu shprehet Nina D. Smirnova, (1928-2001) doktore e shkencave historike, albanologe dhe përkthyese, që është një nga autoret më serioze që është marrë me studimin dhe interpretimin e historisë shqiptare. Ajo është e njohur jo vetëm në botën akademike ruse, por edhe në arenën ndërkombëtare për qëndrimet që ka mbajtur ndaj Shqipërisë dhe kontributin në pasurimin e historiografisë shqiptare me argumente, interpretime dhe dëshmi arkivash të panjohura dhe të paqëmtuara gjer sot.

Këndvështrimet nga e cila ajo e sheh historinë e Shqipërisë hedhin dritë mbi mjaft anë të errëta, të shtrembëruara e pak të njohura mbi figurat, personazhet, personalitetet dhe momentet historike më kulmore gjatë shekullit XX-të.

Në shtator të vitit 1945, në mbledhjen e radhës së këshillit nacionalçlirimtar, u shqyrtuan dhe u miratuan një sërë dokumentash, që përcaktonin mënyrën e zgjedhjeve në Asamblenë Kushtetuese. Zgjedhjet do të ishin të përgjithshme, të barabarta, të fshehta dhe në to do të merrnin pjesë të gjithë qytetarët e Shqipërisë që kishin mbushur moshën 18 vjeç. Nuk kishin të drejtë të votonin e të votoheshin ministrat dhe nëpunës të tjerë, që kishin qenë në shërbim të pushtuesit, kriminelët e luftës, armiqtë e popullit dhe persona të tjerë, të cilëve u qenë hequr të drejtat qytetare me gjyq. Ligji mbi Asamblenë Kushtetuese, i miratuar po në këtë mbledhje, i jepte asaj të drejtën të zgjidhte përfundimisht formën e organizimit shtetëror dhe parashikonte miratimin prej saj të kushtetutës.

Për herë të parë, Kuvendi me grup opozitar

Në këtë mbledhje, doli hapur për herë të parë grupi opozitar, i kryesuar nga Gjergj Kokoshi, anëtar i Këshillit Nacionalçlirimtar dhe ministër i arsimit, i cili qe formuar në shkurt të vitit 1945 e në vjeshtën e po atij viti, kishte marrë emrin Bashkimi Demokratik. Jurist i njohur, me bindje liberal-demokrate, profesor Kokoshi mbështeti FNÇL-në dhe ndihmoi shumë që inteligjenca patriotike të hynte në radhët e tij. Duke mbështetur platformën e Frontit Demokratik, Kokoshi doli kundër synimit të PKSH-së për të drejtuar gjithçka dhe shprehu mendimin se, duke qenë kryeministër, E. Hoxha duhej ta linte postin e sekretarit të përgjithshëm të partisë. Ai kritikoi ligjin e zgjedhjeve, duke e quajtur antidemokratik dhe doli nga fronti, për shkak të mospërputhjes së programit të shpallur prej tij me politikën konkrete të udhëheqjes komuniste.

Zgjedhjet e 2 dhjetorit të vitit 1945 për Asamblenë Kushtetuese, sollën fitoren e plotë të Frontit Demokratik: në zgjedhje morën pjesë 90.2% e votuesve të regjistruar në listat elektorale dhe shumicën dërrmuese të votave, 91.1%, e fituan kandidatët e Frontit Demokratik.

Por rezultatet e zgjedhjeve nuk pasqyronin as ndarjen e vërtetë të forcave në vend, as prirjet e zgjedhësve. Fronti Demokratik nuk ishte aleancë e njerëzve me të njëjtat ide. Sipas përcaktimit, ai duhej të përbëhej nga parti dhe organizata të ndryshme, të cilat i bashkonte detyra e përbashkët për rindërtimin e ekonomisë së shkatërruar nga lufta dhe ndërtimin e një shoqërie të re e të drejtë. Por përfytyrimi se si duhej të qe kjo shoqëri e re, nuk ishte akoma i qartë. Parrulla e hedhur në prag të zgjedhjeve “Front pa kufizime” bashkoi dhe ata, që donin të ndërtonin një socializëm të tipit sovjetik (stalinist) dhe përkrahësit e një modeli tjetër të parealizuar, si ai i republikës demokratiko-borgjeze të vitit 1924. Varianti i dytë kishte të drejtë të ishte i pranishëm, qoftë dhe vetëm për faktin se pjesëmarrësit e atyre ngjarjeve ishin akoma gjallë. Është e vërtetë se ata qenë shumë pak dhe me përjashtim të S. Malëshovës, nuk kishin ndonjë peshë të madhe politike në shoqëri. Deputetët e pavarur, të dalë nga lista e frontit demokratik, që kishin ide të afërta me ta, formuan në parlament një grup opozitar, të vogël por veprues.

Krejt origjinale ishte pjesëmarrja në zgjedhje e popullsisë së Shqipërisë veriore, e cila (me përjashtim të Shkodrës) vazhdonte të ishte në gjendje lufte. Prandaj, as që mund të bëhej fjalë për zgjedhje të lira demokratike. Bandat e Muharrem Bajraktarit, Xhem Gostivarit e të tjera kalonin thuajse pa pengesa nëpër shtigjet malore nga Shqipëria në Jugosllavi e anasjelltas dhe kryenin akte terroriste kundër përfaqësuesve të pushtetit. Popullsia qe e terrorizuar dhe pikërisht për këtë, në të shumtën e rasteve, nuk pranonte të ndihmonte organet e pushtetit nga frika e hakmarrjes.

Problemi i veriut në zgjedhje

Gjendja e turbullt në veri e detyroi qeverinë qëndrore të merrte masa jo fort popullore. Kishte raste kur organet e pushtetit në këto zona përbëheshin jo nga banorët vendas, por nga pjesëmarrës të lëvizjes partizane nga jugu. Gjatë zgjedhjeve, kontrolli i rendit ndonjëherë shndërrohej në trysni mbi votuesit: sferat e vogla me të cilat do të votonin, u jepeshin të numëruara, çka bënte të mundur të kuptohej për kë votonte njëri apo tjetri. Kishte raste kur fshati që vinte për të votuar, nuk pranonte kolektivisht t’ia jepte votën kandidatit (edhe sikur të qe tre herë hero i luftës), sepse ai i përkiste shtresës më të ulët të fisit. Nuk pranonin të votonin për të edhe ata që ishin po aq të varfër, sepse zakoni i maleve kish ngulitur në shekuj traditën për të dërguar “lart”, në këtë rast në parlament, përfaqësuesit e partisë. Duke fituar për herë të parë liritë demokratike, popullsia vendase, me këmbënguljen që karakterizonte këto treva të izoluara e të harruara, vepronte, pa e kuptuar, në dëm të vetvetes. Mënyra e deriatëhershme e jetesës, që u kishte futur në gjak normat e së drejtës zakonore (kanunin e maleve) i tërhiqte pas.

“Problemi i Veriut” priste akoma zgjidhjen e vet. Por, pavarësisht nga vështirësitë që sillte ky problem për pushtetin e ri, në vitin 1945, nuk pati ndonjë ndikim të madh në gjendjen e përgjithshme të vendit. Madje, sipas dëshmive të gazetarëve të zellshëm perëndimorë, zgjedhjet qenë dëmi e mbështetjes mbarëpopullore për frontin Demokratik, siç njoftonte shtypi shqiptar, duke dhënë emra dhe mbiemra konkretë.

Asambleja Kushtetuese, e cila u hap më 11 Janar të vitit 1946, e shpalli Shqipërinë Republikë Popullore, duke ligjëruar de juro, atë që ishte vendosur de fakto në vitet e luftës. U miratuan zyrtarisht aktet ligjore të dala nga Këshilli Nacionalçlirimtar pas Kongresit të Përmetit. Më 12 janar u zgjodh presidiumi i Asamblesë Kushtetuese, kryetar i së cilës u bë Omer Nishani. Opozita, e përfaqësuar nga Riza Dani, paraqiti propozimet e veta për përbërjen e presidiumit, por me votim të fshehtë ato u rrëzuan.

Kthimi i Asamblesë në Kuvend

Qeveria e përkohshme demokratike u paraqiti deputetëve projektin e kushtetutës së republikës. Pas diskutimeve, mbledhja u ndërpre për dy muaj. Si rezultat i diskutimit mbarëpopullor dhe vënie në dukje të vërejtjeve, më 14 mars të vitit 1946, Asambleja miratoi Kushtetutën e Republikës Popullore të Shqipërisë dhe duke u shkatërruar në Kuvend Popullor.

Kushtetuta përcaktonte parimet e përgjithshme të pushtetit të popullit, strukturën e organeve legjislative dhe ekzekutive. Njiheshin tri forma të pronës: shtetërore, kooperativiste dhe private. Por, nëse raporti i shtetit në pronën shtetërore dhe kooperativiste rregullohej me një rresht, në nenet 9 dhe 10 (e para gëzonte mbrojtje të veçantë, e dyta, kujdes nga mbështetje të veçantë), ekzistenca e pronës private nga njera anë garantohej me ligj (duke përfshirë dhe inisiativën e lirë e të drejtat trashëgimore), nga ana tjetër përcaktoheshin rrethanat e shpronësimit dhe shtetëzimit, “nëse këtë e kërkon interesi i përgjithshëm”; ndaloheshin monopolet, trustet, kartelet, etj. Shteti shpallej pronar i pakushtëzuar i pasurive minerare, pyjeve, ujrave. Të drejtat dhe liritë demokratike të qytetarëve, ndër të tjera dhe liria e ndërgjegjes, garantoheshin nga kushtetuta; vendosej barazia e të gjithë qytetarëve të republikës, pavarësisht nga kombësia, raca, gjinia apo besimi fetar. Për organizimin politik dhe shoqëror të Shqipërisë, kushtetuta nisej nga parimet karakteristike për demokracitë popullore. Në mungesë të përvojës shqiptare, hartuesit e kushtetutës u mbështetën në tekstin e Ligjit themeltar të Jugosllavisë, të 31 janarit të vitit 1946.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora