E enjte, 28.03.2024, 11:02 AM (GMT)

Kulturë

Mergim Korça: Histori të pashkruara

E shtune, 06.09.2008, 05:58 PM


Për një histori të pandotur nga politika

Shënime nga libri “Histori të pashkruara” i Mergim Korçës

Nga Pëllumb Kulla

Disa muaj më parë lexuesit shqiptar iu dha në dorë libri “Histori të pashkruara” që në 270 faqet e tij përmbledh artikujt publicistikë të Mërgim Korçës, botuar në shtypin e perditshëm e periodik shqiptar, pas përmbysjes së diktaturës komuniste. Pra është hedhur në mejdanin publik gjithëçka ka shqetësuar zotin Korça në këtë hark kohor të ngjeshur e trazuar me vorbullën e ngjarjeve tok në dritëhijet paskomuniste: shpresat, zhgënjimin, mashtrimin, inskenimet, që pështjellojnë plehra e bizhdile, fletë të thara e skelete kurrorash, gjithëçka që ngrenë fërfëllima politike.

Përmbajtja e librit

Megjithë stilin elegant, dorën e sigurt, gjuhën e pasur, informacionin e bollshëm, referencat nga vepra dhe autoritete të shquar gjithbotërorë, ky libër është unik. Është paradoksalisht, libri i parë i një autori që shkakun e mungesës së deri tanishme të emrit të tij në vetrinën e botimeve, ia gjejmë mes rreshtash në të tërë faqet e këtij libri të rrallë. Është një zë i detyruar dhunshëm të mos dëgjohej, është një penë që ka qenë ndaluar të derdhë mjaltin e kujtimeve të një vegjëlie të bukur, pezmin e një represioni të jashtëzakonshëm pësuar në vetën e parë, urtësinë e fituar nga përvoja e pasur njerëzore dhe mbledhja e nektarit në lulet e lartësive të mendimit më të përparuar botëror.

Si i tillë vëllimi “Histori të pashkruara” ka një përbërje tematike të larmishme, por me një dominante të palëkundur që e përligj titullin kuptimplotë të librit dhe që është nevoja e domosdoshme e rishikimit dhe rishkrimit të histories.
Është një apel i madh për t’ia sjellë të tashmes historinë të pastër, të papolitizuar, të mbushur me tërë vlerat e hequra me keqdashësi. Është një përpjekje për të hapur faqe të ndritura, dikur të mbyllura me dhunë për interes të armiqve të kombit e në dëm të shqiptarëve. Është një tentativë fisnike për të shpëtuar gjeneratat e reja të shqiptarëve nga çorroditja që vuajtëm ne për dekada me rradhë. E mjerisht i vuajmë ende.

Autori afron në këtë thirrje zërin e shquar të Rabindranat Tagorës, i cili ka apeluar më parë, se: “Ai komb i cili nuk i ndreq gabimet e kaluara duke e ndërtuar të tashmen, nuk ka se si të ketë të ardhme. Ai ësht’i destinuar të zhduket”. Zoti Korça e shënon këtë në krye të “Përkujtesës, drejtuar historianëve të Akademisë Shkencave, T i r a n ë “
Në këtë drejtim unë të gjithë librin do ta rekomandoja si një përkujtesë. Faqet e librit përmbajnë dhjetra paragrafë, ku autori polemizon me historianët e dekadave diktatoriale gjithaqë sa me historianët që mbajnë sot në akademi kryet e vendit dhe që me dashje a pa dashje për shkak të indoktrinimit, nuk tregojnë vullnet të shohin, të thellohen e të shoshisin prurjet e reja e sidomos faktet e fshehur dhe arkivat e stërkyçura të viteve të gjithpushtetit enverian.

“Nuk mund të qëndroj pa pohuar se, pa arritur t’a ndajmë historinë nga politika, historia kurrë nuk ka për të qenë histori”. - thotë autori në intervistën që i jep revistës Kuvendi. Dhe pak më poshtë, përforcon: “ …derisa të mos heqim dorë nga të shikuarit e fakteve historike si edhe interpretimit të tyre nëpërmjet lenteve deformuese të bindjeve politike, cilido qoftë pozicionimi i tyre, nuk do të shkruhet historia e vërtetë e Shqipërisë”.
Po a mos vallë, vetë kërkesa për rishikim të historisë, për të shpërbaltur figurat madhore të truallit arbëror, është e shtytur nga bindje të frymëzuara po nga politika dhe vetë autori e bën thirrjen i pozicionuar edhe vetë politikisht?
Pyetje tërësisht e përligjur kur kemi të bëjmë me një autor, që vjen nga një familje që të parin e saj pat Xhevat Korçën, luftëtar me pushkë edhe penë, një nga puntorët më të shquar të Arsimit Kombëtar, një martir që i mbylli tragjikisht ditët, në burgun komunist të Burrelit nëpërmjet grevës së urisë ku ai qëndroi me këmbëngulje deri në frymën e fundit. Autori, antari më i ri, por bash më i vuajturi i kësaj familje nga persekutimi që pasoi, e ka thuajse të lejuar kundërpozicionimin. E pra, unë i ftoj lexuesit ta kenë këtë dyshim, gjatë gjithë leximit të vëllimit. Por jam katërcipërisht i bindur se në fund do të çlirohen. Dhe do të më bashkohen mua në përgëzimin që i bëra Mergim Korçës, për qartësinë dhe përqasjen jozemërake të skajeve dhe krahasimin e tezave kundërthënëse. Vetë ulja e autorit në këtë tryezë madhore të debatit është një kontribut i shkëlqyer, jashtë normave që hipokrizisht janë përdorur gjer tani nga historianë që deklarohen të çliruar nga vargonjtë komunistë. Të gjithë shkrimet së bashku përbëjnë një nga ftesat më serioze të këtyre 15 vjetëve që na bëhen të gjithëve për të kthyer sytë dhe mendjen e ftohtë mbi makromanipulimet në historinë e shqiptarëve.

Në shtjellim të strukturës të librit do të theksoj se në shëtitjet e tij të shqetësuara në terrenin e historisë, autorit i është bërë krah besimi në Zot, botkuptimi, urtësia, paqtimi, humanizmi, dora e ndjesës të cilat ia predikuan dhe ia frymëzuan figura të shquara si Nënë Tereza, At Gjergj Fishta, Baba Rexhebi, Fan Noli, këta personalitete botërisht të njohur por fatkeqësisht të mohuar e mallkuar dhe ata për dekada të tëra nga vendi i tyre nën komunistët. Personalitete të tjerë të shquar religjozë, etër shpirtërorë, katolikë, myslimanë e ortodoksë kanë qenë për autorin ndihmë e madhe në formulimin e mendimit paqësor, që bukurmirë e rezatojnë shkrimet e futur në këtë përmbledhje. Vihet re qartë se si autori, që në vegjëli ka bërë shoqëri me të mëdhenj, me veprat e këtyre humanistëve prestigjozë. Me kalimin e viteve, pastaj, fati e deshi që disa prej tyre t’i takojë edhe personalisht dhe të dëgjojë drejt për së drejti mendimet e tyre të vyera. Vend të veçantë ze Baba Rexhebi me erudicionin e tij të thellë dhe me filozofinë e tij mistike bektashiane.

Në komponentin historik janë me vlerë temat e mprehta të çështjes mbarëkombëtare, ato që kanë të bëjnë me trojet e lëna jashtë hartës formale të Shqipërisë. Autori jep një kontribut me vlerë në prurjet e tij duke e bashkuar me autoritet zërin për nevojën e vënies në vend të padrejtësive, rishikimin e gabimeve fatale dhe dënimin e tradhëtisë, në dëmin që kanë sjellë së toku në gjeografinë e dhimbshme të hapësirave shqiptare në Ballkan. Shkrimet trajtojnë shpresën për zgjidhjen e afërme të çështjes së Kosovës dhe shfaqin nevojën për t’u mirënjohur me problemin thuajse të lënë pasdore çam. Duke qenë se Kosova ka një vemëndje kombëtare dhe ndërkombëtare të konsiderueshme, kam mendimin se zoti Korça ka bërë një përçapje të lavdërueshme për të shtruar fuqimisht të shkuarën dhe të tashmen e gjëndjes së Çamërisë. Shkrimi të mrekullon për thellësinë dhe gjërësinë e trajtimit. Eshtë mbërthyes për nga moria e fakteve, të thënave dhe dokumenteve të cilët i sjell në vëmendjen tonë. Është frymëzues për nga puna e palodhur dhe tejet patriotike që Mergim Korça ka bërë në të.

Në strukturën e librit janë të rralla e të pakta nga sasia, shkrime të tjerë të natyrës kulturore, analiza dhe vlerësime të krijimtarisë letrare dhe shkencore, mendime dhe konsiderata mbi gjuhën tonë të njësuar e tjerë. Lidhur me të cilën autori mban qëndrim shumë kritik vecanërisht për sa i takon kakofonisë që shkakton heqja e apostrofit së bashku me futjen vend e pavend të e-së pa zë.

Gjithashtu të paktë janë shkrimet e mirëfillta për situatat politike e fushatat zgjedhore të vendit tonë, paçka se gjatë trajtimit të përqasjeve historike e sotmja është e pranishme në tërë kompleksitetin e saj, ashtu siç i ka hije një vepre serioze që nuk e sheh kurrë të kaluarën si qëllim në vete.

Pak fjalë mbi formimin e autorit dhe kredencialet e tij

Mendoj se formimi kulturor i njeriut bëhet vërtet i shëndoshë kur adoleshenca dhe, para saj, fëmijëria, janë kaluar në një regullaritet të plotë, kur ushqimi me dashurinë për dituri ka qënë i klasit të parë. Kjo periudhë formimi e zotit Korça, duhet se ka qenë nga më të lakmueshmet. I ati, zoti Xhevat Korça, që përmenda më lart ka qenë një nga njerëzit më të kulturuar të asaj kohe. Xhevat Korça vlerësohej për formimin e tij në Universitetet e Evropës, ka qenë për disa vjet Ministër i Arsimit në qeverinë Kruja dhe bënte pjesë në elitën kulturore dhe politike të erës parakomuniste. Miqësia e tij me figurat më të shquara të kohës, jepnin rast që studjoja dhe sallonet e tij të prisnin si mysafirë, njerëzit më të shquar të kombit, të cilët në ato caste vendimtare për vendin, shpalosnin edhe në praninë e antarëve të familjes Korça dijet dhe personalitetin e tyre, yje të tillë që në qiellin shqiptar ka kohë që pothuaj mungojnë.

Paradoksalisht, persekutimi dhe kufizimet që bëri ligj diktatura, u bënë faktorë ndihmues që pasardhësit e oponentëve të komunistëve, si Mergim Korça, të ndërgjegjësoheshin për rrugën e vështirë të afirmimit të personalitetit. Vetë autori për të cilin flasim, pati fatmirësisht një ushqim të shëndetshëm shpirtëror. Lëvizjet me familjen që nga Grazi i Austrisë ku u lind dhe lëvizjet nga Tirana në Shkodër, i dhanë mundësi të njihet me ajkën e kulturës kombëtare. Veçan, Shkodra ka lënë mbi të mbresa të pashlyeshme, që edhepse të pleksura, gjithsesi, japin shumë shpjegime mbi formimin dhe dashurin e jashtzakonshme që ai shfaq për veprën e pashëmbullt në altarin kombëtar të figurave shtatmadhore katolike: Fishta në rradhë të pare, Patër Anton Arapi më pas e tërë martirët që kosa e egër antikombëtare, i preu pa mëshirë në madhështinë e tyre. Studimi i letërsisë, i gjuhës shqipe dhe i gjuhëve të huaja, u bë për më të voglin e vëllezërve Korça armatimi më i nevojshëm për kompeticionin e egër dhe të pabarabartë me bashkmoshatarët e privilegjuar komunistë. Vetëm një kulturë solide pa të çara, e provuar në testet më të egra, mund të shpresonte për ndonjë lëshim për të vazhduar universitetin, qoftë edhe natën, sic ndodhi në fakt, -lëshime këto, që organizmat komuniste i bënin tepër rrallë. Në këto parametra duhet parë dhe formimi i zotit Mërgim Korça, dhe kuptuar aksesi i tij në Universitet dhe arritjet shëmbullore pasuniversitare.

Në këtë kategori Mërgim Korca, ishte nga më të shquarit e brezit të tij: njohës dhe zotërues i disa gjuhëve të huaja. Dashuria e tij për gjuhën shqipe, studimi dhe njohja e kujdesëshme e saj, përvetësimi dhe familjariteti me dy dialektet e saj kryesorë, janë cilësi që ndeshen rrallë. Le të marrim dialektin verior, aq të përbuzur e mallkuar nga diktatura komuniste: zoti Korça mbahet si një nga idhtarët më të zellshëm të shkrimtarëve katolikë të veriut, emrat e të cilëve mbetën në listat e zeza të regjimit teksa veprat iu dogjën atyre publikisht.
Këto penelata nga jetëshkrimi nuk janë aspak qëllim në vetvete. Të tëra shkrimet që përfshin libri gjenerojnë nga kjo jetë e trazuar dramatike dhe sidomos nga Xhevat Korça, babai, të cilit autori i dedikon këtë vëllim me parashkrimin prekës të faqes së parë, një pjesë të të cilit do ta citoj:
…Kur festoheshin përvjetorë të Gjimnazit të Shkodrës, televizioni shqiptar jepte fotografinë e trupit mësimor të këtij gjimnazi e cila kishte në qendër të saj një njollë me laps kopiativ me të ciliën vërtet maskohej fytyra e themeluesit si edhe drejtorit të parë të këtij gjimnazi, por edhe ngjallej kurreshtja e shikuesit. Përjashtim bënte fotografia e çetës së Themistokli Gërmenjit ku 17 vjeçarit Xhevat Korça nuk ia maskonin fytyrën sepse… nuk e dinin se qe Ai. E kështu, çdo 28 nëntor, ne familjarët e Tij, e kishim një kënaqësi tek e shikonim në ekranin televiziv luftëtarin për pavarësi të cilin diktatura e mohonte duke e deformuar historinë siç vazhdohet dhe sot e kësaj dite!...

Nënvizimi i kryemesazhit të librit “Histori të Pashkruara”

Më lart theksova frymën jozemërake, me të cilën një publicist si zoti Korça shtron nevojën imperative të rishkrimit për së mbari të historisë. Fryma e shkrimeve është objektive, por kjo nuk i bën aspak shkrimet të ftohtë apo pa ndjeshmëri. Përkundrazi. Shumë nga shkrimet janë histori prekëse, të denja për filma që sot i shohim me temën e holokaustit të ebrenjve. Autori teksa ekspozon faktet historikë me paanësi është totalisht në anën e të vuajturve: martirëve katolikë, Elena Gjika Merlikës, të përndershmit Irene Banushi, vjehrit të vet Syrja Selfos me thonj të shkulur egërsisht, të pushkatuarve të përqafuar xhaxha dhe nip, Gani dhe Hajdin Zëmblaku, të bashkëvarrosurve Ndue Pali dhe Caf Meti që varrosen tok, çvarrosen pas 50 vjetësh dhe rivarrosen emblematikisht tok – një i krishterë dhe një muhamedan! Janë faqe të një letërsie të pasur në ndjenja, të një narracioni nga më të mirët, ushqyer me fakte jetësorë në një sfond tragjik kombëtar me temën udhëheqëse që ka zgjedhur autori: atë të Çvarrimit dhe të Rivarrimit.
Çvarrimi dhe Rivarimi! Një nga motivet më të pranishëm të tragjedive të Greqisë së Lashtë bëhen imperative në Shqipërinë e drobitur pasenveriane.
Zonja dhe zotërinj! Kanë ndodhur përmbysje të paimagjinueshme. Po shihen ndryshime që megjithëse priteshin të ishin më thelbësore, janë gjithsesi shumë të mëdha. Është çvarrosur dhe rivarrosur Enver Hoxha. Më shumë se kaqë është mallkuar dhe vënë mbi turra drush nëpër kongrese të partive që dolën nga partia e tij. Në Tiranë Bulevardi kryesor mban emrin e Mbretit Zog. Baba Rexhebi është nderuar me titullin Nder i Kombit. Pater Gjergj Fishta mësohet në shkolla dhe botimet e tij janë bërë festa të kulturës kombëtare. Por, rrotës së historisë i janë qepur që ta ndalin për interesa meskine, për nevoja të ulëta elektorale shtabet politike, për mbrojtje veprash të palavdishme, shkencëtarët shkurtabiqër të historisë së politizuar diktatoriale, për inercira të tjera dhe shkaqe lloj-llojesh të interesuar të tjerë.
Mustafa Kruja, një nga personazhet më të pranishëm në faqet e librit që kemi në dorë prêt të çvarroset dhe rivarroset me nderimet që i takojnë një personaliteti historik me përmasa gjithkombëtare. Po kështu Patër Anton Arapi, Mithat Frashëri, Xhevat Korça, Abaz Kupi, Qazim Koculi e dhjetra e dhjetra të tjerë presin çvarrimin dhe rivarrimin e nderuar që u takon si bij të kombit shqiptar. Historia kombëtare vetëm pasurohet, paja e trimërisë arbërore, vepra dhe përkushtimi kombëtar veç fitojnë shëmbuj të tjerë, me të cilët të frymëzojnë brezat e rinj në hapësirat e universit të shqiptarëve në Ballkan e diasporë.
Në një shkrim të kohëve të fundit të botuar në Tema por të papërfshirë në këtë vëllim, autori Korça ka shpalosur argumenta më të pasur dhe theksime më serioze të vendosjes në vendin që vërtet meritojnë të ashtuquajturit kuislingë që me letra mbi tavolinë, jo vetëm kanë qënë të shfajësuar dhe të përligjur nga imperativë të kohës, por edhe sikur të ishin të mirëqëna mëkatet që i faturon diktatori atyre, ato mëkate do të ishin as e njëmijta pjesë e veprës antikombëtare të tij dhe shokëve të tij stalinistë(*).
Është për t’u përshëndetur që përpjekjet serioze të zotit Mërgim Korça, falë urtësisë, qasjes logjike dhe njerëzore të tij, kanë gjetur mirëkuptim dhe vëmendje të publicistëve të njohur e prominentë në strukturat e shtetit të dikurshëm komunist, Mehmet Elezi dhe Shaban Sinani të cilët janë shprehur dhe në media.
Kjo gëzon autorin dhe duhet të na gëzojë të gjithëve. Mjerisht ende shihet rezistenca zyrtare e historianëve të Akademisë për të “mos u tundur nga istikami”. Ja se si autori e shigjeton Drejtoreshën e Historisë: “Zoja Lalaj pranon të pohohet se lëvizja (është fjala për Kryengritjen e Malësisë së Madhe – PK) u zhvillua në forma të dhunshme kundërligjore e kundërkushtetuese. Marr përvûjtsisht lêje e t’a pves shkencataren tonë t’ nderueme: A din ajo me m’ diftue nji shêmbull kryengritjeje revolucionare n’ botë, e cilla t’ jenë zhvillue pa dhunë e konform ligjeve, si edhe kushtetutave?”

Një nga komponentët e rishikimit të historisë, Korça na e paraqet duke thënë: “E vërteta historike kërkon që drita dhe hijet e secilit jo vetëm të nxirren në shesh por edhe të krahasohen. Ky i vetmi kriter simbas të cilit do të shquhet kush është titan e kush pigmé!” (Fq 13)
Aq sa të nevojshme e ka historia jonë shpërbaltjen, pra, po aq të nevojshme e ka dhe zhveshjen nga dekoratat të heronjve të rremë, të idhujve të fabrikuar për nevojat strikte të harkut kohor nën diktaturë. Rezistenca, ve re Mergim Korça, këtu është më e dukshme pasi kjo ndërmarrje gjen kundërshtarë si vetë të dekoruarit pa merita ashtu edhe pasardhësit e tyre në formacionet e sotme politike. Heqja e dekoratave nuk do linte pa cënuar dhe profesorët e doktorët gjithfarllojesh, që kanë marë tituj për veprën e tyre të gënjeshtërt. Kështu stanjacioni bëhet tepër shqetësues. Ndaj jemi ende në një situatë groteske kur Enver Hoxha mban akoma titujt e Heroit të Popullit dhe një masë e tërë dëshmorë të demokracisë dhe përparimit që shfarosi ai, po dalin nga varret e përbaltur, rivarrosen me nderime, teksa vepra e tyre shpluhuroset dhe shfaq tërë shkëlqimin që ka.
Sidoqoftë në fund të tunelit drita po bëhet më e ndijëshme. Libri “Histori të Pashkruara” sjell një ndihmesë të jashtëzakonshme me kët’ apel të njënjëshëm por tepër kushtrues për një histori të vërtetë, të patundur nga lëkundjet politike me tërë inventarin e vlerave, ashtu si i ka hije kombeve të qytetëruar.

Konsiderata teknike

Në mbyllje dua të ve në dukje se në të gjithë librin gjen një informacion mjaft të pasur, si rezultat i studimit të gjërë e të thellë, skedimit të kujdeshsëm të tij dhe përdorimit me mjaft efikasitet nga ana e autorit Është për të patur zili shtrimi i saktë i temave dhe grishja elegante në verifikim e debat, grishja e paprerë për gjykim dhe për nxjerrje përfundimesh.
Stili i shkrimeve është brilant, leksiku shfaqet i pasur dhe i larmishëm, gjuha është atraktive dhe, siç ndodh me poliglotët, gjuhën amtare ata e ruajnë të një pastërtie shëmbullore, të zhveshur tërësisht nga barbarizmat qofshin këto të Lindjes apo të Perëndimit.

E përgëzoj autorin publikisht dhe uroj që të ketë një angazhim ende më të madh për të zgjeruar kontributin e tij të vyer në të mirë të çështjes kombëtare dhe në pasurimin e mendimit demokratik shqiptar.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora