E premte, 19.04.2024, 06:16 AM (GMT+1)

Faleminderit

Robert Hamitaj: Gjaku i shenjtëruar në altarin e atdheut

E diele, 22.10.2017, 12:51 PM


HYSEN HEKALI NE SÉANCEN GJYQESORE FIER 1945

DESHMORI SELFO HEKALI DHE GJAKU I SHENJTËRUAR NË ALTARIN E ATDHEUT

Nga Robert H. Hamitaj

Selfo Qazim Hekali është një nga dëshmorët e rrallë të Mallakastrës, i rënë në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare,  emri i të cilit nuk është shfaqur thuajse fare në faqet e shtypit periodik shqiptar të periudhës komuniste. Rreth tij janë daravitur për dhjetra vjet me radhë mjegullat e trishta të heshtjes që të bëjn të dyshosh për qellimin e mbrapshtë  të autorëve të tyre. Dyshimi lidhet me faktin se ky dëshmor ka rënë nga radhët e “Ballit  Kombëtar” dhe do të ishte më mirë të lihej atje ku kishte nisur, tek statusi i marë në vitin 1946, i cili ju dha në një kohë kur ende nuk ishte tharë gjaku i derdhur i të atit dhe të vëllait nga atentati i organizuar nga guerilet e kuqe komuniste.

Ndoshta sepse paralel me statusin e tij, trupi gjykues i partisë – shtet, vendosi ekzekutimin dhe burgosjen e vëllezërve, xhaxhait dhe kushërinjëve të tij të shumtë, nacionalistë të denjë të kësaj krahine.

Gjithsesi Selfo Qazim Hekali është dëshmor i atdheut pavarësisht nga ngjarjet e rënda dhe korentet e ndryshme politike që ka gjeneruar koha në këto dhjetra vjetë. Ai e dha jetën në luftë kundër okupatorit fashist dhe bandës kriminale të Isa Toskës dhe gjaku i tij është shenjtëruar në altarin e atdheut.

Selfua u lind në Hekal të Mallakastrës më 16 shkurt të vitit 1916, në familjen më të madhe e më të dëgjuar patriotike të kësaj krahine, familjen e udhëheqësit të famshëm të kryengritjes antiosmane të vitit 1847, Rrapo Hekalit. Ai mbante emrin e gjyshit të tij, Selfo Hamit Hekalit, nipit të Rrapos i cili luftoi në krahë të tij dhe u burgos së bashku me të. Në Lidhjen e Prizrenit ishte anëtar i saj në degën e Beratit. Kënga e njohur popullore “Harfet nga Stambolli solle” i kushtohet pikërisht këtij rilindasi sepse solli abetaren e “Të nxënit të shkronjave shqipe” nga Stambolli në Hekal dhe hapi shkollën e parë shqipe në patet (bodrumet) e shtëpisë së tij. Ndërsa i ati i këtij dëshmori, Qazimi, shfaqet aktiv në kryengritjet antiosmane të viteve 1911 – 1912 në krahë të xhaxhait të tij Musa Hamit Hekalit dhe kushëririt Haredin Musa Hekalit. Në vitin 1911, sipas gazetës “Liri i Shqipërisë” që botohej në Selanik, Musa Hekali  bleu armë në Korfuz me shpenzimet e veta dhe armatosi çetën e tij kryengritëse. Sipas Lef Nosit, Musa Hekali në vitin 1912 krijoi të parin batalion me qendër në Hekal ku merrnin pjesë qindra forca nën drejtimin e tij. Ndërsa i biri, Haredini njihet si firmëtar i Kuvendit të Sinjës më 23 korrik 1912 dhe një nga katër komandantët e xhandarmërisë së parë shqiptare të krijuar nga qeveria e përkohshme e Vlorës.

Qazimi u shfaq si lider që në vitin 1919 ku ai firmosi si përfaqësues i fshatit Hekal promemorien e protestës së popullit mallakastriot, dërguar qeverisë së Durrësit kundër lojrave politike që bënte Esat pashë Toptani në kurriz të popullit shqiptar, gjatë punimeve të Konferencës së Paqes në Paris.

Në luftën e Vlorës më 1920, Qazimi luftoi në krahë të xhaxhait të tij, komandantit të përgjithshëm të Mallakastrës së Sipërme, Halim Hamit Hekalit dhe gjithë burrave të tjerë të fisit Hekali që morën pjesë në këtë luftë. Më vonë së bashku me një nga djemtë e tij, Hysenin, mori pjesë në kryengritjen antizogiste të Fierit më 1935 dhe për pasoj u dënua me burgim. Ndërsa më 7 prill 1939 organizoi forcat e armatosura mallakastriote dhe e priti fashizmin me armë në Bestrovë të Vlorës.

Shkollën fillore Selfua e kreu në vendlindje, uniken në Ballsh, ndërsa të mesmen e vazhdoi në Gjimnazin Françeskan në Shkodër. Ishte i dyti nga 4 vëllezërit e tij, Hyseni, Izeti dhe Namiku.

Pushtimin fashist të vendit Selfua e përjetoi me një ndjenjë të thellë revolte dhe së bashku me një shokun e tij gjimnazist, Yzedin Hazendarin nga Berati, paraqitën në selinë e konsullatës franceze në Shkodër një mesazh për rininë dhe popullin francez. “Rini dhe ti popull revolucionar dhe patriot i Francës! Protestoni, kundërshtoni, dilni në mbrojtje të Shqipërisë sonë të vogël!”- Thuhej në protestë.

Më 28 nëntor 1939, Selfua mori pjesë në demonstratën antifashiste organizuar në qytetin e Shkodrës. Ndërsa 2 muaj më vonë, më 30 janar 1940 mori pjesë sërish në një tjetër demostratë zhvilluar gjithashtu në po këtë qytet. Për këtë pjesëmarrje u arrestua e u burgos nga forcat fashiste së bashku me tre shokë të tjerë të gjimnazit: Izedin Hazendarin, Hamit Kazazin e Qemal Draçinin. Nga burgu u lëshuan pas disa ditësh.

Në vitin 1941 Selfua mbaroi gjimnazin dhe u dërgua me shërbim nga qeveria e kohës në Kosovë, së bashku me shumë kuadro të tjerë.  U emërua kryetar i komunës në Strelckë të Prizrenit. Në këtë detyrë punoi me seriozitet, përkushtim e devotshmëri të lartë dhe kreu një veprimtari të shquar patriotike.

Nga periudha e shërbimit të tij në Kosovë, ka mjaft të dhëna që vërtetojnë qendrimin dinjitoz të Selfos, mbushur me dashuri të pakufishme ndaj popullit dhe atdheut. Sipas shënimeve biografike që ndodhen në dosjen e tij të dëshmorit në fondin e Muzeut Historik Fier, Selfo Hekali shfaqet një figurë mjaft aktive për kohën. Një bashkëpunëtor  i tij, Nesim Belliu, i cili ka qenë sekretar i kësaj komune kur Selfua  ishte kryetar, tregon për të se ishte “... një djal modest dhe me një edukatë shembullore e urrente fashizmin jo vetëm si pushtues të atdheut por edhe si armik të njerëzimit.” Gjatë një aktiviteti patriotik që kryente në fshatin Selcë, Selfua u arrestua nga një patrullë bullgare dhe u mbajt për tre muaj në burgun e Shkupit. U lirua vetëm me ndërhyrjen e autoriteteve shqiptare. Mbas daljes nga burgu u emërua kryetar bashkie në Rahovec ku gjithashtu kreu një aktivitet të dukshëm patriotik.

Por Selfua ishte nga ata nëpunësa që ishin të padëshiruar për qeverinë, prandaj edhe e pushuan nga puna pikërisht për veprimtari antifashiste. Në këto kushte, në fund të vitit 1942 u kthye në Hekal.

Menjëherë pas kthimit në vendlindje Selfua u angazhua në luftën kundër  pushtuesve fashistë.

Sipas shënimeve të lëna nga Hyseni, vwllai i Selfos, të cilat ndodhen në arkivin e familjes së tij, më 2 dhjetor 1942, në shtëpinë e Qazim Selfo Hekalit u zhvillua takimi i parë për krijimin e strukturave nacionaliste të Ballit Kombëtar. Në takim merrnin pjesë: Qazim Hekali, Kadri Cakrani, Tefik Cfiri dhe Haki Ballshi. Këtu u vendos të thirrej një mbledhje e përgjithshme për zgjedhjen e një Këshilli drejtues me persona nga e gjithë krahina.

Mbledhja u bë në Ballsh në shtëpinë e Haki Ballshit. Dhe pikërisht në këtë mbledhje, në krahë të të atit, mori pjesë për herë të parë edhe Selfo Hekali i cili sapo ishte kthyer nga Kosova. Në mbledhjen e Ballshit morën pjesë figurat më të njohura të Mallakastrës si: Qazim Selfo Hekali,  Tefik Cfiri, Kadri Cakrani, Haki Ballshi, Besim Belishova, Eqerem Peshkopija, Rauf Fratari, Ali Zeneli, Sefedin Greshica, Muharrem Rozhdija, Mitat Aranitasi, Qemal Dule, Ali Klosi, Riza Heko, Mete Metohu, Islam Panahori, Meto Rakipi, Qazim Malo, Nure Jaupi, Riza Nazëri, Rrapo Varibopi dhe Qamil Aliaj.

Ndërkohë, gjatë muajit dhjetor të vitit 1942, në Qarkun e Vlorës u formua çeta e parë  e Ballit Kombëtar nën drejtimin e Hysni Lepenicës. Aksionin e parë antifashist kjo çetë e kreu në fshatin Gjormë më 29 dhjetor 1942 – 2 janar 1943 kundër pushtuesve fashistë dhe bashkëpunëtorëve të tyre, forcave mercenare të Halil Alisë dhe Selim Kaloshit. Kjo betejë ishte një bashkëveprim i ngushtë i forcave vullnetare nacionaliste të komanduara nga Hysni Lepenica dhe Çetës Plakë të Vlorës, të komanduar nga Neki Ymeraj. Në fushën e përgjakur të kësaj beteje që vazhdoi për 5 ditë ranë mjaft dëshmorë nga të dyja krahët, si nga forcat nacionaliste ashtu edhe ato partizane. Kjo betejë tregoi se shqiptarët, ishin në gjendje të luftonin krahë për krahë, partizanë e ballista, kundër armikut të përbashkët.

Viti 1943 i gjeti forcat politike në Mallakastër në përpjekje të përbashkëta për organizimin e kryengritjes së armatosur popullore. 26 shkurt 1943, krerët nacionalistë të të gjitha fshatrave të Mallakastrës u mblodhën në Rromës për të ngritur strukturat e luftës dhe çetat e para me luftëtarët nacionalistë. Në këtë takim, krahas figurave të njohura krahinore, merrte pjesë edhe Selfo Hekali sw bashku me të atit, Qazimin dhe të vëllanw, Hysenin. Në mbledhje u zgjodh Kryesia e Komitetit Krahinor të Ballit Kombëtar Fier – Mallakastër me kryetar, Bektash Cakranin dhe nënkryetar Qazim Selfo Hekalin. Ndërsa Selfua u zgjodh një nga 4 komandantët e çetave nacionaliste krahas Kadri Cakranit, Tefik Cfirit dhe Rauf Fratarit.

5 mars 1943 në shtëpinë e Selfo Hekalit erdhi Abas Ermenji dhe organizuan së bashku një mbledhje me fshatin, me qellim bashkëpunimin midis dy krahinave, Skraparit dhe Mallakastrës në luftë kundër fashizmit dhe forcave kriminale të Isa Toskës. Pesë ditë më vonë, më 10 mars 1943, në Hekal u zhvillua një mbledhje tjetër me po të njëjtin synim: organizimin e luftës kundër okupatorit dhe bashkëveprimin midis krahinave. Në mbledhje merrnin pjesë: Hysni Lepenica, Isuf Luzaj, Skënder Muçua, Tahir Hoxha për Vlorën dhe Qazim Selfo Hekali me dy djemtë e tij, Hysenin e Selfon si përfaqësues të Mallakastrës.

7 mars 1943, Qazimi së bashku me katër djemtë: Hysenin, Selfon, Izetin, Namikun, kushëririn e tij Hajdar Halim Hekalin dhe shokët e tyre  bashkëfshatarë, u mblodhën në oborrin e shkollës së Hekalit dhe formuan çetën nacionaliste të fshatit. Çetës i vunë emrin  e patriotit të madh “Rrapo Hekali.” Komandant ishte vendosur Selfo Qazim Hekali që në mbledhjen e Rromësit dhe zëvendëskomandant, Dino Zirkë Brakaj.

Në përbërje të çetës ishin 6 anëtarë nga fisi Hekali.

Kur çeta “Rrapo Hekali” kalonte nëpër fshatrat e Mallakastrës - shkruan njëri nga ish anëtarët e saj z. Ceno Caushaj, - Selfua mbante fjalime me fjalët më të ëmbla e më të ngrohta që i buronin nga thellësia e shpirtit të tij fisnik. U thoshte mallakastriotëve se mbas mbarimit të luftës, Shqipëria jonë e dashur dhe e shtrenjtë do të çlirohej e do të bëhej një vend i pavarur demokratik, do të lulëzonte e përparonte si gjithë vendet dhe kombet e botës së qytetëruar.”

Çeta “Rrapo Hekali”mori pjesë për herë të parë në përpjekje luftarake në zonën Siqecë – Rozhdije më dt. 12 – 13 mars 1943. Në këtë përpjekje luftonin krahë për krahë çetat nacionaliste dhe ato partizane kundër armikut të përbashkët, fashizmit italian dhe forcave kriminale të Isa Toskës. Në zjarrin e kësaj lufte ra trimi Jashar Cakrani. Rënia e Jashar Cakranit në fushën e betejës, shënoi dëshmorin e parë të Ballit Kombëtar për krahinën e Mallakastrës.

19 qershor 1943, forcat partizane dhe çetat e Ballit Kombëtar sulmuan në Luar një kompani të ushtrisë italiane dhe forcat e kriminelit Isa Toska.

Baza e këtij krimineli ishte Luari, fshati i tij i lindjes në të cilin kishte ndërtuar me ndihmën e italianëve edhe një shtëpi të fortifikuar për të përballuar sulme të shumta artilerie. Por baza e vërtetë e kriminelit ishte reparti i ushtarëve fashist që ishte vendosur në kodrat e Kumanit. Sapo shkrehej pushka e parë e sulmit, forcat italiane nxitonin t’i venin në ndihmë “gjeneralit” të tyre të cilin vet e kishin graduar për ta joshur dhe motivuar ta përdornin si vegël për masakrimin e popullsisë e të njerëzve të pafajshëm të zonës.

Ceno Orhan Caushaj është dëshmitari i vetëm okular i asaj ngjarjeje të hidhur të qershorit të vitit 1943 kur Selfo Hekali, komandanti i çetës “Rrapo Hekalit” dha shpirt në krahët e tij.

Porsa filloi agimi i 19 qershorit 1943, - shkruan Ceno Caushaj, - në furinë e luftës, Selfua konstatoi se çetës i mungonte një pjesë e cila gjatë rrugës për në frontin e sulmit ishte shkëputur, për arsye, se nata e 18 qershorit 1943 ishte e zezë, me stuhira, bubullima e shkrepëtima. Në këtë kohë, Selfua më mori mua dhe dolëm në një bregore të vogël. Nxori dylbitë dhe vështroi në drejtim të fshatit Ruzhdije. Atje pa babanë e tij që po vinte drejt nesh me pjesën tjetër të çetës dhe në çast hoqi qylafin e bardhë, të cilin e kishte vënë për mesi, midis trupit dhe gjerdanit të fishekëve dhe, për t’i sinjalizuar të vinin drejt nesh, e tundi në ajër disa herë. Por..., në këtë çast fatal e goditi një plumb i armikut në gjoks dhe trupi i tij u rrëzua në tokë para meje. Unë shtanga. U trondita pa masë dhe mu mor fryma. Isha i ri, 16 vjeç dhe nuk kisha parë deri ato momente njeri të vrarë, as të vdekur.

Sakaq Selfua u ngrit në gjunjë dhe si ta ndiente tronditjen time, më foli nxitimthi me një zë të thellë e të lodhur që sja kisha dëgjuar kurrë më parë:

- Ceno!!! Ç’pret, folu shokëve dhe më hiqni!

Unë erdha në vete, brofa në këmbë dhe ju fola shokëve. Pastaj Selfua me gjysëm zëri më tha:

- Hiqmë çantën e shënimeve nga krahqafa!

Ja hoqa, hapa kapakun, i nxora fletoren dhe stilografin dhe ja dhash në duar. Me duar të dridhura filloi të shkruante. Unë e mbaja nga supet të mos binte dhe fillova të ngashërehesha. Gjaku po e mbulote duke rrjedhur pandërprerë. Ndërsa ai mundohej të shkruante... Mes lotëve lexoja shkrimin e tij, radhët e fundit të jetës që ja la të atit.

“Baba e vëllezër, miq dhe shok të idealit për liri, unë po ju lë përgjithmonë!” Ndaloi një çast, u mbush me frymë dhe u mundua të shtrëngonte stilografin që i dridhej. Pastaj me mundim shkroi edhe këto fjalë: “Rroftë Shqipëria!”

Ndërkohë erdhën shokët, e ngritën në krahë dhe u nisëm në drejtim të Ballshit. Rruga ishte e vështirë dhe armiku na godiste me artileri dhe dy aeroplanë gjuajtës fluturonin herë pas here mbi kokat tona dhe sapo na zbulonin na mitralonin.

Kur mbritëm në Lapulec Selfua po rëndohej shumë. U strehuam në shtëpinë e Sefer Avdulit. Këtu, zemra e Selfo Hekalit pushoi së rrahuri përgjithmonë.

Selfua ishte dëshmori i parë nacionalist që binte në Mallakastrën e Sipërme dhe i dyti pas Jashar Cakranit nga të dyja krahinat e Mallakastrave.

Fill mbas rënies së Selfo Hekalit drejtimin e çetës “Rrapo Hekali” e mori Dino Zirka. Me Dinon, çeta mori pjesë në disa përpjekje të tjera luftarake.

Por, mbas Konferencës së Mukjes  për Fisin Hekali filluan të vinin ditë të errëta. Forcat komuniste filluan aksionin e eleminimit të kundërshtarëve politik. Në listën e zezë të atentateve u përfshi edhe Qazimi, babai i Selfos, nënkryetar i Kryesisë së Komitetit Krahinor të Ballit Kombëtar Fier – Mallakastër, krenaria e fisit Hekali dhe njeriu me reputacion të madh në të gjithë krahinën.

Qazimi u eleminua nga forcat guerile në mëngjezin e datës 13 tetor 1943 në oborrin e shtëpisë së tij në Hekal. Së bashku me të u vra edhe i biri, Izeti 23 vjeçar. Mbas këtyre dy vrasjeve, një pjesë e familjeve: Kasua, Hyseni dhe Namiku ikën nga Hekali.

Fill mbas çlirimit të vendit ashtu si për gjithë kundërshtarët edhe për fisin Hekali filluan arrestimet, gjykimet dhe dënimet e rënda. Kushëriri i Selfos, Hajdar Halim Hekali, biri i komandantit të Luftës së Vlorës u dënua me pushkatim, Kaso Selfo Hekali, xhaxhai i dëshmorit u dënua me burg të përjetshëm dhe vdiq gjatë kryerjes së dënimit në burgun e “7 penxhereve” në Gjirokastër. Ndërsa Hyseni, vëllai i dëshmorit u dënua me 30 vjet burg. Për gjithë të tjerët filloi kalvari i luftës së klasave, persekucionet, internimet dhe injorimet masive.

Në vitin 1946, paralel me dënimet, me vendim të Kom. Ekzekutiv të rrehit të Fierit, Selfo Qazim Hekali u shpall dëshmor i atdheut. “Gjaku i Selfo Hamitajt, - shkruhet në biografinë e këtij dëshmori, - derdhur në Siqecë, shtoi radhët e dëshmorëve të Luftës Nacionalçlirimtare edhe me një dëshmor nga nipat e Rrapo Hekalit, që mbuloi me lavdi në kohën e vet jo vetëm Hekalin, por gjithë atdheun e tij të dashur Shqipërinë.

Por paradoksi qendron jo vetëm në paralelin e këtyre zhvillimeve persekutor-dëshmor, por edhe në faktin se mbas vdekjes së Selfos u tentua diferencimi i tij nga figura e të atit, Qazimit. Akuza e parë u ngrit për çështjen e arsimit të lartë. Në biografinë e tij që gjendet në dosjen e dëshmorit, thuhet se ai dëshironte të vazhdonte studimet e larta në Itali por: “I ati që ishte edhe koprac e njeri me një horizont të shkurtër nuk e lejoi.”Kjo akuzë jo vetëm që nuk qendron, por madje është edhe shumë e ulët për figurën e Qazimit. Kujtojmë se vizioni i tij për të ardhmen e fëmijëve ishte aq modern sa ishte po ai që hapi shkollën shqipe në Hekal në mbarim të Luftës së Parë Botërore, Hysenin, djalin e madh e dërgoi në Bari për të vazhduar studimet e larta, ndërsa Selfon dhe Namikun i çoi në gjimnazin e Shkodrës. Por në rrethanat e luftës studimet e larta ishin të pamundura për të rinjtë patriot si Selfo dhe Namik Hekali.

Në një tjetër akuzë e nxjerë gjithashtu nga e njëjta biografi e dëshmorit, tentohet paraqitja e tij si komunist. “Në Shkodër – shkruhet aty, - Selfua u njoh me literaturën marksiste, që përhapte grupi i Shkodrës dhe shpejt u bë anëtar i këtij grupi.”Më tej pretendohet se paska prur në fshat jo vetëm idetë komuniste por edhe “Buletinin jeshil” që botonte ky grup. Madje kur u kthye nga Kosova në fund të vitit 1942, paska rënë në kundërshti me të atin, Qazimin i cili qysh në fillim, “... nuk u pajtua me programin e Luftës Nacionalçlirimtare dhe si i tillë përfundoi në tradhëti. Selfua bëri të gjitha përpjekjet për të evituar përçarjen dhe sidomos për të larguar të atin nga rruga e tradhëtisë, mirëpo i ati nuk e dëgjoi.”Duket qartë qellimi denigrues i figurës së këtij dëshmori dhe shfrytëzimi i saj për t’iu kundërvenë fisit Hekali të cilët u angazhuan fuqimisht në krahun e nacionalistëve në kundërshtim të hapur me komunizmin. Por, ky mashtrim hidhet poshte nga vet aktiviteti i Selfos i cili mori pjesë në krah të të atit që në mbledhjen e Ballshit, më pas në atë të Rromsit ku u zgjodh një nga 4 komandantët e çetave nacionaliste që do të krijoheshin fill mbas atij takimi. Dhe pikërisht më 7 mars 1943 Selfua u vu në krye të çetës nacionaliste “Rrapo Hekali.”Është aq i dukshëm qellimi dashakeq i shkruesve të dikurshëm sa edhe kartela e dëshmorit që duhet konsideruar e shenjtë nuk e thotë të vërtetën. Në të shkruhet shprehimisht se Selfua “mori pjesë në dhjetor të vitit 1942 në çetën e fshatit dhe luftoi në përbërje të saj.”Edhe këtu manipolohet e vërteta e nuk thuhet se ishte komandant i çetës nacionaliste “Rrapo Hekali.”

Por oreksi i abuzuesve me figurën e tij nuk u mjaftua me kaq. U manipulua edhe vrasja e tij. “Vrasja e Selfos dhe Jashar Cakranit, - thuhet në biografinë e sipërcituar, - mbeti për një kohë të gjatë enigmë, por më vonë u sqarua nga gjyqet e tradhëtarëve. Jasharin e Selfon e vranë pas shpine tradhëtarët e Ballit Kombëtar, me qellim që të bënin për vete Qazim Aganë. Vrasjen e Selfos dhe Jasharit e përgatiti Kadri Cakrani.”Kjo lloi marrëzie ala komuniste ka bërë për të “vjellë”jo vetëm lexuesin por edhe vetë shkruesin e tyre. Diku në fillim të të njëjtit tekst biografik shkruhet se, “Qazimi që në fillim nuk u pajtua me programin e luftës dhe si përfundim përfundoi në tradhëti, d.m.th. u bë pjesë e Ballit Kombëtar.” Nga ana tjetër ballistët i vrasin të birin për ta bërë për vete. Në thelb ky argument mjeranësh është sa i dhimbshëm aq edhe qesharak. Por, ja që është i tillë dhe jo vetëm kaq. Më tej u ngritën të tjera alibira. Ceno Caushaj kujton me dhimbje të thellë jo vetëm ikjen e Selfo Hekalit në lule të rinisë, por edhe barrën e rëndë të intrigave të thurura rreth vrasjes së tij dhe qylafit të bardhë me zhgabonjën dykrenare që mbante në kokë. “Alibirat e shumta u ngritën në një mjedis mediokrish ku synohej fabrikimi i të dhënave false në funksion të moralit dhe edukimit komunist të Selfo Hekalit. Kjo alibi i duhej diktaturës së re që po ngrihej për të patur sa më shumë dëshmorë nga gjiri i vet, si e vetmja kauz e përqafuar nga rinija patriotike e kohës.

Vrasja e Selfo Qazim Hekalit, djaloshit mallakastriot, qe një dhimbje e rëndë për të afërmit dhe gjithë lëvizjen nacionaliste të zonës. Por, në këtë ditë tragjike dhe zije për familjen Hekali, kur miqtë e shokët e pikëlluar derdhnin lotë dhimbjeje për birin dhe vëllain e tyre të dashur, komunistët në Mallakastër, filluan të shpifin rreth saj e të villnin vrerë duke thënë se Selfon e vranë shokët e tij pas krahëve, sepse ai ishte me të rinjtë komunistë qysh në gjimnazin e Shkodrës dhe si i tillë mbante yllin e kuq brenda kapeles dhe kur u plagos para se të vdiste ja dha Ceno Caushajt, t’ua jepte shokëve komunistë të Hekalit dhe konkretisht Qerem Qamil Shehut.Por kjo nuk është aspak e vërtetë. Selfua nuk mbante kapele, si mbanin komunistët, nga ato shapkat alla ruse me yllin e kuq në ballë, por mbante qylafin e bardhë me flamurin e kuq me shgabën dy krenore, simbolin kombëtar.”

Por pavarësisht abuzimeve të tilla të natyrës komuniste, mbas viteve ’90 me ndryshimet e reja demokratike në vendit, të rënët e Ballit Kombëtar dhe të persekutuarit e tij ideologjik, u “rikthyen” me statusin e ri të nderit dhe dinjitetit të nëpërkëmbur. Tashmë, Qazimi, Izeti, Hajdari, Kasua, etj., prehen të qetë në vorrezat e martirëve të kombit në Qafën e Kashit, të cilat janë ngritur si një tempull për ata djemë e burra që dhanë jetën kundër okupatorit për një Shqipëri të lirë e demokratike, sipas modelit të qytetërimit perëndimor duke dëshmuar se pavarësisht korenteve të ndryshme politike, gjaku i derdhur për atdheun është i shenjtë e i pavdekshëm.  Ndërsa Selfo Qazim Hekali prehet në varrezat e dëshmorëve në Ballsh, krah për krahë me vëllezërit partizanë, si atëherë... kur luftonin së bashku...  para marëveshjes famëkeqe të Mukjes.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora