E merkure, 24.04.2024, 07:00 PM (GMT+1)

Shtesë » Lajme

A mos quhet McCain presidenti i ri amerikan?

E diele, 07.09.2008, 01:28 PM


Nga Ardian Ndreca
 
Në Minnesota mori formën përfundimtare strategjia e republikanëve, të cilët janë të vendosun me e mbajt Shtëpinë e Bardhë. Fjalimi i kandidatit McCain ishte nji manifest në të gjitha pikëpamjet. Ai dijti me kthye pikat e dobta në kundësulme. Kurse Sarah Palin asht zbulimi ma i ri i politikës amerikane. Në qoftë se nuk do të fiket brenda dy muejsh, ylli i kësaj Thatcheri të re do të vijojë me ndriçue mjaft gjatë. Un jam ndryshimi, - foli kandidati McCain, me nji ton e me nji za si me qenë ai i patriarkëve të moçëm. I tillë don me u dukë kandidati republikan me flokë të bardhë, me fytyrën me nofulla katrore, me shikimin e vendosun dhe me fjalën e matun por të fortë. A guxon kush mos me i besue fjalë për fjalë kur thotë se ai asht ndryshimi? Simbas kandidatit republikan për me u ba president i SHBA duhet me pasë luftue e me pasë qenë rob në Vietnam, me pasë nji eksperiencë të gjatë në zyrat ku vendoset e ardhmja e botës në Washington, mos me e ça kryet a po i mbetë qejfi miqve apo anmiqve kur duhet me thanë nji të vërtetë, me i shti tmerrin burokratëve të Washingtonit që shpenzojnë pa kujdes paret e taksapaguesve, me gjetë burime të reja energjije sa me arritë autonominë e plotë, me ba nji politikë të re ekologjiste, me qenë i vendosun dhe me e kapë gjallë a vdekë nji sheik beduin, njifarë Bin Ladeni, mos me i lëshue ma asnji centimetër pe ish-KGB-istit që asht ba cari i ri i të gjitha Rusive, me punue me paqën në botë - por kur të jetë në funksion të paqes, mos me hezitue me ua ndezë fitilat topave. Ky asht ndryshimi simbas McCain-it: vijimsi dhe qortim i gabimeve të bame ma parë. Në at’ fjalim ai e falenderoi Presidentin Bush për çka ka ba dhe për faktin se ia ka ndigjue deri diku këshillat kritike, por në fjalën e tij McCain e thirri thjesht “presidenti” tue e shmang emnin Bush. Këto janë gjana të vogla, që vetëm gazetarët e papunë që duen me gjetë halën në përpeq shkojnë e shohin, - mund të thotë dikush! Në fakt nuk janë vogëlsina, janë gjana të studjueme në detaj, nji për nji, me nji racionalitet të thellë. Asht paradoksale, por fjalimet për me i marrë votën zgjedhësve janë ma racionale sesa shumë veprime që mandej mbrapa bajnë presidentat e zgjedhun. Mendoni fjalimet e kandidatit Klinton dhe mandej sjelljen e presidentit Klinton me nji ish-stazhiste të rrethit të tij! Shumë pak arsye, mjaft budallallek. McCain ka nji avantazh të dukshëm ndaj Obamës, ai ka punue dhe ka dijtë me i shtri dorën, siç e nënvizoi në fjalimin e tij, edhe eksponentave të partisë kundërshtare, pse ai don me punue vetëm për të mirën e vendit e vet e për ketë gja asht gati me bashkëpunue me kundërshtarët politikë. Mandej McCain ka shenjat e plagëve të luftës, e amerikanët vijojnë me qenë aq patriotë sa me nderue ata që kanë marrë plagë tue luftue për atdheun e tyne kundër nji ideologjie që rrezikonte mbarë botën. Nji faktor tjetër mundet me ndihmue McCain-in. Faktori “femën”. Janë dy femna që munden me qenë vendimtare për fitoren e tij. Njena quhet Clinton. Tjetra Palin. Senatorja Clinton doli e thyeme prej mbledhjes së kandidatëve. U dorzue vetëm në fund. Por në fund të fundit ajo - thonë analistat që e njohin me dhambë e rrëmballë - s’asht dorzue. Iu nënshtrue sa për sy e faqe disiplinës së partisë (edhe demokratët amerikanë kanë disiplinë partijet!) dhe i ftoi zgjedhësat me votue Obamën. Por andrra me u ba presidente e SHBA-së ka qenë tepër e madhe mbrenda asaj grueje ambicioze deri në vetëmohim. Ajo për ambicie ka durue gjithçka, përfshi edhe burrin e vet. S’i ka folë, s’ka fjetë me të, e ka sha nën za, por nuk asht largue, pse amerikanët, shumica puritanë protestantë, kanë vlera tradicionale e nuk do të kishin pranue kurrë nji kandidate presidente të ndame burrit. Senatorja Clinton ka durue shumë gjana për me u ba presidente. E sot e vetmja shpresë, sado e vokët, për me i hypë kalit të Shtëpisë së Bardhë, asht që Obama të humbin zgjedhjet e të fitojnë McCain. Me shpresën që McCain të bajnë nji politikë të keqe, të hapin ndonji konflikt tjetër, të rrisin inflacionin, recesionin ekonomik... me nji fjalë t’ia falin dreqit Amerikën. Atëherë senatorja Clinton, së cilës po i duken në faqe rrudhat e para serioze, do të mund të kandidohet rishtas e mund të fitojnë e mund të shpëtojnë SHBA-në tue hy në histori. Kaq, nji grue si ajo nuk mund të dojnë ma shumë se kaq. Dikujt munden me iu dukë andrra në beze, por Obama nuk i sheh ashtu. Admiruesit e admiruesat e saj e kanë nji ide se për kë mund të votojnë, prapë nji grue, po, nji grue që e ka quejtë vedin “pitbull me buzë të kuqe”. Asht Sarah Palin, konservatore, e fortë, e vendosun, e kanë quejt Margaret Thatcher-i e Alaskës, e mbajnë si nji Reagan të ri të politikës amerikane. Ta kishte Obama nji Sarah Palin me siguri që do t’ia shtinte frikën McCain. Por kandidaten Sarah Palin-in e ka tashma McCain-i, e ai vetë ka arsye me pasë njifarë frike prej saj, pse po fitoi zgjedhjet, ajo nuk asht prej atyne grave që kënaqet tue ndejt në hije. Fjalimi i saj ishte nji sulm ndaj së vjetrës, ndaj mungesës së vullnetit me ndryshue, ndaj paaftësisë së Obama-s me e nxjerrë Amerikën prej gjendjes së tashme. Palin iu drejtue mediave tue thanë se nuk ka shkue aty për me u pëlqye gazetarëve e televizioneve, ajo asht aty për me realizue nji projekt, nji ide. Ah, sikur të kishim edhe ne nji Sarah Palin, grue me idena, por edhe me karakter, grue që thotë atë që mendon, që s’i shërben thjesht karriges ku asht ul, por përpiqet që të gjitha karriget e stolat që ka përreth të zehen prej njerzish që i shërbejnë idesë, e ajo grue nji ide e ka në krye! Ndoshta do ta shohim shumë shpejt! ...



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora