E merkure, 24.04.2024, 08:09 AM (GMT+1)

Kulturë

Kur të pagëzon Papa

E premte, 05.09.2008, 07:29 PM


Papa Benedikti XVI dhe Hemion Braho
Shkruan: Lorenc Vangjeli

Kështu mbërrita në port”! Hemion Braho është një shqiptar që studion për jurisprudencë në Romë dhe këtë vit përgatitet të kryejë doktoraturën. Ka shumë vjet në Itali dhe në shqipen e tij gjejnë vend edhe struktura të idiomave të italishtes. Kur thotë se ka mbërritur në port, në fakt do të thotë se ka realizuar një ëndërr të tij të vjetër. Dhe në të vërtetë, ajo që i ka ndodhur djaloshit shqiptar, bir i dy mjekëve të njohur nga Tirana, shkon deri në kufinjtë e një ëndrre. Hemion Braho është pagëzuar nga vetë Papa Benedikti XVI në një ceremoni të jashtëzakonshme në kryeqëndrën e katolicizmit, në Vatikan. Hemioni e tregon thjesht atë që ka ndodhur, por për të mbërritur deri këtu, është dashur kohë që t´i mbushej mendja që të fliste. Njëlloj si me gazetarët e RAI UNO-s që ishin të parët që e intervistuan dhe ai fillimisht i refuzonte i bindur se ajo që kishte ndodhur me të ishte një marrëdhënie personale, ishte një tentativë për të njohur veten dhe një mjet më shumë për t´u orientuar në botën e tij dhe botën e ligjeve të njerëzisë ku ai studionte të bënte njeriun e ligjeve.
Eshtë një djalë i gjatë, mban syze dhe pak mjekër. Flet ngadalë dhe mendohet gjatë. Ngjan më shumë se një student i edukuar mirë. Në bar e fsheh me qetësi nervozizmin; në shtëpinë e tij të re në periferi të Tiranës uji mungonte prej disa ditësh dhe kjo i kujtonte fëmijërinë. “E kujtoj atë kohë, e kujtoj pak të turbullt kur prindërit e mi dhe gjithë fqinjët ngjiteshin nëpër shkallët e pallatit me kova të mbushura me ujë. Tani është ndryshe. Tani është më mirë, pavarësisht se uji mungon herë pas here. Mungon edhe ai gëzim i panatyrshëm që sot ngjan i çuditshëm: momenti i mbushjes së të gjitha enëve të mundshme të shtëpisë me ujin e çmuar”. Nuk është cinik, por në metaforën e ngjitjes së dikurshme në shkallë, ai arrin të bëjë humor edhe me veten: “Tanimë këtë gjë duhet të bëj për veten, duhet të bëj dhe për familjen time, të ngjitem! Nuk ka rëndësi se çfarë do të jetë ngarkesa që mbaj në shpinë”, thotë ai. Dhe pikërisht në një nga këto momente, ai vendosi të sfidojë fatin. Rrethi shoqëror i studentëve të universitetit ku studionte, një grup të rinjsh mendjehapur diskutonin shpesh dhe për fenë, forcën që ajo i jepte individit dhe për mënyrën e orientimit në jetë që ajo sugjeronte. Një profesor i gjuhës dhe letërsisë angleze, Xherardo Testa, mik me studentin shqiptar, do të ishte njeriu i parë të cilit ai do t´i tregonte ëndrrën e tij: pagëzimin në Vatikan. Testa e përkrahu dhe Hemioni guxoi dhe më tej. Në një kuturisje shqiptare që ngjante si kërkim ndaj të pamundurës. I dërgon një letër vetë Papës Benedikti XVI dhe i shpreh dëshirën që pagëzimin ta kryente vetë Ati i Shenjtë. Nuk merr kurrë një përgjigje të shkruar, por shpejt, autoritete të Vatikanit do të interesoheshin deri tek rektori i universitetit ku studionte djaloshi shqiptar. Dhe ky ishte fati i tij. Hemionin e lajmërojnë se ai dhe gjashtë qytetarë të tjerë, ekstrakomunitarë, dy japoneze nënë e bijë, një peruian, një bjellorus, një kolumbian dhe një afrikanojugor, do të priteshin në audiencë tek Papa dhe do të pagëzoheshin nga vetë kreu i Kishës Katolike. Lajmëron prindërit dhe motrën që mbeten të shtangur. “Kam kërkuar që im bir të ishte i lirë në zgjedhjet e tij dhe i kam respektuar gjithmonë zgjedhjet e tij”, Hekuran Braho, kirurgu shqiptar, doktor në Spitalin Ushtarak, baba i tij tregon se ishte ndjerë krenar për të birin, kurse e ëma, Miranda thotë se i kishte mbetur vetëm të përkrahte inisiativën e të birit.
“Ishte një ceremoni e jashtëzakonshme. Kishte shumë dritë dhe nuk është e tepërt që në Kishën e Shën Pjetrit në Romë, të dukej se prekje dhe një botë tjetër, me njerëz të një lloji tjetër dhe të një përmase tjetër”, tregon Hemioni. Ishte ulur në gjunjë dhe ndërkohë që i puthte dorën Atit të Shenjtë, ai e pyet se nga ishte. “I thashë se jam shqiptar. Ati i Shenjtë tundi kokën. Pashë konfirmimin e tij dhe e kuptova se ai e dinte çfarë ishte Shqipëria. Kërkova të vazhdoja më tej, t´i lutesha që të lutej për vendin tim, por aty fjalët ngjanin më shumë se të tepërta. Kishte kaluar mesnata dhe më dukej se lundroja në një det drite”, Hemioni vazhdon të flasë pak dhe shkurt. Tashmë veç librave të ligjeve, ka lexuar dhe njeh thellë edhe religjionin. Gjen ngjashmëri mes ligjeve që ka “shpikur” njerëzimi për të qeverisur njerëzimin dhe atyre që konsiderohen si ligje hyjnore. “Të gjithë i përgjigjemi një gjykatësi, pavarësisht çfarë emri i vemë, pavarësisht me çfarë gjuhe i drejtohemi, pavarësisht se rëndom për këtë lloj ligji kujtohemi kur jemi keq”, thotë ai.
Në Tiranë është vapë dhe në këtë fundjavë ai do të udhëtojë sërish drejt Romës. Këtu i kanë mbetur pak miq të fëmijërisë, takohet shpesh me ta, por sidomos konsideron miq dy prindërit e tij mjekë dhe të motrën. Edhe miqtë e prindërve të tij. I kujtohet uji që mungonte kur doli nga apartamenti. I kujtohet edhe koha kur ende fëmijë kërkonte të ndihmonte prindërit në ngjithen e mundimshme të ujit me kova nëpër shkallë. “Edhe kjo është pjesë e sakrificës. Si buka që sigurohet vështirësisht. Si një ëndërr që kur realizohet, pyet veten: po më tej, çfarë ka më tej”?
Hemioni kërkon të ngjitet lart. Student i shkëlqyer në universitet, gjithmonë ka kërkuar të jashtëzakonshmen. Dhe fati, të paktën një të tillë ja garantoi dhe ai u pagëzua nga vetë Ati i Shenjtë, të cilit një ditë u ul dhe i shkroi një letër: Dua të vij tek Ju në Vatikan. Dhe ashtu ndodhi. Duke lënë pas një ëndërr të realizuar dhe duke prekur krenarinë.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora