Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Vangjush Saro: Djali që u bë tullumbace

| E shtune, 18.11.2017, 05:11 PM |


PANAIRI I LIBRIT - TIRANË

“Djali që u bë tullumbace” një novelë gazmore në shqip dhe anglisht

Shtëpia Botuese “ERIK” ka publikuar këto ditë novelën gazmore “Djali që u bë tullumbace” të shkrimtarit Vangjush Saro. Libri është një parodi për kohët moderne dhe jetën sendentare. Rrëfimi vizaton, për lexuesit e çdo moshe, disa ditë të çuditshme nga jeta e një fëmije, i cili është i dhënë me tepri pas kompjuterit dhe të ngrënit. Personazhi, Roni, të cilin llastimet e kanë çuar pothuaj në një botë tjetër,  fillon e ndjen ndryshime të papërfytyrueshme në veten e vet. Ai vë re se po shëndoshet, po fryhet, rënkon pareshtur; e megjithatë, gjithçka përqark i duket e ngrënshme. I habitur gjatë gjithë kohës, i gjendur midis realitetit dhe fantazisë, për më tepër në një ballafaqim me “modelin” e shtuar të obezit - llogaritari Poli, një krijim i imagjinatës së djalit -  Roni i vogël fillon të kuptojë se dikur duhet të ndalet…

Novela ndjek linjën e tjetërsimit të personazhit qendror, gjithnjë në kërkim të gjumit dhe të qeseve me ëmbëlsira, deri në çastin që ai bëhet i ndërgjegjshëm se po i ndryshon jo vetëm trupi, por edhe humori. I përndjekur nga figura e sajuar e xhaxhi Polit - një gjetje që intrigon ngjarjet në novelë - djali i vogël ndjen nevojën për një jetë tjetër, në të cilën ai të jetë i çilruar nga mbipesha dhe pasionet kulinare. Finalja e noveles vjen natyrshem, si fundi i nje loje, në të cilën personazhi ishte gjendur sa për faj të tij, aq edhe si njëlloj viktime e jetës sedentare.

Novela “Djali që u bë tullumbace” vjen edhe me versionin në anglisht, nga Rudina Shehu dhe Besnik Rika, duke u bërë kështu një tekst edhe më tërheqës për lexuesit, veças fëmijët. Libri është ilustruar këndshëm dhe nga piktori Bertrand Shijaku. Novela plotëson më tej prodhimtarinë letrare të autorit, i njohur për qasjet groteske në prozë dhe në poezi.

Nga krijimtaria e autorit Vangjush Saro

-Prolog satirik /Skica/ Sht. Botuese “Naim Frashëri”, 1974

-Dy orë dramaturg/ Tregime satiro-humoristike/ “Naim Frashëri”, 1975

-Në kërkim të studentit Mete/ Tregime satiro-humoristike/ “Naim Frashëri”, 1979

-Ora nuk ha çokollata / Poemë për fëmijë/ “Naim Frashëri”, 1980

-Miku i vogël / Poemë për fëmijë/ “Naim Frashëri”, 1983

-Biri i ambasadorit/ Tregime satiro-humoristike/ “Naim Frashëri”,  1988

-Shkëlqim i përkohshëm/ Kinokomedi, 1988

-Ervini dhe miqtë/ Novelë gazmore/ “Toena”, 1993

-Një ditë pa mamin / Novelë gazmore/ “Toena”, 1994

-Polic Këmbëvogli/ Novelë gazmore/ “Reklama”, 1995

-Dy fëmijë në Kampionatin Botëror / Novelë/ ASD, 2001

-Aventurat e Don Kishotit në Shqipëri / Novelë/ ASD, 2003

-Aventurat e Bubit Çamarok/ Përrallë/ “Mësonjëtorja”, 2003

-Rrëfime nga shkolla ime/ Tregime për fëmijë/ ASD, 2004

-Një ditë pa mamin /Botim 2/ ASD, 2005

-Dhelpra shpërblen Lepurin/ Fabula/ ERIK Botime, 2012

-Trumcaku ftillon Ferrën/ Fabula / ERIK Botime, 2014

-“Kurora e Ballkanit”/ Roman humoristik/ Amazon, 2016

-Gomar apo Kaproll?/ Fabula/ ERIK Botime, 2017