E enjte, 28.03.2024, 10:19 AM (GMT)

Shtesë » Historia

Shqipni e Harrume

E premte, 05.09.2008, 06:53 PM


Tiranë, 1940. Menjëherë pas pushtimit të vendit, italianët rifilluan punimet për zbatimin e planit rregullues të Tiranës, të hartuar dhe filluar nga zbatimi, që në kohën e Mbretit Zog. Ata u përqëndruan në zonën përtej Lanës, që deri në atë kohë qe skaji i Tiranës, pas së cilës kishte veç djerrina dhe ferrishte. Fillimisht, planit të vjetër ju bënë disa ndryshime, më tepër në stil sesa në në shtrirje, me qëllim për ta përshtatur edhe më tepër me arkitekturën racionaliste, aso kohe në lulëzimin e saj maksimal. Fotografia është realizuar nga skelat e ndërtimit të Pallatit të Fashos (sot Universiteti Shtetëror) dhe paraqet në plan të parë sheshin Nënë Tereza, në të cilin shihen ngado pirgje dherash dhe materialesh ndërtimi. Heqja e dherave të tepërt nga sheshi kryhet me vagona, të cilët nëpërmjet një dekovili ngjiteshin në një rampë dhe shkarkoheshin në kamjona. Gjithashtu shihet një linjë dekovili e cila zgjatet djathtas. Përtej kësaj fotoje, ajo vazhdonte deri në zonën ku po gërmohej për ndërtimin e Stadiumit. Në krah të dekovilit, po ndërtohet godina e sotme e Bibliotekës së Universitetit. Të gjitha këto godina ndërtoheshin me konstruksion tulle dhe betonarmeje dhe më pas visheshin me pllaka dhe struktura mermeri, të cilat vinin të gatshme nga Italia. Aq problem u bë kjo punë, sa gjatë luftës italo-greke, Komanda e trupave në front, u ankua më tepër se një herë për shkak se furnizimet ushtarake të nisura nga Italia vonoheshin, pasi anijet e gjenin portin e Durrësit të zënë me materialet dhe pirgjet e mermerit, të destinuara për pallatet e Tiranës. Majtas, është në ndërtim dhe i mbuluar me skela, edhe godina e sotme e Akademisë së Arteve, ndërsa aty ku sot ngrihet Presidenca ka ende një djerrinë. Po në të majtë, përtej Lanës, duket një shtyllë e lartë me konstruksion hekuri. Është sonda që po fillon punimet për ndërtimin e Pallatit të Rinisë Fashiste, i cili për shkak të luftës u la në nivelin e katit të parë. Do të vazhdonte pas luftës në vitet ’50 për tu inaguruar si seli e Komitetit Qendror të PPSH, funksion që e mbajti deri në vitin 1991, vit pas së cilit u shndrrua në seli e Kuvendit. Ndërsa në të djathtë, aty ku duket një barangë e madhe dërrasash, vite më vonë do të ndërtohej Pallati i Kongreseve. Bie në sy pompoziteti i Bulevardit, që ndan më dysh deri tej në horizont gjithë qytetin. Në kohën e fillimit të punimeve, në vitin 1937, projekti u kritikua rëndë, citoj: “Egzistojnë qytete pa bulevarde po bulevard pa qytet nuk kemi parë” ose duke e quajtur si “Katedrale në shkretëtirë”. Këto, sepse duhet të kemi parasysh se atëhere qyteti mbaronte tek Lana dhe Tirana e Re nuk egzistonte. Por historia, i dha të drejtë vizionit të projektuesve. Ky bulevard vazhdon të jetë që prej ndërtimit të tij më i madhi në vend dhe aksi kryesor frymëmarrës i lëvizjes në Tiranë. Plot 60 vjet pas kësaj fotoje, në vitin 2000, i gjithë kompleksi i Bulevardit u shpall Monument Kulture, më i pakti nderim që mund ti bëhej krijuesit të tij, arkitektit Gherardo Bosio. Në qendër të sheshit ka ndaluar një veturë luksoze, që me gjasë duhet të jetë e fotografit që ka fiksuar përgjithmonë këtë pamje.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora