E merkure, 24.04.2024, 11:15 PM (GMT+1)

Kulturë

Tefik Selimi: Vepër e rrëfyer për themelet e dashurisë

E shtune, 04.11.2017, 12:04 PM


Një vepër e rrëfyer për themelet e dashurisë dhe buzëqeshjes ...

Nga Tefik Selimi

Dihet mirëfilli se, vepra letrare ka shumë ndikim tek lexuesit ynë. Ajo (vepra) e kthen lexuesin më tepër se çdo kush tjetër. E bën për vete. E bën që ta interpretojë të mirën apo ... Pse jo? Nga veprat e tilla letrare, lexuesi i gjerë formon” botëkuptimin” e  tij. E imiton personazhin e veprës, përmbajtjen, qëllimin dhe mesazhin e saj. Jo vetëm kaq.

Autorja, gjilanase, Xhuli Spahiu, me veprën e saj më të re,“Buzëqeshi  jetës”, po reflekton këndshëm tek lexuesit për artin e saj që ka “shije” shkrimi që  ju ka afruar atyre. Kjo “formë” e shkrimit të saj ka dëshmuar edhe në veprën e parë “Dizajno jetën tënde”, e cila vepër është pritur me interesim të madh nga lexuesi ynë artdashës. Një gjë është e ditur se, tash nuk është koha e shkrimeve për dhembje, trauma, nihilizëm, tëhuajsim, zhgënjim, tronditje, skamje, shantazhe, urrejtje, përbuzje, vrasje, mashtrim, lodhje, por, tash është koha e shkrimeve për buzëqeshje të njeriut, për forcë pozitive, argëtim, gëzim, hare, për jetë të këndshme, për dashuri të mirëfilltë e për dashje e jetë ekzaltuese.

A e njihni shkrimtarin e madh francez,Viktor Hygon? Ky ishte poet, romaniser, filozof, dramaturg, polemist, i cili, në kohën kur jetoi, u quajt edhe “ndërgjegja e kombit francez”? Ai shkroi shumë vepra letrare. Është identifikuar me kombin, ndërgjegjen e tij. Poet që u rrit me shekullin e jetës. Me te, si shkrimtar, identifikohej Franca e asaj kohe. Vëllimi më i mirë i tij me poezi  “Soditje”, ishte vëllimi që përbëhej prej dhjetë mijë vargjesh poetike dhe është vlerësuar si “monument i poezisë” franceze. Ai, duke qenë njeri filozof, por edhe poet e romansier romantik, e ka poetizuar historinë shpirtërore të njeriut apo të individit të kohës së tij.

Ja si ka shtuar në veprën e tij “Soditje”: “Jeta ime është e juaja, jeta juaj është imja. Ju jetoni atë çfarë unë jetoj, fati i njeriut është një. Merreni pra këtë pasqyrë dhe e vështroni vetvetën: kur ju flas për Mua, unë kam folur për Ju!” Meditoj: sa e vështirë është të jesh njeri. Njeri që bashkon njerëzit. Bashkon e nuk i urren të tjerët. Kjo Perëndi nuk ka falë njerëz për urrejtje, por njerëz që dinë të flasin me gjuhën e urtakut dhe të ndërgjegjës.

Jemi tek vepra e Xhuli Spahiut “Buzëqeshi jetës”. Një vepër publicistike e shkruar me vullnet e me dashuri pune krijuese. Është vepër që flet për pozitivitet. Pse jo? Është një lloj ditari i jetës. Ka edhe diçka tjetër. Ky është projekti i saj, të cilin projekt e ka rrumbullakësuar me fuqinë e saj krijuese publicistike e artistike. Në anën tjetër, ky ditar është një (lloj) retorikë e autores, për faktin se, ajo këtu na del një zëdhënëse e madhe që e don jetën, i don njerëzit, reflekton kah mendimi pozitiv dhe asnjë fjalë nuk mundesh t’ia heqish nga fjalori i saj që i drejtohet lexuesve.

Pra, autorja e veprës, ngre zërin e arsyes, këshillon njerëzit, afron “receta”, jep mesazhe për jetë, dhe ka shprehje me elegancë e energji të thellë krijuese. Njeriu mendon se kjo është një Nëna Terezë apo një bamirëse e popullit, e cila flet e artikulon mendime për të mirën e njeriut. Ajo, përmes veprës së saj përcjell mesazhe te të  gjithë njerëzit e botës, të  cilët, në jetën e tyre të gjallërojnë, të kenë shpresa për jetë e lumturi të pritur.

Titulli i veprës është shumë domethënës, sepse artikulon dashuri për jetën. Kështu, “ autorja fillon të kryejë edhe detyrën mjaft sublime të një konsulenteje social-psikologjike, duke  u shndërruar kështëu në një psikologe empiriste, si aktiviste e spikatur nëpër shoqata të ndryshme për afirmimin e  mendimit pozititv, për liritë dhe të drejtat e njeriut, si dhe për paqë në glob”(f.15). Mandej, ajo shton edhe këtë se, “pata dëshirë e afsh që të shkruaja një libër dhe nëpërmjet tij të shëroja shumë zemra të njerëzve”(f.15). Kjo është edhe qëllimi i autores së veprës në fjalë.

Edhe Zekerija Idrizi, teolog, duke lexuar librin e Xh. Spahiut, “Buzëqeshi jetës”, shton se “...fytyra më  buzëqeshi, truri m’u renovua, shpirti përjetoi kulmin e ekstazës dhe satisfaktionit më të lartë, ndërkohë që metaforikisht vitet e jetës m’u shtuan, mbetem me shpresë që këto begati do  t’i përjetoni dhe ju, lexues të nderuar, pasi t’ju bie në dorë ky libër!”(f.19). Pra, kjo autore si në veprën e parë, po i këndon bukurisë dhe dashurisë. Këtu në vepër ka probleme morale, ku autorja flet hapur e me plot gojë për miqësinë në mes njerëzve, flet për diturinë  dhe pozivitetin, ku këto “sende” sjellin dhe artikulojnë ide me përmbatje pozitive teke njeri ynë, sot.

Nga fillimi e gjer në  fund, Xhuli Spahiu, autore, ka shpërfaqur mendësinë e  saj të lirë në formën lirike e retorike. Këto ide të saj janë përplot mesazhe për qetësi shpirtërore tek njerëzit, për një dashuri ndërnjerëzore, por aty vërehet edhe dashuria e saj ndaj jetës. Paraqitja e saj me këtë vepër fund e kreje me një notë pozitiviteti, sikur ndjehet një rebelim i saj i lehtë për një ndryshim të jetës së njerëzve, të cilët kanë nevojë për pozivitet dhe jetë normale. Pra, buzëqeshja si një gjest joshës për njeriun, reflekton shpejt dhe ndryshon “gjendjen” tek lexuesi ynë.

Xhuli Spahiu, autore e veprës, është, parasegjithash, një “misionare” shumë e  mrekullueshme, e cila posedon një shpirt të pasur me nektar të dashurisë dhe frymon me një zemër të madhe prej një  humaniste të rrallë tek ne. Ajo çdo ditë po jep kontributin e saj në reflektimin e gjërave të bukura të jetës.

Kjo është një “dhuratë” e kësaj kohe, e cila po e ushqen popullin me mendime e ide pozitive për jetë. Me të tilla mendime e ide, ajo po reflekton dhe po bëhet një misionare, humaniste në artikulimin e mendimit pozitiv tek të tjerët. Xh. Spahiu, me veprën e saj “Buzëqeshi jetës” po afron këshilla, mendime e “artikulime” të tjera në shërbim të njerëzve tanë që kanë nevojë. Ajo (Xhuli) është njeri zemër gjerë, shpirt krijues, e cila, në veprën e saj ka futur disa vargje, të cilat ua ka kushtuar fëmijëve të saj. Jo vetëm kaq.

Ajo ka këto mesazhe: “Përpiquni të mendoni me logjikë në vend të ndjenjave” (f.50). Ose: “Kur filloni fjalinë me “ky është faji yt”, mënyra e tillë e të menduarit mund t’ua shkatërrojë jetën”(f.51). Apo tek njerëzit që kërkojnë pak përkujdesje njerëzore, ajo shton: “Një fjalë e mirë, një buzëqeshje, freskon dhe zgjon ndjenjën e vlerës dhe të krenarisë”. “Jeta është e shkurtër në kënaqësi dhe e gjatë në ëndrra”(f.54). “Ju jeni Unversi im, jeni fryma dhe oksigjeni që unë thith në këtë botë. Ju ishit pranë meje kur unë më së shumti kisha nevojë për dashurinë tuaj”.

Ja retorika e saj për këmbëngulësinë dhe shton: “Mos u dorëzoni kurrë, në asnjë rast e rrethanë” (f.61). Këto janë këshilla dashurie për jetë. Në shumë mesazhe, autorja  e lufton të keqen, injorancën, dhembjen, shqetësimin, urrejtjen, përbuzjen, shantazhin, ligësinë, grykësinë, patalogjinë e  njeriut, dilitantizmin, amoralitetin, jetën e shfenuar, rrugën e gabuar të njeriut, gënjeshtrën etj. Ajo (autorja) është për një reflektim pozitiv tek njerëzit. Jep këshilla. Vlerëson të drejtën dhe të vërtetën në jetë. Është për një shoqëri plot dashuri për jetë, për dije dhe për fjalën e vërtetë. Ajo fton njerëzit që ta  duan jetën ashtu si është.  Shton: “Freskoje jetën me një buzëqeshje të thellë”(f.62). “Dhe prapë të them, mos harro të buzëqeshësh në radhë të parë për vetën tënde, pastaj për të tjerët”(f.63). Ajo bën lutje tek të gjithë njerëzit, dhe shton: “duaj e dashuro dhe kurrë mos urrej, sepse, - një buzëqeshje e jote, që ty nuk të duket asgjë, për dikë është tërë bota”(f.69).

Xhuli Spahiu ka një zemër të madhe. Ajo, jo vetëm në këtë vepër, por edhe në paraqitjet tjera shkrimore ka treguar se ka një zemër të pastër prej njeriu. Ja si shton: “Ndërto kështjellën tënde mbi themelet e dashurisë dhe buzëqeshjes!” (f. 69). Ajo niset nga jeta e saj. Këtu, në vepër vërehet se ka një ditar jete. Pra, nuk e kanë thënë si rastësi se “jeta shkruan romane!” Pse jo? Duke e përjetuar një jetë të tillë, Xhuli, autore, ka mësuar shumë nga jeta. Dhe, shton: “Në jetën time, nuk isha unë ajo që kisha fatin, që më ishte dhuruar, mirëpo isha ajo që unë e krijova vetë fatin tim” (f.70).  Apo: “Pikërisht, në këtë fazë une u betova se do ta vazhdoj me këmbëngulje të luftoj të zezën dhe do ta  shndërroj atë në të bardhë...”(f.72).

Pra, autorja flet në vepër se si ta vazhdojë rrugën dhe t’mos jetë viktima që t’i fajësojë të tjerët. E kaluara, si pas autores, nuk kthehet. Ajo ka mbetur e kaluar, e cila lë gjurmë kohe e jete. Njerëzit e lumtur duhet të jetojnë për të ardhmen. Këta duhet ta kenë një mendësi pozitive, sepse zgjedhin rrugën e lumturisë. Sepse,”njerëzit e lumtur vlerësojnë dhe e kuptojnë se të jesh i lumtur, i shton vitet e jetës tënde dhe i jep jetë viteve tua të ardhme”(f.76).

Në gjithë përmbatjen e veprës, Xh. Spahiu  flet e “rrëfen” për mirësinë, lumturinë, buzëqeshjen, kuptimin e jetës, dashurinë ndaj jetës dhe të vërtetës. Në një vend, ajo shton: “Duaje jetën ashtu  siç është! Mos harro të buzëqeshësh, jeta s’meriton pikëllim! Prandaj, jeto fuqishëm dhe mundohu të shkëlqesh edhe në errësirë”(f.96).

Pra, autorja e veprës ngre zërin për jetë të mirë të njeriut tonë. Ajo shton: “Unë ngris zërin me këtë mesazh: Jeto o njeri se s’do jetosh përgjithmonë!(f.103). Apo: “Mos harro: buzëqeshja është nektar i jetës dhe një zemër që ushqehet me këtë nektar nuk do t’i mungojë kurrë lumturia..”(f.104).

Prandaj, vepra e Xh. Spahiut “Buzëqeshi jetës”, është  një prurje e re në artin e shkrimit, ku autorja ngre zërin e shpërthimeve brendshme për të ndryshuar jetën në të mirë të njerëzimit. Nuk ka njeri që nuk e do jetën, sepse ajo është e ëmbël, kur shijohet e përjetohet. Jeta është e këndshme, është një nga përrallat më të bukura të jetës së njeriut tonë. Pra, vepra e Xhuli Spahiut është një margaritar i rrallë i kësaj fushe të artit shkrimor tek ne. Veprën e ka botuar Shtypshkronja Pika 5/A në Gjilan.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora