Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Gani Mehmetaj: Jerina e dy kështjellave të Dardanisë

| E hene, 13.11.2017, 07:27 PM |


Jerina e dy kështjellave të Dardanisë

Nga Gani MEHMETAJ

Fytyra e Jerinës kishte bardhësi verbuese. Sytë të magjepsnin. Rrugëve të qytetit të shtruar me gur lumi thembrat nuk i preknin gurët e lëmuar, ndërsa majat e gishtave rrëshqisnin si në vaj. Jerina ndryshonte nga të tjerat. Shpesh i dilte para sysh fytyra e saj engjëllore nën dritën e hënës, kur bënte roje në bedenat e kështjellës së Lekës, po edhe ditën kur nisej me një duzinë kalorësish në inspektimin e rrugëve malore që gëlonin nga pritat e cubave.

Nami për bukurinë e saj e la pa gjumë. Fshehtësia që e mbulonte si mjegull e dendur emrin e shtatin e saj e turbullonte.

E gjatë, hollake, trupi i lakohej si ngjalë, pëshpëritnin ata që kishin dëgjuar nga goja e atyre që mburreshin se e kishin parë si përftim ere. Kishte fytyrë rrezëllitëse të bardhë, flokët e mëndafshta ngjyrë gruri të pjekur i fëshfërisin si fletët e akacieve. Sytë i shkëlqejnë sa të linte të mbërthyer në vend. Ishte me pamje engjëlli e djallushe. Të tundonte hapi i lehtë, të bënte për vete shtati që lakohej e këllqet që dridheshin. Një shkëlqim shajnie ia rrethonte kurorën e flokëve. Kur ecte rrugës së kalldrëmit, gjethet e pemëve e të lisave nuk fëshfërijnë, pushonte cicërima e zogjve, frymëmarrja e burrave pasi t'ua ketë ndal diafragmën, shpërthente në ofshama që të  vinin në vesh dhimbshëm. Pak kush e kishte pa, të gjithë flisnin për te sikur ta kishin fqinjën e parë që ua mori ëndrrën dhe ua çrregulloi gjumin.

Kalorësit me emrin e saj në gojë, niseshin në beteja. Me emrin e saj në buzë trimat lëshonin grahmat e fundit, pasi kishin marr goditje vdekjeprurëse nga shpata e armikut.

Kjo ishte Jerina e Platorit, princit ilirë të Luginës së Dardanisë, që zotëronte fusha e male në të dy anët e Drinit të Bardhë. Zotëronte tri kështjella.

Për Jerinën flisnin të gjithë nga maja e bjeshkës deri thellë në luginë, për te u thuren  legjenda, dy kështjella të bukura ilire emrin e saj mbanin, dy çeltina me lule që të dehnin  livadhet e Jerinës quheshin, dy kurora malesh për Kurorat e Jerinës i dinin. Sikur të kishte mundësi tërë bjeshkët e Lugina emrin e saj do të mbanin.

Renditeshin bëmat e saj me bukuri. Në përgament, në vend të regjistronte kronisti jepte copa të jetës së vet, në vend të përshkruante, ai ofshante, si te qe vet njëri nga ata që vuanin për Jerinën dhe dashurinë e saj. Kur pritej të bënte distancën në mes të saj e burrave që ia kërkonin dashurinë, ai futej në brendësinë e gjëmës që e kishte gjetur djelmeninë që as hanin, as pinin. Jerina notonte në mes të ofshamave e dëshirave erotike të djelmoshave, por edhe dëshirimeve të burrave të pjekur. Ajo lëkundej si anija në dallgët e detit.

Burrat e ri donin të dëshmoheshin, sepse e dinin që ajo nuk mjaftohej vetëm me pëshpërima e ofshama, ajo kërkonte dëshmi dashurie e sakrifice. Ngjishnin armët, niseshin në kërkim të lavdisë, merrnin rrugët e panjohura, me shpresën se do të ktheheshin me kurora dafine. Shumë prej tyre nuk ktheheshin më, bota ishte e madhe, me shumë joshje e më shumë të papritura, bota u hapej para si mister, ajo i përpinte. Të tjerët nuk largoheshin shumë, sepse nuk u bënte zemra të shkonin prapa diellit e të mos e shihnin më, prandaj silleshin nga kështjella e afër në tjetrën, me shpresë se dikush do t'i ftonte për të dëshmuar trimërinë, por fama ishte diku tjetër, ndërsa ata i lëshonte zemra kur mendonin se duhej të kaptonin male e dete për t'ia dëshmuara Jerinës dashurinë.

Kronisti kishte renditur një himn të gjatë për bëmat e bukurisë së Jerinës, shpesh i ngatërronte  bëmat e legjendat. Imazhet e mbysnin me oreolin e bukurisë që i mori në qafë djemtë e ri e burrat e pjekur, jo pse ajo e donte këtë sakrificë të tyre, megjithëse femrave kurrë nuk u dihet çka duan e çka presin. Kronisti ishte i sigurt se ajo nuk ia kërkonte askujt sakrificat, as u thoshte një fjalë të vetme. Por ata e ndjenin se duhej ta bënin, ashtu kishin lexuar në kronikat e mëhershme për dashurinë, ashtu ua donte qejfi, prandaj nuk i rezistonin tundimit që ta provonin vetën, ashtu sikurse nuk i rezistonin tundimit që po patën mundësi ta rrëmbenin dhe të mos ia lënin tundimit të tjetrit.

Këto fantazoja, ndërsa ngjitesha kodrës së rrëpinjtë në kështjellën e Jerinës. Askush nuk e dinte  me saktësi pse e mbante emrin e Jerinës kjo kështjellë e lartë, ku mezi ngjiteshe nëpër një dhiare  malore, dikur e shtruar me gurë të skalitur lumi, pakkush dinte kush ishte Jerina, kjo femër që e frymëzoi princin a zotin e kështjellës ta pagëzonte një kështjellë me një emër simbolit të bukurisë.

Edhe fortifikata tjetër malore përtej rrjedhës së epërme të Drinit, emrin e Jerinës mbante, ndërsa asnjëra kështjellë për dashuri e romantikë nuk ishin. Thua t'i ketë ngrysur ditët e fundit në Kështjellë, sipëri qytetit të Jakut, larg nga qyteti i madh Perzerendi, ku sipas legjendës e njohu të dashurin, ndërsa e ngrysi jetën në pikëllua.

Zia e mbuloi vendin e Jerinën kur erdhi kumti se Kalorësi ra më shumë ushtarë në betejën kundër barbarëve të veriut që shkretonin ngado që shkelnin. Fundi i kalorësit u shpërnda nga katundi në katund, nga qyteti në qytet, por askush nuk e mori vesh fundin e Jerinës. Mbase nuk pati fund sikurse njerëzit e vdekshëm. U shkri me erën, u bë petale, aromë lule, gjethe fëshfëritëse  që s'pushonte kurrë drithërimën.

Në versionin tjetër të legjendës thuhet se ajo u nis drejt veriut, në kërkim të kalorësit të saj dardan, por rruga ishte e pakalueshme, murtaja e shkretoi Dardaninë. Nuk arriti në cak dhe nuk u kthye mbrapshtë.

Në kështjellë nuk kishte asnjë shtatore, mungonte sheshi me  lule, shteruan currilat e uji. Para nesh shtrihej një rrënojë kështjelle, e mbuluara me shkurre e lisa të gjatë, e mbështjellë me rrënjë të pemëve e gurë të hapërdarë gjithandej. Kohë e gjatë kishte kaluar, shumë ujë rrodhi nën urën e Shenjt të Drinit të Bardhë, ecën vjetet, ndërruan stinët, por askush nuk e dinte kush ishte Jerina, që u shpirtëzua në lule.

Ofshamat e pëshpërimat e saj, që i  barte era e malit, apo fresku i Luginës dalëngadalë u shndërruan në legjendë, në pëshpërima që dilnin nga zgori i lisit, nga degët e shpërndara në kurora malesh, nga gjethet, lulet, pa u kuptuar ishin reale apo ishin të imagjinuara, i stisnin rrëfimtarët a mbështeteshin në ngjarje reale, jetoi kjo grua që mori në qafë shumë djemë pa dashjen e vet, a ia shpifen gjërat që nuk i pati, i plasi zemra nga dashuria e fshehtë që nuk e kuptoi askush apo iku nga epshet e lakmitë e burrave nepsqarë.

"Dashnia ishte ndryshe atëherë", tregonte plaku i krahinës së Kështjellës së Jerinës. "Ni herë në pesë muj takoheshim msheftas me të zgedhunen e zemrës, gjysa e kohës na shkonte tuj kja nga përmallimi, gjysa tjetër tuj vrojtu mos na hetonte ndonjë sy i keq, që do të na merrte në qafë po e hapi fjalën se banim dashni."