E enjte, 28.03.2024, 01:35 PM (GMT)

Editorial » Shkreli

Frank Shkreli: Vritet gazetarja e anti-korrupsionit

E shtune, 21.10.2017, 06:18 PM


“SITUATA ËSHTË DËSHPËRUESE” – VRITET GAZETARJA E ANTI-KORRUPSIONIT

Nga Frank Shkreli

”Hajdutët janë kudo. Situata është dëshpëruese”.  Këto ishin fjalët e fundit të gazetares së vrarë malteze, Daphne Caruana Galizia në portalin e saj, 30-minuta para se të gjënte vdekjen të hënën -- një prej gazetarëve më të njohur investigativë në Maltë e ndoshta edhe në Evropë, ndërsa përshkruante gjëndjen e krijuar politike në Maltë.   Ajo gjeti vdekjen, nga plasja e një bombe që ishte vendosur në makinën e saj, pak pasi ishte larguar nga shtëpia.   Daphne Caruana Galizia njihej për kurajon dhe luftën e saj me penë, kundër korrupcionit ,jo vetëm në Maltë, por edhe jashtë kufijve të saj.   Portali “Politico” e kishte përmendur më heret gazetaren Galizia si një prej 28 individëve të cilët do të kishin një ndikim të madh në Evropë gjatë vitit 2017, për punën e saj diligjente, në përpjekje për të zbuluar aferat korruptive në skenën politike të Maltës.   Gazetarja Galizia njihej anë embanë Evropës për punën e saj në fushën e gazetarisë investigative.

Rrjeti televiziv ameirkan CNN e cilësoi portalin e saj “Running Commentary”, ose Komenti në Vijim, si njërin prej portaleve më me influencë në fushën politike të Maltës dhe si faktorin kryesor që detyroi Kryeministrin e atij vendi, Z. Joseph Muscat të bënte thirrje për zgjedhje të reja katër muaj më parë, pasi ajo kishte bërë akuza të hollësishme dhe të një pas njëshme, kundër Kryeministrit të vendit, duke akuzuar për lidhjet e tij me skandalin e dalur nga botimi i pautorizuar i të ashtuquajturave “Panama Papers”, pikërisht për lidhjet me familjen Alijev që udhëheq Azerbaixhanin.   Sipas disa burimeve të medias, bashkshortja e Kryeminsitrit maltez ishte akuzuar gjithashtu, ndër të tjera, se kishte një llogari sektrete bankare në Panama, ndonëse sipas raporteve në media, thuhet se këto akuza janë përgnjeshtruar si nga Z. Muscat ashtu edhe nga bashkshortja e tij.

Ndërkaq, megjithse pranoi se gazetarja Galizia ishte ndër kritikët më të ashpër të tij, personal dhe politik, Kryeministri Muscat dënoi, siç u shpreh ai, “pa rezervë” , duke e cilësuar vrasjen e gazetares si “një sulm barbar kundër një personi dhe kundër fjalës së lirë në vendin tonë”, ndërsa urdhëroi shërbimet e sigurisë malteze që të përdorin maksimumin e burimeve të tyre për të zbuluar vrasësit.   Ai u citua t’u ketë thënë gazetarëve se, “Sot ësht një ditë e zezë për demokracinë tonë dhe për lirinë tonë të shprehjes”.

Reagimet ndaj vrasjes barbare të gazetares malteze ishin të shpejta dhe të forta gjithashtu nga burime qeveritare dhe jo-qeveritare edhe jashtë Maltës.   Zëdhënsja e Departamentit Amerikan të Shtetit (DASH), Heather Neuhart e dënoi ashpër vrasjen e gazetares Galizia duke e cilësuar atë si një, “Akt prej frikacaku, që mori jetën e një prej gazetareve më të talentuara dhe të guximshme, të një gazetarje e cila ia kishte kushtuar karierën e saj luftës për zbatimin e ligjit dhe luftës kundër korrupcionit”, duke hedhur sado pak dritë mbi këtë fenomen shoqëror në vendin e saj.   Zëdhënsja e DASH tha gjithashtu se FBI-ja amerikane i është përgjigjur pozitivisht kërkesës së Kryeministrit të Maltës për ndihmën amerikane në zhvillimin e hetimeve dhe për zbardhjen e vrasjes barbare të gazetares malteze Daphne Curuana Galizia, në moshën 53-vjeçare.

Ndërkaq, Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve me qëndër në New York, me anë të një deklarate u bën thirrje autoriteteve të Maltës që sa më shpejt që të jetë e mundur të kapen vrasësit dhe të garantojnë drejtësinë për zbulimin e vrasësve të gazetares së njohur.   Sipas këtij enti për mbrojtjen e gazetarëve, Znja Galizia kishte njoftuar policinë e vendit dy javë më parë, se ajo kishte marrë kërcënime për vdekje nga perosna të pa njohur.   “Daphne Caruana Galizia kishte hetuar korrupcionin në fushën politike dhe tregtare, por edhe krimet në radhët e botës kriminale”, thuhet në deklaratën e Komitetit për Mbrojtjene Gazetarëve.  “Prandaj hetimet për vrasjen e saj duhet të jenë të gjithanshme, të besueshsme dhe të shpejta”, shprehet mëtej Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve nga Nju Jorku.

Edhe në Evropë pati reagime të shpejta ndaj vrasjes barbare të gazetares së njohur të Maltës.   Presidenti i Parlamentit Evropian Antonio Tajani, u shpreh në “Twitter” se rasti i gazetares Galizia, “Është një shembull tragjik” i një gazetarjeje e cila “Sakrifikoi jetën, në përpjekjet e sajë për të zbuluar të vërtetën”.   Ndërsa, Drejtori i Konsorciumit Ndërkombëtar të Gazetarëve Investigativ, Z. Gerard Ryle u bëri thirrje autoriteteve të Maltës që të “Bëjnë hetime të shpejta dhe vrasësit t’i sjellin sa më parë para drejtësisë”.   Ndërsa Komisioni Evropian shprehu shqetësimin e tij të madh për vrasjen e gazetares Galizia dhe e dënoi aktin duke bërë thirrje për kapjen sa më parë të atyre që kryen këtë akt të tmershëm.

“Jemi tmeruar nga fakti se një gazetare shumë e njohur dhe tepër e respektuar, Znja Daphne Caruana Galizia humbi jetën në atë që siç duket ishte një sulm i paramenduar dhe i qëllimshëm”, u shpreh para gazetarëve, zëdhënsi i Komisionit Evropian, Margaritis Schinas.  Ai  shtoi se Komisioni Evropian dhe Presdienti i këtij enti, Z. Jean Claude Juncker e kanë dënuar ashpër këtë akt mizor.   ”E drejta e gazetarit -- për të hetuar, për të bërë pyetje që nuk janë të lehta për t’iu përgjigjur dhe për të raportuar efektivisht, --është në qëndër të vlerave dhe nevojave tona, e që duhet të mbrohet përhera.”

 



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora