Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Antigonea antike rikthen arkeologët

| E hene, 28.11.2005, 08:09 PM |


Eshtë rikthyer përsëri me intensitet zhurma e kazmave të arkeologëve në qytetin antik, që besohet se është një nga më të rëndësishmit e jetës së Epirit. Qyteti, i themeluar në shek. III p.e.s. me një mur 4000m të gjatë, përbën një nga detyrimet e fundit më të rëndësishme të arkeologjisë shqiptare, për të zbardhur Antikitetin

Vlerat historike dhe kulturore që fsheh nëntoka e Antigonesë antike vazhdojnë të zgjojnë interesimin e arkeologëve. Tashmë që kjo pikë arkeologjike ka fituar statusin e “Parkut kombëtar” edhe interesimi i historianëve, arkeologëve, studiuesve dhe vizitorëve të huaj dhe vendas vjen duke u rritur. Gjatë këtij muaji të pranishëm në rrënojat e Antigonesë së lashtë ka qenë nje grup arkeologësh grekë dhe shqiptarë. Të tërhequr nga vlerat e mëdha historike grupi i arkeologëve ka rinisur gërmimet dhe kërkimet ne zonat e pikës arkeologjike. Prej vitesh, Antigonea, ka qenë e harruar për arkeologët, ndërkohë që vetëm kërkuesit amatorë të thesareve kanë vazhduar intensivisht gërmimet ilegale në zonën arkeologjike. “Ndërmarrja e kësaj ekspedite kërkimore është mjaft e rëndësishme dhe një projekt serioz që rizgjon Antigonenë “, shprehet arkeologu Dhimitër Çondi. Arkeologët grekë, kryesisht studiues të universitetit të Janinës, drejtohen nga Kosta Zahos ndërsa pala shqiptare është nën drejtimin e drejtorit të Institutit Arkeologjik të Tiranës, Muzafer Kërkuti. Sipas arkeologut Dhimitër Çondi “grupi i arkeologëve shqiptarë dhe grekë është një ekip mjaft i kualifikuar dhe i kompletuar dhe puna e tij do të shërbejë për ti dhënë një zgjidhje Antigonesë së fjetur prej shumë vitesh”. Kjo ekspeditë do të zgjasë tri muaj dhe synon të nxjerrë në dritë disa prej vlerave historike të qytetërimit të lashtë të Antigonesë.

Historiku i gërmimeve në Antigone
Gërmimet e para në këtë qendër u ndërmorën në prag të Luftës së Parë Botërore nga S. Evangelidhi. Shënime më të hollësishme pastaj ka dhënë prof. N.G.L Hammond, i cili vizitoi rrënojat e Jermës në vitet 30 të shekullit në vazhdim. Ky gjurmues e njohës i mirë i Epirit, përveç të tjerave ka bërë përpjekje edhe për datimin e sistemit fortifikues të Jermës dhe për analogji i inkuadroi këto mure me ato të Leklit, të ndërtuara në periudhën e hershme helenistike. Gërmimet sistematike të ndërmarra në Jermë qysh prej vitit 1966 nën drejtimin e arkeologut Dhimostën Budina nxorën në dritë një material arkeologjik mjaft të pasur, i cili ndryshoi rrënjësisht përfytyrimet për këtë vendbanim. Një ndër rezultatet e rëndësishme të gërmimeve është identifikimi i rrënojave të Jermës në qytetin e Antigonesë. Kjo u bë e mundur me zbulimin e një tog teserash të rrumbullakta prej bronzi me mbishkrimin ANTITONEAN. Këto objekte, të cilat përmbajnë dokumentin e parë epigrafik, që bën fjalë për qytetin e Antigonesë na dhanë mundësi të korrigjojmë mendimin e shprehur më parë për këtë çështje. Një interes të veçantë në Antigone paraqesin elementët urbanistikë dhe arkitektonikë. Për të parën herë në qytetet tona këto elementë janë zbuluar në një masë të tillë që të japin mundësi të formosh, qoftë edhe në vija të përgjithshme një ide mbi planin urbanistik të një qyteti dhe veçoritë arkitektonike dhe konstruktive të banesave qytetare

Antigoneja antike
Qyteti arkeologjik i Antigonesë ngrihet mbi kodrën e Jermës, në krahun e djathtë të rrjedhës së mesme të lumit Drino, në jugperëndim të fshatit Saraqinishtë të rrethit të Gjirokastrës. Ai zinte një vend dominues dhe njëkohësisht më të përshtatshmin nga pikëpamja ekonomike në këtë luginë. Qenë pikërisht këta faktorë që ndihmuan qytetin të zhvillohej si qendra më e rëndësishme midis vendbanimeve të tjera urbane të kësaj zone. Qytete shtrihej midis dy kreshtave, të cilat lidhen me njëra-tjetrën nëpërmjet një qafe të ngushtë. Kreshta e anës veriore me lartësi 700 m mbi nivelin e detit ka në majë një shesh të vogël kurse kreshta jugore e lartë 600 m është e formuar nga një numër terraca që palosen me njëra-tjetrën. Kudo mbi këto terraca duken gjurmë godinash, të cilat megjithëse të dëmtuara vende-vende gjatë kohës, kanë një planimetri të rregullt.
Antigonea zinte një sipërfaqe prej 45 ha. I gjithë ky territor ka qenë i rrethuar me mure te forta më gjatësi rreth 4 000 m, që mbronin qytetin në të gjitha anët e sidomos në pjesën jugore dhe perëndimore ku rrezikohej më tepër për vetë natyrën e terrenit. Kodra më e lartë lidhet me vendbanimin me anë të nje korridori 4 m të gjerë të formuar nga dy linjat e mureve rrethuese. Muret rrethuese kanë trashësi 3.50 m dhe ruhen në një lartësi deri në 3 m, janë të ngritura me blloqe të mëdha e mesatare prej gurësh gëlqerorë të nxjerrë nga shtesat shkëmbore të kodrës. Rrugët e Antigonesë me gjithë ndryshimet, që paraqesin nga pikëpamja e ndërtimit kanë ngjashmëri me rrugët e zbuluara në Apolloni e Dimal. Qyteti ka pasur edhe një sistem të mirë dhe të rregullt kanalizimesh. Në mesin e njërës prej rrugëve kryesore u zbulua nja kanal i formuar nga katër rrasa guri, i cili mblidhte ujërat e kanaleve të tjera që dilnin nga banesat e ndryshme të vendosura gjatë rrugës. Kjo mënyrë vendosje e rrugëve dhe e blloqeve të banesave, buzë tyre, tregon për ekzistencën e një sistemi të rregullt urbanistik pavarësisht nga relievi terracor i qytetit. Konfiguracioni i terenit midis terracave të banimit jep të kuptohet se lidhja midis tyre duhet të jetë bërë me anë shkallësh pa përfillur aspak rrjetin e drejtë të rrugëve. Kjo na bën të mendojmë për egzistencën e një sistemi hypodamik në planin urbanistik të qyteti të Antigonesë. Në shtresat kulturale të sektorëve të gërmuar janë gjetur një numër shumë i madh materialesh të plotë e të fragmentuara, metalike dhe balte, që lidhen me nevojat e jetës së përditshme të banorëve të Antigonesë.

Gjetjet e ndryshme
Në grupin e gjetjeve të tërheq vëmendjen një mënyrë e veçantë inventari i pasur zejtaro-bujqësor. Ai përbëhet nga kosore, kosa, drapërinj, dalta, sqepare, çekiç, kompase, vegla për regjjen e lëkurës etj, nga enët e ndryshme prej bronzi të zbukuruara me figura plastike zoomorfe ose me figura mitologjike siç është ajo e Poseidonit dhe e Sfinksit dhe nga disa prodhime artistike. Një pjesë e këtyre objekteve padyshim janë prodhime vendi, gjë që e tregojnë jo vetëm ngjyrat e zbuluara në sasi të konsiderueshme por edhe vetë punishtet në të cilat janë gjetur. Veglat e ndryshme zejtare tregojnë se ishin zhvilluar edhe degë të tjera të zejtarisë si punimi i lëkurës, gurëskalitja, punimi i drurit etj. Ekzemplarët e shumtë dhe të ndryshëm të qeramikës lokale të përdorimit të përditshëm, objektet artistike prej balte dhe kallëpet për prodhimin e tyre, masa e madhe e tjegullave, pitosave të zbuluara në gërmime si dhe skarciteti i tyre tregojnë për një zhvillim të prodhimit të gjerë të qeramikës. Gjithashtu në Antigone janë zbuluar mbi 500 monedha, pjesa më e madhe e të cilave janë të Koinonit të epirotëve, kurse të tjerat i përkasin Abrakisë, Korkyrës, Maqedonisë, Dyrahut, Apollonisë, Orikut, Korinthit etj. Nëpërmjet këtyre treguesve numizmatikë shprehen qartë marrëdhëniet e ngushta tregëtare që ekzistojnë midis Antigonesë dhe qyteteve e shteteve të tjera helenistike. Këto marrëdhënie shfaqen gjithashtu dhe në materialet e ndryshme të importit grek, siç është qeramika me vernik të zi, amforat e Rodit etj, Kjo tregëti zhvillohej në rrugët kryesore, që kalonin buzë detit dhe që lidhnin Ilirinë me Epirin dhe Greqinë. Rezultat e gërmimeve arkeologjike tregojnë se Antigoneja u formua si një qendër e madhe dhe e rëndësishme ekonomike, shoqërore, kulturore dhe politike që në fillim të shek. III p.e.s në një kohë që përputhet me periudhën e fuqizimit më të madh politik të shteteve të Epirit.

Zhvillimi i mëvonshëm i jetës
Ajo vazhdoi jetën e saj gjatë gjithë shek. III dhe pati një veprimtari prodhuese intensive, sidomos nga fundi i këtij shekulli dhe fillimi i shek II p.e.s. Antigoneja zhvillohet si një qytet i tipit polis. Ky mendim gjen mbështetje edhe në mbishkrimin që bën fjalë për praninë e gjimnasiarkut në këtë qytet. Sipërfaqja e madhe që zinte Antigoneja tregon se ajo ishte një nga qytet më të mëdha të vendit tonë. Antigonea bën pjesë në tipin e qyteteve pa akropol, të mbrojtur me një mur të vetëm rrethimi. Ajo kishte një plan të rregullt urbanistik të ngjajshëm me atë të shumë qyteteve helenistike të Greqisë dhe të krahinave rreth saj. Ky plan i rregullt i qytetit si dhe ai i banesave të tij tregojnë se Antigoneja ashtu sikurse në sektorë të ndryshëm të jetës dhe në arkitekturë qe ndikuar shumë nga elementët e urbanistikës dhe arkitekturës helenistike. Të dhënat e përfituara nga gërmimet treguan se një rol të rëndësishëm në jetën ekonomike të qytetit kanë luajtur zejtaria dhe tregtia. Qyteti kishte edhe territorin e vet bujqësor jashtë mureve rrethuese, ku janë fiksuar disa vendbanime të vogla fshatare. Veglat bujqësore të zbuluara në gërmimet, gurët e mullirit dhe pitosat tregojnë për një zhvillim të mirë të bujqësisë në këtë qytet. Në shtresën kulturale që mbulon banesat e zbuluara dallohen qartë gjurmët e një shkatërrimi të shkaktuar nga një zjarr i fuqishëm. Ky shkatërrim duhet të këtë ndodhur ne vitin 167 p.e.s kur konsulli romak Pal Emili dogji dhe rrafshoi për tokë 70 qytete të Epirit. Mbas kësaj ngjarjeje tragjike duket se Antigoneja nuk e mori me veten. Ka të ngjarë që vendin e saj ta ketë zënë vendbanimi tjetër fqinj në kodrën e Teqesë së Melanit. Gjetjet e rastit në këtë vendbanim tregojnë se ky qytet bashkëkohës i Antigonesë vazhdon të jetojë edhe pas pushtimit romak

Kush është Antigonea
ANTIGONEA. Qytet i themeluar në shek. III p.e.s. me një mur 4000m të gjatë. Ai është ndërtuar me një sistem urbanistik të tipit hipodamik, me rrugë të drejta e të kryqëzuara që ndajnë qytetin në insula me gjerësi 200 këmbë dhe në ndarje të tjera më të vogla.

Zbulimet e ekspeditës të arkeologëve
Sipas arkeologut Dhimitër Çondi pas përfundimit të hartës rilevuese të zonës dhe gërmimeve disa ditore, arkeologët arritën të zbulonin një varr monumental të tipit maqedonas. Brenda dhomave të varrit u gjetën gjithashtu edhe një mburojë prej bronzi, një monedhë dhe fragmente objektesh prej qeramike. “Gjatë kërkimeve në brendësi të varrit ne arritëm të zbulojmë edhe një dysheme të shtruar me mozaik qeramike”, shprehet Çondi.
Pjesë e zbulimeve te realizuar nga arkeologët shqiptare dhe grekë janë edhe rrënojat e një punishteje pëlhurash. Sipas arkeologëve, ajo i përket periudhës 297-295 p.e.s. Punishtja është në përmasat 6 x 5 dhe ndodhet në krahun e majtë të rrugës kryesore të qyteti antik. Brenda sipërfaqes të “kornizuar” nga muret rrethuese të punishtes arkeologët kanë arritur të zbulojnë fragment enësh qeramike që përdoreshin për ngjyrosjen e fijeve të pambukut apo leshit. Një ndër zbulimet më interesante në brendësi të punishtes janë “bombinat” ku mbështillej filli të cilat kanë formën e një koni dhe madhësia e tyre arrin deri në 10 m lartësi nga toka.” Në njërën prej ndarjeve të punishtes- pohojnë arkeologët- kemi identifikuar edhe vatrën e zjarrit, ku vendoseshin enët dhe përgatitej lëngu i ngjyrosjes së “tekstilit” antik”.

Harta që u përgatit me satelitët spiun të... Bin Ladenit
Një ndër veçansitë e ekspeditës arkeologjike shqiptaro-greke në Antigone është edhe përgatitja e hartës rilevuese të zonës. Sipas arkeologëve “në përgatitjen e kësaj harte nga ana teknike ndihmuan edhe satelitët ushtarakë spiun të NATO-s”.
Kjo hartë topografike do të shërbejë për realizimin me sukses të kërkimeve në këtë pikë arkeologjike. Për një javë rresht specialistë grekë dhe shqiptarë punuan për hedhjen në letër të elementëve topografike dhe rilevimit të zonës arkeologjike. Për përpilimin e hartës u përdorën pajisjet e teknologjisë së fjalës së fundit të shkencës në lidhje me rilevimet topografike. E veçanta e punës në lidhje me përgatitjen e hartës së kërkimeve qëndron në faktin se për hartimin e saj ndihmuan edhe 7 satelitë ushtarakë hapësinor të NATO-s. "Në kërkimet arkeologjike të Antigonesë u përdorën satelitët spiunë të NATO-s që me parë janë përdorur në luftën e Kosovës apo për misione ushtarake në Afganistan", thotë arkeologu Çondi. Madje pa e fshehur krenarinë ai shprehet " se për kërkimet arkeologjike ndihmuan pikërisht ata satelitë spiun të cilët punojnë për identifikimin dhe kapjen e kreut të Al Kaedes, Bin Laden".
Blerim Kore