E premte, 29.03.2024, 02:20 PM (GMT)

Mendime

Idriz Zeqiraj: Një shtatore e përbashkët për 4 Heronjë

E diele, 29.10.2017, 10:03 AM


HOXHË, ISLAMI PREDIKON BARAZI

NGA IDRIZ ZEQIRAJ

Hoxha karizmatik i Drenasit, mulla Osman Musliu, pothuajse, në alarm, kërkon llogari nga organet shtetërore në Kosovë: "Pse nuk po e vendosni shtatoren e Adem Jasharit në Prishtinë?!"

Për lirinë e Kosovës kanë rënë tej njëmijë e ca dëshmorë. Ata kishin një jetë dhe atë, natyrshëm, e dhanë për Atdhe. Ata bënë detyrën dhe jo sakrificën. Sepse shpesh ngatërrohen detyra me sakrificën. Është rrenë e kulluar, kush thotë se Atdheun e duan të gjithë njësoj. Shumica absolute e tyre nuk kanë as shtatore, as buste, përveç një varri të rregulluar nga familja. Nuk e di nëse kanë arritur të shënohen të gjithë, në ndonjë rrugë apo rrugicë të fshatit të tyre. Dhe, megjithatë, familjet e tyre vazhdojnë të jenë shumë modeste, pa pretendime shtesë.

Alarmi, gadi ultimativ, i Hoxhë Osman Musliut, sikur bie ndesh me parimet islamike, për trajtim të barazuar të "shehitëve", dëshmorëve. Aq më tepër bën përshtypje, kur ai ngulmon ta thellojë pabarazinë. Në rastin konkret, heroi Adem Jashari ka mbingarkesë reale me shtatore, buste, sheshe, rrugë, objekte gjithëfarëshe, madje, edhe të atyre kulturore, që përbën paradoks.

Ademi me Hamzën janë kryeçetanikë të Drenicës. Çfarëdo emërtese tjetër, veçsa e dëmton namin e mirë, për këta luftëtarë të lirisë. Familja Jashari, është diç tjetër. Edhe në mjedise tjera të Kosovës, kanë ndodhur masakra masive. Nuk është shumësia e viktimave, tragjizmi i kësaj familjeje. Por, e veçanta është ankthi, vdekja e pritshme, e ngeshme dhe e zgjatur në kohë. Kjo ka qenë arsyeja, që shqiptarët e kudondodhur, kanë qenë dhe mbetën pjesë e dhimbjes së madhe, e vajit të zemrës, për masakrën e llahtarëshme të familjes Jashari.

Trajtimi i gjertanishëm i masakrës, mbi këtë familje, është shkollaresk, partizançe e komuniste. Harrohet fakti se 9 (nëntë) fëmijë-viktima, ishin nën moshën 15 vjeçare. Dhe, për fëmijtë, gratë e pambrojtura, pleqtë, kërkohet një përkujdesje dhe përgjegjësi tjetër, e veçantë. Shkurt: sakrifikimi i familjes, nuk e favorizon Ademin.

Barazia është relative edhe në trajtimin e ushtarëve dhe të komandantëve, të rënë në luftë. Kategoritë bazë janë: komandant e ushtar dhe dëshmor e hero. Dhe, këtu, me paanësi, vlerësohen meritat individuale dhe grupore.

Por, fjalën e kemi tek heronjtë brenda llojit, me cilësi e merita të barasvlershme ose fort të përafërta. Analizat e bëra për luftën e Kosovës, kryesisht, fillimin dhe organizimin, për rezistencë të armatosur, rezulton se në 4 (katërshën) e parë janë: Sali Çekaj, Adem Jashari, Zahir Pajaziti dhe Hamëz Jashari. Kjo katërshe, çetanikë guerilësh, ka organizuar dhe mobilizuar luftëtarët në Dukagjin, Drenicë dhe Llap, për të frymëzuar dhe zgjuar ndjenjat kundërshtuese e luftarake, anepërtej Kosovës.

Prej këtyre më i diskriminuar ka mbetur Hamëz Jashari. Ai ka rënë, padrejtësisht, nën hijen e të vëllait, Ademit, ndërkohë që është pjesëmarrës kudo, së bashku me Ademin. Pa Hamzën, Ademi do të ishte i vetmuar dhe nuk mund të shquhej në asgjë. Por, ndarja artificiale e Vëllezërve Jashari, ka qenë dhe është politike. Është e marrëzishme dhe idioteske. Është një faj që duhet gjykuar, në masën që meriton, njëherësh, duhet barasvlerësuar Hamzën me Ademin. Faktet janë të bollshme. Poshtërsia, denigrimi ndaj Hamzës, duhet të marrë fund.

Dhe, si të veprohet?

Shtatorës të Adem Jasharit, në Skënderaj, duhet t`i bashkohet shtatorja e Hamzës, me të njëjtat përmasa. Të gjitha emërtesat, me emrin e Adem Jasharit, duhet t`u shtohet edhe emri i Hamëz Jasharit. Ndërsa Aeroporti i Kosovës, në Sllatinë, që, paradoksalisht, mban emrin e Adem Jasharit, duhet hequr, sepse aeroportet pagëzohen me emra presidentësh dhe kryeministrash, që kalojnë një pjesë të jetës në fluturake, duke qenë në shërbime zyrtare, shtetërore. Për bllofe, si ky i Aeroportit, Hashim dallaverja, do të mbetet sinonim i narcizoidit, njeriu i dashuruar në vetëvete, që i "dinë" të gjitha, që vepron pa pyetur askënd, i befasive të marrëzishme, idioteske, i vetëlavdërimit, deri në përmasën e debilit.

Heronjtë brenda llojit, kategorisë, që duhet trajtuar barazi, janë katërshja e cituar më parë. Sali Çekaj ka një shtatore në Deçan, në qytetin e lindjes; Adem Jashari në Skënderaj; Shtatorja e vetmuar e Zahir Pajazitit në Prishtinë, është paradoksale. Ajo duhet të bartet në qytetin e lindjes, në Podujevë. Janë nxituar, qëllimshëm, krerët e SHIK-ut në Llap, për ta vënë në Prishtinë, para se ta vënë drenicarët Ademin këtu, për t`u imponuar rrejshëm, se kinse edhe ata kanë luftuar, përkrah Zahirit! Pisllëqe të tilla, nuk u bëjnë ndere heronjëve. Dhe, siç thamë më lart, shtatorja e Hamzës të vihet në Skënderaj, pranë të vëllait, Ademit. Brezat duhet ta dinë se kush e nismoi luftën, kush veproi për krijimin e strukturës ushtarake dhe kush e ideoi pavarësinë e Kosovës, për ta realizuar me miq, sepse, siç thoshte urtaku Rugovë, "shtëpia pa miq nuk mbahet".

Një shtatore e përbashkët për 4 Heronjtë

Caktimi i lokacionit, për shtatoren e Adem Jasharit, është idiotësi e radhës, e pushtetarëve provincialë e trutharë. Atëherë, Dukagjini, me të drejtë dhe natyrshëm, do të kërkojë lokacion në kryeqytet, Prishtinë, edhe për heroin e Sali Çekaj. E gjithë kjo do të ishte një garë shtyrjeje krahinore, "si e magarëve mbi urë"!

Cila do të ishte zgjidhja logjike e trajtimit të barabartë, e katër heronjëve, me vlera elitore?

Në Sheshin "Zahir Pajaziti" ose në ndonjë vend tjetër, mund të ngrihet shtatorja e përbashkët: Sali Çekaj, Adem Jashari, Zahir Pajaziti dhe Hamëz Jashari, duke e titulluar "Sheshi i 4 Heronjëve".

Diku tjetër, në kryeqytet, me preferencë lulishte, nisur nga fakti se heronjtë ishin të letrave dhe të artit, muzikës, mund të vendoseshin bustët e tre Heronjëve të Kosovës, të rënë në Mërgatë, në Gjermani: Jusuf Gërvalla, Kadri Zeka, Bardhosh Gërvalla. Kjo do të ishte më logjike, më racionale dhe shumë më funksionale.

Hoxhë, vëni dorën në zemër, sepse zgjidhje ka, për të bërë punë të mira, punë të mbara. Dhe, jo teke, inate dhe pisllëqe tjera, siç mendojnë e veprojnë garda rraskophane e profane e pushtetarëve tanë.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora