Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Agron Shele: Manifestim i ndjesive estetike

| E premte, 15.09.2017, 08:27 PM |


Kur arti shndërrohet në manifestim i ndjesive estetike dhe vlerave shpirtërore

(Referim rreth poezisë së autores Mirela Terziu)

Nga Agron Shele

“Asht’ poezi, asht’ kang’, asht’ pëshpërim, asht’ gjetht’ e nats’, asht shije e fjalve të  t’tingujve, asht’ gjaku i shkronjave, asht’ dashni e verbueme “

E çfarë mund të jetë më shumë një poezi, përveçse ndjesia dhe përjetimi më i thellë shpirtëror  që lind bashkë me muzën, thyen pragmatizmin kohë dhe shfaq ngjyrimet më të bukura të koloritit jetë. Kështu do e nisja referimin tim rreth poezisë së autores Mirela Terziu, e cila vjen përherë befasuese, me përzgjedhje fjalësh dhe intriguese për lexuesin. Poezia e saj në dialektin e gegnishtes merr një tjetër timbër, tjetër muzikalitet, përvijon atë traditë të shkëlqyer dhe të njohur, që kumbon ëmbëlsinë e gjuhës, thellësinë e mendimt dhe skajshmërinë e vizionit. Si një poezi e vargjeve të lirë, me hapësirë dhe mundësi shprehje, aty takojmë dhe ndeshim atë botë të pasur e të pafundme, që grish me lirizmin e sjellur plot finesë,  simbolizimin, tematikën e jetës ardhur ndryshe, me shpresën e ditës së re, që lind për të përthyer të tjera shtigje plot dritë dhe endjes drejt kuptimit dhe vërtetësisë së saj. Këndvështrimi i hedhur rreth kësaj paraqitje grafike dhe ndërtimi strukturor të çon nëpër atë labirinth, ku dhe detaji më i vogël, i padukshëm përshfaqet hijëzimit dhe dualizmit, për atë çfarë paraqet tabloja përditësi në kuptimin parësor, por dhe për nuancat e imta që japin sharmin dhe gjithë bukurinë e mendësisë që e karakterizon. Arti i të shkruarit për këtë autore është më shumë se një prelud, më shumë se një emocion, është përtejndjenjë që shpirtëzohet gjer në përjetësi, është etyd që mbart gjurmët e vetë qenësisë si formë dhe ndërgjegie, është klithmë e atij zëri që thërret nga nëndija dhe perifrazon modalitetin kohë. Poezia e Mirelës është poezi e përmasave, ka modernizmin dhe njehësimin një me fuqinë e fjalës, është shkrirje përbrenda vargëzimit, është dallgë në memorien e lexuesit, e cila të shkund dhe të bën të ndjekësh gjurmët e atyre pasazheve që shfaqen si në tis dhe ndjekin pa reshtur, në forma dhe vijëzime. Në këtë kontekst do theksoja se përbrenda gjithë këtij arti që nis si formë dramaciteti ka sharm, ka depërtim  në thellësi dhe si nga përtejkoshenca shprehen ato nuanca, të cilat dritëzojnë përmes velit mistik, tërhequr pas natyralizmit dhe me gjurmë të shumta të autoritetit krijues!

Për me teper let ë ndalemi në disa poezi:

Tek poezia “ Jam grua” ka një zanafillë poetike që lidhet me mitologjinë, paraqitjen dhe ardhjen e saj si formë dhe vizualitet nëpër kohë, ka botën dhe tedencat ngjyrime të portretizuar nga të gjitha formart e artit, por ka dhe krenarinë e të qenit sensualja dhe përtëritja e vetë jetës.

“Jam grua, me mish të vrarë dhe dramë

dhe kur sorrat ndjejnë fundin e kësaj tragjedie…

të uritura presin ripërtëritjen …

Por unë marr frymë, le të shkojnë gjetiu.

Mbi pemën e djegur dhe të vdekur nga nata

Shpirti klithje lëshon dhe lulet ngrihen nga dheu me u dhanë erën e tyre.”

Dramaciteti i nisur në këtë poezi simbolizohet me shpendët e zinj, të gatshëm për të rrëmbyer gjithçka, dhe përherë në pritje të përtëritjes së presë së re, ( kuptim figurativ), që shkon shumë më larg si ide e mendim dhe përkon me atë ndjesi që e portretizon dhe parafytyron këtë botë kaq sensuale, si pre e dëshirave dhe kënaqësi e ndjenjave . Por unë (gruaja- thotë autorja) marr frymë, lulëzoj dhe në shkretinë e botës përreth, ku shpirti klithmë zgjon të tjera forca dhe energji për të ndritur pa reshtur të nesërmen që lind e vjen ( vazhdimësi). Në strukturën e kësaj poezie mendimi ravijëzon dualizmin e njërëzimit, që vret me kaq pasion,  por  dhe e ngre në kult, në poltrone perëndish, si fuqia dhe madhështia e gjithë bukurisë jetë.

Dhe në përmbyllje koncepti dramatik derivon në atë optimist, me grishtësinë për të paraqitur ata tablo ngjyrimesh, ku çdo ngjyrë përfaqëson jetë nga jeta e një gruaje, dashuri nga dashuria e një gruaje, përjetësi nga vetë magjia që natyra i ka falë vetë një gruaje.

Tek poezia “ Etni” kemi një paraqitje filozifike mbi raportin individ –atdhe, i cili kur je i larguar bëhët  me tundues, më i fortë, shumë më emocionues dhe gati identifikues për ekzigjencën përjetuese të çdo emigranti.

“Ftoj lulëkuqet e sapoçelura të harrojnë drojtjen.

Të lëvizin hapat e parë, pa rrënjë.

Të ecin drejt meje duke pranuar vdekjen

Ngjyra e tyre t’ më bëhet pëlhurë

e trupit tim shqipëtar .”

Lulëkuqet ( bijtë e larguar), pa rrënjë ( pa atdhe), drejt meje duke pranuar vdekjen ( humbja e kuptimësisë në vend të huaj) ngjyra të bëhet pëlhurë ( harresë) e trupit tim shqiptar ( identitetit).

Poezia e Mirelës është relative, prek me kufij ndjesie dhe simbolikën e fjalës, është sugjestionuese dhe ka mesazh të thellë. Sikurse e theksova dhe më lart lirizmi i saj vjen estetikisht, ku çdo fjalë mbart një kuptim,  ngre  një hënë në qiell, rrëzon një yll, përplas një dallgë, ringre kurmet nga hiri, çmendet pas të kuqes verë e zgjohet me vështrim mbi të kthjelltat liqene, dhe nën këtë ritëm, muzikalitet e frymë përthyen kuptimet, duke parabolizuar kufijtë në më të lartat kulme.

“ Do të shkruaj,

frikë ke, të zgjohesh pa dashurinë.

Mbetem,

ì vetmi yt kujtim, në mrekullinë e të gjallëve.

Edhe kur,

të më thuash lamtumirë,

edhe kur të më urresh

Edhe kur të më vrasësh, do të shkruaj.

Do të shkruaj,

edhe kur hi të mbetem! ”

Vargjet përflasin dhe sintetizojnë aspektin lirik, si formë dhe referim rreth gjithë kuptimësisë së jetës,  e cila dhe kur është larg, dhe kur vjen përtej ëndrrave, dhe kur urren, madje dhe kur vret ajo mbetet etyd i të gjitha muzave, mallit dhe dhimbjes, lotit dhe gjurmëve të shkrimit, përherë në rendje me vetë jetën dhe lartësuar në kostelacionet më të larta të shpirtit.

Poezia e Mirelës sigurisht është  poezi e bazuar në gjithë refleksionin jetë, kap gama dhe kufij shumë më të gjerë dhe sigurisht meriton vëmendjen e duhur për të hedhur shumë më tepër dritëhije rreth asaj që na përafron një art i mirëfilltë, por dhe një art bashkohor dhe në unison të plotë me mendimin dhe universalitetin e letërsisë sot.