E enjte, 25.04.2024, 05:51 AM (GMT+1)

Shtesë » Historia

21 maj 1984. Masakra komuniste e Qafë-Barit!

E diele, 07.09.2008, 05:47 PM


Nga Bedri Blloshmi

Ishte një ditë e bukur maji. Qielli i pastër, dielli akoma nuk kishte dalë të ngrohte këtë skëterrë, dhe pse ora ishte 10-11 e ditës. Ky ferr, i zgjedhur nën kujdesin e komunisto-sigurimsave, ishte zbuluar me anën e fluturimeve të helikopterëve të Ministrisë të Punëve të Brendshme. Qafa e Barit, ishte një përrua i thellë. Nga të katër anët e rrethuar me male të larta. Mbi këto male vegjetonin pishat e larta shekullore. Dukeshin se bënin garë njëra me tjetrën, të shkonin sa më lart që mund të shikonin rrezet e diellit. Kërkonin ajër e dritë që të jetonin. Ajo dritë e ato rreze dielli, për ne skllevërit ishin të pa mundura të na ngrohnin. Ky përrua-ferr, vetëm kur ishte dielli në zenith mundet të depërtonin këto rreze që futeshin si shigjetë midis degëve të pishave. Në fundin e këtyre maleve buzë një përroi ngriheshin karakollet e ushtarëve, që vigjilonin natë e ditë, "armiqtë e popullit" e të partisë. Këto truproje kishin përballë 4-5 rrethime me tela me gjëmba me mbi 5-6 m lartësi. Çdo shtyllë që mbante telat e rëndë, kishte 3-4 llamba ndriçimi. Më pas, shtrihej një rrjetë me tela me gjemba në lartësinë 50-60 cm. Mbas këtij rrjeti ishte një fije teli ku vareshin mijëra kanaçe për gjatë rrethimit. Kur frynte era, apo kalonte ndonjë mace "gabimisht" aty dëgjohej një kor shurdhues i kanaçeve që përplaseshin njëra me tjetrën. Këtë zhurmë rrënqethëse e mbyllte ulurima e ushtarit, britma, "ndal kush kalon" zhdukej në nën shulin vdekjeprurës të kallashnikovit. E gjithë kjo britmë, e përforcuar nga kërcitja e armës jehonte nën pishat e larta e të qeta. Mbas kësaj rrjete teli me gjemba në distancë 4-5m më në brendësi ishin disa tabela me mbishkrimin: "zonë e ndaluar" që do të thoshte, po t'i drejtoheshe atyre tabelave...aty vigjilonte vdekja. Disa metra më në brendësi, rreth 20-30 m ngriheshin godinat e këtij ferri. Në faqen e murit qëndronte një tabelë shkruar me të kuqe: "Kampi i riedukimit", pak më anash një tjetër thënie: "Partia kërkon nga ju të dënuar, të rehabilitoheni nëpërmjet punës. Kur të dilni të ndërtoni socializmin". Jo më shumë se 100 m largësi ishte një shpellë e zezë ku futeshim ne, me turne, për të nxjerrë mineralin nën kërcënimin e drurit, për nomenklaturën e kuqe. E gjithë sa përshkrova më sipër, kjo skenë e frikshme dhe vdekjeprurëse një ditë të bukur u vu në përdorim. Mban dt. 21 maj 1984. Ora nuk mund të ishte më shumë se 9 e mëngjezit. Ky skenar i përgatitur nga regjizorët e Ministrisë të Brendshme u vu në skenë nga një vagabond, hajdut autobuzash, një i dalë nga makarenko, e thërrisnin shef policie. Ky e mbante kapelen rrasur në kokë, streha mezi lejonte sytë provokues t'i dukeshin. Asnjë i dënuar, nuk guxonte ta shikonte drejt në sy, kur ky futej në këto ambjente. I shoqëruar nga dy policë anash, bënte disa xhiro nëpër kamp. Kur ndalej afër ndonjë të dënuari, ose kur thërriste emrin e ndonjërit nga ne, personi ndalej me shikimin nga shefi. Ky bënte një lëvizje të lehtë të kokës, që do të thoshte të futej në "zyrën teknike". Atje të rrihnin mirë e mirë, aq sa duhet të delje këmbë e duar, ose i mbajtur pas murit. Kjo ishte masa e sasisë të rrahjes. Nuk "lejohej", as nuk kishte ndodhur që ai që futej në këtë "zyrë" të delte me këmbët e veta. Një nga shokët tanë nuk kishte mundur dot ta bënte "normën operative". Kur u kthyem nga turni i tretë, (atje ishte bërë rregull që kush nuk bënte normën e detyronin të qëndronte 3 turne në galeri, pa bukë) polici i turnit që ishte me ne, i tha atij të turnit të parë, merre atë të dënuar, s'ka bërë normën. Aty u mblodhën shokët dhe patriotët e tij dhe nuk e lejuan djalin të shkonte prapë në punë. U futëm në kamp, hëngrëm supën e mëngjezit, vajtëm për të fjetur. Më kishte zënë gjumi, kur dëgjoj çangën, binte pa pushim, polici thërriste sa i hante gërmazi: "të gjithë të dënuarit në mencë". Dola jashtë me vrap, pashë se ishin shumë policë përpara fjetores. Thërrisnin shpejt, shpejt në mencë. U futëm të gjithë brenda. Komandanti tek dera thirri: kush të dëgjojë emrin të dalë jashtë, mos kundërshtoni, është në dëmin tuaj. Kuptova se diçka kishte ndodhur. Pyes një shok që e kisha në krah. Çfarë ka ndodhur, pse gjithë këta policë?- Bedri t'i ishe në gjumë. Policia u përpoq ta nxirrte në punë me forcë Nuen, shokët nuk e lanë. U bë një rrëmujë, u goditën policët me të dënuarit. Dolën jashtë, morën përforcime, tani ja siç e sheh. Asnjë i dënuar nuk po lëvizte për të dalë jashtë. Komandanti vazhdonte emrat. Afrohem tek Sokoli, ishte i pari në listë, e pyes çka ndodhur, ma shpjegoi. U ngrit në këmbë, foli me Tomën. Hajde të dalim, mos bëhet më keq puna. Kur dilje tek dera të lidhnin. Doli Nuja, e lidhën, filluan ta qëllojnë me shkelma e grushta. Policia mbylli derën. Ngelëm brenda, jashtë hanin dru. Toma qe i pari që shqeu derën. Dolëm jashtë, u përleshëm, policia u mund. La kapelet për tokë. Vrapuan të gjithë jashtë rrethimit. Oficeri i rojës për t'i ndalur të dënuarit që po ndiqnin policinë, rrëmben automatikun dhe hapi zjarr brenda në kamp. Qëlloi një të dënuar. Mesa më kujtohet Kostandin Gjordeni e quanin, nga Durrësi. U përforcuan vendrojet, u vendosën mitraloza. Familjarët përballë kampit lanë çdo gjë, morën përpjetë pishat. Mbërritën çetat vullnetare të armatosura, të gjithë në rresht me armë në dorë. Prisnin urdhër. Makinat që vinin të merrnin mineralin (brenda kampit) i kthyen bosh. Ne rrinim dy e nga tre të ulur. Isha ulur afër të ndjerit Sokol, dhe të ndjerit Tom. Bisedonim, prisnim se çdo ndodhte. Komandanti nga jashtë rrethimit lexonte një listë me emra të dënuarve. Dorëzohuni, kush dëgjon emrin. Do e zgjidhim këtë keqkuptim, mos e rëndoni veten. Lista fillonte, mbaronte, fillonte prapë nga e para. Askush nuk lëvizte për t'u afruar tek rrethimi i parë për t'u dorëzuar. Dëgjohet një zhurmë avioni, ja përmbi majën e pishave u duk helikopteri, bëri 2-3 xhiro përmbi kamp, diku u ul. Filluan makinat me sirenat e tyre, ifat plot me ushtarë e civilë të armatosur. Zunë pozicion nëpër truproja, i hoqën ushtarët nga vendshërbimi, i zëvendësuan me oficerë të veshur, të shoqëruar nga 3 civila.
Ata që u futën në komandë mbas disa minutash dolën jashtë. Njëri nga ata hipi në truprojën që ishte afër komandës, ngriti dorën, shikoi me sa kuptohej orën. I foli komandantit të kampit, mos e lexo më listën. Qetësi, të gjithë ulur e të shpërndarë në atë copë shesh përpara mencës, prisnim se ç'do ndodhte. I dërguari nga ministria e theu heshtjen. Të gjithë oficerët që janë në truproje dëgjonin me kujdes. Armëëë mbush! U dëgjuan kërcitjet e shuleve. Gatiiii....
Drejtohet nga ne, dëgjoni këtu o armiq të popullit. Keni kohë vetëm 5 minuta, po të jeni burra, mos u dorëzoni, do ta shihni me sytë tuaj se çfarë do bëhet me juve. Urdhëroj komadantin, fillo me listën! Në këtë çast Sokoli i drejtohet Tomës. Hajde të dorëzohemi, mos marrim më qafë të gjithë të dënuarit e tjerë. Këta të vrasin. Shiko të gjithë me armë të drejtuar nga ne. Presin vetëm fjalën "zjarr". Sokoli i pari, i ndjekur nga Toma u nis, u përshëndet me ne. Vëllezër mirëupafshim në atë botë, na e bëni hallall. U afruan tek rrjeta me tela me gjëmba, futi duart në një nga kuadratet e telave. Matanë një civil me një grumbull oficerësh bënte lidhjen e duarve. Mbasi i kyçën, i futën në një dhomë aty afër që quhet dhoma e takimit.
-Akti i parë-
Plot katërmbëdhjetë emra. U futën policia bashkë me civilët me nga një dru në dorë. I rrahën saqë kur i ngarkuan në një makinë të zbulur i kapnin për koke e për këmbe, i hidhin në karroceri. Vetëm ulurima, britma e rënkime dëgjoheshin. Makina u nis, për ku, një Zot e dinte. U dha urdhëri. Të gjithë sa jeni oficerë, sampista, ushtarë, civila futuni brenda në kamp.
-Akti i dytë-
Thirrën një ish oficer ushtrie, Sandër Sokoli e quanin. Në atë copë oborr "gladiatorët" mbasi e rrahën për vdekje e lanë shtrirë. Nuk patën besim se mund të vdiste, thërriste aq shumë nga dhimbjet saqë vetëm pishat përreth e dinë se sa rënkonte, thërriste nga që i dhimbte shpirti. Komunisto-sigurimsat vendosën që të mos e dëgjonin zërin e kësaj viktime. E gjetën zgjidhjen. Filluan prapë "betejën", britmat u shtuan, saqë po çanin qiellin. Ne përreth dridheshim nga frika. Prisnim radhën. Një sigurims, me sa dukej më "specialist" se të tjerët e bëri të pushonte së thirruri. "Gladiatorët" e lanë drurin, e morën dhe e palosën më dysh, mbas 4-5 ulurimash ra qetësi, nuk dëgjohej as zhurma më e vogël. Sandër Sokoli dha shpirt. Gjaku vazhdonte t'i rridhte nga plagët. Shpëtoi një herë e përgjithmonë nga barbarët.
Dikush mori altoparlantin dhe vazhdoi. Turni i dytë në mencë. Hani se do shkoni në punë, ka ndonjë që s'do të dali në punë? U futëm në mencë, por askush nuk e preku bukën nga tmerri. Doli turni në punë. Filloi një listë tjetër të lexohej, ishim dymbëdhjetë të dënuar, na futën në dhomën e takimeve aty ku ishin ata 14 të parët që i hoqën me makinë. Ç'të shihje aty, pa ekzagjerim, dyshemeja e dhomës ishte mbuluar me gjak, muret të spërkatura nga gjaku në çdo vend. Drutë prej ahu të lyera me gjak, filluan vallzimin në shpinën tonë. Na përplasnin për muri, duke fshirë duart e tyre me gjak, në fytyrë e trupin tonë. Shumë nga të dënuarit e kaluan këtë dhomë të gjakosur. Kjo gjendje zgjati gati 10 ditë. Punë në galeri, dru në kamp.
-Akti i tretë-
Një ditë na mbledhin në mencë, kishin ardhur nga Dega e Pukës. Të gjithë të inatosur, por njëkohësisht në fytyrat e tyre lexohej dhe një gëzim dhe e qeshur. Dëgjoni o armiq. Komunikim. Gjyqi i atyre trimave u zhvillua.
Sokol Sokoli (Zefi) dënohet me vdekje, pushkatim.
Tom Ndoja, dënohet me vdekje, pushkatim.
Të tjerët morën dënime të ndryshme. Kaq kishim, shpërndahuni, kush të dojë le ta provojë me ne, se dhe ju plumbi ju pret. Kjo gjëndje vazhdoi deri më 5 korrik 1984. Nga terrori që vazhdonte në kamp, ishte e pamundur që të ktheheshe nga galeria pa bërë normën. Në dt. 1 apo 2 korrik shëmbet galeria. Zë ndën vete dy të burgosur. Një nga Vlora, tjetri nga Kolonja. Pas tre ditesh nxjerrim kufomën e parë. Tjetri ishte më vështirë, duhej hequr shumë material, mali shëmbej vazhdimisht. Ishte 5 korriku, unë bashkë me 10 të dënuar të tjerë mbas një druri të mirë na lidhën, na hipën në një zis, na lidhën dhe me spontin e makinës. Na transferuan në një rreth tjetër të ferrit, quhej Spaç. Këtë maj mbushen 22 vjet që trupat e Sokol Sokolit, Tom Ndojës nuk dihet se ku i hodhi dora gjakatare e prokurorit e xhelatëve të tjerë. Thonë që janë pushkatuar në Shkodër. Për të ndjerin Sandër Sokoli dihet vetëm që u vra në mes të kampit. Kaq. Një gjë është e sigurt, ata janë akoma pa varr.
Hë drejtësi? si thua? A do fillosh ta thuash fjalën tënde? Apo s'ka ardhur koha?
BE, doli me një rezolutë për dënimin e krimeve të komunizmit.
E gjithë sa më sipër nuk është përrallë.
Kështu ka ndodhur...



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora