Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Resmi Osmani: Një roman për Gjon Buzukun

| E merkure, 06.09.2017, 08:21 PM |


NJË ROMAN  PËR GJON BUZUKUN

Esse nga Prof. Dr. Resmi Osmani

Gjon Buzuku, një libër për Arbrit, kështu e ka titulluar romanin e vet shkrimtari Skënder Braka, që ka parë dritën e botimit në vitin 2015. Siç ndodh rëndom, në mungesë të katalogëve informues për botimet s’kisha dijeni për romanin dhe njohje për autorin e tij. Erdhi rasti të takohemi në Durrës dhe autori, tepër modest, më dhuroi një kopje të romanit.Pasi e lexova, i mbushur me mbresa dhe impresione, si lexues por edhe si krijues, s’ka si të mos ndaj me dashamirësit e letërsisë shqipe vlerësimin dhe arritjet, sipas meje,të shkrimtarit Skënder Braka në këtë roman.

1

Tema e fillesave të shkrimit të gjuhës shqipe, e historisë së saj, e përpjekjeve dhe peripecive nëpër të cilat ka kaluar, është tepër tërheqëse dhe  intriguese, për këdo shqipfolës e shqipshkrues, por ca më shumë për krijuesit dhe lëvruesit e kësaj gjuhe. E.Çabej, vë në dukje se:”Për çdo gjuhë, historia e saj nis kur kjo gjuhë nis të shkruhet”, kjo vlen për gjuhën e shkruar,por jo edhe për atë të folur. Gjuha e folur Iliro-arbërore,ka qënë aty, në bashkësinë e etnosit që e ka folur dhe u është përcjellë brezave. Kjo gjuhë ka shërbyer si materje, si lëndë e parë e mendimtarëve dhe të diturve, për t’u lëvruar e shkruar dhe vënë në shërbim të etnosit arbëror. Por kur ka filluar të shkruhet arbërishtja? Dokumentat që zotrohen, e datojnë fillesën në vitin1462, me të famshmen “Formulë e pagëzimit” e kryepeshkopit Pal Ëngjëlli:” Unte’ paghezont premenit Atit et birit et spertit senit”, e shkruar me shkronja latine, si një formulë e pagëzimit për fëmijët e lindur në kushtet e luftës kundër Perandorisë Turke. Dokumenti më i vjetër i shkrimit shqip që njohim deri sot,është zbuluar relativisht vonë, më 1915 nga N.Jorga.U desh të kalonte afro një shekull që më 1555,të dilte në dritë libri i parë i shkruar në gjuhën arbrore “Meshari”, nga at Gjon Buzuku, më pas arbreshi Lekë Matrënga, më 1592, afro 40 vjet pas Mesharit, përktheu nga italishtja dhe botoi në Romë një broshurë”E mbësueme e kërshterë”. Në hullinë që hapi Buzuku, brazduan pasardhësit e tjerë: Pjetër Budi,Frang Bardhi,Pjetër Bogdani, kësisoj shkrimi i shqipes kaloi si stafetë nga brezi në brez duke u përmirësuar edhe cilësisht. Pas “Mesharit” erdhën librat e tjerë shqip: “E mbësueme e kërshtenë”,”Fjalori latinisht-shqip, “Çeta e profetëve” etj. Tashmë tradita e shkrimit të shqipes, në prozë e në poezi ishte krijuar.  Teodor Haxhifilipi (Dhaskal Todri)1730-1805, me një alfabet të vetin realizoi përkthime biblike në shqip dhe bëri përpjekje për ngritjen e një shtypshkronje. Shqipja e shkruar tashmë kishte marrë rrugën e mbrothësisë, për të gjetur te rilindasit tanë korifejtë e saj që  e bënë shqipen zonjë dhe e shpunë   te populli.

Historia e shkrimit të shqipes ka qënë luftë e vërtetë, për të është derdhur gjak dhe janë shuar shumë jetë dijetarësh e veprimtarësh të çështjes sonë kombëtare. Armiqtë e shkrimit të shqipes ishin Porta e Lartë dhe Patrikana e Stambollit, që i mallkoi shkronjat shqipe. Veprimtarët përndiqeshin, burgoseshin, shkishëroheshin, mallkoheshin dhe vriteshin. Gjuha e shkruar shqipe ka dëshmorët e saj. Pjetër Bogdanin më 1689,me urdhër të krerëve të klerit katolik, e mbytën në lumin Drin. Kisha Fanariote vuri njerëz dhe e vrau Dhaskal Todrin,në Resnje, kur ishte duke sjellë shkronjat e shtypshkronjës dhe më 1827 ia dogji shkrimet e tij në gjuhën shqipe. Pandeli Sotiri, drejtori i Mësonjtores së Parë Shqipe, u vra në Stamboll më 1891, nga armiqtë e çështjes kombëtare shqiptare, papa Kristo Negovani, veprimtar i shqipes, shkrimtar dhe klerik patriot, vdiq i masakruar nga andartët grekë. Petro Nini Luarasi(1865-1911), autor i shkrimit”Mallkimi i shkronjave shqipe dhe çpërfolja e shqiptarëve”, vdiq i helmuar nga Patrikana e Stambollit dhe xhon turqit më 17.8 1911.

2

E paraqita këtë vështrim historik të shkurtër vertikal, pasi ai ka qënë shtysa, nxitja  frymëzimi dhe motivimi për shkrimtarin Skënder Braka, që ka zbritur te burimi fillestar, që nis afro pesë shekuj më parë dhe me pishtarin e mëndjes të ndrisë skutat e  asaj periudhe të largët e të errët të Arbrisë veriore passkënderbeane në kornizën e pushtimit otoman dhe ndikimin venecian dhe papatit nëpërmjet kishës katolike romane. Arbrorët të vetëm, në luftë për mbijetesë,për të ruajtur  trojet e tyre amtare,të rrëthuar dhe sulmuar nga forcat e errësirës që lakmonin gjënë e tyre, për ti skllavëruar , asimiluar e tjetërsuar edhe shpirtërisht, duke u mohuar besimin dhe gjuhën. Nuk ka qënë e lehtë për autorin të depërtojë në errësirën dhe mjegullën e disa shekujve për të dhënë realitetin e qënësishëm, të vërtetë e të besueshëm për lexuesin, atë sfond historiko-shoqëror ku lëvizin personazhet, me zhvillimet e veta, me aspiratat dhe përpjekjet për ngjizjen e ndërgjegjes arbroro-shqiptare, ruajtjen e lirisë, nga ana tjetër me intrigat, ligësitë, pabesinë, agresionin ushtarak e fetar dhe futjen e përçarjes nga ana e armiqve dhe miqve të rrem, si një mënyrë për të lehtësuar sundimin dhe interest e tyre. Autorit, (sipas dëshmisë së tij), për të dhënë me besnikëri dhe pajtim me kohën në të cilën zhvillohen ngjarjet ,gjithë dukuritë dhe zhvillimet historiko-shoqërore, i është dashur një periudhë e gjatë studimore dhe konsultimi me gjithë burimet historike dhe dijetarë të asaj fushe. Për këtë dhe shkrimin e romanit i janë dashur afro 15 vjet! Dhe ja ka dalë të na japë besueshëm njerëzit dhe ngjarjet, me të gjitha veçantitë në kohën dhe vendin e ndodhur, të na bëjë që gjat leximit të na shfaqen dhe përfytyrohen vizionet arbrore të messhekullit të XVI.

Ngjarjet e romanit zhvillohen në Arbrinë Veriore, relativisht në një zonë të kufizuar, por nga më të bukurat. Zona alpine e Shalës, ku atë Buzuku është famullitar, malësia e Mbishkodrës dhe bregdeti i Tivarit dhe Ulqinit.Romancieri është kujdesur të njohë me imtësi krahinën, emërvendet,krahinat kufitare, shtrirjen, reliefin, bimësinë, dukuritë klimatike, ashpërsinë e dimrit, mahnitjen e pranverës dhe verës,  bukuritë dhe madhështinë e peisazhit, duke i bërë ato pjesë e qënësishme dhe e pandarë e sfondit ku lëvizin personazhet e romanit, jo si dekor por si pjesë e natyrës së formimit dhe qënies së banorëve të asaj treve, të cilët, veç të tjerash, në këtë gjejnë motivet e luftës dhe qëndresës.

3

Po kush ishte at Gjon Buzuku? Të vështirë e ka patur autori. Për ‘të dihen pak gjëra përveç atyre që thotë vetë ai te pasthënia e mesharit. Mendohet se ishte nga Kraja e Mbishkodrës, bir i Bdek(Benedikt) Buzukut, prift, meshtar katolik i arsimuar ne kolegjet italiane(mundet në atë të Loretos), i pajisur me një kulturë të gjerë për kohën dhe veçanërisht me dituri për trashëgiminë dhe traditën arbërore të gjuhës së folur dhe i hulumtimeve për arbrishten e shkruar para tij, dëshminë e së cilës ai e gjen te “Formula e pagëzimit”dhe që nuk rresht së kërkuari në ato pak biblioteka të  qyteteve, famullive dhe personave privatë. Buzuku nuk është thjesht një meshtar e aq në famullinë e Shalës. Nën zhgunin e tij të klerikut, rreh një zemër e madhe që veç dashurisë në Zotin, ka dashurinë e madhe për njerzit, bashkvendsit, arbrit, dijetari që kujdeset t’u ndriçojë mendjen me dituri, tu ngjallë ndjenjën amtare -arbrore, dashurinë për gjuhën, për vendin, që të duan njëri-tjetrin dhe të afërmin, që të jenë të bashkuar e jo të përçarë, që t’i bëjnë ballë së keqes bashkërisht dhe të mos bien pre e intrigave dhe ligësive të armiqve dhe atyre që u hiqen si miq, por që s’janë të tillë.

Autori na rrëfen se   At Buzuku, fillon të mbajë në kishë meshën në gjuhën arbrore(shqip), për ta shpënë fjalën e Zotit te besimtarët në gjuhën e kuptueshme e të bukur të nënës. Si një vazhdues i traditës së humbur të gjuhës arbrishte, atij i lind dëshira përvëluese për shkrimin në arbrisht të një meshari, për liturgjinë, siç thotë në pasthënien e mesharit: për të ”Meh zdritunë pak mendëtë e atyneh qi t‘eh ndiglonjinëh”(Për të ndriçuar pak mendtë e atyre që do të dëgjojnë). Qëllimi i tij ka qënë atdhetar, si njeri fisnik, me pasuri të madhe diturore dhe illuminist, i ndikuar edhe nga Rilindja Europiane dhe reformat kishtare të kohës, e vuri veten në shërbim të kombit dhe popullit të tij. Në shërbim të këtij qëllimi, pavarësisht nga pengesat dhe vështirësitë, ai vuri gjithçka nga vetja, pa kursyer asgjë, qoftë dhe jetën. Ky ishte at Buzuku, pionier i shqipes së shkruar, i pari që njohim deri tani.

Koha e zgjedhur për të shkruar librin ishte e vështirë për Arbrinë,arbërorët dhe vetë at Buzukun: pushtimi turk me gjithë pasojat ekonomike, politike dhe ushtarake, me synimin për të depërtuar edhe në thellësi të vendit dhe fillimi i politikave të islamizimit, si mënyrë nënshtrimi dhe përçarje; intrigat,hiletë dhe pabesitë venedikase në qytetet bregdetare,kundershtare e çdo prirje të arbrorve për të meshuar shqip. Prelatët katolikë venedikas, mendonin se besimtarëve katolikë arbër, u mjaftonte drita e besimit që buronte nga librat e shënjtë latinisht. Kisha serbe kishte nisur tjetërsimin e kishave në Dardani për t’i kthyer në kisha ortodokse serbe dhe pak e nga pak për të asimiluar e sllavizuar arbrit.  M’anë tjetër, banorët e  e malsisë, të organizuar në vllazëri dhe fise, të prirë nga kapedanë të zgjedhur prej tyre dhe me të drejtat kanunore të trashëguara, me konvertimin të disa syresh në islam dhe intrigat e fqinjëve ardhës sllavë, ishin në rrezik të përçaheshin dhe të kalonin në vllavrasje. Kohë e vështirë. E në këtë kohë,të mjegullt e të errët, famulltari Gjon Buzuku, largpamës, duhet të mendonte e vepronte në dobi të bashkësisë së tij, të Arbrisë, me fjalën e mënçur, mendimin e kthiellët, me urti t’i shmangte nga rruga e gabuar, ti mbante të bashkuar dhe….. të shkruante librin që e kishte aq përzemër, si një detyrë të shenjtë, qëllim të jetës së tij.

4

Ngjarjet e romanit zenë fill në mars të 1554, kur at Buzuku filloi shkrimin e librit dhe mbyllen në janar 1555 kur e mbaroi së shkruari dhe së shtypuri.Romani hapet me një dasmë, e cila përgjaket dhe kthehet në mort dhe mbyllet me vdekjen nga helmi të at Buzukut. Një nisje dhe mbyllje tragjike, simbole të Arbrisë së at’hershme. Në këtë hapsirë kohore, të ngjeshur me ngjarje, me luftën për ekzistencë kundër pushtimit turk, në kushtet e vështira ekonomike e klimatike, të përçarjes dhe armiqësive të brendshme të nxitura nga armiqtë, krahas detyrave të meshtarit, at Buzuku, me fjalën e mençur dhe respektin që gëzonte,është mes malsorëve dhe fjala e tij u ndrit rrugën dhe veprimet.

Autori, mjeshtërisht, na jep punën e frymzuar të at Buzukut për shkrimin e mesharit. Ai bëhet qëllimi i jetës së tij. Një shqetsim që s’i ndahet as dit’ as natë e që ai nuk heq dorë apo tërhiqet, pavarësisht edhe nga paralajmërimet e miqve dhe klerikëve për pasojat që mund të kishte.Është njëhershe,dëshirë dhe detyrë,një mendim që i rri ndezur përbrenda,pjesë e unit të tij, që se le të qetë as ditë as natë. Vështirësitë janë të shumta. I mungon modeli, i mungojnë parardhësit. Gjuha e folur është aty, në gojën e nënës, në belbëzimet e fëmijës, në kuvendet e burrave, në këngët dhe legjendat.Por ai duhet t’a hedhë në letër.Është si të kapësh erën, të kapësh dritën! Ai mbyllet në bibliotekë, që është dhoma e tij e punës dhe shkruan e shkruan.Zgjedh fjalët, që të jenë të duhurat, të bukura, të kuptueshme,tingëlluese, të rrinë mirë në fjali e fjalitë të kenë rrjedhshmëri.Tepër kërkues ndaj vetes, në qetsinë dhe vetminë e neteve tëpagjuma rishqyrton tekstin, prish fletë të tëra, rishkruan, serëndit e qorton të shkruarat, pa u kënaqur. I duhet të zgjidhë alfabetin, zgjedh atë latin dhe shton ato shkronja për tinguj të arbërishtes që nuk i ka latinishtja(ashtu siç vepruan edhe shkronjësit e tjerë të shqipes pas tij) Gjithmonë në kërkim,udhëton dhe hulumton se mos vallë gjen shkrime arbrishte në Tivar, Ulqin, Shkodër, Durrës, Shpat, takon famullitarët, këmben mendime dhe sërish kthehet në punë, e cila  atij i jep atë kënaqësi dhe ngazëllim të brendshëm, që provon çdo krijues i çdo kohe, kur harton dhe përfundon veprën e vet, ca më shumë kur ai është nismëtar  dhe çan një hulli të re e cila do të hapë shtegun nga ku do të kalojnë të tjerë pas tij. Rruga e gjuhës së shkruar do të jetë si rruga drejt dritësimit të mendjes dhe shpirtit të arbrorëve.

Më në fund ,në janarin e vitit 1555, meshari shqip, që përmban përkthime liturgjike, psalme dhe pak proza origjinale laike të hartuara nga Buzuku, u përfundua. Ai kishte  110 fletë, 220 faqe. Shkrimi në dy kollona. Në fund ai vuri dhe një pasthënie. Botimi i mesharit është një odise më vete, që në roman trajtohet gjerësisht. Për të duhet miratimi i selisë së shënjtë. At Buzuku i bën kërkesë. Nuk ka përgjigje. Në mungesë të miratimit, at Buzuku e merr në sy rrezikun: e botoi privatisht me shpenzimet e tij. Qarqet klerikale katolike, ky botim i alarmoi, ata i deshën arbrorët në terr, e deshën mesharin shqip në zjarr dhe shkruesin e tij rebel nëndhe. Vendimi ishte marrë.

At Gjon Buzuku, autori i parë i librit shqip, është edhe dëshmori i parë i gjuhës shqipe. Edhe pse nuk ka dëshmi historike, lexuesi, duke njohur fatin e mëvonshëm tragjik të pionierëve të shqipes, e pranon këtë përfundim që mbyll romanin.

5

Romani, nuk është nga ata libra që lexohen me një frymë, jo nga që ai ka 419 faqe, porse që të shijohet si vepër arti cilsore, që na shpie në Arbrinë e 450 vjetëve më parë, me zhvillimet dhe ndërlikimet, me personazhet, forcat lëvizëse dhe shtresëzimin e shoqërisë së kohës ,etjen për liri, dashurinë për vendin, shpirtin kryengritës e të panënshtruar, sfondin historik dhe tablotë madhështore të natyrës alpine, romani duhet lexuar ngadal e me vëmendje, për të përfituar edhe në shkallën e njohjes, të asaj që lexuesi nuk e di ose e di përciptazi, për atë periudhë historike pak të ndriçuar nga historiografia.

Kur shkrova më sipër që të shijohet si vepër arti, dua të vë në dukje se në këtë roman, mbi të cilin ka punuar shumë vite, Skënder Braka, pas një përvoje të gjatë shkrimore, i paraqitet lexuesit dhe opinionit letrar si një shkrimtar plotësisht i formuar, me kulturën e të shkruarit, si stilist i prozës së bukur. Ai shkruan dhe trajton me të njëjtin kujdes çdo fjali, paragraf e faqe, fillim e fund, pa lejuar askund rënie cilsore. Ai është shkrimtar i detajit, deri imtësive, vështrimit të tij të kujdesshëm nuk i shpëton asgjë: në peisazhet madhështore alpine,mjediset ku veprojnë personazhet, interierët dhe eksterierët. Veçanërisht i vëmendshëm ai është në paraqitjen, tipizimin dhe individualizimin e personazheve, sidomos të kapedanëve dhe krerëve të shumtë të fiseve malësore. Me pamjen, qëndrimet, mendësinë, ata vijnë të tipizuar, disi romantikë, si të dalë nga eposi i kreshnikëve por të vërtetë dhe bindës për lexuesin. E njëjta do thënë edhe për klerikët që nga famullitarët e thjeshtë deri te prelatët. Ka faqe të tëra antologjike, të cilat mund të përfshihen në tekstet shkollore të letërsisë shqipe.

Në fund,si lexues, duke theksuar edhe një herë, kënaqësinë që më dha leximi i këtij romani, nuk mund të mos ve në dukje (gjithmonë sipas meje) disa vrejtje. Prologu është i gjatë, disi i errët dhe mistik.  Prirja e autorit për imtësitë dhe detajin, për të thënë gjithçka, ka bërë që romani dhe ngjarjet të zgjaten dhe rëndohen më shumë nga sa duhet, sidomos në njëqind faqet e para, deri në shfaqien e at Buzukut. Edhe në aspektin kompozicional, proza e shtrirë në faqe të tëra, pa paragrafë dhe kryeradhë, mos ndarja në krerë, e bën romanin të dystë pa i dhënë frymëmarrje lexuesit. Në një rast ribotimi( E pse jo?), shkurtimi i kujdesëshëm, pa dëmtuar tërësinë e përmbajtjes, dhe organizimi më i mirë i lëndës, do ti bënte mirë romanit. Edhe titulli: është i mjaftueshëm Gjon Buzuku, pasi  “Një libër për arbrit”në shikim të parë, nuk i përngjan një libri artistik letrar, pastaj  është një nocion mjaft i gjerë, teksa ngjarjet përqëndrohen në një kënd të Arbrisë, që nuk është përfaqësues, por një pjesë e së tërës.

Prof.Çabej na e solli mesharin të tejshkruar e të komentuar në shqipene sotme.

Skënder Braka, mbi atë gur themeli, ndërtoi për të një përmendore letrare.

Tiranë, korrik-gusht 2017.