E enjte, 25.04.2024, 01:50 AM (GMT+1)

Kulturë

Ejup Ceraja: Shëtitje nëpër tituj dhe nëntituj Lasgushian

E premte, 05.09.2008, 04:50 PM


Lasgush Poradeci
SHËTITJE NËPËR TITUJ DHE NËNTITUJ LASGUSHIAN

                                          (Në njëqindvjetorin e lindjes së poetit)

Ka shumë anë e mënyra të qasjes së krijimtarisë letrare-artistike të një krijuesi, e sidomos nëse ai krijues është poet, e në veçanti nëse ai poet është Lasgush Poradeci. Pra, për t'iu qasur thellësisë dhe gjerësisë lirike të krijimtarisë poetike të lirikut më të madh të poezisë shqiptare, e që hyn edhe ndër lirikët më të mëdhenj të poezisë evropiane të viteve të tridhjeta të shekullit tonë… Në këtë përvjetor jubilar të lindjes së tij, do të bëjmë ca ecejake nëpër tituj dhe nëntituj lasgushian të veprave të tij, për ta hetuar poetin gjeni…

Poetët dhe muzat qiellore

Poetët kanë lidhje të drejtpërdrejta me muzat qiellore, që, në momente të caktuara, u japin frymëzime poetike, e atëherë poetët komunikojnë me Hyjin…

Lasgush Poradeci për shumëçka qe e mbet unikat i llojit të vet. Këtu edhe qëndron origjinaliteti i krijimtarisë poetike të tij. Se, siç thoshte shkrimtari francez Shatobrioni: "Shkrimtar origjinal nuk është ai që nuk e imiton as kë, por është ai, të cilin nuk mund ta imitojë askush." E Lasgushi ishte i tillë…

"Vallja e yjve".- E theksuam më lart se poetët e vërtetë, në përgjithësi, kanë lidhje hyjnore në frymëzimin tematik e motivues me muzat engjëllore, që vijnë drejtpërdrejt nga Aoreoli hyjnor. Andaj s'kishte si të ndodhte ndryshe që veprën e vet të parë poetike poeti Lasgush Poraceci të mos e titullonte "Vallja e yjve". Pra, janë yjet hyjnorë, që "hedhin valle" frymëzimi në mendjen, shpirtin e zemrën e poetit… Dhe, si nderim e mirënjohje për tërë këtë dhunti hyjnore poeti Lasgush do ta titullojë veprën e vet të parë poetike, siç e theksuam më lart, "Vallja e yjve".

Poeti Lasgush Poradeci do ta ndiej vetën pjesë të mbretërisë qiellore. Dhe, shi mu për këtë, ai do ta krijojë poezinë (hyrëse) "Zog i qiejve". Zogu, në vetë titullin, simbolizon poetin, i cili endet i lirë në paanësitë e Universit me imagjinatën e tij krijuese, se: "Si mendim me hov të letë valon qiejve vetë." Për të përfunduar: "Që nga bota njerëzore, ku këndoj me shpirtin plot/ prit, prit! se po t'afrohet Zogu i Qiejve, o Zot!"

"Vallja e qiellit-Zemra e qiellit".- Edhe nëpërmes binomeve binjake: "Vallja e qiellit-Zemra e qiellit", len për t'u nënkuptuar se poeti ende ka nevojë për shëtitje krijuese në paanësitë qiellore…Derisa nëpërmes të parit është duke hequr valle krijuese përreth qiellit, nëpërmes të dytit len për t'u nënkuptuar se poeti ka zbritur në zemër të qiellit…Kjo "zbritje" mu në zemër e ka përmbushur dëshirën dhe qëllimin e poetit në shëtitjet e tij krijuese në paanësitë qiellore…

Pas përmbushjes së kësaj dëshire krijuese të shëtisë imagjinare në paanësitë qiellore, shohim se poeti përgatitet dalëngadalë të zbresë edhe shpirtërisht në mbretërinë tokësore. Aty ku ishte i pranishëm fizikisht. Aty ku kishte lindur si qenie njerëzore prej mishi e ashti… Aty ku trupi sërishmi do t'i tretej në gjirin e tokës mëmë, ndërsa shpirti prapë do të fluturojë drejt paanësive qiellore të Universit - në përjetësinë e pashtershme hyjnore…

"Vallja e dheut-Zemra e dheut".- "Zogu i qiejve" e heton se ka ardhur koha që të zbresë edhe shpirtërisht nga paanësitë krijuese qiellore dalëngadalë e qetë-qetë në mbretërinë e tokës - drejt zemrës së dheut. Poeti Lasgush Poradeci, si rrallë ndonjë poet tjetër, e kuptoi dhe iu përmbajt asaj fjalës së urtë popullore: "Rrëzou për toke, e mbaju për toke". Po Lasgushi nuk u "rrëzua". Ai ra si një pendël e lehtë, kur s'ka erë e stuhi, për ta kënduar me aq përkushtim e ëmbëlsi jetën tokësore me të gjitha ecejaket e zigzaget e saj, duke e ngritur atë si kult në art…

Poeti Lasgush Poraceci sa herë u këndoi si rrjedhave të ngjarjeve historike, ashtu edhe atyre bashkëkohore - si për të mirë, ashtu edhe për…, ai i shprehu ato ndjenja përmes këngës… Vetë titulli i vjershës "Këngë pleqërishte" rrëfen në heshtje për lashtësinë e trojeve arbërore dhe për zhvillimin historik të shoqërisë shqiptare nëpër shekuj, në një anë dhe për lashtësinë e gjuhës së bukur shqipe e për kulturën, doket e zakonet arbërore-shqiptare, në anën tjetër.

Pra, në vetë titullin e vjershës "Këngë pleqërishte" fshihet tërë e kaluara e popullit tonë, me të gjitha ngritjet e rëniet dhe zigzaget e jetës nëpër shekuj…

Kulmi i shprehjes poetike

"Vallja e yjve - Zemra e jetës".- Pjesa e parë e këtij cikli "Vallja e yjve" na i jep dy anë të të njëjtit rrafsh. Në kuptimin e parë e të drejtpërdrejtë hetojmë lëvizjet e yjve në paanësi…, lindjen dhe zhdukjen e tyre, në një anë dhe në anën tjetër kemi figurën qendrore të këngës së dashurisë që, e përforcuar edhe me pjesën tjetër të titullit të këtij cikli "Zemra e jetës" - japin mesazhin lasgushian jo vetëm për dashurinë në kuptimin erotik të fjalës, por edhe dashurinë për jetën në përgjithësi me të gjitha të mirat dhe huqet që ka ajo. Dhe, s'ka se si të kuptohet ndryshe nëse: "Poezia (në brendi) "Vallja e yjve" e quajtur poemë erotike-kozmogonike, është kënga mbi dashurinë dhe dashurinë për jetën…"1) Atëherë kjo këngë dashurie do të lidhet me vetë "Zemrën e jetës", që është kulmi i shprehjes poetike lasgushiane…

"Vallja e përjetësisë - Zemra e përjetësisë".- Si në çdo cikël tjetër edhe në këtë cikël kemi dysinë lasgushiane: vallja-zemra që, pothuaj e njëjtë ose e ngjashme përsëritet nga cikli në cikël. Në krijimtarinë poetike të këtij cikli, nga vetë titulli i tij, kuptojmë se poeti Lasgush Poradeci është mbështetur, ndoshta, në frymën e filozofisë apo teozofisë indase, të cilën Lasgushi e njihte mjaft mirë, se: "T' mahniste kur e dëgjoje të fliste për poezinë e vjetër indiane".2)

Dhe, prapë, nga vetë titulli i këtij cikli kuptojmë se poeti Lasgush Poradeci iu kthye sërishmi "shëtisë" imagjinatave krijuese në paanësitë e universit të Krijuesit… Dhe, atëherë kemi atë dysinë: materie-shpirt. E cila dysi pastaj shkrihet - bëhet një dhe përfaqëson qenien e plotë njerëzore dhe krijuese. Në këtë cikël, në të shumtën e rasteve, Zoti në krijimtarinë poetike të Lasgushit del në rrafshin: zot-shpirt… Këtë teori të shëtisë së lirë të shpirtit e ka përdorë së pari, në krijimtarinë poetike, poeti më cilësor i Rilindjes sonë Kombëtare - Naim Frashëri.

"Vallja e vdekjes - Zemra e vdekjes".- Vjen koha që qarku i rrethit kohor, në pikëpamje fizike duhet të mbyllet. Këtë "mbyllje" e kuptojmë nga vetë titulli i këtij cikli. Edhe pse në kuptimin fizik qarku konsiderohet i mbyllur me vdekjen fizike të poetit. Ndërsa në kuptimin e idealit, në kuptimin e përjetësisë ky qark mbetet i hapur dhe "vallja" do të vazhdojë në përjetësi dhe në paanësi nëpër Universin Hyjnor…

Triptiku i poezive të poetit Lasgush Poradeci në ciklin mbi vdekjen: Gjeniu i anijes, Lundra dhe flamuri dhe Vdekja e Nositit - jep kuptimin (simbolikën) lasgushiane: jeta-vdekja.

Në titullin e poezisë Gjeniu i anijes - gjeniu simbolizon vetë poetin, gjeniu simbolizon veprën krijuese të poetit dhe, më në fund, gjeniu simbolizon idealin e poetit për kuptim e qartësi: jeta-vdekja. Nëse anija simbolizon në vetë titull jetën dhe kjo jetë një ditë doemos do të shuhet në kuptimin fizik, është gjeniu (kupto vepra a ideali), që, edhe pas vdekjes fizike të poetit, do të komunikojnë me botën njerëzore, se: Njeriu vdekjen fizike e ka nga natyra,/ pavdekësinë e tij e bëjnë veprat e mira.

Edhe në vetë titullin e poezisë së dytë: Lundra dhe Flamuri, kemi ngjashmëri të përafërt me të parën. Derisa "lundra" simbolizon në vjershë jetën, "Flamuri" në titull simbolizon vetë poetin, simbolizon veprën e poetit, simbolizon idealin e poetit dhe, më në fund, simbolizon pavdekësinë e poetit. Pavdekësia e poetit arrihet nëpërmes veprës së tij, që e len pas. E cila (vepra) edhe pas vdekjes fizike të poetit ajo komunikon me lexuesin në vend të tij…

Te poezia e tretë e këtij triptiku: Vdekja e Nositit, që artistikisht ka dalë më e mbrujtur, më e fuqishme në vetë titull ka simbolikën universale të idealit - që e çon njeriun përpara në jetë, po që edhe e frymëzon njeriun ta bëjë një flijim të ëmbël në emër të këtij ideali…

1) Sabri Hamiti: “Vdekja e Nositit”, Parathënie - Rilindja, Prishtinë -1978.

2) Po aty.

 

        4 korrik 2000

                     "K   A   M   A   D   E   V   A"

                                         - Në 101-vjetorin e lindjes së Lasgush Poradecit -

         

           Në përvjetorin e 101-të të lindjes së Lasgush Poradecit, do t'i qasemi trajtesës së njërës ndër veprat më cilësore të tij poemës "Kamadeva", që Petraq Kolevica, me të drejtë, e quan atë simfoni, se: "Kjo poemë ka strukturën, thurjen, arkitekturën e një simfonie", thotë Petraq Kolevica në "Lasgushi më ka thënë", fq. 177, nga e morëm në shqyrtim edhe "Kamadevën"  e Lasgushit, në tri rrafshe: si do t'i qasej, përkatësisht si do ta shpjegonte vetë Lasgushi ndërtimin kompozicional të kësaj poeme; ç'mbresa më la gjatë rileximit me orientim e qëllim të caktuar dhe si iu qas Petraq Kolevica bukurisë përmbajtjesore të brendisë së kësaj poeme përmes krahasimit të saj me simfoninë, përkatësisht të analizës së saj përmes muzikës simfonike…

"KAMADEVA"

Ç'këndon ashtu kur del

Ti mos e mira?

………………………..

kurm-holla si gargi

Për mezi thyer,

Shtat-hedhura-selvi,

Vaj-erëlyer:

 

E hepura si bar,

Llërë-kulluar,

E qëruara si ar,

Gji-qumshtuar.

 

 

Je vesë a menjë a je

Brymë a dëborë,

Hirploteja mi dhe

Vetull kurorë;

Je hëhë a djellë a yll

Vetëtiim-naltë

Kaprollja në pyll,

Rritur me mjaltë.

Lasgushi thoshte: "Çdo poezi (ai fliste për atë më të mirën), duhet të ketë zhvillim të brendshëm të ndjenjës në formë piramidale. Ky s'duket po, ndjehet. Nuk është kurrë një vijë e thjeshtë, lineare, se ka brenda çudira dhe harmonira dhe bukurira të pafund, por gjithmonë vjen e rritet e ngjitet e pastaj bije në formë piramidale".

Duke u nisur nga ky konstatim Lasgushi për këtë pjesë të "Kamadevës" së vet, do të thoshte se kjo është ajo pjesa horizontale, tregimtare, që është parapërgatitje për pjesën tjetër më të fuqishme, për pjesën e ngjitjes drejt majës piramidale; kurse ne do të shtonim se kjo pjesë është ajo "pista" e lëmuar e me përmasa milimetrike, që është e gatshme ta përcjelli ngritjen e "aeroplanit", që do të shkojë vijës vertikale përpjetë drejt kulmit piramidal të ndërtimit kompozicional të kësaj poeme… Dhe, vërtet nëpër strofat e kësaj pjese "horizontale" kemi ato përshkrimet e bukura, ku Lasgushi na jep tërë bukurinë e jashtme fizike dhe brendinë e ndjenjës së asaj: "Kurmholla si gargi", që ia kishte pushtuar mendje e zemër për një herë; ndërsa Petraq Kolevica, për këtë pjesë të poemës, do të shkruajë: "Fillon në andante, e qetë, e rëndë, e trishtuar, tregimtare. Këtu jepen temat e melodive që do të zhvillohen e pasurohen me variacione të shumta më tej, gjatë kohëve të tjera…"

 

 

U çquan hënë e yll

Në mug të vonë,

Ndriçuan n'atë pyll

Takimin tonë.

 

Dhe pylli i ndezur n'ar,

Ç'u tund nga vendi,

Gjëmoj tingëllimtar

Si gjëmë ergjendi.

 

Limeri u mbush përplot

Me shkrumb e hije,

Ne t'ikim s'ikim dot

Prej kaq magjie.

 

Ja, posi n'ëndërrim,

lumturi-dehur,

Në qiell një murmurim

Zu papandehur.

 

Një këng' e lart' u ndje,

Me plot jehona:

Këndonin përmbi ne

Dy shpirtrat tona.

Kështu do të thoshte Lasgushi se fillon ajo ngjitja anësore përpjetë drejt majës piramidale të poemës; kurse ne do të shtonim se edhe hëna, edhe yjet, po edhe pylli u trandën nga prania e dy zemrave plot jehona, e dy shpirtrave, që  lëshonin këngë drite e amshueshmërie... Ndërsa hëna e yjet ua ndriçonin pyllin-vendin të praruar në argjend e ar…; ndërkaq Petraq Kolevica do të shkruajë: "Në mes tingujve të trishtuar, që zotërojnë nga fillimi në fund dhe për këtë mund ta quajmë "Simfoni e trishtuar" - dëgjohen pasazhe të bukura me melodi të ëmbla të dashurisë".

Ku je, ti mall! ti mall!

O, Jeta! Jeta!

Sa larg që zall më zall

Mezi të gjeta!

Pas ngjitjes vertikale përpjetë, ja, më në fund, do të thoshte Lasgushi - edhe kulmi piramidal i poemës "Kamadeva"; kurse ne do të shtonim se me këtë strofë katër vargjesh është dhënë tërë bukuria e jetës, është kulmi i rrëfimit artistik për jetën - dashuri…, do të thosha në dy rrafshe për një herë: bukuria për jetën dhe dashurinë në kuptimin erotik të saj pothuaj krejt të idealizuar, në një anë dhe dashuria për jetën në kuptimin më të gjerë dhe më njerëzor, në anën tjetër…; ndërsa Petraq Kolevica do të shkruajë: "Dhe, pasi jemi ngopur me harmoninë e tingujve të ëmbël dhe thellësisht të trishtuar, ja ku ndjejmë të tërë orkestrën të gjallërohet për një finale të madhërishme: qajnë violinat, rënkon kontrabasi, buçasin instrumentet frymorë, gjëmojnë daullet, klithin fanfarat…"

 

Mendoj e shkoj nga pak

Si gjithmonë,

Me shpirtin zemërak

Në rrugën tonë.

 

Ku silleshin të dy,

Me të baritur,

Me dëshirim në sy,

Me shpirt të ndritur.

 

Ku regëtin dhe sot,

Me ato kujtime,

Buçimi gjëmë plot

I zemrës sime.

Lasgushi për këto strofa do të thoshte se janë faqja tjetër e piramidës, që shkojnë drejt një rënie graduale - drejt pjesës tjetër horizontale, që shprehet më e theksuar me strofën e fundit; kurse ne do të shtonim se vërtet pas asaj bukurie magjepse, pas atij kulmi të arritjes së zenitit të rrëfimit artistik për jetën dashuri, edhe pse, siç e theksuam më lart, të idealizuar, po, megjithatë kuptimplote: "O, Jeta! Jeta!", poeti natyrshëm sado që "me shpirtin zemërak", do të shkojë si gjithmonë patundshëm rrugës plot me lule, që ia kishte trasuar me kohë veti si njeri dhe si poet dhe rrugës plot pengesa që ia venin ata që s'u bindej si njeri dhe si poet…; ndërsa Petraq Kolevica do të shkruajë: "Pastaj një pauzë… dhe pjanoforti përsërit meloditë e trishtuara të fillimit. Së fundi disa gishtërinj të bardhë e delikatë gruaje dridhin telat e një harpe: Është harpa e zemrës së poetit.

"Simfonia mbaron. kompozitori dirigjent kokulur, i zbehtë e i lodhur…, duke vazhduar të dëgjojë finalen e simfonisë së vet dhe s'i shkon ndërmend të pyes për duartrokitje… Ec i vetëm buzë liqenit, i ndjekur nga qeni besnik, Cuci dhe nga tingujt therës të fanfarës që vazhdon të klithë:

                                    O, Jeta! Jeta!"

Ejup CERAJA 

11 nëntor 2001



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora