Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Agron Shele: Ekrem Ajruli - 105 vite Sulm e lot

| E hene, 13.11.2017, 06:25 PM |


“105- Vjetori i Shpalljes së Pavarësisë” si përpjekje dhe kujtesë e pashlyeshme e udhëtimit të shqiptarëve në faqen e këtij fundshekulli

(Referim rreth Antologjisë poetike “105 vite Sulm e lot” të autorit Ekrem Ajruli)

Nga Agron Shele

Në 105- Vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë,  një shpallje që e ndau vendin nga fuqitë e mëdha në 4- pjesë, autori Ekrem Ajruli vjen me librin e tij antologjik: “105 vite Sulm e lot”  të përfaqësuar nga autorët më të njohur shqiptarë në Shqipëri, Kosovë, Lugina e Preshevës, Maqedoni, Mali i zi, Çamëri dhe Arbëreshët e Italisë. Që në titull nënkuptohet përpjekja e madhe e shqiptarëve për prosperitet e mbijetësë, e cila ashtu e copëzuar kalonte përmes kalvareve dhimbje, lot, lëvizje biblike, masakra të shumta, përpjekjes për çrrënjosjen e indetitetit kombëtar, por që unifikimi i vlerave kombëtare e shpirtërore, i gjuhës shqipe arriti të ruajë të pacënuar këtë traditë të shkëlqyer të ardhur që nga fiset pellazgjike dhe ti mbijetonte barbarisë e urrejtjes për asimilim dhe tjetërsim të një prej kombeve më të vjetër, sikurse jemi ne shqiptarët. Në shtjellën e moteve vitet shkojnë dhe përmes këtij rrugëtimi shekullor mbi fatet e shqiptarëve kaluan retë më të zeza, lufta ballkanike, diktatura në Shqipëri, gjenocidet e shumta në Kosovë, përpjekjet për të drejta të ligjshme në Maqedoni, masakrat në Çamëri, masakra e Tivarit që ende klithmon frymën e pashembullt të urrejtjes njerëzore, ngjarje këto që u zhvilluan rrëqethshëm faqes së Europës dhe padyshim përmes vargjeve poetike u shndërruan në memorium, dhe kujtesë për gjithë brezat që do vijnë. Sigurisht arti është gjithmonë një hap para, është fjala që di të ngrejë peshë dhe të bëhet lajmëtare e shpresave të mëdha, të shndërrohet në ndërgjegjie kombëtare dhe të kultivojë besimin dhe rrugën drejt unifikimit të vlerave më progresive, të mbajë gjallë zemrat e ndezura e të jehojë përjetësisht fatet dhe historinë e një populli. Pavarësisht se kjo Antologji në koncept i referohet afatit kohor të këtij Jubileu historik (105-vite), koha e përfshirjes dhe anagazhimit poetik e patriotik prek një peridhë shumë më të hershme, pra nis me Rilindasit, me atë ëndërr të madhe, që e deshifruar përmes ideve të tyre, vargjeve të ndritshme, u shndërruan në zërin dhe memorien e gjithë rrugëtimit të shqiptarëve. Nën këtë lajmotiv dhe ide përmes poezive të Rilindasve të mëdhenj, të cilët kanë ëndërruar përherë një Shqipëri etnike, të lirë e të pavarur ( Naim Frashëri, Pashko Vasa, Asdreni, Çajupi ) apo pjesmarrësve të Kongresit të Manastirit ( Fishta, Mjeda) e për të kaluar pastaj tek autorët më të njohur ( Noli, Poradeci, Ali Asllani,  Kadare, Agolli, Spahiu, Malëshova, Arapi, Mekuli, Shkreli, Martin Camaj, Din Mehmeti, Podrimja, Brovina, Vinca, Shenjtëria e saj Nënë Tereza, Ajruli, Safet Hyseni, Shabani, Zef Serembe, Vorea Ujko, Bilal Xhaferri, etj ), si  dhe poetë të tjerë të rinj, duke plotësuar kështu një fizionomi të plotë të gjithë asaj ideje të madhe për një komb, një qëndrim, një qëllim dhe një flamur.

“Ai popull që harron historinë e tij është i destinuar të shuhet”.

Është kjo thënie lapidar që qëndronte në mendjen e çdo ideatori, poeti  e atdhetari, e cili me përkushtim e punë të përhershme kërkonte në ato gjurmë të ndritshme dhe sillte portrete të gjalla, të atyre heronjve që ishin bërë simboli i gjithë qëndresës dhe rezistencës ( Skënderbeu), për të sjellë atë epope, atë krenari, atë sublimitet , i cili nis me vetë flamurin gjak e shkabë ( dinasti e Kastriotëve)  dhe e shpalos përjetë qiejve të lirisë.

Një publikim i tillë në këtë jubile hedh tjetër dritëhije dhe vjen si klithmë e asaj përpjekje, për të ndjekur gjurmët e ndritshme të gjithë martirëve dhe patriotëve, për plotësimin e gjithë aspiratës shekullore, atë të shembjes së gjithë mureve e barrierave dhe fillimin e një epoke të re, epokën shqiptare. Vargje të tilla, si: Rreth flamurit të përbashkuar ( Himni Kombëtar),  O moj shqypni e mjera shqypni ( Pashko Vasa), Gjuha jonë ( Frashëri), Gjuha shqype ( Mjeda), Mëmëdhe quhet toka ( Çajupi), Porsi kanga e zogut t'verës ( Fishta), Vlora, Vlora ( Ali Asllani), Unë e dua Shqipërinë ( Malëshova), Atdheu është dhimbje, është dhimbje ( Fatos Arapi),  Atdheu është dheu i birit e i atit e i shpirtit të shenjtë ( Shkreli), Kosava është gjaku im që nuk falet ( Podrimja), Atdheu im është një vend i vogël me emrin Shqipëri ( Nënë Tereza), Etshëm kur kam qenë-majat e tij në ëndërr i kam parë ( Murat Isaku), Grykë e Kaçanikut mbuluar me borë ( Agim Vinca), Mblidh copat e tua ( Miradie Maliqi), Gjuha ime ( Ekrem Ajruli), Baladë çame ( Bilal Xhaferri), Flamuri shqiptar ( Zef Serembe), Moment arbëresh ( Vorea Ujko) etj, janë vargje që tashmë mësohen bashkë me gjuhën e nënës, që në ninullat e tyre në të gjitha viset shqiptare dhe në emigracion  dhe jehojnë si në përjetësi atë dashuri të pakufi për atdheun, atë qëllim të shenjtë për të ecur përpara e për të evokuar vlerat tona më të mira kombëtare.

Botimi i këtij libri antologjik nga autori Ajruli, vjen si një kujtesë e shkruar përmes viteve të stuhishme, vjen si unifkim i gjithë vlerave tona shpirtërore e kombëtare, vjen si amanet dhe testamenti i të parëve tanë, që kërkojnë shërimin e gjithë plagëve të historisë dhe fluturimin e lirë të gjithë bijve të shqipes në tokën dhe vatrën e etërve dhe stërgjyshërve tanë Arbnorë e Ilirikë.