Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Gani Mehmetaj: Bashkëbisedim me Rugovën

| E diele, 03.09.2017, 09:03 PM |


Gani MEHMETAJ: Kujtime  (58)

Bashkëbisedim me Rugovën: “Kur ka ra kushtrimi në Kosovë” ma kujton simfoninë e nëntë të Betovenit

Në fushatën zgjedhore presidenti Rugova shpalosi flamurin e Dardanisë, i cili si i tillë qe bërë jo vetëm emblemë e LDK-së, por e pjesës më të madhe të shqiptarëve të Kosovës. E pata ndjekur fushatën për zgjedhjet qendrore, duke ua përgatitur medieve të shkruara e televizioneve prezantimin e Rugovës dhe atmosferën e fushatës, ndërsa e plasoja edhe në Qendrën Informative të Kosovës. Në fillimin e çdo tubimi nëpër salla sportesh apo fusha futbolli, ku merrnin pjesë mijëra simpatizues, së pari intonohej himni kombëtar e pastaj himni i Dardanisë. Ishte ndjenjë e veçantë kur e dëgjoja. Veçmas e bënte dramatike kur e këndonte Shkëlzen Jetishi, buçiste salla.

Shtetësia e Kosovës, që e pretendonim, kërkonte edhe himnin, kështu që doli në opinion një këngë e fillimshekullit XX : “Kur ka ra kushtrimi n’Kosovë”, e cila këndohej në luftën e shqiptarëve kundër Perandorisë Turke. As flamuri nuk u shmangej simboleve kombëtare kuqezi me shqiponjën, ku e kishte edhe yllin e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut. Ndërkaq, himni nuk i shmangej këngës mobilizuese patriotike, të pasuruar me dramaticitetin epik, apo sikurse tha Rugova në intervistën që ma dha për gazetën “Bota sot”: Kur ka ra kushtrimi n’Kosovë, ma kujton simfoninë e nëntë të Betovenit.

Në intervistë presidenti paralajmëroi se me shpalljen zyrtare të pavarësisë së Kosovës, flamuri i Dardanisë do të bëhej flamur shtetëror, kurse himni “Kur ka ra... “  po ashtu himn i shtetit të ri. Me sa entuziazëm më fliste për shtetin e ardhshëm të Kosovës, për simbolet, flamurin e Dardanisë, himnin dhe për të ardhmen.

-Do të zhvillohemi, Perëndimi do të investojë në Kosovë, do ta marrim model zhvillimin e Zvicrës. Shumë specifika të tjera i kemi aq të ngjashme me këtë shtet të Alpeve, - më thoshte më një ton të veçantë. - Diasporën e kemi të fuqishme e atdhetare , ata do të kthehen e do të na e sjellin përvojën e shteteve të zhvilluara. Ai e besonte dhe e përjetonte thellë ëndrrën e madhe. Me të njëjtin entuziazëm m’i tregonte mineralët e famshme në rezidencën e tij, pasuri kjo që ua tregonte të gjitha personaliteteve të njohura. - Toka jonë ka thesare të shumta, ato duhet t’i nxjerrim në sipërfaqe, duhet t’ua tregojmë botës, ne kemi edhe të kaluar të ndritshme, që po ashtu duhet t’ua dëshmojmë të tjerëve.

Rugova e vinte në pah vazhdimisht se s’kemi pse e ndiejmë veten të kompleksuar në raport me kombet e tjera të Gadishullit ilirik, kemi të kaluar nga e cila nuk turpërohemi, përkundrazi, mburremi me të. Kemi traditë e kulturë, i takojmë kontinentit evropian me mendësi, të kaluar e të tashme, i kemi dhënë Evropës personalitete të rëndësishme që nga antika perandorë romakëve e bizantinëve e deri te Nëna Terezë.

Rugova: Bashkimi kombëtar është i pashmangshëm

Ndërkaq, kur në bisedë jashtë asaj të regjistruar flisnim për fatin e dy shteteve shqiptare në të ardhmen, ai ishte ithtar i bashkimit të pahetueshëm, të paimponim. Së pari duhet të integrohemi në projektet kulturore, pastaj në të gjitha segmentet e tjera: ekonomi, komunikacion, këmbim mallrash e idesh. S’kemi nevojë të flasim me zhurmë e patetikë, pse t’i frikësojmë të tjerët, apo t’i mobilizojmë që të na kundërvihen, pse t’i irritojmë aleatët tanë. Bashkimi është i pashmangshëm, por duhet të jemi shumë të kujdesshëm, e përsëriste.

Biseda bëri jehonë në opinion, duket i hutoi edhe ndërkombëtarët, të cilët nuk i pengonte që flamuri i Dardanisë  të bëhej flamur partiak, por flamur shteti nuk e donin. Ai, sipas tyre, bartte shenja kombëtare, që s’do t’i pranonte pakica serbe. Dardania simbolizonte territor më të madh sesa 10.000 kilometra katrorë të ish-Krahinës Autonome të Kosovës. Ky emër do t’i shqetësonte fqinjët, të cilët zhvatën territor shqiptar. Nishi ishte kryeqytet i Dardanisë, kurse para njëqind e sa vjetësh e kishte okupuar Serbia. Himni po ashtu nuk i entuziazmonte të huajt që e konsideronin tepër luftarak, me elemente të kushtrimit, sepse himni ishte kushtrim-këngë e kënduar në kohën kur shqiptarët e Kosovës e luftonin pushtuesin turk, përkatësisht Perandorinë Otomane, por njëkohësisht e mbronin territorin shqiptar nga invazioni serb e malazez.

“Kur ka ra kushtrimi n’Kosovë” i ngjante shumë kushtrimit “Bini toskë e bini gegë...!”

Për dallim nga kundërshtarët, Rugova në çdo qytet gjatë fushatës nxirrte në shesh ndonjë element nga rrënjët tona, vinte në pah vlerat kombëtare të ndërthurura me gërshetimin evropian, trashëgiminë antike ilire-dardane, prodhimet vendëse (tamelbore, dardhat turshi, bustet ilire, emërtimet e vjetra të gjuhës sonë etj.) E njihte antikën si rrallë ndonjë intelektual tjetër, e vlerësonte mesjetën shqiptare, të princërve të Arbrit, mbi të cilën do ta ndërtonim shtetin tonë, ndërsa  përpiqej të kultivonte krenarinë kombëtare, apo nacionalizmin si do ta quanin jugosllavët e dikurshëm.

Më kujtohet në një takim me zyrtarë të Bashkimit Evropian sesi ra puna e emërtimit “Dardani” për shtetin e ri, që e preferonte Rugova. “Por Dardani”, me tha një gjerman, “më duket nënkupton një territor më të madh sesa Kosova apo jo?”

“Dardania e shtrirjes antike nuk është vetëm Kosova e sotme. Kryeqytet e pati Shkupin, po edhe Naisusin (Nishin),  sipas shkrimtarëve antikë. Historinë nuk mund ta ndryshojmë as ta bëjmë sipas dëshirave të politikës së ditës”, ia ktheva.

Ndaj këtij emërtimi patën rezerva vazhdimisht ndërkombëtarët, ashtu sikurse nuk e pëlqenin as flamurin e Dardanisë, sepse ma patën thënë në një festë: ”Mendoni ju se do ta pranojnë këtë flamur serbët e Kosovës?”

“Por ne flamurin e kemi për shumicën e popullatës së Kosovës, e jo për pakicën. Asnjë shtet nuk bën flamur e himn për pakicën”, ia ktheva paksa i habitur, pse minoritetet duhej të bëheshin pengesë për simbolet e shtetit të ri. Në formë shakaje e pyeta: Mendoni ju se serbët do t’i duartrokitnin shtetit të ri? Ata rrudhnin supet, pa m’u përgjigjur. Athua duhej të bëheshim peng i minoriteteve?

Një pjesë të këtyre keqkuptimeve ose moskuptimeve përpiqej ta sqaronte edhe Rugova, duke pretenduar se flamuri dhe himni janë për të gjithë, se shteti i ri do të ketë simbolet e reja, pa e shpërfillur simbolin kombëtar të të gjithë shqiptarëve, flamurin kuqezi me shqiponjën dykrenore.

Rugova e sqaronte edhe procesin e pavarësimit të Kosovës, sepse sërish nisi të nxirrte krye propozimi ndërkombëtar për një sajesë me Serbinë apo për një autonomi.

Intervista që e bëra me presidentin Rugova, botuar në gazetën “ Bota sot”, për shtetin e ri të Kosovës, për flamurin, himnin dhe për elementet tjera të shtetësisë, bëri jehonë jo vetëm në Kosovë, por edhe në Shqipëri e në qarqet ndërkombëtare. Intervista u përkthye në disa gjuhë botërore. Opinioni i Rugovës u interesonte të gjithëve, megjithëse shpeshherë nuk e tumirnin.

Disa kohë më vonë, kur flamuri i Dardanisë zbukuroi tërë qytetin, dolën grupe të UÇK-së, apo si e quanin veten veteranë të UÇK-së, në marrëveshje me policinë ndërkombëtare të UNMIK-ut, i mblodhën të gjithë flamujt e Dardanisë dhe i dogjën. Policët ndërkombëtarë ua bënin me sy. Serbët kënaqeshin. Turra e flamujve të Dardanisë që digjeshin më dukej si turra e librave kur i digjnin nazistët në Gjermani. Kamerat regjistronin djegien. Askush nga ndërkombëtarët nuk reagoi. Po këta të vetëquajtur veteranë asnjëherë nuk bënë turr ta digjnin flamurin e Serbisë, që e dogji Kosovën, sepse nuk ua mbante, ndërsa kënaqeshin duke e djegur flamurin e shqiptarëve.

Njerëzit mbetën të shtangur nga habia e nga mosreagimi i policëve, të cilët atë mëngjes  feste ikën nga qendra e qytetit, kur mblidheshin flamujt me kamionçina të UNMIK-ut, u zhdukën edhe nga periferia që t’ua lehtësonin krimin grupeve mujshare.

Kur ua sollën flamurin e ri në Kuvend, veteranët e ndërsyer të UÇK-së nuk e thanë asnjë fjalë. Ai flamur pa asnjë shenjë identiteti shqiptar, nuk i pengoi.