E premte, 29.03.2024, 01:15 AM (GMT)

Shtesë » Historia

Noli nuk pranon kompromis me Enverin

E shtune, 06.09.2008, 03:00 PM


VIOLETA MURATI 
 
Pse Enver Hoxha nuk ia arriti të bënte biznes me Nolin në luftën kundër Departamentit të Shtetit? Cili ishte reagimi i Nolit për bashkëpunimin që i ofroi qeveria komuniste në Shqipëri? Si shkuan marrëdhëniet mes qeverisë komuniste shqiptare dhe emigracionit shqiptar në Amerikë? Cilat ishin përpjekjet greke për të zënë vendin e kishës shqiptare në Amerikë?

“Marrëdhëniet shqiptaro-greke gjatë periudhës së Luftës së Ftohtë përbëjnë një ndër problemet e rëndësishme të historiografisë sonë, ende të pastudiuara. Pikërisht, kjo ka qenë arsyeja kryesore që më ka nxitur për t’i hyrë studimit të tyre, me shpresën se ky kontribut mund t’i shërbente inteligjencës, studentëve dhe lexuesit të gjerë shqiptar”, tregon historiani Beqir Meta, në librin e tij. Botimi “Shqipëria dhe Greqia” (1949-1990), që i paraqitet lexuesit, është rezultat i punës kërkimore të Metës në bibliotekat e Shqipërisë, Greqisë, SHBA, Britanisë së Madhe, Turqisë e Bullgarisë dhe në arkivat shqiptare, amerikane e britanike. Ai është vazhdim i studimit të mëparshëm me titull: Tensioni greko-shqiptar 1939-1949, botuar në vitin 2002. Në qendër të këtij botimi është situata e krijuar midis Greqisë e Shqipërisë gjatë periudhës më të gjatë të Luftës së Ftohtë, tendencat e zhvillimit të saj, përpjekjet, vështirësitë, dështimet dhe progresi që u bë për normalizimin e marrëdhënieve shqiptaro-greke. Janë pasqyruar faktorët e brendshëm dhe të jashtëm që ndikuan në këtë proces si dhe rezultatet historike të tij.

Gjatë fushatës që u zhvillua kundër përpjekjeve greke për të shtënë në dorë kishën shqiptare në Amerikë, qeveria komuniste u përpoq të bënte edhe njëfarë biznesi me Fan Nolin. Ashtu si në vitin 1949, kur ajo e kishte shtyrë atë të bënte një deklaratë kundër ballistëve, ajo po përpiqej ta hidhte Nolin në luftë të hapur me Departamentin e Shtetit dhe me krerët e “Vatrës”, të cilët po mbanin një qëndrim kritik ndaj regjimit. B.Shtylla i dërgoi një letër Nolit, në të cilën theksonte se, prapa Marko Lipes, nuk qëndronte vetëm Patriarkana e Stambollit, por edhe Departamenti i Shtetit, prandaj “edhe lufta, që i duhet bërë Marko Lipes, është e pandarë nga lufta kundër ‘megali idesë’ dhe kundër imperializmit amerikan, që kanë të njëjtin qëllim: të përmbysin pushtetin popullor e të copëtojnë atdheun tonë”. B.Shtylla përpiqej ta lidhte goditjen ndaj M.Lipes me luftën kundër emigracionit politik, të cilin, padrejtësisht e konsideronte si mbështetjen e tij logjike. Ai i kërkonte me këmbëngulje Nolit, që të godiste hapur Qerim Panaritin dhe, tërthorazi, i kërkonte eliminimin e tij, në shkëmbim të paqtimit të qëndrimeve armiqësore që kishte mbajtur ndaj Nolit dhe Peshkopatës organizata “Shqipëria e Lirë”, e cila ndodhej nën kontrollin e plotë të qeverisë komuniste. Noli, nga ana e tij, nuk ra në këtë kurth dhe nuk iu përgjigj kësaj letre të B.Shtyllës. Kjo politikë e qeverisë komuniste e pengoi mjaft bashkimin e emigracionit shqiptar në Amerikë. Për këtë arsye, edhe luftën e tij kundër politikës, propagandës dhe influencës greke.

Pas vitit 1950, fushata e shqiptarëve të Amerikës kundër ndërhyrjes së Patriarkanës u fuqizua dhe autoriteti i Peshkopatës u rivendos mbi shumicën dërmuese të kishave shqiptare. Sidoqoftë, jashtë kontrollit të saj mbetën dy kisha, Shën Trinia e Bostonit dhe një kishë në Çikago.

Marko Lipa i vazhdoi përpjekjet për ta armiqësuar Nolin me Departamentin e Shtetit. Në vitin 1958, ai i dërgoi administratës amerikane një raport të gjatë mbi gjendjen në Kishën Ortodokse Shqiptare, në të cilin e cilësonte Nolin si një njeri, që ishte marrë më shumë me politikë se sa me fenë dhe, që prej vitit 1920 deri më sot, ka qenë prokomunist. Ai e paraqiste origjinën shqiptare të Nolit si të dyshimtë, po kështu dhe besimin kristian të tij. Përveç Nolit, ai sulmonte edhe “Vatrën” e “Diellin”, të cilat i paraqiste si subjekte e vegla politike të qeverisë së Enver Hoxhës dhe si armike të Amerikës. Gjithashtu, Lipa theksonte se qeveria e Tiranës po e përdorte edhe peshkopatën shqiptare të Amerikës për të përhapur propagandën e saj komuniste në diasporën shqiptare. Ai sulmoi ashpër kërkesën e Nolit për lidhjen e KOASH të Amerikës me kishën mëmë të Shqipërisë, duke e paraqitur si të rrezikshëm për interesat amerikane dhe si dëshmi kompromentuese për të. Por në këtë dokument pohohej edhe fakti se, një komitet special në Natick dhe në Massachusetts, i kishte kërkuar patriarkut të Kostandinopolit, Athenagoras, që të emëronte Marko Lipen peshkop të kishës shqiptare në Amerikë. Shpejt u zbulua se Marko Lipa mbante lidhje me ambasadën greke në Uashington, gjë që ndihmoi për demaskimin e tij. Ai mundi të mbante në dorë kishën e Çikagos, për arsye se një pjesë e madhe e kolonisë së atjeshme ishte me origjinë nga fshati i tij, qyteza e Korçës.

Fushata e Patriarkanës dështoi në arritjen e objektivave të saj. Por, edhe kisha shqiptare e Amerikës u detyrua të modifikonte disa qëndrime të saj. Ajo u detyrua të ngrinte lidhjet me kishën e Shqipërisë dhe të hynte në rrugën e bashkimit me kishën ortodokse amerikane. Kjo politikë e re synonte, pikë së pari, të mbronte kishën shqiptare të Amerikës nga presioni dhe synimet e Patriarkanës. Peshkopata shqiptare, gjithashtu, ishte e detyruar të vepronte kështu, për arsye të presionit të madh që ushtrohej ndaj saj nga administrata amerikane. Ky presion lidhej me politikën antiamerikane të qeverisë së E.Hoxhës dhe me ndërhyrjen e saj në çështjet e KOA-s të Shqipërisë. Ky qëndrim i Nolit ishte i drejtë dhe i saktë, sepse ai arriti të zbuste presionin amerikan dhe t`i hiqte Patriarkanës greke argumentin e saj të preferuar se, gjoja, kisha shqiptare e Amerikës ishte shndërruar në një bastion të regjimit dhe të propagandës komuniste në Amerikë. Kështu, ai arriti të neutralizojë dukshëm presionin e Patriarkanës, e cila po përdorte me mjeshtëri edhe Departamentin e Shtetit. Duke mos u lidhur me KOA-n e Shqipërisë, as Noli dhe as kisha shqiptare e Amerikës nuk “u përcëlluan”, siç është shprehur në kujtimet e tij B.Shtylla.

Nga ana tjetër, ballafaqimi me Patriarkanën nuk e ndryshoi vijën e KOASH të Amerikës ndaj politikës greke. Në vitin 1952, konventa vjetore e saj i dërgoi Departamentit të Shtetit një memorandum tjetër proteste kundër synimeve greke, për aneksimin e Shqipërisë së Jugut. Të njëjtin qëndrim mbajti dhe “Vatra”. Ndonëse në shtyp dhe tek drejtuesit kryesorë të saj dukeshin qartë qëndrime ideologjike dhe paqartësia për t`u orientuar drejt në situatën e krijuar midis SHBA dhe qeverisë së Tiranës, “Vatra” vijoi me konsekuencë të mbronte Shqipërinë nga pretendimet greke. Në dhjetor të vitit 1952, sekretari i “Vatrës”, Qerim Panariti, i kërkoi sekretarit të Shtetit, Dean Acheson, se, me qëllim që SHBA të rifitonin prestigjin e mëparshëm tek populli shqiptar, duhej që Senati Amerikan të hidhte poshtë rezolutën Pepper të vitit 1946 dhe të deklaronin pa ekuivoke se kufijtë e vitit 1939 do të mbeteshin të pandryshuar. Gjithashtu, duke patur parasysh faktin se SHBA kishte marrëdhënie të përzemërta me Greqinë, qeveria amerikane duhej të bënte presion ndaj qeverisë greke që të hiqte dorë nga pretendimet kundrejt Shqipërisë së Jugut.

Panariti e konsideronte këtë rrugë si më të drejtën dhe më të përshtatshmen për ta shkëputur Shqipërinë nga Bashkimi Sovjetik. Ai, njëkohësisht, kritikonte propagandën dhe premtimet e vakta të “Zërit të Amerikës”, të cilat i konsideronte të padobishme. “Për aq kohë sa do t`i mbajmë pretendimet greke kundrejt Shqipërisë së Jugut, si shpatë mbi kokën e popullit shqiptar, theksonte ai në letrën e tij, ne do ta shtyjmë atë gjithnjë e më tepër në krahët e Bashkimit Sovjetik, sepse ne nuk mund të presim që shqiptarët të kërcejnë nga tigani në zjarr, pra, të largohen prej rusëve dhe të gëlltiten prej Greqisë”.

Pozicioni i qeverisë komuniste ndaj diasporës shqiptare të Amerikës ndryshoi sërish në vitin 1961. Në këtë kohë, “Vatra” u godit me të gjitha forcat si një organizatë “tradhtare” e “antishqiptare” dhe Tirana dha urdhrin se ajo duhej shkatërruar. 



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora