E marte, 23.04.2024, 04:27 PM (GMT+1)

Kulturë

Përparim Hysi: Kur 'kërceu prifti' nga belaja

E marte, 05.09.2017, 07:29 PM


Kur "kërceu prifti" nga belaja

Tregim

Nga Përparim Hysi

Im  atë, ndjesë pastë, na  e kish lënë me gojë: kurrë mos u merrni me mblesëri. Se mblesi.-thoshte imatë,- bëhet ndonjëherë fajtor pa pasur faj në mblesërinë e tij. Dhe për ta bërë më të prekshme porosinë e tij, tregonte:

-  Dikush kish vrarë gati 99-vetë. Mori pushkën dhe shkoi dhe u rrëfye tek ZOTI! Perëndi,- i tha,- me këtë pushkë unë kam vrarë plot 99-vetë.Tani pres ndëshkimin. Dhe Zoti i tha:- Do shkosh e do mbjellësh një bahçe me bostanë. T'i shërbesh asaj bahçeje dhe, kur të piqet bostani, do t'i lësh njerëzit që të hanë  falas.

Kështu bëri ai,"vrasësi", dhe, sa u poq bostani, i kthente njerëzit që të hanin pa paguar asnjë lekë. Mirëpo ja se ç'ndodhi një ditë. Një kalorës vjen tek bostani dhe, në vend të hante sipas ftesës, çau me kalin e tij përmes bostanit sa ia prishi bahçenë. "Bahçevani" e vuri pushkën mbi sy dhe  e vrau kalorësin e egër.

Fajtor për vrasjen u paraqit tek Perëndia dhe i tha:- Perëndi, i bëra plot njëqind. Pres dënimin. Dhe Perëndia i tha:- I ke të falura të gjitha vrasjet se  ky që të prishi bahçenë, nxitonte që të prishte një fejesë!!! Kurrë,- thoshte, ndjesë pastë babai im,- mos folni keq për një femër dhe,për ta patur ndërgjegjen e pastër, mos u merni me mblesëri.

*     *    *

Mirë e kishte indjeri imatë, po, kur thonë, në të lënë për prift, bëhesh dhe dhespot. Se kështu më gjeti dhe mua. Ka ndodhur aty nga fundvitet -70-të të shekullit që shkoi. Ne shkonim  shpejt në shkollë, që para orës 7 të mëngjesit se ndiqnim atë modelin e shkollave kineze me të ashtuquajturat "shkolla masive". Sa do hyja brenda portës së shkollës, kur shoh timkushëri me një të panjohur që po më  prisnin. Me siguri, presin për ndonjë hall,- mendova. Se nuk kishte si bëhej ndryshe që të ngrihet imkushëri nga një fshat buzë Shkumbinit dhe të rrëfehet tek porta e shkollës  sime qysh në orën  6.30 të mëngjesit. U takuam dhe, sa u çmallëm, pyetja ime qe direkte:- Përse jini munduar? E pashë që imkushëri sikur po mblidhej grusht dhe, dha e dha, dhe, më së fundi, e zbrazi: kishin ardhur  për të pyetur për një çupë në fshat. Kërkonin të më bënin mbles. E ndjeva veten ngusht dhe, pikërisht, atë ditë e kuptova që jo më kot ka lindur ajo shprehja: kërcen prifti nga belaja! Nuk kisha nga mbaja,aq më tepër jo vetëm që isha vendali në fshat, por çupa qe ish nxënësja ime. Ish-nxënësja ime që, sado që nuk shquhej në mësime, të paktën kalonte me forçat e veta. Jo vetëm kaq: çupa që kërkonte "aspiranti për dhëndërr", për fat të keq, duket fëmijërisë kish kaluar ndonjë sëmundje që e kish lënë pak me cen: njërin sy e kishte me defekt. Veç kësaj, natyra nuk i kish kursyer dhe një cen tjetër: kish një hundë paksa të madhe. Duket këto kish patur parasysh plaka që iu bë  nune dhe ia kish vënë emrin: Bukuri! Unë gjatë kohës që i jepja mësim, shpotitja me të gjithë nxënësit dhe Bukurisë i  thosha:- Ke për të patur fatin të bukur. Këtë e bëja vetëm për ta mbajturr me kurajo se, përgjithësisht, çupat i kam mbajtur pak si"me hatër",  ndryshe nga djemtë.

Tek shihja këtë "kandidatin për dhëndërr" që kërkonte për nuse Bukurinë, e ndjeva veten ngusht. Se dhëndërri qe si kalli misri dhe nuk kishte të sharë. Bukuria kish dhe një motër më të vogël (dhe ajo e kish mbaruar shkollën), por qe me të vërtetë për t'i vënë emrin Bukuri, por gjërat janë me radhë: flitej për Bukurinë. Aty për aty, për të zhdukur çdo hamendësi për portretin fizik të Bukurisë, i them:- Dëgjomë mua! Unë nuk e di se si do ta presin kërkesën tënde atje, por do jetë fati i madh për ty, po u pranove në atë derë si dhëndërr! Qe, me të vërtetë, një nga familjet më të mira në fshat.

U nisën, sipas fjalës sime, dhe me vete mendoja: ky, dhëndërri, sytë i ka në ballë dhe do ta shohë Bukurinë. Ata ikën dhe unë vazhdova punën në shkollë. Pa mbaruar orën e parë të mësimit, më lajmëruan se dikush më kërkonte. Dola dhe, sa hodha sytë, njoha  babanë e Bukurisë.

- Hë,- i them, Batjar, përse je munduar?

- Bjer dorën këtu,se qenke burrë, - më tha.

M'u bë qejfi shumë që, me të vërtetë, Bukuria pati fat të bardhë.

*     *    *

Por kjo histori e "mblesërisë" sime nuk mbaron me kaq. Duket thashë e themet e mbytën fshatin dhe, siç thotë dhe ajo fjala që"doli fjala nga dhëmballa, mori 27 mëhalla", mbrriti dhe në shtëpinë e dhëndërrit. Duket i qe  mshuar faktit  nusja ka një sy vëngarosh. Babai i djalit i hipën makinës dhe  frymën e mban tek shtëpia ime. Ne nuk njiheshim me njëri-tjetrin, por asokohe qe e lehtë që ta gjeje adresën. Sa më bën zë që dikush më kërkonte, dola dhe e takova. E ftova në klub dhe, kur më tha kush ishte, kërkova arsyen e vizitës së tij. Më tha:- Mos ajo vajza që do

marrë për nuse e ka një sy vëngarosh?!

Kësaj i thonë që ta blesh  belanë me para. E,- thashë,- sa mirë e ka babai im. Mos u merrni me mblesëri! Mirëpo u bëra "pjësëmarrës" apo një lloj mblesi.

- Dëgjo,- i thashë mikut,- kur ytbir më pyeti, unë i thashë:- Do jesh me fat, po u bëre dhëndërr në atë shtëpi.Dhe në është apo jo vëngaroshe nusja, ytbir sytë i kish në ballë dhe ta shikonte.

U ngrit dhe iku,por jo plotësisht i kënaqur.

*     *    *

Po, kur thonë, që, po qe nisur, do bitiset. Kështu ndodhi dhe me"mblesërinë" time. Ai e mori Bukurinë dhe, atje ku futi këmbët si nuse, nuk e lëshonin nga goja. Nuse  Bukuria ua zbukuroi shtëpinë dhe atë shërbim që u bënte pleqëve, ishte i veçantë dhe një gojësh thoshin:- Të kemi një  nuse si  ajo! Por, të them të drejtën, edhe mua më vinte mirë që"mblesëria" ime qe e mbarë. Nga ana tjetër, flanderoj dhe timatë që thoshte:- Kurrë mos fol keq për çupat! Kjo porosi,për femrat në përgjithësi, është si një vath që duhet mbajtur në vesh. Aq më tepër sot, kur me femrat gati lozet"arushë" a  ca më tepër nëpërkëmben, dhunohen dhe, ca më keq: vriten!

Tiranë,  1 shtatror 2017



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora