E marte, 19.03.2024, 08:21 AM (GMT)

Udhëpërshkrim » Gorica

Pëllumb Gorica: Bysheku drejt shkatërrimit

E shtune, 18.11.2017, 05:53 PM


BYSHEKU, NJË PIKTURË E NATYRËS DREJT SHKATËRRIMIT

NGA PËLLUMB GORICA

  udhëtosh përmes panoramash piktoreske, të duket sikur e zhvesh lëkurën e vjetër të përditshmërisë dhe vesh një gëzof të ri për të lexuar natyrën, për të hyrë në thellësinë e historisë, me tërësinë e ndjesive.

Të vizitosh Byshekun, që ndodhet 7 km larg nga qyteti i Elbasanit, në një zonë të pyllëzuar, me freski dhe qetësi çlodhëse në çdo stinë, është vërtet një bukuri tërheqëse që të rrëmben. Bysheku është pjesë e krahinës së Shpatit. Vend me madhësi të rralla historike, kulturore dhe morale, ku Natyra ka bërë ‘’pakt“ me njerëzit krenarë. Ndaj dhe udhëtimi në Byshek, përbën kënaqësi për sytë e shpirtit, sa që nuk mund të rrish dot pa e shijuar më shumë pasurinë e tij Natyrore.

E kam vizituar disa herë Byshekun dhe sa herë që udhëtoj më duket sikur zbuloj diçka të re. Kur udhëtova për herë të parë në shoqërinë e poetit dhe specialistit të njohur të pylltarisë Ahmet Mehmeti, Bysheku më befasoi me veçantinë e tij, për të mos thënë e krahasova me një pikturë të mrekullueshme të Natyrës, por edhe një kontrast jetësor përballë dhimbjes së shkatërrimeve, që i janë bërë asaj nga ajri i ndotur dhe betonizimi.

Rruga për atje ndjek rrjedhën e kundërt të lumit Shkumbin, aty ku i rehatohen ‘’nervat” e qetësohet në shtratin e stërlashtë, të udhës drejt detit Adriatik, përfund një pyllishte me plepa, shelgje dhe rrepe, si një shirit ngjyrash, që vazhdon kështu në gjithë gjatësinë e tij. Ndërsa tutje nga Lindja të shfaqet madhështor mali Bukanik, i cili e rrëmben horizontin dhe të ofron pamje të tjera të mrekullueshme e të papërsëritshme. Ai këtu të përballet i menjëhershëm, në ngjitje, si mburojë e kësaj lugine. Ndaj kjo larmi e Natyrës e bën më interesant udhëtimin tonë, nëpër rrugën dredha – dredha, por të ndërtuar me standarte, për t’i sjell më afër vizitorët. Të shtohet këndshëm kënaqësia, sidomos kur kalon ngjitur vendbanimeve të sistemuara; me shtëpi të reja e modeste, me toka të mbjella përreth, me pemë frutore të llojllojshme, të cilat kanë filluar të verdhohen tek –tuk, në arat me misër gati për t’u vjelë gjithashtu. Një flladi i lehtë me erëmimin  joshës të frutave, të përkëdhel fytyrën, ndërsa qielli i kaltër dhe dielli të përshëndesin, sikur Natyra ka vendosur të na e bëjë dhuratë këtë ditë me miq të mirë.

Një rrënim që të trishton

Bysheku të rrëmben befasishëm vështrimin me panoramën e tij dhe të thotë eja këtu në këtë copëz qetësie, në morinë e rrepeve shekullorë që shpalosen si tipar i veçantë dhe pasuri gjithashtu. Ata drurë kanë mbetur për të na treguar se janë të rrallë te ne, me një romantikë interesante dhe karakteristike të freskisë, me ujin gurgullues, ngjyrat e stinës, që rrinë bashkë dhe nuk mund t’i anashkalosh.

Aty e ndjen aq shumë ‘‘pushtetin’’ që kanë këto drurë madhështorë te njeriu teksa i prek dhe i zhbiron me sy tej e tej, të cilët për nga madhësia nuk i pushtojnë dot disa burra së bashku. Por, ato janë më shumë magjepsëse me zgavrat e tyre dhe kurorat e larta që krihen nga era.

Kësisoj, panorama e Byshekut të krijon mendime të ngrohta, por shpejt sytë zbehen, edhe mund të lotojnë nga mungesa e vizitorëve, që është paradoksale për një vend të tillë. Sepse ajo çka përbën mbresën e parë, topitëse aty, janë gërmadhat e kompleksit turistik, si peng i konflikteve të pronësisë, që ka penalizuar investimet për ta bërë më të vizitueshëm. Është për të ardhur keq, që edhe pas kaq vitesh, ende nuk është parashtruar një zgjidhje rindërtimit e rifunksionimit të tij. Ta kesh këtë pasuri dhe ta lesh pa shfrytëzuar, është e pakuptimtë!.

Megjithëse ka një prirje drejt zhvillimit të Turizmit, por ne ende jemi larg atyre parametrave të duhur, sepse plagët që i shkaktojmë Natyrës janë të mëdha. Natyrisht, ne po kalojmë një krizë ekonomike, politike dhe shpirtërore, por kur njerëzit në radhë të parë njollosin shpirtin e nuk kanë më dashuri për Natyrën tonë të mrekullushme duhet të bëjmë çmos që të mos ia përcjellim atë asaj.

Por, një përshtypje tjetër e hidhur të trishton në Byshek. Tek i vështron drurët madhështorë, që as rrufetë nëpër kohëra s’i kanë zhdukur, pezmatohesh kur një pjesë e tyre janë në tharje nga njerëz të papërgjegjshëm, të cilët kërkojnë thesare.

Përse kjo babëzi për të shkatërruar gjithçka që ka krijuar Natyra dhe të mirëmbajtur nga paraardhësit?! Pse të mos bëjmë diçka më tepër aty?

- Tragjedi, të shëmtosh e shkatërrosh Natyrën, – thotë Pal Calladej, pronari i një nga restoranteve të pakta këtu, - por më e pafalshme hedhja e mbeturinave inerte e të tjera ushqimore. Përsa i përket flakjes së plehërave, kjo është detyrim i vizitorëve dhe duhet të jetë pjesë e kulturës së tyre por, kur ky nuk ka ndërgjegje dhe nuk zbatohet ligji, e kur ai shkelet, është detyrë e shtetit të vendos autoritetin e tij duke mbrojtur pasuritë Natyrore, që shtojnë edhe anën estetike, që shërbejnë edhe për pushim të këndshëm.

Rrepet shekullore të Byshekut janë unike dhe duke shtuar dashurinë për t’i mirmbajtur, si një burim i pa shtershëm për tërheqjen turistike e sidomos për mendjet e lodhura “të zhurmës’’ qytetare.

Vjeshtë në Byshek

Por, gjithsesi në Byshek, dora e “piktores” së paarritshme Vjeshtë, të fton të përjetosh të bukurën emocionalisht. Dhe s’ka se si ndodh ndryshe larg zhurmave dhe pluhurit në një hapësirë të vogël, me ajër të pastër nën hijen e drurëve kurorëgjërë. Çdo stinë ka veçantinë e saj në panorama të ndryshme, por Vjeshta këtu ka gjithë bukuritë, si një stinë magjike me shumëngjyrshmëri ngjyrash; atë kombinim piktoresk të tyre e gjithandej; nepër pemë, në ajër, në tokë mes barit, në ujin që rrjedh; me gjethe të gjelbërta, kafe, të verdha, të kuqe të shtruara si qylim Natyror mondan, që do të bënte ziliqar edhe një të tillë persian, frymëzim marramendës për artistët dhe jo vetëm ata. Tek endesh nëpër këtë hapsirë, me hapat e pangutur e të ngadalshëm e gërvisht qetësinë, me domethënien e vet që mbart tinguj,  freski,dritë ...

Pranë rrudhave të një shkëmbi të hirtë, gurgullon me uturimë të lehtë uji i kristaltë e i ftohtë i burimit, ku dora e njeriut e ka sistemuar me sofate, ulluke, kanale, rrugica, ura e pellgje si oaze, të cilat e zbukurojnë aq shumë pamjen. Është kjo uturimë e ujit që i merr me vete gjethet e zverdhura të rëna aty, për tu tretur më pas ngadalë me mërmërimë të këndshme, të përzier me zhurmat e tjera, edhe shushushurimën e përjetshme të lumit Shkumbin, që rrjedh vetëm pak metra më poshtë, i shoqëruar në krah të tij me drurë të shumtë. I ngjan një simfonie në la- minor kjo mërmërimë, të freskon edhe më shumë e të qetëson skajshmërisht, duke të bërë për vete bashkë me rrezet e diellit, me ajrin e freskët, me ca zëra kumbues e kaq të çiltër të fëmijëve që luajnë aty, që të thithin të tërin me gëzimin e tyre.

-  Janë këto mrekulli të Natyrës, - më thotë Mimoza Sallata vizitore nga Tirana,- që i sodisim nga afër, i prekim me ledha dashurie dhe krenarie; si pjesë kënaqësie, të cilat të ngrohin në shpirt larg zhurmave e ndotjeve, si një shqetësim në rritje për shëndetin tonë. Ndaj, më gumzhijnë vargjet magjike të Naimit, në poemën epope: ‘’Bagëti e bujqësi’’ , që midis të cilëve do të veçoja: “O vendthit e bekuar, ju mendjen ma defreni’’. Dhe s'duhet të shëmtohet kjo pasuri natyrore, por të mirëmbahet për t’ua lenë trashëgimi brezave.

Bysheku me një histori të lashtë

Drurët shekullorë të Byshekut dhe uji që rrjedh pranë tyre kanë një histori interesante, që ende tregohet edhe sot nga banorët vendas e merret me mend edhe sa do të jetë në kujtesë të kohës. Ajo ze fill tek e ashtuquajtura mbjellje e rrepeve si ‘‘hunj’’ për të lidhur kuajt e karvaneve. Më vonë ato u rritën pa pyetur  për shtërngatat e shekujve dhe sot janë bërë madhështorë. Në këtë vend mendohet se dikur ka ekzistuar një stacion i lashtë udhëtarësh i rrugës historike “Egnatia” dhe më vonë i “Rrugës së Karvaneve”, që ndiqte rrjedhën e Shkumbinit, kalonte në Mokër e prej andej për të ecur në Ohër, etj. Madje tregohet se garnizonet turke, të cilët shfrytëzonin të gjitha mundësitë e lëvizjeve të tyre, si karakteristikë për ujin dhe gjelbërimin e kishin këtë si vend pushimi për t’u çlodhur e përtërirë energjitë e konsumuara nga rruga e gjatë e Stambollit.

Bysheku, mbështetur në shpinë të Bukanikut, është një vendbanim i vjetër dhe shumë i njohur, i pasur me një histori të lashtë, sepse pozicioni gjeografik e ka favorizonte në mënyrë të dukshme me shumë privilegje se vendbanimet rrotull aty, ku dikur jeta zhvillohej më pranë ujit dhe rrugës së Lashtë. Në shekujt e parë të pushtimit turk ai është njohur dhe me emrin Bozursek. Me vegjetimet e mëvonshme etimologjike mori më pas emrin Byshek siç njihet edhe sot. Historitë gojore tregojnë se Bysheku në Mesjetë ishte një vendbanim i madh, me shtëpi afër njëra - tjetrës, sa ‘‘keci nuk e kishte aq të vështirë të hidhej nga njëra çati te tjetra’’ në të gjithë territorin ku shtrihej. Kësisoj i ndërthurur mes gjelbërimit dhe pasurisë së madhe të kulturës materiale e shpirtërore të banorëve, në vrapin e pamëshirshëm të historisë, me karakteristikën e zhvillimit të jetës, si një cikël i cili ka vazhduar me periudha lulëzimi e rrënimi për vendbanimin e Byshekut në kohë luftrash, sëmundjesh e varfërie, por sot është veçse një lagje. Hulumtimet e studiuesëve të krahinës kanë shpalosur në dokumenta edhe ngjarjet të rëndësishme historike të zhvilluara këtu, sidomos dy betejat e përgjakshme në shekullin XV, kundër turqëve, të komanduara nga prijësi i Shpatit, Çermenikës, Mokrrës,  Gjergj Araniti e Petro Petroshi prej Shelcanit. Nën këtë taban në fillim të shekullit të kaluar u bë bazë e Çetave Patriotike që vepronin në Shpat.

Byshekut, në vitet e periudhës komuniste, u shëndrruanë një pikë turistike për mundësitë e kohës dhe i dha jetë gumzhitëse banorëve jo vetëm nga Elbasani.  Sot, dy- tre restorante kërkojnë të mbushin boshllëkun e asaj kohe, duke pritur vizitorë me ambiente të kulturës tradicionale vendase, me shërbim të mirë dhe prodhime bio.

Më e veçanta është se Bysheku përkufizohet edhe si motiv i dasmave, që shpalos mrekullisht traditën e Lashtë, të pagëzimit të çifteve e shoqëruar me kënaqësinë e pamjeve piktoreske të rrepeve madhështore dhe ujit që gurgullon lehtë për t’i patur si kujtime të ditës më të bukur të jetës së tyre.

Por, më i gjallërueshëm Bysheku, i quajtur nga Elbasanasit “Teferiçi”, shfaqet në Ditën e Verës, festës më tradicionale të trevës së Elbasanit, si një motiv Lashtësie dhe gëzimi në këtë Natyrë të paqtë.

Këtu ,  një ditë në verë, banorët dhe emigrantët e zonës çmallen me njeri - tjetrin nën tendat degëtrashë të rrepeve; të rrinë sa më gjatë bashkë; të gëzohen e freskohen në ujin e ftohtë; të ngrenë krenar dollitë; të dredhin bukur vallet dhe të marrin shtruar këngët shpatarake.

***

Fryn era e Krastës që i lëkund degët e rrepeve madhështore, duke rrëzuar gjethet e verdha për të shtruar në tokë qylimin e artë të stinës. Ato të krijojnë në shpirt një ndjesi gati hyjnore me emocione të veçanta.

Mbasi ke pirë dhe ndonjë gotë raki të prodhimit vendas, mes miqsh, me humor e biseda të çiltra për poezinë, historinë, udhëtimet, etj, koha kalon shpejt dhe të nxitet dëshira për të ardhur sërish. Vetëm kur largohesh e kupton se të mungojnë aq shumë enigmat e Së Shkuarës Historike të Byshekut, por edhe qetësia, ngjyrat, uji i freskët e gurgullues, ajri i tij i pastër e i shëndetshëm…

Në horizont mali i Bukanikut këmben me qiellin rrezet e diellit. Është koha kur çasti i tij i kuqërremtë përshkon si lindje anën tjetër të Botës, duke gllabëruar ngjyrat e muzgut të pamëshirshëm me pamjen e një triumfatori.

Bysheku është atje, një copëz paqe mes drurëve me këtë histori të Lashtë dhe krenari për  vendasit, si një bukuri që e ka falur natyra.



(Vota: 3 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora