E enjte, 28.03.2024, 11:14 AM (GMT)

Kulturë

“Koha e Kometës” rikthen nderin e filmit shqiptar

E premte, 05.09.2008, 06:46 PM


Shkruan: Ben Andoni

Koha e Kometës”, që ka çelur siparin e Festivalit të parë Ndërkombëtar Veror të filmit në Durrës, është kandidat kryesor për “Gladiatorin e Artë”. Filmi i Fatmir Koçit, mbështetur mbi motive të novelëzës “Viti i Mbrapshtë” ka mrekulluar publikun e Durrësit në sallën e Teatrit “Aleksandër Moisiu” më 23 gusht.

“Koha e Kometës”

Për artdashësit e asaj dite, premiera ka qenë një kulmim i filmave të fundit shqiptarë edhe një rikthim i padiskutueshëm i nderit të saj. Me një cast të ekuilibruar të autorëve me përvojë dhe debutuesve, regjisori Fatmir Koçi i ka besuar Blerim Destanit rolin kryesor dhe pastaj Çun Lajçit, Luan Jahjes, Marsela Lushës, Xhevdet Ferrit etj, rolet e tjera. Thuhet se Koçi i ka mbyllur xhirimet e filmit më të kushtueshëm të historisë së kinematografisë shqiptare në nisje të vjeshtës së vitit 2007. Me plot 2.5 milionë Euro. Një film, që ka qenë ëndërr për realizimin nga ana e Koçit dhe krejtësisht me një look ndërkombëtar për sa i përket produksionit të tij. Ai ka qenë bashkëprodhim me Kompaninë gjermane “LARA Enterprises”, producent i të cilit është Alan Mixhic, me origjinë nga Bosnja. Koçi ka preferuar që t’i realizojë xhirimet në mes të Maqedonisë dhe Veriut të Shqipërisë. Megjithatë, në film nuk e shikon shumë këtë ndryshim. Aksioni i burrave nis dhe përfundon në të njëjtin vend. Ata nisen në një pllajë dhe në të njëjtin vend, kthehet me të dashurën e tij, aktori kryesor i filmit. Po të gjykosh me syrin e një njeriu të publikut shqiptar, kupton se mbase elementi që çalon disi në film është gjuha. Që në ndërthurjen e personazhit kryesor kalon, sepse ai e mbulon me sharmin dhe me gjuhën e lëvizjeve të arrira. Në rolin e Kuz Babait është një arritje interpretimi i Çun Lajçit. Jo vetëm se e ka kuptuar në thelb rolin, por edhe se i ruhet patetizmit organik të shqiptarëve. Kamera është e jashtëzakonshme dhe e ndjek në mënyrë të përkryer aksionin e regjisorit. Ku shquhet ndërthurja e mrekullueshme e muzikës me elementin koreografik. Në një moment, që ai, ndoshta mund ta zgjidhte dhe ndryshe- kulmon përballja e dy etnive të ndryshme që i ndan lumi, por e kulturave gati të njëjta. Kanë të njëjtën cylen, daullen ndërsa dyluftimi folklorik i çon të gjallët gati në epos. Është një nga pjesët më të bukura gjithsesi të filmit. Një punë e jashtëzakonshme për të zbërthyer filmin ka qenë e drejtorit irlandez të fotografisë Donal Gilian. Ky i fundit, që ka punuar në filmin e Stiven Spilbergut tek “Shpëtoni ushtarin Rajan”, si asistent i parë i drejtorit të fotografisë( dhe në klipe të shumta muzikore me grupin e njohur “U2”), përmes vendosjes fantastike të kameras ka lehtësuar dhe konceptin e autorit dhe deri diku patetizmin e tepruar, që nuk i shpëton aktorëve. Një gjetje interesante e Koçit është roli i Dylberit të Kus Babait dhe dyluftimi psikologjik, që bën nga ana tjetër-për ta pasur të tillë dhe personazhin kryesor. E ndërthurur me një motiv lirik, ku një vajzë që shkon murgeshë, fati e sjell të bashkohet me Shestanin mysliman, filmi duket se e përmban të gjithë emocionin e mundshëm. Në këtë cast qëndron organikisht dhe artisti gjerman Tomas Haince, në rolin e Princ Vidit. Muzika është realizuar nga kompozitori shqiptar që jeton në Hollivud, Aldo Shllaku, ndërsa marrin pjesë edhe aktorët nga Maqedonia, Vllado Jovanovski, aktorja Naomi Valeska (mbretëresha Sofi), që duket se janë integruar mirë. Një tjetër emër që ia vlen të përmendet është ai i Ralf Muler, i cili ka marrë pjesë në produksionin e filmit të njohur “Gladiatori”. Për Blerim Destanin në rolin e Shestanit, por edhe si co-producent i filmit duhen thënë fjalët më të mira për impenjimin dhe respektin e madh ndaj rolit. Mbase handikapi i gjuhës (është shqiptar i Maqedonisë) e bën pak si shumë të ndrojtur, gjë të cilën ai vetë e kalon në aksion dhe në vendosjen e mirë në plane. Koçi ka ditur që të mbërthejë mirë edhe domethënien e tregimit të Kadaresë. Grupi i shqiptarëve, që kërkojnë luftën hipotetike dhe që do të plazmohet në histori- e fillon me grotesk dhe e mbaron me grotesk. Por, asnjëherë duke e kthyer filmin në komik. Ato elementë të groteskut, befas “mbyten” nga dalja e planeve epike. Që janë të kursyera. Filmi ka shumë thyerje dhe një objekt të përcaktuar mirë. Ai është një mozaik, mes habisë para tabelave të ndryshme, që gjithmonë çuditërisht njësiti i vogël i gjen në të njëjtin vend dhe që tregojnë formacione organizmi shqiptarësh gjithëfarëllojesh. Duhet thënë se regjisori është treguar shumë i kujdesshëm dhe në përplasjen e religjionit. Më shumë se sakrificë, ai ka treguar se religjionin shqiptarët e shikojnë si një akt për t’u prehur përkohësisht. Një vajzë murgeshë, pak kohë më vonë, ikën dhe përfundon e përdhunuar. Por, është ajo që merr përsipër të plotësojë, nga ana tjetër, vuajtjet e Krishtit. Ndërsa një dervish, që duket se i ka qëndruar vetëdijes dhe trashëgimisë, përmes sakrificës do të tregojë se Islami është e vetmja mburojë e shqiptarëve. Epilogu është se të dy vuajnë dhe askush nuk fiton. Vetë njësiti i fshatarëve që drejtohet për luftë nga Shestani, kur largohet nga fshati, i duhet të ndahet në dy pjesë. Njëri të marrë bekimin e priftit dhe tjetri duvanë e hoxhës.
Fundi është i mrekullueshëm. Martohet personazhi kryesor mysliman me ish-murgeshën, ndërkohë që luftën që ka lypur më kot njësiti i vogël, tash u ka ardhur në derë. Dhe, shqiptarët nuk nguten këtë herë. Lufta pret, hareja jo. Janë të lumtur në grotesk. E përkryer zgjidhja, por më shumë koncepti i autorit, për të treguar mentalitetin e shqiptarëve. Gëzojnë në pamundësi dhe nuk u bën përshtypje e kobshmja. Duket se i gjithë jeta e tyre është një qerthull, ku kobi dhe hareja janë fare afër.

Festivali

Filmi, sipas organizatorëve- është dërguar në disa vende të Evropës, Azisë dhe Amerikës, ndërkohë që nuk është pranuar në Festivalin e Venecias në Itali. Filmi do të ketë premierë në Prishtinë më 2-3 shtator dhe më pas do të shkojë në Maqedoni dhe do rikthehet në Tiranë. Filmat e pranishëm të Festivalit janë shfaqur një ditë në Qendrën e Kulturës “Aleksandër Moisiu” dhe ditën tjetër në Amfiteatër, ku organizatorët kanë menduar të japin “Gladiatorin e Artë”. Veç ‘Kometës’ është “Trishtimi i Zj. Shnajder”, filmi i realizuar nga regjisori Pirro Milkani; “Sekretet” e Spartak Pecanit; “Mao Ce Duni” i Besnik Bishës. Filmi shqiptar i retrospektivës do të ketë një seksion të veçantë në këtë festival. Ndërkohë, nga pjesëmarrësit e huaj do të jenë 11 filma. Ky aktivitet është i pari festival veror ndërkombëtar për filmin artistik në Shqipëri, që organizohet nga Bashkia e Durrësit në bashkëpunim me Qendrën Kombëtare të Kinematografisë. Të ftuar të tjerë nderi janë producenti Jan Harlan, i filmave të Kubrick si “Barry Lyndon”, “The Shining”, “Full Metal Jacket”, “Eyes Wide Shut” etj. Veç tyre, ka qenë regjisori, skenaristi e aktori çek Jiri Menzel. Ndërsa është kthyer sërish Mikele Plaçido. Eveniment mbetet edhe ardhja e Rade Sherbexhisë, aktorit të njohur kroat.
Filmat artistikë të përzgjedhur kanë qenë me metrazh të gjatë në 35 mm dhe mbi 70 minuta. Të gjithë pjesëmarrësit janë përzgjedhur nga juria midis 51 filmave aplikues nga 23 shtete, si përfaqësues të kinematografisë çeke, gjermane, estoneze, kroate, maqedonase apo irakiane. Ndërsa kriteri kryesor ka qenë viti i prodhimit. Kështu, në festival do të konkurrojnë për çmimin “Gladiatori i Artë”, për filmin më të mirë artistik vetëm filmat e prodhuar pas vitit 2005. b.an



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora