Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Kaltrina Hoti: Dy të këqija kundër shqiptarisë!

| E merkure, 06.09.2017, 09:01 PM |


Dy të këqija në një kërthizë kundër shqiptarisë!

Mirëmëngjesi Bashkimi Kombëtar (15)

- Maurico Druon, sekretar i Akademisë frënge thotë: "Shqiptarët i përkasin popujve më të vjetër se vet historia, dhe gjyshërit e shqiptarëve merrnin pjesë në luftën e Trojës, të udhëhequr nga Akili (në njërën anë) dhe Hektori (në anën tjetër)"-

Nga Kaltrina Hoti

Ne tani por edhe në të kaluarën merremi me pasojat dhe jo me shkaqet që i krijuan ato. Çdo të keqeje po nuk i dole në kohë përpara dhe t’ia ndalosh hovin ajo edhe pse duket e vogël gjëmën e ka të madhe. Të lejosh që gjithkush të merret me vlerat tona kombëtare është mungesë ligji, mosrespektim i shtetit, nënçmim i kombit, gjuhës, traditës, kulturës etj.., andaj është koha që çdo kush të bëjë punën e vetë atje ku punon dhe frymon. Është koha që t’i thuhet stop atyre që krijon përçarje dhe urrejtje kombëtare. Është koha që ligji të flas dhe jo rruga me fjalën e huaj.  Është koha të pastrojmë oborret tona. E them oborret se kemi dy shtete që të dyja lëngojnë nga sëmundjet e mosfunksionimit të institucioneve.

Dihet botërisht se  asnjë shtet nuk lejon që t’i përdhoset baza mbi gjakun e të cilit ka hedhur themelet liria. Liria që ka çmimin më të lartë, kërkon institucione që nga foshnjoret dhe deri tek akademitë. Lumi pa shtrat bënë dëme të mëdha. Përse këto shtete sillen sikur nuk kanë ligje. Mbi bazën e cilës filozofi të kombeve shpifin dy kombe, me çka e dëshmojnë këtë?! Me cilën gjuhë merren vesh ata të kombit “kosovar”, me cilin alfabet, cilat simbole, po psikologjia... historia. Përse këta të rekrutuar bëjnë punën e Beogradit, Athinës e Ankarasë dhe nuk i gjen asgjë?! Shteti që lejon veprime të tilla, idetë e të cilave krijojnë urrejtje në mesin tonë, bile iu jep hapësirë edhe në mjetet i informimit duket se nuk ka të bëjë me një të ardhme të qëndrueshme. Kjo marrëzi shfaqet kur ne duhet seriozisht të mendojmë për një shtet, një shtet që bashkon resurset tona natyrore, intelektuale e ekonomike. Mu këtu na godet armiku që të bëhemi kafshatë e lehtë për të na gllabëruar.

Një hije tjetër e lëshuar nga dora injorante është edhe fantazimi fetar, që dita ditës po e fut thikën në mesin tonë. Kjo shëmti në emër të Zotit haptas bënë kërdi duke u fut edhe në sistemin arsimor. Kjo kategori njerëzish dikur shtireshin si shqiptar, ndërsa tash deklarohen si mysliman (shpikje titiste) dhe mohojnë indin tonë. Pasi u trashën fortë dhe gjetën terren të përshtatshëm fyejnë e shajnë fytyrat tona kombëtare duke krijuar panik e urrejtje në mesin tonë. T’i drejtohesh Zotit në gjuhë të huaj do të thotë ta mohosh gjuhën e vetë Zotit.

Për të dyja këto kategori të shëmtuara që janë lidhur në një kërthizë kundër shqiptarisë do sjell një thënie të një akademiku francezë.  Maurico Druon, sekretar i Akademisë frënge thotë: "Shqiptarët i përkasin popujve më të vjetër se vet historia, dhe gjyshërit e shqiptarëve merrnin pjesë në luftën e Trojës, të udhëhequr nga Akili (në njërën anë) dhe Hektori (në anën tjetër)".

Është koha që në një tryezë t’i themi njëri tjetrit:

- “Mirëmëngjesi Bashkimi Kombëtar”.

 -Per ZemraShqiptare, nga NY, USA, Shtator 2017-