E premte, 19.04.2024, 01:42 PM (GMT+1)

Mendime

Blerim Rrecaj: Hidhërima të tejzgjatura

E premte, 08.09.2017, 08:22 PM


HIDHËRIMA  TË TEJZGJATURA PËR HAPËSIRA TË NGULFATURA

Nga Blerim Rrecaj

Veten, të tjerët, rrethin,rrethanat, gjërat, vendin, vendet, atdheun, botën,  sikur po i njihje e po i doje a urreje për çdo ditë e  vit për vit gjatë gjithë jetës. Kështu që dikush diku lë ndonjë fjalë me vend kur pas një bisede të ngeshme e monotone(në ndonjërën nga kafenetë që vazhdojnë të mbijnë si kërpudha gjigande e na bëjnë strehë për t’u qarë e ankuar për shumëçka që ka degraduar)e cila dashur pa dashur i ngjan stërkeqjes së ambientit kur thotë se Fushën e Kosovës e kemi shndërruar në Fushën e Banesave. Qytet pa drunj, pa pemë, pa dashuri siç mund të thonë poetët, këta paralajmërues dashamirës shpeshherë të shpërfillur e të pakuptueshëm.

Tash sa kohë ka mjaftuar e mjafton që gjatë një ecjeje nëpër qytezë të vëresh kaosin që më s’dijmë a ta urrejmë apo ta dashurojmë, nëpër rrugët e rrugicat që emërues të përbashkët kanë emrin korrupcion. Po po, korrupcion që lulëzon e s’ka kush që e dënon. Fjalët janë të tepërta  e faktet i ke parasysh dhe një shëti çasti a një fotografi e shkrepur e dëshmon këtë. Dhe pastaj fol e shfryju sa të duash. Duke u vërtitur rrëmujërave, duhet të kesh kujdes të shtuar të mos përplasesh me dikë me krahë, e të bësh fjalë se kushedi si mund ta kemi disponimin në ato momente, të kesh kujdes nga makina a makineritë e rënda të firmave ndërtimore të cilat lënë bajga betoni pas, a të mos të zë sherri i zënkave banale mes personave, mes  palëve. E të përpiqesh që edhe vet t’u ikësh belave aq sa është e mundur.

Mes mllefit e ankthit, stërthemi  atë që na e pat diktuar intuita më parë se haj medet e haj se çka i kemi ba e po vazhdojmë me i ba vetvetes. E vetmja gjë me të cilat pasurohemi janë komplekset banesore disa prej të cilave ndonëse plotësojnë minimalisht kushtet e kanë ndonjë copë parking ku enden e luajnë fëmijët që  pengesë kanë ata pesë-gjashtë kontenjerë bërllogu (nëpër parkingje as intervenimet e policisë nuk  mungojnë për të larguar ndonjë veturë që veturave tjera udhën ua ka bllokuar)shikohen me zili nga të tjerat që mezi plotësojnë ndonjë kriter veç sa për të thënë, e sa për t’ua mundësuar strehimin banorëve që kanë ardhur e që po vijnë, shumë prej tyre me barrë kredie mbi shpinë.Eu, po dashtë e pa dashtë jemi bërë do farë gjysëmekspertësh të lëmive të ndryshme, si arkitektë, biznesmenë, jurist, sociologë, ekonomistë e çka jo tjetër.

Po bredhim pak  tash nëpër qendrat e ndryshme tregtare, sidomos nëpër supermarketet e mbushura me mall por edhe me problemet e shumta që po kanë. Nëpër to punojnë të rinj e të reja që sikurse punëtorë shteti e administrate,ose sikur  gazetarë e gazetare që shfrytëzohen prej bosëve të mediumeve edhe këta shfrytëzohen e ndërrojnë vendet e punës nga njëri pronar te tjetri pa u bërë rehat. S’kemi  ç’bëjmë Kosovë hesapi themi.Përpos konflikteve punëtor-pronar kanë filluar edhe problemet me blerësit për shkak të gabimeve me e pa qëllim nëpër fatura. Duhet ruajtur sidomos  për festa, për  Bajram e për Pashkë sepse diku nga mesi i faturave mund të të regjistrohen ndonjë kilogram llokume që nuk i ke marrë, dhe pastaj ec e merru me menaxherët e marketeve, dhe mbase, dikur vonë kjo gjë edhe mund të vërtetohet me anën e kamerave vëzhguese 24 orëshe. E tha dikush faturën po e shoh menjëherë pasi po e marr sepse u dogja një herë. Duke ia bërë si Nastradini që pasi kishte blerë një gomar në pazar po ia numëronte këmbët. A nuk e di se i ka katër këmbë, i kishin thënë. Po, po, por ma mirë me ia ngjehë, ishte përgjigjur Nastradini.

Dhe me çka tjetër mund të vazhdojmë aventurën e udhëtimin tonë? Shko këtu, shko atje, gjithkund njejtë të etur e të uritur për shembujt e mirë dhe t’i gjesh ata në rrëmujërat kaotike mjaf vështirë. Për shembull ta lëmë arsimin,kulturën, sportin, shëndetësinë, bujqësinë, argëtimin e kënaqësinë pak anash se mbaruam bashkë me to, duke i përmendur sikurse ka thënë Shekspiri se secili e citonte Biblën e Kur’anin për qëllime të partisë e për arritje personale të lumturisë.

Hajt pak  të flasim e pëshpërisim a bërtasim për banderët e stërngarkuar me tela përçuesish elektrikë, pra për rrezikun tragjikomik, mbi kokat tona. E dikujt i ra një ditë nga ballkoni një batanije duke e shkundur mbi këta tela. Edhe sa e sa gjëra të tilla mund të përmendim? Përplot… Shohim shtëpi e oborre të shkatërruara e pemë para pushkatimit nga bagerët gërmues. Lule të shqetësuara e pisha të rrëzuara. Shelgje që dikur i pamë, e tash më nuk janë. Nga kjo gjendje sot,  mund edhe të qeshim  e të qajmë me lotë…

E faji sa hidhet te njëri sa hidhet te tjetri. Sidomos në kohë fushatash t’i them sa s’më ka thënë. E kjo ndodh nga ata që ngjyejnë bashkë në një sahan…

Diku kaluan tre muaj që ngërçi i ri politik po vazhdon, ndërsa seç janë mbushur  rrush listat me kandidatë për zgjedhjet lokale të tetorit. E për gjendjen në terren duhen supermenë, betmenë e spajdermenë, bile edhe ata do ta kishin shumë problem.

Pse mos t’i  vazhdojmë lojërat ndonëse  është për keqardhje pse këtë këngë dashurie e kemi  shndërruar në këngë kaotike: /Kaosi, sa, sa, po lulëzon,/ti nuk e imagjinon,/ na dhemb trupi /e na dhemb shpirti…/

…Ndalu, boll ma, mjaft e lëvize derën këtë herë. E edhe duke lëvizur dritaren  sheh shenja tjera e plagë të reja të një mozaiku të hidhur të jetës, o blerim i ngratë, o blerim i shkretëruar…

Edhe një ditë kalon mes tensionesh të jashtme e të brendshme, si një faqe e një mozaiku jetësor të hidhur.

E si për t’u qetësuar pakëz,  nga ballkoni shohim këtë hënë të plotë, (na tërheq e të bën për vete, e shikojmë në disa këndvështrime)që me ndihmën e ca fletëve të kësaj luleje në formë palmeje i  afrohet njërit  oxhak  dhe sikur do të futet brenda objektit përballë…



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora