Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Ajshe Leka: Të ushqyerit e drejtë është themel për shëndet të mirë

| E enjte, 21.09.2017, 09:00 PM |


Nutruicion dhe dietologji

Të ushqyerit e drejtë është themel për shëndet të mirë

Edhe shmangia e vakteve është e dëmshme për shëndetin, sepse gradualisht mund të degradojë në çrregullime shëndetësore si dhe të përfundojë në ndonjë sëmundje.

Nga Ajshe Leka

Kequshqyerja është bërë sot shkaktari kryesor i sëmundjeve të ndryshme si dhe vdekjeve të parakohshme, gjithandej. Kequshqyerja vret mijëra njerëz në botë, çdo ditë. Nga ky rrezik kërcënohen të gjithë ata që nuk dinë si të ushqehen, përfshirë edhe neve. Ata që nuk dinë të ushqehen, nuk mund të bëjnë jetë të shëndetshme.

Me shprehjen “ushqime”, në të folurit e përditshëm nënkuptojmë gjërat ushqimore. Mirëpo, vetë fjala “gjëra ushqimore” ka kuptim më të gjerë. Në “gjërat ushqimore” numërohen të gjitha prodhimet bimore dhe shtazore, përfshirë edhe ujin, që shërbejnë për ndërtimin dhe mbajtjen e trupit të njeriut, si dhe për përfitimin e energjisë.

Të ushqyerit është planifikim i marrjes së ushqimit, që do të thotë, ne duhet të bëjmë zgjedhjen e duhur dhe të dimë çka jemi duke ngrënë. Ndikimi i ushqimit në shëndetin tonë, varet nga interesi dhe përpjekja jonë.

Ushqyerja e ekuilibruar dhe e përshtatshme, e kombinuar me aktivitet fizik të rregullt, janë gur themeltar për një shëndet të mirë dhe njëherësh mjet shumë efikas për parandalimin e shumë sëmundjeve, sikundër edhe për trajtimin e disa të tjerave. Përdorimi i ushqimeve të shëndetshme dhe të sigurta gjatë viteve të para të jetës, sjellë përfitime për gjithë jetën.

Ushqyerja është një proces nëpërmjet të cilit merren dhe përdoren nga organizmi ynë elementet kryesore të ushqimit. Ushqimi është një nevojë bazë fiziologjike dhe një kusht i domosdoshëm për një shëndet të mirë.

Trupi i njeriut ka nevojë për elementet kryesore ushqimore, të cilat ndahen në  karbohidrate, proteina, yndyra, vitamina, minerale, ujë dhe fibra. Këto shtatë elemente e përbëjnë piramidën ushqimore.

Gjithashtu, duhet ushqyer me rregull dhe nuk duhet anashkaluar vaktet. Shmangia e vakteve përbën një çështje serioze në aspektin e ushqyerjes, e cila gradualisht mund të degradojë në çrregullime shëndetësore si dhe të përfundojë në ndonjë sëmundje.

Anashkalimi i shpeshtë i vakteve ka ndikim të fortë dhe plot dëme në shëndetin tonë. Ata që u shmangen vakteve, përballen me rritje të nivelit të glukozës dhe një përgjigje të vonë të insulinës, që me kalimin e kohës mund të shkaktojë diabet.

Për të parandaluar krijimin e “bombave” brenda organizimit të njeriut, nga kequshqyerja, të cilat një ditë do të shpërthejnë patjetër në mënyrën e tyre, bota ka drejtuar vëmendjen nga nutricionistët dhe dietologët, të cilët japin këshillat e nevojshme se si duhet të ushqehemi.

Janë të rëndësishme, mbase edhe të domosdoshme, këshillat mbi të jetuarit e shëndetshëm, përkatësisht për një mënyrë të shëndetshme të të ushqyerit.

Kosova po i bën hapat e parë në këtë drejtim.

(Autorja është konsulente për nutriocion dhe dietologji)