Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Kadri Tarelli: Festojmë së bashku

| E shtune, 04.11.2017, 08:12 PM |


FESTOJMË SË BASHKU

40-vjetori i shkollës së Mesme në Katund të Ri. Durrës

Nga Kadri Tarelli

Ngjarje e shënuar në këtë fund të vjeshtës së dytë, 2017, në Katund të Ri, qendër komune në rrethin e Durrësit. Shkolla e Mesme festoni 40-vjetorin, ku vetiu takohen breza mësuesish dhe nxënësish. Lajmërimet ishin bërë kohë me parë, ndaj sheshi ishte i mbushur plot me ish mësues, ish nxënës, prindër dhe të ftuar, që së bashku me nxënësit dhe mësuesit e sotëm, festuan. Çuditërisht mungesa kishte shumë pak, një vlerësim i merituar dhe i pritur.

Veprimtarinë e çeli i zoti i “dasmës”, drejtor Petrit Elezi, i cili paraqiti shkurtimisht veprimtarinë e shkollës dhe vazhdimësinë e sukseseve gjatë viteve. Siç u shpreh në fjalën e tij: - Jam i nderuar që si drejtor, më takoi të jem unë organizatori i 40-vjetorit të shkollës, kësaj feste dhe dite të shënuar në historinë e arsimit në komunën e Katundit të Ri. Mësuesit e vjtër dhe ata të rinj duhet të ndjehen të vlerësuar, pasi kjo shkollë ka një histori të bukur suksesesh, një traditë që vazhdon dhe duhet të vazhdojë edhe në të ardhmen.

Përshëndeti takimin znj. Lindita Muka, drejtore e DAR-it të Durrësit, e cila uroi suksese në të ardhmen, si për nxënësit e ciklit 9-vjeçar, ashue dhe për maturantët, që pas pak muajsh do t’i drejtohen provimeve dhe zgjedhjes për arsimin e lartë. Është e bukur kjo tarditë festash, që krijon dhe forcon lidhjen mes brezave, si bazë për vazhdimësinë e sukseseve.

Takimin e përshëndeti edhe Ali Balliu, ish drejtori në vitet e vështirë të ndryshimeve të sistemit, 1990-1994, ku vlerësoi ndihmën dhe mbështetejen e mësuesve, pa të cilën, do ta kishte të vështirë drejtimin dhe organizimin e punës mësimore-edukative, në ato kohë të trazuara.

Me inters u prit fjala e Ipeshkëvit të Rrëshenit, Monsinjor Gjergj Meta, ish nxënës i kësaj shkolle, i cili falëndroi të gjithë mësuesit, të cilët si misionarë të dijes, që pavarësisht vështirësive të shumta, u kudesën me përkushtim, për një mësim cilësor të brezit të tij. - Vitet shkojnë, -  u shpreh Gjergji, - por në kujtesë na mbeten mësuesit tanë të mirë, të urtë, kërkues dhe seriozë, të cilët na deshin dhe na ndihmonin shumë. Ai e mbylli fjalën, me një urim të dalë prej zemre: - Mirë u takofshim edhe në përvjetorë të tjerë! Pas këngëve dhe valleve, që ndërlidhnin fjalën e të ftuarve, u lexuan edhe përshëndetjet e msuesve Kujtim Kabashi, sot me banim në Kanada dhe të mësuesit Pashk Sinani, që jeton në Itali. U lexua edhe përshëndetja e ish nxnënëses, poetes Mimoza Berisha, që jeton në Selanik.

Me duartrokitje u përcollën këngët e rapsodëve, Nazmi Blaka, Nazmi Gryka dhe Sylejman Hasani. Një ndërthurrje e bukur e këngëve të reja me ato të traditës, ku këngët shoqërohen me sharki e çifteli.

Stafi drejtues i shkollës, në këtë ditë të shënuar, kishte menduar një veprimtari të bukur, “Panairi i gatimeve të tarditës”. Një dukuri disi të veçantë, që solli goxha gjallëri për ta mbyllur të gjithë veprimtarinë. Ishte diçka mjaft e dobishme për të gjithë, veçanërisht për vajzat dhe djemtë, sot nxënës, nesër dijetarë, shtëtarë dhe prindër të mirë. Mes të tjerëve edhe unë, autor i këtij shkrimi, pata nderin të mbaj një fjalë përshëndtëse, ku ndër të tjera ligjërova:

Si mësues i vjetër, në këtë përvjetor të shumpritur, ju përshëndes në emër të të gjithë kolegëve mësues, që kaluan nëpër katër dekada, në këtë shkollë. Nuk di ç’kanë bërë shkollat e tjera, por Katundi i ri, është për të dytë here, që organizon festën e shkollës: Në vitet 1972-73, u festua 30-vjetori i çeljes së të shkollës së parë, ndërsa sot pas 45-vjetësh, festojmë e mburremi me shkollën e Mesme, si qendër e rëndësishme e arsimit në këtë zonë dhe më përtej, nëpër fshatra përrreth.

Sot kam një ndjesi falënderimi dhe krenarie, sepse duke qënë mes jush e duke folur para jush, jam dyfish i nderuar dhe i përkëdhelur në sedër:

Së pari, sepse së bashku, ia arritëm të festojmë këtë ditë të shënuar, 40-vjetorin e shkollës së Mesme, që dikush me të drejtë e pagëzon, “Tempulli i diturisë”, shkollë që ka patur e ka cilësi dhe rezultate, aqsa secili drejtor e mësues, mund të mburret e krenohet, para të tjerëve e mes të tjerëve.

Së dyti, sepse po më jepet rasti të flas para këtij tubimi të madh, me kolegë, nxënës dhe prindër, që unë e quaj: “Takim brezash”. Si mësues i vjetër, tani ngazëllehem që ju shoh e ju kam parasysh, të gjithve bashkë, nxënës, që porsa janë ulur në bangat e kësaj shkolle të bukur, disa edhe maturantë, por edhe ish nxënës, që sot janë rritur e janë bërë prindër, disa edhe gjyshër të zbardhur e thinjur. Shikoj edhe kolegët, që s’më ngjasojnë me kohën kur filluan punën këtu. Dikur ishim të rinj e të bukur, elegantë, idealist në shpirt dhe plot frymëzim, për gjëra të bukura. Sot në pension, shumica të thinjur, flokë rralluar, me ballin plot rrudha nga hallet dhe mendimet, disa të kërrusur, ku ngadalë po venitet bukuria dhe po shteron energjia e dikurshme. Por po të pyesish secilin nga ne,…. Pyetini, ja ku i keni, dhe do të merrni vetëm një përgjigje: s’i përfillim vitet, kemi mbetur përsëri të rinj. Dikush edhe do të qeshë me këtë mburrje, por mos harrojmë, se për ne mësuesit, si në asnjë profesion tjetër, puna me të rinj, është dhurata më e bukur. Kështu, mësuesi mbetet i ri në mendime dhe në shpirt, ndaj se pranon plakjen.

Ju thashë në fillim, se jam i privilegjuar, por kam një merak në vetvete, sepse pavarësisht viteve dhe përvojës, sot ndjehem ngusht në fjalën time. Dikur e quaja veten të ditur dhe flisja serbes, ndërsa tani duhet të matem e të mendohem mirë, pasi para meje kam, titullar e shërbestar ndaj zotit, dijetarë, profesorë dhe doktorë shkencash, pedagogë, mjekë, dipllomatë, deputetë, ekonomistë, ushtarakë, gazetarë, poetë e shkrimtarë, mësues dhe drejtues shkollash, zyrtarë, administratorë e biznesmenë. Të gjithë, dikur ishin të rinjë e plot ëndërra, të qeshur e të bukur, si vetë rinia, disa edhe trazovacë, që s’linin dy gurë bashkë, por të gjithë na shikonin drejt në sy, na dëgjonin dhe na besonin. Kishin etje për të fituar dije e kulturë. Edhe sot pas kaq vitesh pune në arsim, çuditem për atë frymë bashkëpunimi, mësues-nxënës, të krijuar magjishëm në mjediset e kësaj shkolle.

Sot jemi në ditë feste, por dua që të kujtojmë e nderojmë, drejtor Jusuf Hotin, veteranin mbi 40 vjet në drejtim. Unë kam shumë kujtime me të, pasi punuam bashkë mbi 20 vjet. Shpirti i tij është këtu mes nesh dhe feston bashkë me ne. Ai e priste me padurim këtë ditë të madhe, në shkollën që e ngriti dhe e drejtoi vetë. Shpesh kur takoheshim, kishte merak e me thoshte:

- Hë ç’po bëhet? A ke folur me drejtor Petritin? Është dasmë e madhe kjo. Janë të rinj, por do t’i kapërcejnë pengesat edhe vështirësitë. Ja po e marrim në telefon….! Po me nxënësit tanë të hershëm,.. i ke takuar, a ke folur? Janë bërë më të zotë se ne. Janë bërë të ditur. Unë mburrem me ta, pasi i dhanë emër shkollës. Ai sikur e parandjente ikjen, ndaj edhe thoshte: “Të mbidhemi një herë bashkë për 40-vjetorin, të takohemi e të çmallemi, pasi s’i dihet. Shokët po na ikin një e nga një”. Ndërsa unë i thosha, duke qeshur:

- Drejtor! 40-vjetorin e kemi pranë, por mendo, si do jemi e ç’do të themi për 50-vjetorin, e më tej akoma. Në shkrimin tim, kushtuar drejtor Jusufit, të publikuar kohët e findit në gazetën “Bulevard”. 17. 10. 2017,  dhe në portalet elektronike, jam shprehur: “Ne ishim me fat, që kishim një drejtor si Jusufi, që na donte dhe na mbronte, nga goditjet që vinin nga s’e prisje”. Ndërsa, ai me sinqeritetin që e karakterizonte, thoshte: “Kam qënë me shumë fat, pasi kam patur në krah, mësues serioz, të ditur e të përkushtuar. Sukseset e shkollës, nuk kanë qënë e nuk janë vetëm të drejtorit, janë të mësuesve”.

Çdo kush mendon, se sot festa është e Shkollës së Mesme, por në të vërtetë, është festë e të gjitha shkollave të zonës, pasi këtu vinë nxënës nga të gjithë fshatrat përrrreth, ndaj dua të përshëndes më të moshuarin mësues, birin e këtij komuniteti, mësuesin Ali Berisha, veteranin që po i afrohet 100-shit, i cili edhe pse nuk është këtu, gëzohet bashkë me ne. Ai  punoi nëpër shkollat e zonës, në që në vitet 1946 - 1947, e më pas, deri sa doli në pension.

Po të kujtoj mësuesit që kanë kaluar në kët shkollë, lista bëhet shumë e gjatë. Dua të jem i kursyer në emra, ndaj po ndalem të përshëndes vetëm dy-tre prej nesh, që janë më të moshuarit dhe që ndodhen këtu: Të parin, mësuesin Hajdar Gjergji, mjeshtrin e mekanikës bujqësore, më pas, të palodhurin, profesorin e matematikës, Islam Alikaj, autorin e shumë librave, i cili pavarësisht, se po i afrohet 80-tave, vazhdon të hartojë e botojë libra, kushtuar matematikës, bashkë me të përshëndes edhe ish drejtorin e moshuar Azem Berisha. Mbas tyre, më pak i moshuar, besoj se jam unë, por e përjashtoj veten, pasi më thonë se jam akoma i ri. Ç’të bëj? A kam faj? Ndaj  unë e pranoj me kënaqësi fjalën e tyre.

Të nderuar kolegë, ju kërkoj ndjes, që po zgjatem pak, por festa u takon edhe të tjerëve, që u futën në udhën e vështirë të mësuesisë, por që sot nuk i kemi mes nesh. Përmend, drejtorët e hershëm, Tomorr Hoxha dhe Vangjel Basha, agronomët mësues, Sulejman Mema dhe Mustafa Kashari, muzikanten mësuese Shehide Hoti, më tej Maks Bonjaku, Genc Alizoti, Bilal Koçi, Gjergj Semema, Rifat Busulla, Adem Merkule, Ruzhdi Xhaferi, Ruzhdi Sana e Xhafer Tole, Edhe një herë ndjes nëse kam harruar dikë. Festa është homazh nderimi edhe për ta.

Ka një ligj të pa shkruar, por që, në jetë ndeshet dhe preket në çdo familje, apo në çdo bisedë shokësh e miqsh: Ne mësuesit krenohemi me ju nxënësit tanë, ashtu si prindi për fëmijën e tij, ndërsa ju nxënësit, kujtoni dhe nderoni mësuesit tuaj ndër vite, sepse ju mësuan, që ta bëni jetën tuaj më të lehtë. Mendoj se jemi më pranë fjalëve, që thuhen për Aleksandrin e Madh: “Ai e donte atë, mësuesin filozof Aristotelin, jo më pak se babanë, sepse i ati i  kish dhënë jetën, kurse filosofi i kish treguar atij, si ta jetonte atë më mirë dhe më bukur”.

Si mësues i vjetër i kësaj shkolle, më pas drejtor, shkrimtar dhe gazetar, kam një porosi për mësuesit, sidomos për të rinjtë: Mësuesia, së pari është mision, që i shërben rinisë dhe kombit, pastaj është profesion. Dashurojeni atë dhe do të jeni të nderuar! Misioni i brezave, për brezat, asnjëherë nuk mbaron.

Në fund, urimi më i madh, që më buron nga shpirti, është për ju mësues e nxënës të kësaj shkolle të re, që krahas shëndetit dhe diturisë, të kini vullnet, e dëshirë, të gjeni forca, për të ngjitur më tej shkallët e tempullit të dijes e të shkencës. Uroj të kini gjithë të mirat e jetës.

Më lejoni, që me mirënjohje e nderim, të bashkoj me të gjithë ju, urimin: “Së bashku edhe në përvjetorë të tjerë! 

Faleminderit! 

Kadri Tarelli

Durrës më 30, të vjeshtës së dytë, 2017