E marte, 23.04.2024, 12:18 PM (GMT+1)

Shtesë » Historia

Enveri likuidon 1000 priftërinj e hoxhallarë

E diele, 07.09.2008, 03:26 PM


V.M

Letra e Enver Hoxhës, mbyllen kisha e xhamia

Enveri bastis 8 manastire me 500 krerë bagëti

Pasi feja vihet nën kontrollin e shtetit nëpërmes ligjeve, në vitin 1967 nis lufta klasore për ç’rrënjosjen e botëkuptimit fetar si dhe mbyllja fizike e kishave dhe xhamive.

Kjo ishte fill pas fjalimit të Enverit më 6 shkurt 1967, për ta zhveshur popullin nga besimi fetar dhe futur në botëkuptimin marksist-leninist.

Në vitin ‚67, Komiteti Qendror, sektori i edukimit, nxjerr një raport informativ mbi rezultatet e para të luftës kundër fesë dhe disa masa që u morën për çrrënjosjen e saj, duke u zëvendësuar me ideologjinë marksiste-leniniste.

Për herë të parë zbardhen dokumente arkivorë të mundësuar nga Qendra e Traumës dhe Rehabilitimit, dhuruar prej Arkivit të Shtetit shqiptar. Me këtë shënohet dhe fillimi i luftës së hapur të qeverisë komuniste kundër fesë, duke e lidhur veprimtarinë e tyre me elementë armiqësor.

Ku u përqendrua fronti i luftës kundër fesë? Cilat ishin karakteristikat e saj kryesore? Nga besim, feja kthehet në një vatër lufte ideologjike, duke u cilësuar nga Partia Komuniste si „një hap i madh revolucionar i paparë deri tani në historinë e vendeve socialiste“. Cilat ishin masat që mori Enver Hoxha për të likuiduar klerikët profesionistë? Cilat ishin masat që mori partia për të zhdukjen e legjendave dhe „çudirave“ për vendet e shenjta? Në çfarë objektesh u shndërruan ndërtesat e kishave dhe xhamive? Si u kufizuan ritet dhe festat fetare me vendim qeverie? Viti 1967 është periudha më e errët për besimtarët, ku shënohen persekutimet më të egra të diktaturës.

Enver Hoxha lëshon urdhërin për likuidimin e 1000 priftërinjve dhe hoxhallarëve si dhe neutralizimin e klerikëve jo profesionistë. Në raportin informativ të përgatitur nga KQ i PPSH mbi rezultatet paraprake në luftën kundër fesë flitet për zhdukjen, me vendim, të legjendave dhe çudirave për vendet e shenjta. Kufizimi i riteve fetare dhe zënia e ndërtesave të tempujve fetarë, duke i kthyer në palestra, kinema dhe qendra kulturore.

**

Raport informativ mbi rezultatet e para të luftës kundër fesë dhe disa masa për thellimin e mëtejshëm të saj.

Kjo ndikoi për zhdukjen e mjaft koncepteve të frikës e legjendave fetare të thurura në shekuj rreth “çudirave“ të vendeve të shenjta, “dënimin me vdekje“ dhe “ngrirjes në vend“ të njerëzve që tentojnë t’i prekin, se ato i ruan “Zoti etj. Masat e panë me sytë e tyre dhe mjaft besimtarë e shprehën hapur këtë, se gjithë ato legjenda rreth “vendeve të shenjta“ ishin gënjeshtra të kota dhe, kjo shërbeu për edukimin e tyre. Por ky sukses me rëndësi nuk duhet aspak të krijojë mendimin se çdo gjë mori fund. Ne kemi përpara për të bërë një punë jashtëzakonisht të madhe, sepse siç theksoi shoku Enver në Kongresin e 5-të, lufta kundër ideologjisë fetare është luftë klase.

Me marrjen e institucioneve fetare kanë lindur edhe disa probleme. Pothuajse të gjitha ato, megjithëse po përdoren për qëllime ekonomike e kulturale, ruajnë pamjen e parë. Kjo, përveç të tjerash, në heshtje u kujton besimtarëve kishën apo xhaminë, dhe ta konsiderojnë atë gjithmonë si vend të shenjtë dhe te brezat që rriten ndikon keq psikologjikisht. Prandaj, mendojmë se disa prej tyre që pengojnë planimetrinë e sotme të ardhme të fshatrave apo të qyteteve të prishen, duke marrë si kurdoherë mendimin e popullit dhe ku ka mundësi të bëhen ndërtime të reja. Po kështu të prishen ato që janë rrezik shembjeje, të vjetra, dhe që s’kanë asnjë vlerë historike dhe arkitektonike.

Sipas mundësive të ndryshojë pamja e atyre që janë vënë në përdorim për nevoja të ndryshme, sidomos ato që po përdoren e do të përdoren si kinema, shtëpi e vatra kulture, palestra etj. Nga rrethet propozohet me të drejtë që: Ministria e Arsim-Kulturës (Instituti i ruajtjes së monumenteve të kulturës) të rishikojë kriteret që ruajnë një numër të madh kishash e xhamish, pa ndonjë vlerë historike.

2. Një rezultat tjetër shumë pozitiv është likuidimi i funksionit zyrtar të klerit profesionist dhe neutralizimi i klerikëve jo profesionistë. Nga të dhënat del se në rrethe kishte 912 klerikë profesionistë, nga të cilët rreth 550 hoxhallarë dhe afro 400 priftërinj, dervishë, shehlerë etj. Numri më i madh i tyre ka qenë në ato rrethe, ku edhe numri i institucioneve fetare ishte më i madh. Veç këtyre një pjesë e kishave dhe xhamive ka qenë falur nga besimtarë që bënin pjesë në këshillat e kishave apo të xhamive, numri i të cilave arrin në disa mijëra vjet.

Sipas udhëzimeve të KQ, të gjithëve u është siguruar punë, por një pjesë, duke qenë të moshuar, pas mbylljes së institucioneve rrinë pranë familjeve të tyre. Shumica punën e ka filluar në kooperativat bujqësore, sepse aty kishin edhe familjet, ndërsa një pjesë fare e vogël është vendosur nëpër ndërmarrje. Në këtë drejtim nuk ka ndonjë problem. Vetëm një çështje del për disa klerikë që përfitonin pensionin dhe që kanë vështirësi ekonomike. Me bllokimin e fondeve u ndalua edhe pensioni që ata merrnin. Kjo mund të shikohet konkretisht nga organet shtetërore, duke gjetur një rrugë të arsyeshme zgjidhjeje. Ka rëndësi të shikohet cili qe qëndrimi i klerit.

Në gjithë këtë lëvizje të madhe të masave kundër fesë, qëndrimi i klerikëve ka qenë i ndryshëm. Një pjesë e mirë e klerit tregoi edhe në këtë rast patriotizëm, lidhjet e tij të ngushta me partinë.

Ata të nisur nga besimi që kanë te partia, në përparimin e vendit, mbështetën e përkrahën iniciativat dhe kërkesat e masave. Një pjesë tjetër, megjithëse të pabindur për drejtësinë dhe domosdoshmërinë e mbylljes së institucioneve fetare nga populli, u pajtuan me të ose mbajti qëndrim të heshtur. Kurse disa të tjerë i rezistuan dhe vazhdojnë t’i rezistojnë lëvizjes së masave dhe mbajnë një qëndrim reaksionar ndaj saj. Në mjaft raste, këta në bashkëpunim me elementë të tjerë armiq brenda vendit, janë munduar të na dëmtojnë me të gjitha mënyrat. Diku, duke përfituar edhe nga dobësitë e punës politike dhe ideologjike të disa organizatave të partisë, janë përpjekur të ngrejnë besimtarët kundër zhvillimit të kësaj lëvizjeje me përmbajtje të thellë revolucionare.

***

Veprimtaria armiqësore është përpjekur që me anë të parullave dhe një seri veprimesh reaksionare të prekë pothuajse të gjitha sferat e politikës dhe të ideologjisë së partisë sonë. Ja disa nga drejtimet kryesore të kësaj veprimtarie:

Elementi armik dhe klerik reaksionarë, si gjithnjë, e drejton luftën e tij kundër partisë dhe pushtetit popullor, duke hedhur parulla nga më të ndryshmet si: “Këtë që bënë këta nuk e ka bërë as turku, as greku, italiani e gjermani, kur na kanë okupuar”, ose “Kur të vjen fundi vete përplasesh në derë të kishës ose xhamisë, kështu që edhe kjo që bëjnë këta tregon fundin e tyre” (Kolonjë); ose “Kjo qeveri nuk i ka punët mirë me prishjen e fesë” (Gramsh-Shkodër); ose “Këto janë vetëm fillimi, ndërsa fundi i tyre do të çojë në zhdukjen e familjes” (Vlorë) etj., etj.

Ata përpiqen të lidhin veprimin kundër fesë me kolektivizimin dhe shkurtimin e kopshteve personale dhe masat e tjera të partisë për t’i penguar ato, duke thënë: “Komunistët po i shkatërrojnë kishat e xhamitë, tokat na i morën dhe fenë na e hoqën” (Pukë) ose “Duke prishur teqet e kopshtet këta i hapën punë vetes” (Tepelenë) etj.

Janë përpjekur, gjithashtu, të krijojnë përshtypjen se në pushtetin popullor ka dallim fesh, krahinash, etj. Kështu në rrethin e Lezhës, ku është më i përhapur besimi katolik, janë përhapur parulla.

Nga ana tjetër të kihet kujdes që të mos lejohen raste që të ngatërrohet roli reaksionar i fesë me pjesën më të madhe të klerikëve, të cilët janë të lidhur me partinë dhe pushtetin popullor. Të bëhet, pra, diferencimi, ashtu siç është i diferencuar vetë qëndrimi i tyre. Për këtë pjesë klerikësh të mbahet parasysh porosia që jep shoku Enver në letrën e vet, që të tregohet kujdes e të trajtohen drejt e ngrohtë.

Disa rrethe kanë përdorur klerikë për të demaskuar ata vetë në sytë e masave, rolin reaksionar të fesë dhe kotësinë e besimeve dhe riteve fetare. Mendojmë se ky është veprim i drejtë, por do trajtuar me kujdes. Ata në asnjë mënyrë nuk duhet të përdoren si propagandist e agjitator për të shpjeguar politikën e partisë me masat e popullit.

3. Bashkë me mbylljen e institucioneve fetare dhe likuidimin e shërbimit të klerikëve, u zbuluan dhe u shkatërruan mjaft veprime me karakter politik e shoqëror, të njohura e të panjohura të fesë. Shpërndarja e këshillave të kishave e xhamive, ku qenë grumbulluar përgjithësisht njerëz të deklasuar, prishi një çerdhe jo vetëm fetare, por dhe armiqësore. Po kështu, shpërndarja e disa formave të tjera të organizuara pranë institucioneve fetare, si koret e këngëve fetare pranë kishave katolike e orthodhokse, e shërbimeve të ndryshme në teqet e vende të tjera të “shenjta”, është një sukses tjetër me rëndësi.

Gjatë marrjes në dorëzim të kishave, sidomos të atyre katolike, u gjendën mjaft materiale propogandistike, literaturë fetare e politike me përmbajtje armiqësore. Kështu, në kishën e Dardhës të rrethit të Pukës, u gjet një ditar, në të cilin ruhej si dokument falja e kishës së Dardhës në vitin 1939, me autorizimin e peshkopit të Shkodrës dhe leximi i letrës së Papës për bekimin e ushtrive të Viktor Emanuelit. Priftit të Kaçinarit në Rrëshen iu gjet fotografia e Zogut. Kur iu komunikua vendimi i popullit për marrjen e kishës, ai mbi çdo gjë u interesua që të shihej veçanërisht kjo fotografi dhe një ditar me përmbajtje politike.

4. Lufta për marrjen e kishave dhe xhamive u zhvillua në të njëjtën kohë edhe kundër dogmave, riteve e besimeve fetare, që përbën thelbin e luftës kundër fesë. Kjo e çoi luftën kundër fesë brenda në çdo familje dhe, kjo është lufta më e mprehtë, më e gjerë dhe më e thellë se sa marrja e kishave dhe xhamive. Ajo prek e trondit direkt ritet fetare si botëkuptim, festat e zakonet që janë futur e shkrirë në jetën e përditshme të njerëzve.

Edhe në këtë drejtim ka rezultate të mira. Diskutimi i gjerë mbi këto probleme në kuvende e mbledhje të ndryshme të popullit, zotimet që u morën dhe lufta që po bëhet për t’i vënë ato në jetë, është një shkollë e madhe revolucionare për masat. Si pasojë e kësaj pune, një pjesë e ikonave, kandilave, librave fetarë, mbishkrimeve etj., që ishin simbole të perëndisë në shtëpitë e besimtarëve dhe që çdo ditë i faleshin, u likuiduan dhe u dorëzuan.

Ceremonitë e festat fetare u kufizuan dhe po zëvendësohen në një pjesë të mirë me festat tona kombëtare, lokale etj. Kështu, Bajrami i vogël, më 22 mars u festua shumë më pak se çdo vit tjetër. Kjo jo vetëm në qytete dhe në shumicën e fshatrave të zonës fushore e kodrinore, por edhe në mjaft fshatra të zonës së malësisë. Në ditën e Bajramit, në përgjithësi, nuk pati mungesa në punë, siç ndodhte vitet e tjera, po ashtu në shkolla nuk pati mungesa të fëmijëve siç ndodhi p.sh. vjet, ku në disa fshatra të rretheve të Krujës, Tiranës, Peshkopisë etj., ditën e Bajramit mungonin shumica e nxënësve. Po kështu ndodhi edhe me Pashkët që ishin në fund të prillit. Karakteristikë ishte se shumë organizata partie, duke aktivizuar organizatat e masave, arsimtarët, institucionet kulturoro-artistike, morën masa më të mira se vitet e tjera, për të festuar mirë 1 Majin dhe festat e tjera, duke organizuar mbasdite argëtimi, shfaqje artistike publike jashtë qytetit, etj.

Duke pasur parasysh porosinë e shokut Enver, që thotë se: “Megjithë propagandën tonë të organizuar kundër fesë, riteve, dogmave, institucioneve fetare dhe klerikëve profesionistë, të kemi vazhdimisht parasysh që të mos futemi në luftë të hapët me njerëzit e popullit, sepse në popull do të ketë edhe njerëz të ndershëm të lidhur me partinë dhe patriotë të flaktë që do të ruajnë në ndërgjegjen e tyre edhe për shumë kohë, mundet edhe deri sa të vdesim, besimet e tyre. Puna me ta do të jetë një përpjekje bindjeje e vazhdueshme e me durim të madh...”.

5. Lufta kundër fesë duhet të trajtohet edhe sipas krahinave të vendit, sipas fshatrave, lagjeve e familjeve të veçanta, sepse edhe shkalla e besimeve fetare është e ndryshme.

Në secilin prej rretheve kanë vepruar disa fe. Por midis tyre ka dallime, sepse diku ka vepruar më shumë një fe sesa një tjetër. Një pjesë e krahinave të Veriut, si Shkodër, Lezhë, Mirditë, historikisht feja katolike ka patur influencë të madhe. Kjo duket edhe nga numri i kishave katolike që ka patur. Kështu, në Shkodër, numri i tyre arrinte në 67, në Lezhë dhe Mirditë nga 24. Në disa krahina të Jugut, si minoriteti (Sarandë, Gjirokastër), një pjesë e Korçës, Kolonjës, Vlorës, Fierit, Beratit e Lushnjës, Durrësit etj., feja orthodhokse ka patur një influencë të madhe. Në Korçë ka patur 132 kisha të mëdha e të vogla, në Gjirokastër 86, në Sarandë 21, në Kolonjë 90, në Vlorë 31, në Fier dhe Lushnjë nga 40 etj. Feja myslimane ka qenë më e përhapur në zonat e Elbasanit, Gramshit, Librazhdit, Dibrës, Kukësit, Tiranës, Burrelit etj. Kështu, në Dibër kishte 122 xhami, në Burrel 70, Librazhd 50 etj. Në Tepelenë, Përmet, Skrapar, Krujë dhe rrethin e B.Currit, influencë më të madhe kanë patur dervishët (shehlerët) si sekt i fesë myslimane.

Këto karakteristika, në rrethe të ndryshme të vendit kanë kërkuar dhe kërkojnë edhe një punë të diferencuar të propogandës sonë ateiste-shkencore. Kujdes të veçantë nga organizatat dhe komitetet e partisë kërkon minoriteti, ku influenca e fesë orthodhoske është më e madhe, në rrethin e Sarandës nga popullata minoritare që përbën 41.3% të popullsisë së rrethit, rreth 2500 frymë prej vitit 1932-1943.

Qëndrimi ndaj fesë për komunistët është një çështje parimore. Çdo komunist duhet të jetë ateist, sepse botëkuptimi fetar është i papajtueshëm me botëkuptimin marksist-leninist, që përbën bazën ideologjike të partisë tonë. Prandaj, kjo çështje nuk mund të lihet pa u vënë re dhe pa u ndalur. Në radhë të parë këtu është fjala për t’i edukuar komunistët, për t’i zhveshur nga çdo paragjykim e besim fetar, për t’i kalitur që të kapërcejnë çdo lëkundje, çdo nënshtrim për hir të “zakonit”, të “traditës familjare” etj., nëpërmjet kritikës parimore e shoqërore në organizatat e partisë. Lëkundja ndaj besimeve fetare është shfaqje e oportunizmit ndaj ideologjisë reaksionare, prandaj dhe nuk pajtohet me figurën revolucionare të komunistit.

Organizatat bazë, organet udhëheqëse dhe aparatet e partisë në rrethe, duhet t’i kthehen herë pas here këtij problemi, ta analizojnë, të bëjnë studime, të përcaktojnë drejtime e aksione të mëtejshme, të përgjithësojnë eksperiencën pozitive. Sektorët e edukimit kanë një rol të veçantë. Aktivizimi i gjerë i inteligjencës, ngritja e komisioneve ose grupeve për studimin e problemeve të veçanta ose për përgatitjen e leksioneve, lektorëve, bisedave, botimi i materialeve propogandistike dhe buletineve të ndryshme e forma të tjera pune, që janë praktikuar nga disa rrethe, të organizohen e praktikohen më gjerësisht edhe nga rrethet e tjera. Format e punës që ka përdorur çdo rreth sipas nevojës e kushteve konkrete të tij, janë të shumta e të ndryshme. Duke i parë ato me sy kritik të përgjithësohen e përhapen më të mirat, dhe sipas nevojave, vetë jeta do lindë forma të reja më efektive.

Në luftën për çrrënjosjen e botëkuptimit fetar, në punën për edukimin shkencor të masave, organizatat dhe komitetet e partisë duhet të udhëhiqen e të mbajnë mirë parasysh letrën e shokut Enver për këtë çështje në përputhje me kushtet e tyre konkrete.

SEKTORI EDUKIMIT

Kishat dhe xhamitë kthehen në palestër e kinema

Pas mbylljes së kishave dhe xhamive vendimi i dytë që zbret nga Komiteti Qendror i Partisë në vitin 1967 është shndërrimi i tyre në qendra kulturore, kinema ose palestra. Kjo është një nga formalizmat kundër fesë, që u dha në raportin informativ të nxjerrë nga sektori i edukimit në KQ, për të eliminuar psikologjikisht besimin e popullit tek Zoti, duke u zëvendësuar me idologjinë marksiste-leniniste.

**

„Me marrjen e institucioneve fetare kanë lindur edhe disa probleme. Pothuajse të gjitha ato, megjithëse po përdoren për qëllime ekonomike e kulturale ruajnë pamjen e parë. Kjo, përveç të tjerash, në heshtje u kujton besimtarëve kishën apo xhaminë, dhe ta konsiderojnë atë gjithmonë si vend të shenjtë, dhe tek brezat që rriten ndikon keq psikologjikisht. Prandaj, mendojmë se disa prej tyre që pengojnë planimetrinë e sotme të ardhme të fshatrave apo të qyteteve të prishen duke marrë si kurdoherë mendimin e popullit dhe ku ka mundësi të bëhen ndërtime të reja. Po kështu të prishen ato që janë rrezik shembjeje, të vjetra, dhe që s’kanë asnjë vlerë historike dhe arkitektonike.

Sipas mundësive të ndryshojë pamja e atyre që janë vënë në përdorim për nevoja të ndryshme, sidomos ato që po përdoren e do të përdoren si kinema, shtëpi e vatra kulture, palestra etj. Nga rrethet propozohet me të drejtë që: Ministria e Arsim-Kulturës (Instituti i ruajtjes të monumenteve të kulturës) të rishikojë kriteret që ruajnë një numër të madh kishash e xhamish pa ndonjë vlerë historike“. 



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora