E premte, 29.03.2024, 01:47 PM (GMT)

Mendime

Vangjush Saro: Shqipëria, teka dhe interesa

E enjte, 21.09.2017, 08:29 PM


Shqipëria, teka dhe interesa

Përndryshe: Edhe njëherë për “Draftet” e prapambetjes

Nga Vangjush Saro

Drafti për rishikimin e dekorimeve në kohë të Socializmit, duket se po kthehet pas. Në fakt, që në fillim, pata përshtypjen se përsëri do të kishte thjesht zhurmë, si zakonisht. Shoqëria shqiptare do t’i hynte prapë ndonjë debati të “madh”, si ai për Ahmet Zogun, si ai për mbikalimin kohë më parë, si ai për filmat e Socializmit, etj., etj. (Çudi, si nuk thonë gjë këto drafte për hidrocentralet!) Në sherre këso - ja tek zbrita pak më poshtë në terma - zakonisht përfshihen të gjithë; nga krerët e qeverisë dhe të shtetit, deri te shkruesi më amator i rrjeteve. Dhe tonet e diskutimit, janë të nxehta, ashtu siç i paravendos politika, siç i pëlqen media dhe, më në fund, siç e do edhe puna. Tekat dhe interesat e pjesës më të politizuar të Shqipërisë dhe shqiptarëve (!)

Nuk më ka trazuar dhe nuk më trazon asfare politika, krahët, grindjet, përfitimet dhe, sidomos, interesat; kam shkruar shpesh pikërisht për prapambetjen e atij vendi, gjë që e shoh krejt qartë, në mënyrë simbolike dhe konkrete njëherësh, në shumë “drafte” këso; dokumente të tilla paçavure, janë temë e përjetshme e sherreve dhe mbivendosjeve të patologjive partiake. Tash 27 vjet. Mbaroi Zogu? Fillon Lufta; pastaj filmat, gjuha letrare, pas tyre problemet historike. Kjo e tëra, si simbol i tranzicionit pa fund, si shprehje e mungesës së institucioneve dhe gjithaq e mungesës së respektit për to, është thjesht qesharake dhe e ulët. E shoqëruar me lloj-lloj shkarravitjesh, bëhet edhe më shumë se kaq.

Duke parë se si është ngatërruar lëmshi i interesave dhe shkesive politike e shoqërore, nuk mund të mos krijohet përshtypja se në vend të termave punë e vizion, ende shohim vetëm teka; dhe ndërtojmë prita përfitimi. Ose anasjelltas. Kahja se nga vijnë përfitimet ndonjëherë mplekset me prirjen për t’u dukur interesant dhe, në mënyrë të veçantë, me dëshirën përvëluese për të rënë në sy. Kjo klimë, prej kohësh, ka bërë që shumë zyrtarë, edhe shkrues të ndryshëm gjithashtu, të krijojnë pareshtur një frymë gallate. Ata kanë një dëshirë të pakuptueshme për të shkuar tek ekstremet, për të gjetur argumente qosheve dhe për të parë dukuritë dhe njerëzit nga pozicione pastërtisht të ndara.  Dikur thuhej: “O me ne, o me armikun.” Duke qenë të mësuar për një kohë të gjatë me dogma, për shkak të diametralizimit të shoqërisë (për çudi) edhe pas një çerek shekulli pluralizmi dhe (po e quajmë) demokracie, njerëzit ende përdorin kutin e animit me doemos andej apo këtej… Ekuilibri dhe drejtpeshimi nuk vlerësohen.

Çdo sjellje si më lart, ka shpjegimet e veta. Dhe po ashtu, çdo temë e agravuar qëllimisht. Pamja e sotme e vendit, është problematike. “Korrupsioni është arma e njerëzve mediokër dhe majën e saj ju do ta ndjeni kudo. Do të shikoni gra që u marin burrat gjithsej gjashtë mijë franga në vit, kurse ato prishin më shumë se dhjetë mijë franga për tualetin e tyre. Do të shikoni nëpunës që me një rrogë një mijë e dyqind franga në vit, të blejnë toka.” (Honore De Balzak) Për të shmangur vëmendjen e qytetarëve nga abuzimet dhe pazaret, gjenden herë pas here lojërat, draftet, si ato që u zunë goje më lart. Dhe të tjera. Parku te liqeni. Kulla e filanit. Letra e aksh shkrimtari. Akademia. Pastaj Muçi. Llanua... Korente nga më të çuditshmet, sjellin e çojnë thashetheme pa fund. E në këtë skenografi, e “djathta” dhe e “majta” shqiptare, thjesht i hedhin lotët përpjetë, siç thotë një shprehje kosovare. Shtiren. Ato janë të tilla, bëj të bëjmë bujë, sepse që në fillim u zaptuan nga ish-komunistë dhe spiunë; që ende i mbajnë për gryke.

Ndoshta këtu edhe gjenden një pjesë e manisë dhe prirjeve ekstremiste, ndërsa shoqëria rropatet në kërkim të së vërtetës. Të habit, për shembull, oreksi i madh për të diktuar. Sekush thërret:  E drejta është me mua!… Ndoshta sot, shumica e ka harruar çadrën e famshme që ngriti PD përpara Kryeministrisë, për disa muaj. Në ato javë, përmes një shkrimi, kujtoja se si, përpara disa vitesh, një ish-drejtues i Dhomës së Tregtisë, atëherë deputet i PD-së, me zyra te kulla përkarshi, u bë xhind kur socialistët zunë sheshin me çadra, nuk dinte si t’i nëmte ata. Qelbësirat! Më mbinë mua këtu përpara zyrës!… Mirëpo tani, thosha unë në atë shkrim, kishin mbirë aty të vetët. Dhe donin të rrëzonin qeverinë. Folë sa të duash për ndonjëfarë mirëkuptimi, shkruaja më tej. Përpiqu të heqësh nga fjalori i ditës rebelimin, luftën, kaosin. Nuk ke shans të kuptohesh…

Pas atij shkrimi, ku, besoj, vetë përsëritja e modelit (protestues) flet shumë, m’u vërsulën ca miq të “djathtë”. U përpoqa t’i bëja që të më kuptonin, gjithnjë nga pozitat e atij që s’është me asnjë, të atij që përpiqet të mbrojë një kauzë, ku nuk kanë vend posaçërisht as e majta, as e djathta. Por ishte e pamundur. Përgjithësisht, vështirë të zbutet zemërimi i njerëzve që janë në një parti, i atyre që i besojnë verbërisht një formacioni a klani apo që, fundja, janë “shitur” njëfarësoj. Për më tepër, ata të shikojnë si armik, si kundërshtar me të cilin paskëtaj edhe mund të mos komunikohet fare… Edhe sa dekada mund të vazhdojë ky karnaval? Në Kavajë, sapo janë hequr nga puna, për motive politike, punonjës të zakonshëm; lojë që bëhet në Shqipëri e në pushtete vendore sa herë që ndërrohen “udhëheqësit”. Është thjesht prapambetje. Por me siguri, më përpara paraqitet ndonjë “draft”... O kasolle, ku na mblodhe!

Kam sjellë shpesh në shkrimet e mia një thënie, që sa herë e kujtoj më dhemb edhe mua: “Shqiptarët nuk janë stërvitur për diskutime.” E ka thënë (që në fillimet e shek. XVIII) Mary Wortley Montagu, një udhëtare e poete britanike, burri i së cilës ishte në ato kohë ambasador në Turqi. Nuk e di si i ka rënë në të aq herët. Por sërish m’u kujtua thënia, kur ditët e fundit, shoqëria shqiptare u përzje edhe njëherë tjetër me rastin e emërimit të Kryetart të Kuvendit. Kjo ndodhi sepse ky emërim, sipas meje, ishte pa vend, ishte propagandistik, me paramendimin se “duhet mbajtur qetësia”, ishte, më në fund, njëlloj shpërblimi për besnikërinë e njeriut në fjalë. Këtë herë, m’u vërsulën miq të majtë...

Ani. Debatet treguan që pala në pushtet ndoshta nuk e ka problem çfarë ka ndodhur në të shkuarën; personazhet e diktaturës,  dhe zbatuesit e saj, pa një pa dy, mund të bëjnë sot ligjet e demokracisë (!) Dhe kur? 27 vjet pasi ka rënë diktatura dhe janë krijuar tashmë kushtet që demokracinë, në teori, në ligje, në qeverisje, ta udhëheqin njerëz që nuk lëndojnë askënd me të shkuarën e tyre... Besoj, kjo “qartësohej” edhe më tej tani, që vetë i pari i tyre (i socialistëve) përcolli një draft që t’ua heqë dekoratat. Apo jo? Por duket, po... (tër)heqin draftin.

Në se një njeri kupton një gjë, nuk mund të përjashtohet që edhe ta keqkuptojë. (F. Kafka)



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora