E premte, 19.04.2024, 11:58 AM (GMT+1)

Shtesë » Lajme

Rusët e kaluan vijën e kuqe

E enjte, 04.09.2008, 03:29 PM


Ish-sekretarja amerikane e Shtetit, në administratën Klinton, shpjegon masat që duhet të marrë Perëndimi kundër Rusisë

Ollbrajt është e bindur se Moska duhet izoluar nga pjesa tjetër e botës

Ka shërbyer në postin e sekretarit të Shtetit, nën administratën e Presidentit Bill Klinton dhe është një prej përgjegjëseve kryesore për zgjerimin e NATO-s. Luajti rol të dorës së parë gjatë ndërhyrjes ushtarake për ndalimin e gjenocidit në Kosovë, rast i cili për të është tërësisht i ndryshëm nga ai i Osetisë së Jugut. Në një intervistë të dhënë për revistën gjermane "Der Spiegel", gruaja e hekurt shpjegon masat që duhet të marrë Perëndimi kundër Rusisë. Ajo është e bindur se shtetet perëndimore duhen të bashkëpunojnë ngushtë lidhur me problemin rus dhe se duhet studiuar mënyra për ta izoluar nga pjesa tjetër e botës.

Madamë, trupat ruse janë ende në Gjeorgji. Moska ka njohur zyrtarisht pavarësinë e provincave gjeorgjiane të Osetisë së Jugut e të Abkhazisë dhe u ka premtuar mbështetje ushtarake në rast se do të kenë nevojë për këtë. Mos jemi në fillimin e një lufte të ftohtë?

Nuk kemi si të jemi në fillimin e një lufte të ftohtë. Do të ishte një hap gjigant prapa. Nga ana tjetër, nuk mund t‘ia falim vetes qëndrimin mënjanë në këtë situatë të ndërlikuar. Me pushtimin e një vendi sovran, rusët kanë kaluar vijën e kuqe. Ajo që duhet të na shqetësojë shumë është se Rusia po na sjell në kujtesë Perandorinë Ruse të shekullit XIX - kjo është e papranueshme në shekullin XX.

Po të ishit ende sekretare e Shtetit amerikan, çfarë do t‘u thoshit rusëve?

Para së gjithash do kisha shkuar personalisht në Moskë, në të kundërt të sjelljes që ka zgjedhur sekretarja aktuale e Shtetit, Kondolesa Rais. Është shumë e rëndësishme të kontaktosh në mënyrë të drejtpërdrejtë. Do u kisha thënë: Kjo sjellje është e papranueshme. Por, nga ana tjetër, do i kisha qetësuar duke u shpjeguar se nuk ka asnjë arsye të tremben për kufijtë e tyre. Do t‘u kisha bërë të qartë se bëhet fjalë për një situatë të kuptuar dhe interpretuar keq. Se gjërat duhen vënë shpejt në vend.

Kujt tjetër do ia drejtonit këtë mesazh, Kryeministrit Vladimir Putin, apo Presidentit të Rusisë, Dimitri Medvedev?

Putin, sido që ta quajë veten zyrtarisht, është numri një i Rusisë. Lindën mjaft pyetje mbi faktin që pranoi të hiqte dorë nga presidenca. Vërehet me shumë lehtësi që lëvizjet i bën ai dhe se ka krijuar një Rusi që në shumë aspekte nuk i përshtatet shekullit XXI. Duam të kemi mundësi për marrëdhënie bashkëpunimi, por aktualisht rusët e bëjnë shumë të vështirë këtë gjë.

Moska e krahason situatën e sotme në Gjeorgji me njohjen e pavarësisë së Kosovës nga ana e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe disa shteteve evropiane gjatë këtij viti. A vlen si analogji?

Paralelizmi është tërësisht i gabuar. Presidenti serb, Sllobodan Millosheviç, bashkë me krerët e lartë të shtetit kishte urdhëruar zbatimin e spastrimit etnik në Serbi dhe Kosovë. Na u desh të punonim mbi një listë të gjatë rezolutash të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për t‘i dhënë zgjidhje asaj situate, në kërkim të gjetjes së një rruge bashkëpunimi me rusët. Situata ishte thjesht shumë e ndryshme. Plus, nuk mund të ekzistojë asnjë lloj krahasimi mbi atë që po bënte Millosheviçi dhe përpjekjeve të gjeorgjianëve për të mos lejuar copëtimin e vendit.

Do të kishte reaguar ndryshe Perëndimi në rast se Gjeorgjia do të kishte qenë anëtare e NATO-s?

Kjo është pyetje hipotetike, pasi në Samitin e NATO-s të mbajtur në Bukuresht gjatë prillit të këtij viti, u vendos që Gjeorgjia nuk do të anëtarësohej. Por tashmë është shfaqur domosdoshmëria për hedhjen e hapave për planin e anëtarësimit të Gjeorgjisë. Nuk na lejohet të tregojmë hezitim mbi këtë çështje.

Zgjerimi i NATO-s ishte një prej sukseseve të administratës Klinton, gjë për të cilën ju keni pjesën tuaj të përgjegjësisë në cilësinë e sekretares së Shtetit. E parë në retrospektivë, ishte gabim? Mos ndoshta kjo provokoi rusët, duke i shtyrë të pushtonin Gjeorgjinë?

Unë ndihem edhe sot shumë krenare për zgjerimin e NATO-s. Evropa qe ndarë për shkak të Luftës së Dytë Botërore. Kur nisëm të zgjeronim NATO-n - shtetet e para anëtare qenë Polonia, Republika Çeke dhe Hungaria - ua bëmë shumë të qartë rusëve që shtetet e pavarura nuk përbënin asnjë lloj kërcënimi për sigurinë e tyre. Kam biseduar vetë me Presidentin Boris Jelcin mbi këtë temë, ashtu si edhe Presidenti Bill Klinton foli me Jelcinin. Krijuam të gjitha mekanizmat e mundshme që NATO dhe Rusia të mund të bashkëpunonin. Jo, unë jam krejtësisht e sigurt: te NATO nuk ka asgjë që mund të konsiderohet kërcënim nga ana e Rusisë.

Kjo vlen edhe në rastin e planeve të administratës Bush për instalimin e sistemit mbrojtës kundër raketave në Poloni dhe në Republikën Çeke?

Teknologjia e mbrojtjes nga raketat nuk është testuar ende - nuk mund të thuhet me saktësi nëse funksionon apo jo. Personalisht mendoj se ky lloj sistemi mbrojtës nuk është gati për t‘u përdorur.

Pra, administrata e re amerikane duhet ta ndërpresë projektin e mbrojtjes nga raketat me të marrë në dorë drejtimin e shtetit?

I gjithë ky debat është komplikuar shumë nga veprimet e rusëve në Gjeorgji. Por mendoj se problemet e vërteta në marrëdhëniet SHBA-Rusi nuk kanë të bëjnë fare me planet për mbrojtjen kundër raketave. Gjithçka nisi me veprimet qesharake të kryera nga Presidenti Vladimir Putin - krahasimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës me Rajhun e Tretë, apo kërcënimi i fqinjëve, të cilët shfaqën vullnetin për t‘u anëtarësuar në NATO dhe në institucione të tjera perëndimore. Në këtë çast ne u detyruam të përgjigjeshim.

Shumë liderë evropianë nuk pranojnë t‘u hyjnë linjave të ashpra kundër Rusisë - pjesërisht për shkak të varësisë që kanë nga nafta dhe gazi rus. Çfarë prisni nga evropianët?

Bashkimi Sovjetik nuk qe në gjendje të ndante Evropën dhe Shtetet e Bashkuara. Ato mbeten të bashkuara dhe nuk duhet ta lejojmë Rusinë ta ndajë këtë aleancë. Mendoj se konsultat transatlantike mbi këtë temë duhet të jenë më të shumta. Është shumë keq që si ne edhe Evropa mbahemi peng nga energjia - energji që shpesh na mbërrin nga shtete shumë të rrezikshme. Ja përse është kaq i rëndësishëm kërkimi i burimeve të reja energjetike.

Cilado qoftë administrata e re amerikane, do të trashëgojë raportet e ndërlikuara me Rusinë. Ju jeni mbështetëse e Barak Obamës. Sa do të ndryshonte reagimi i tij nga ai i Xhon Mek Keinit?

Në Gjeorgji Xhon Mek Keini u tregua shumë luftarak dhe foli si të qe një prej luftëtarëve të Luftës së Ftohtë. Barak Obama e ka pranuar se bëhet fjalë për një situatë shumë serioze dhe lëshoi një deklaratë mjaft të fortë në çastin e njohjes së provincave gjeorgjiane. Besoj se ka të drejtë: në rast se Putin nuk ndryshon sjellje, duhet të kërkojmë rrugët për ta izoluar nga bota.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora