Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Tahir Bezhani: Dash Golaj personalitet me merita

| E enjte, 08.12.2022, 08:44 PM |


Në shenjë respekti për të ndjerin Dash Golaj, me rastin e vdekjes, dt.  o7 dhjetor, 2022

Ribotim i portretit të Dash Golaj, in memorian:

Portret i njeriut  të merituar:

DASH GOLAJ PËRSONALITET ME MERITA TË DALLUARA

Nga Tahir Bezhani

Familja Golaj,njëra ndër familjet më të njohura në Komunën e Gjakovës,ka disa veçori dalluese  gjatë rrugëtimit të saj historik. Kjo familje vjen nga Hasi i thatë i Shqipërisë, shpërngulur nga viti 1912 –të, vendosur në Has të Kosovës, pikërisht  në fshatin Blinishtë(Lupavec),komuna e Gjakovës. Gjysma e kësaj familje,para 50 vitesh ,u shpërngul në fshatin Sheremetaj të Gjakovës.

Sot kjo familje,në gjirin e vet,numëron rreth 80  familjarë. Ani se të ndarë, Dash Golaj, vlerësohet kryefamiljari i të gjithëve, për faktin se din mirë t’iu sillet moshave të reja në kërkesat e tyre.  Nga këta familjarë, një pjesë e madhe jetojnë në perëndim, pikërisht shumica në Zvicër.

Përherë e  përndjekur nga pushtetet okupuese, andej e këndej kufirit me Shqipërinë,familja Golaj,me punën e vet, qëndresën, heroizmin e pashembull,kurrë nuk ra fli e orekseve pushtuese antishqiptare.Kjo familje e madhe, lindi e rriti djem  të pushkës të cilët qenë të gatshëm kurdoherë me dhanë jetën për atdhe. Në luftën e fundit në Kosovë,lirisë ia dha shtatë anëtarë të familjes, njëri prej tyre dëshmor i kombit. Të parët e tyre i kanë “kërkuar” burgjet serbe që nga Krajli i Serbisë e këndej.

Po nga kjo  familje e nderuar rrjedh personaliteti i Dash Golajt, një njeri punëtor, modest,me kulturë e dije të zgjeruar, falë trashëgimisë familjare, e mbi të gjitha, babait të tij  të ndjerë,Halit Rexhep Golaj, fjala e të cilit dëgjohej odave me shumë vëmendje. Tani,si familje e zgjeruar,edhe në Sheremetaj të Rekës së Keqe, gëzojnë një respekt në tërë Dukagjin e jo vetëm.  Dash Golën përherë e ka karakterizuar modestia, burrëria, bujaria, sinqeriteti, sakrifica për të tjerët, puna dhe djersa e vet e derdhur ndër vite, e shumë të tjera.

Puna në perëndim dhe sukseset  e arritura.

Dash Golaj,si shumë familje të tjera shqiptare,që nga viti 1978 punon në Zvicër,si mjeshtër i njohur e me respekt të madh edhe nga vendasit,falë punës të tij të ndërgjegjshme. Dashi nuk përmendi  edhe dy vite të kaluara në Francë,më duken si dy ditë thotë, por Ademi, kushërini i tij, ia sjell ndërmend që “mos t’i harroi”,se nuk ishin të lehta. Gjatë punës në Zvicër,Dashi ua siguroi punën e jetën,shkollimin e qëndrimin me letra,një pjese të familjes  së tij,ku në qytetin Leibchtajt sot quhet lagja “Golaj”,nga se janë një shumicë familjare në atë rreth. Personalisht Dashi,pas një pune të gjatë e të lodhshme,të mundimshme,në vitin 1996 pensionohet si invalid e pastaj edhe me pension të plotë,ku sot e gëzon dhe shfrytëzon mrekullueshëm,më shumë në Kosovë se në Zvicër dhe të le përshtypjen se nuk i ka 78 vite jete të ngarkuara në kurrizin e tij.

Ka një standard evropian të jetës në këtë moshë. Lakmi për shumë kënd,por sukseset pa punë nuk vijnë...

Aktivitetit i dëshmuar në vitet 90-ta për lirinë e Kosovës.

Vitet 90-ta ishin vitet më të vështira(ndoshta) në historinë e popullit të Kosovës,kur falanga e çmendur serbe iu vërsul barbarisht ndaj një populli të pambrojtur,duke ia ndaluar edhe shkollimin në gjuhën e vet. Një segregacion i tillë ,me aq presion politik ,ushtarako-policorë,ishte i pa padurueshëm, andaj kërkonte sakrificën e popullit për t’u mbrojtur.

Ato vite ,në ballë të popullit doli njeriu i meritave historike, burrë shteti i madh, Dr.Ibrahim Rugova,i cili, me dijen vizionare diti të artikulojë e drejtojë kërkesat e popullit të vet,diti t’i prijë,ta bashkojë dhe unifikojë në rrugën e rezistencës, të fitores, drejtë lirisë dhe shtetit të pavarur. Një prijës me ide të tilla,nuk e ka vështirë ta bashkojë një popull që i mungon liria.Në këtë kuptim,rreth tij u mblodh i tërë kombi,e gjithë rinia, të gatshëm për sakrificën e fundit, për të realizuar të drejtën historike....

Në këtë kuptim, të etjes për liri,sakrificave të kohës iu bashkëngjit, si shumë të tjerë, edhe Dash Halit Golaj, punëtor në Zvicër, i cili, me punën e vet të pamohueshme, dha kontribut të madh për çështjen kombëtare,duke u  bërë antar i devotshëm i  LDK-së ,nëndega në Leibchtrajt, dega në Dotingen,ku pandërprerë,dha maksimumin e dijes dhe të punës,për të mirën e vendit të tij,vite të tëra.

Në vitet 90-ta,në Argao, LDK-në e udhëhiqte  me dinjitet të madh, Hajdar Sadria nga  Ponosheci i Gjakovës, punëtor  në atë qytet,atëbotë një djalë me guxim e dije për çështjen kombëtare.

Takimi parë me Rugovën ka qenë në Ollten të Zvicrës. Na u tha se Edita Tahiri do mbajë një takim me qytetarët në atë qytet dhe shkuam të gjithë,por lejonin brenda vetëm të ftuarit. Unë,thotë Dashi,shfrytëzova moshën dhe autoritetin tim personal,të krijuar vite të tëra atje dhe,u futa brenda. Edhe atje mbaja plisin e bardhë në kokë. Nuk vonoi shumë dhe hyri brenda Dr.Rugova. U stepëm të gjithë. Një pjesë nuk e dinim për ardhjen e tij. Na heshti madhështia e tij,qëndrimi,respekti,modestia,ajo dashuri njerëzore që i dilte nga goja,nga sytë,nga poret e trupit të tij. Pasi mbaroi takimi,ishim rreshtuar për ta përcjellur, por na thanë se nuk ka kohë të dorë përdoret me të gjithë. Ai burrë i madh,nuk hezitoi të më ofrohet dhe të më përshëndetë me një përqafim të rrallë.

Nuk kam fjalë të përshkruaj,por e di se nuk e harroj kurrë,sikur të jetoja edhe 100 vite . Pastaj,aktiviteti ishte në rritje gjithnjë. Mblodhëm paratë  për vendin. Unë,me familjen  time,kam dhënë me mija franga zvicerane,pa numëruar ato të mbledhura anekënd Zvicrës,në kuadër të aktiviteteve të përditshme. Edhe sot dua t’u falënderohem të gjithë atyre që më kanë përkrahur, dëgjuar e ndihmuar në rrugëtimin tonë të përbashkët. Koha ecte shpejtë, kërkonte të shpejtonim hapat edhe ne. Ai burrë i madh ishte bërë pjesë e jetës,pjesë e lirisë së ëndërruar të popullit tim. Pastaj njoha të gjithë liderët e LDK-ës,nga Dr.Rugova,deri te Aqif  Shehu në Gjakovë. Kam qenë shumë herë në shtëpinë e presidentit Rugova,me ftesën e tij personale.  Unë kam mbetur edhe sot mik i të madhit Rugova,në shtëpinë e të cilit shkoj edhe sot,vizitoj familjen e tij të respektuar, në shenjë respekti,për të mos e  harruar kurrë.

Nga modestia e Dashit,në pyetjen tonë se a e ke takuar Dr. Sali Berishën,ai tha:” e kam takuar disa herë dhe kam të njëjtin respekt për atë burrë të madh ,sa për Rugovën. Në vitet 90-ta ata punonin  si dy vëllezër për çështjen  kombëtare.”...

Si e mendon sot LDK-ën Dash Golaj?

Lidhja Demokratike e Kosovës është  ma e mira parti politike. Ajo, edhe nëse mbetet me numrin ma të vogël të anëtarësisë, prapë është ma e madhja, ma e pastra,ma e ndershmja. Ajo është nismëtarja e lirisë së popullit në krye me vizionarin ,Dr. Ibrahim Rugovën.

Populli ka rënë në një stihi....

Nuk besoj se këtë nuk e dinë edhe partitë tjera,por vrapimi pas karrigeve,ka sjellë konflikte të paarsyeshme. Ne jemi një popull i vogël,na takon të kalitim unitetin dhe të rrënojmë barrierat që na i vejnë të tjerët përpara. Për neve nuk janë konfliktet që sjellin suksese,por e kundërta sjellë suksese.Sa do doja që ta lëmë LDK-në ta realizojë shtetësinë e Kosovës, duke menduar mirë në gjakun e derdhur të bijve e bijave tona .

Gjakovë, 10.10.2017