E marte, 19.03.2024, 02:45 AM (GMT)

Sport » Futbolli Shqiptar

Gëzim Llojdia: Kur rrëzuam 'Partizanin' e Beogradit

E enjte, 31.08.2017, 07:02 PM


Kur rrëzuam "Partizanin" e Beogradit

Nga Gëzim Llojdia

1.

Kujtojmë këtu se rreth 25 vjet më parë,”Flamurtari” i Vlorës gjunjëzoi Partizanin e Beogradit duke e larguar nga kupat e Evropës .Aty nga vitit 2000, kam intervistuar një ndër ata sportistët e Vlorës.

Bomberi i shquar i "Flamurtarit", ai që rrëzoi në gjunjë radhën e portierëve shqiptarë të viteve 80, quhet Vasil Ruci. Ka lindur në Vrenezë, kështu thirret edhe sot ajo që përmendej si lagja pranë agjensisë. Vendlindja është rregjistruar në muaj të brishtë: 17 Shkurt 1958.Ja cili ishte rrëfimi i tij.

Viti 1987."Partizani" i Beogradit në atë kohë mbërrinte nga ajo pjesë e ngrysur e Ballkanit. Në Vlorë, kjo skuadër gjeti një tjetër skuadër që ishte gati ta hante të gjallë. Ishte politika që e konsideronte atë një lojë politike. Situata në Shqipëri ishte e ndezur. Kurse në Vlorë tensioni ishte ca gradë më tepër. Nuk flitej veç për fitore. Ishte harruar gruri e misri. Propaganda ishte drejtuar tek "Flamurtari". Presionet dhe trysnia ishte e jashtëzakonshme. Fitorja 2:0 në Vlorë me gol të Iliadhit, dhe një autogol. Temperatura u rrit përpara se të shkonim në Beograd. Përpara se të kapërcenim kufirin na thanë: Duhet të fitoni se kjo është një lojë politike. Situata në Beograd ishte tjetër. Ata e konsideronin thjeshtë një lojë. Goli i Kushtës na çliroi nga dy përgjegjësi, ajo politike dhe ajo sportive. Pas minutës së 72 kualifikimi ynë ishte i sigurt. U kualifikua edhe pse në Beograd humbën 2:1. Kështu e rrëzuam "Partizanin" e Beogradit, e cila mbante në skuadër emra të mëdhenj, Smajç, Xhurobski dhe Katanec. Ky i fundit është trajner i Sllovenisë, që zhvilloi ndeshje të mëdha në evropianin e fundit.Si vajtja dhe kthimi u përshkuan me avion dhe autobuzë. Në Han të Hotit kemi ndjerë për herë të parë reprezaljen e shtetit. Deri atëherë ajo ishte drejtuar tërthorazi, por aty gjetëm "fytyrën" e asaj kohe.Sapo mbërritëm në kufi, doganierët ishin të ngrysur dhe na thanë se me një urdhër nga lart do të kontrollohej autobuzi. Ferko do të thërriste: përgatituni për zhveshje, gati i kanë hekurat këta. Na zbritën, na kontrolluan duke na zhveshur. Çmontuan edhe sedilet për ti kontrolluar. Tahos, Ziajt, Cipit, mua, na morën nga një Tv që na i kishin dhuruar kosovarët. Ata kishin ardhur atë ditë nga viset e Kosovës. Populli shkodran na priti me lule. Bllokoi autobusin dhe bëri festë sikur të ishim ekipi i tyre.

2.

- "Futbolli, krahasohet me artin, për nga bukuria. Gjithë ato ëndrra u pikëzuan një ditë. Më mori një shok tek "Shtëpia e Pionierit" dhe më dorëzoi tek Skënder Ibrahimi. Provoje, i tha, edhe këtë. Më dha një bluzë. Futu, më tha, por mos ki frikë". Kështu e fillon prezantimin e tij Vasil Ruci, dhe më tej vazhdon:"E kisha ëndërruar të bëhesha futbollist. Aty gjeta një ditë të gjithë ata që do të mbeteshin yjet e futbollit. Ishte Perlat Musta, Kreshnik Cipi, Hasan Lika, Kokalari, Mile, Kërçini, H. Gega, Agron Dauti. Ishte një spartakiadë, ku u shpallën më të mirët. Kishim humbur. Dridheshim në pushim, më saktë qamë, kur hymë, fituam 3:1. Kështu u bëra protagonist për ekipin e të rinjve. Dy vjet aty, rreth moshës, 15-17 vjeç kam kaluar me të rinjtë. Më kujtohet që në një kampionat kam shënuar 14 gola. Në konceptin e një sulmuesi, golat janë epiqëndra e tij. Në fillim kam provuar mesfushën si lojtar, më vonë gjendem sulmues i "Flamurtarit".- Me ndihmën e B. Birçes kam luajtur ndeshjen e parë në vitin 1976 ku përballë ishte Kavaja. Bëra një gol, që më drodhi nga emocionet. Depërtova tek sulmuesit që ishin hijerëndë me peshë në futbollin e Vlorës. Ishte një treshe; Sh. Zilja, S. Curri dhe P. Xhaho. Një ditë të ftohtë para përgatitjes, trajneri Birçe i thotë A. Sulos, një sulmuesi potent, por që kishte pësuar rënie se do të qëndronte në stol. Po qe se do të qëndroj në stol, tha ai, do të largohem fare. I madhi Agron, nga ajo ditë u largua, më vonë, aty rreth viteve 78 u rikthye, tashmë si trainer i Vlorës.

Vitet ’80 do të konsiderohen si një hap cilësor i "Flamurtarit". Askush nuk do të mendonte më vonë se ky ekip do të pëlqehej aq shumë, do të adhurohej, herë për golat, herë për vallzimin në fushë, herë për rezultatet. Por si ndodhi kjo?

- Ekipet e qyteteve të tjera ishin të ngjashme me njëri-tjetrin, për nga mënyra se si luanin, si fitonin dhe si humbnin ndeshjet, kupat, apo kampionatin. Në atë kohë kishte ekipe rebele, që fitonin një ndeshje, njëzet humbnin. Kështu në pamundësi për të thyer Tiranën, në jo pak kohë, bëmë bllokimin e saj. Tek ajo ndrisnin dy sulmues Kola, Minga. Sot nuk dihet ku janë shpërndarë ata, por ekipi i viteve 80 përbënte një skuadër dinjitoze, ishin P. Ruci, F. Ziai, E. Liçaj, A. Canaj, K. Cipi, Sh. Zilja, Xhaho, Taho. Ndërkohë krahas tyre vijnë prurjet e vitit 60, Ferku, Bubeqi, Gjondeda. E përshkruar kjo rrugë është e tillë, 82, 93 nënkampion, 83 dhe 84 në finale, 85, 86 fitues. Prekëm dy kupa. Për fatin tonë jo fort të dëshiruar mbetëm 6 herë nënkampion. Viti 83 e në vijimësi lexohet, vitet e të mëdhenjve. Tirana mbante peshën. Mbrojtësit e saj ishin të vështirë për të depërtuar. Lekbello, Bimo, Baçi, Vladi. Ishte koha e sportistëve "star" të Tiranës. Po atë kohë do të formonin vargonin e pafund të dhimbjes time, në mospjesëmarrjen me "Flamurin" në kupat e Ballkanit. Për herë të parë në këto vite, skuadra zbriti në vjeshtë në takimet me Aek të Athinës dhe Velezh të Mostarit. Nuk më lejuan të merrja pjesë në të dy takimet, duke u kthyer në një spektator të thjeshtë që vuan tragjedinë e popullit të tij, vuanja "biografinë". "A. Sulo më tha: Vasil ik bëj biografinë në Dhërmi dhe hajde më pastaj. Ekipi iku, dhe në vendin tim morën Kovaçin dhe ndonjë nga rrethet. Në Evropë, Barcelona ruan emrin e saj me autoritetin e ekipit të madh. Në Spanjë, por edhe në Evropë kishte formuar varganin e pafund të titujve. Barcelona mbërriti në Vlorë, në vjeshtë, në shtatorin e Kupave të Evropës. Në formacionin e saj, yjet ishin prezent. Në portë Zubizareta i Barcelonës dhe i kombëtares spanjolle. Linekeri, ylli i Anglisë, lojtar i kombëtares. Ishin gjithashtu Hjuxh si dhe spanjollët e kombëtares Karasko, Alberto, Miguer, Viktor. Më kanë pyetur të gjithë, ndonëse kanë rrjedhur vite: Si e bëre golin? Sot po e përmbledh me dy radhë: Një top ka ardhur nga mesfusha, e kam stopuar dhe kam gjuajtur. Unë e ruaja vizionin e portës edhe kur sytë nuk shohin portën. Zubizareta me gjithë lëvizjet, ishte një portier i mahnitshëm. Furia e gjuajtjes ishte e madhe, brenda disa sekondave, topi pushoi në rrjetë dhe e drodhi Zubizaretën. Ky ishte një gol që nuk u ngjante të tjerëve, ndërsa në portë ishte një portier, që gjithashtu, nuk u ngjante të tjerëve. Me aftësitë dhe lartësinë ai përbënte një portier të madh, i cilësuar si më i miri në Evropë. Barcelona vërtet u befasua, por e ka mbledhur veten. Na ndëshkuan me një gol.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora